MEKA E ZHYTUR NË TURIZMIM MASIV FETAR
Haxhi, nafta tjetër e sauditëve

Haxhi në Mekë, shtylla e pestë e Islamit, garanton të hyra të përjetshme për autoritetet saudite. Për të pritur një numër gjithnjë në rritje të vizitorëve, udhëheqësit wahhabi nuk hezitojnë ta shndërrojnë qytetin e shenjtë në një kantier të përhershëm ndërtimi, edhe nëse duhet ndryshuar pamja e vendit. Ambicia për të mirëpritur gjithnjë e më shumë haxhilerë, paraqet probleme serioze për shëndetin dhe sigurinë.

155

Mbretëria e Arabisë Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë (10 milion fuçi në ditë), është gjithashtu djepi dhe qendra nevralgjike e Islamit. Është shteti i vetëm me ulëse në Kombet e Bashkuara i cili mban emrin e një familje. Ky vend përvetëson ekskluzivitetin e shehadetit – të deklaruarit të fesë islame – të cilin e ka paraqitur në flamurin e tij, për t’iu treguar 1.8 miliardë besimtarëve të identifikuar në të gjithë botën, se sovranët e këtij vendi janë “shërbëtorët e vendeve të shenjta“. Meka ku lindi profeti Mohamed, kibla (drejtimi) e pesë lutjeve ditore dhe Medina ku ai prehet, mbeten fusha ekskluzive të monarkut.

Mjetet financiare kolosale të tërhequra nga arka e naftës konsolidojnë udhëheqjen fetare të mbretërisë mbi Umetin (komunitetin e besimtarëve), por