RRËNIMI I GODINËS SË TEATRIT KOMBËTAR
Fshirja e kujtesës

Kryeqytetit, në 100-vjetorin e tij, iu shkul një pjesë e historisë së madhe, si për ironi të identitetit të saj, që sot e paskëtaj do të jetë i cunguar frikshëm... Nga njerëzit e ndryshimeve të befta.

1556

Në mesin e të dy Luftërave Botërore, një arkitekt i ri shqiptar në Bukuresht e mbronte doktoraturën mbi një maket të Teatrit shqiptar Kombëtar. I mrekulluar nga ndryshimet e para të qytetit, projekti ishte vendosur sak në atë vend, nga ku dy dekada më vonë do të niste jetën një godinë shumë funksionale e fashistëve që u shndërrua në Teatrin Kombëtar.

Kronika e Gjergj Bubanit e përcjell kështu iniciativën e të riut: “E ka vendosur në sheshin kryesor të kryeqytetit përballë pallateve ministrore. Tue qenë se ne shqiptarët nuk kemi një stil tonin, autori pranoi si themel stilin bizantin me disa nota shqiptare dhe me një ngjyrë të fortë moderne. Në këtë mënyrë, Arkitekti S. Opari kërkoi të jetë sa më afër poezisë së vendit edhe shpirtit shqiptar. Rreth e përqark Theatrit menazhohet një shesh i tillë që t’u bëjë ballë nevojave të qarkullimit dhe përballë monumentit hapet një arterie e re, e parapamë në planin e ri të kryeqytetit, në mënyrë që perspektiva e pallatit të duket së largu. Sipërfaqja e zënë prej godinës është 40 metrash faqe me 78 metra thellësi. Plani është bërë për një godinë Theatri dhe Opere së Bashku, për 1000 spektatorë, me skenë dhe foajere të mëdha, siç e lypin nevojat moderne, me kalorifer dhe me gjithë nevojat teknike moderne.

Plani që duhet të jetë ende diku në Fakultetin e Arkitekturës në Bukuresht është harruar, porse shkatërrimi që iu bë godinës së Teatrit do të qëndrojë për vite në subkoshiencën e shqiptarëve. Godina, që mbarte historinë e re moderne kulturore-artistike-historike-shkencore, e zgjati rezistencën e saj gati tre vjet derisa iu dorëzua pa kushte vullnetit të kryeministrit të vendit, Edi Rama, që në një fiksim gati 20-vjeçar vendosi ta rrafshonte. Përgjegjësia zyrtare faturohet mbi Bashkinë e Tiranës dhe Këshillin e saj Bashkiak, pasi ekzekutivi i z.Rama, me logjikën e zakonshme të autokratëve për të mos firmosur akte të mëdha, ia la asaj tokën në administrim.

Veçse ngazëllimi i tij personal dhe i gjithë përkrahësve të kryeministrit për këtë vullnet e ka trondur Tiranën dhe jo vetëm. Mbi të gjitha, se pse godina, ku ishin dëgjuar për herë të parë tingujt e muzikës klasike për Tiranën, zërin e korifenjve të artit shqiptar, ceremonitë e disa prej personazheve më të njohur të jetës politike të Luftës së Dytë, por edhe artikulimi i fundit sublim i verdiktit për inteligjencën shqiptare, nuk ishte monument kulture!

Askush nga politikanët shqiptarë, qoftë edhe ata që nxorën lotë këto ditë, nuk begenisën të vendosnin një firmë, që t’a shpëtonte ekzistencën e godinës.

Është e vërtetë se Tirana prej vitesh nuk kishte një godinë të Teatrit Kombëtar, ashtu si prej kohësh dihej vullneti i Ramës për ta shkatërruar, por problemi është se asnjëherë debati mes grupeve të interesit nuk zuri vend, në mënyrë që t’i lihej mundësia ndërtesës që brenda funksioneve të saj dhe mënyrës së ndërtimit, të mbijetonte. Ashtu si ia hodhi paq tërmeteve të Tiranës dhe synimit të Neronëve, që nuk i kanë munguar apo fshihen kryeqytetit tonë.

Prishja e godinës ndau frikshëm edhe jetën e personazheve kulturore-artistike të vendit, ku shumë prej aktorëve dhe artistëve, thjesht prej konjukturave e përkrahën, ndërkohë që grupi më besnik ndaj tij, qëndroi deri në fund, pavarësisht se edhe ai vetë u nda turpshëm në fund. Duke na pjelë tani edhe një lëvizje, që me firmat për rindërtimin e teatrit, artikulon politikë.

Humbja më e madhe, që ndjen sot çdokush në atë boshësi të frikshme, ishte jo thjesht për komunitetin e artistëve, por për qytetin dhe memorien e tij, që cinizmi nuk ia kurseu dhe datën. U prish me pak të rëna nga goditjet e fadromave natën e 17 Majit, bash në atë datë, nga ku kish filluar jetën si Teatër Kombëtar, po më 17 Maj, por të vitit 1945.

Kishte përfunduar së ndërtuari më 1940 me emërtimin “Qarku italo-shqiptar SKANDERBEG”, si një kompleks me dy ndërtesa paralele, të ndara nga një gjysmë-patio e organizuar si mjedis relaksimi: me një pishinë në mes dhe përfund me një palestër model për kohën, shkruhet në kronikat e kohës. Ishte bash përkatësia në ndërtimet e pakta të mbetura të epokës së njohur fashiste “il Ventennio” për komplekse të atilla, një nga kërkesat e mbrojtësve të saj për ta ruajtur.

Dhe, jo vetëm kaq, “Kinema-teatër SAVOJA” (njëra nga strukturat e ish-TK), ajo që mori goditjet e para të fadromave ishte vendi ku kryeqytetasit do të preknin muzikën më elitare të kohës nën interpretimin e artistëve të talentuar Tefta Tashko-Koço, Kristaq Antoniu, Jorgjia Filçe dhe Marie Kraja etj.

Kurse në mjedisin e dytë, paralel me të, nisi jetën e tij, ai që në historinë e albanologjisë do të njihej si “Instituti i Studimeve Shqiptare” me emra që janë ngulur për të mos u shqitur dot nga historia e shkencës sonë.

“Një vepër në gjendje të përbënte një qendër tërheqjeje dhe takimi, dhe gjithçka në një impostim të shëndetshëm kryesisht sportiv”, citohet në relacionin teknik të projektit të dërguar nga drejtori i Ndërmarrjes Pater, që do të realizonte projektin, në adrese të kontit Çiano në shtatorin e 1938- ës.

Kinema “Savoja” do të shndërrohej në “Kosova”, porse mjediset nuk do të shërbenin vetëm për artistët por edhe për propagandën, që komunistët i dhanë dërrmën duke organizuar gjyqet e frikshme, që vendosën para skuadrave të pushkatimit, elitën shqiptare, bash ata që dikur stimulonin dhe ishin spektatorët e artit të kohës.

Dhe, në fund, por jo e fundit, zhvillimi i Teatrit Kombëtar të pasluftës, me shumë shfaqje klishe të Realizimit Socialist, pati edhe arritjet më të mëdha të artit dramatik vendas. Të gjitha sot pjesë e kujtesës që do fshihet në nënvetëdije, sepse këto dhe shumë elementë, zyrtarët e Shqipërisë, menduan se ishin të pamjaftueshëm për ekzistencën e tij.

Kështu, kujtesa e plazmuar prej argëtimit, e deri te lotët e persekutimit, u varrosën, për t’i lënë vend strukturave moderne, që parashohin modernizmin e frikshëm të qytetit tonë, që nuk po kursen asgjë e që arkitekti i dikurshëm shqiptar, që donte të bënte një teatër modern, nuk e parashihte dot në Bukuresht.

Kryeqytetit, në 100-vjetorin e tij, iu shkul një pjesë e historisë së madhe, si për ironi të identitetit të saj, që sot e paskëtaj do të jetë i cunguar frikshëm… Nga njerëzit e ndryshimeve të befta.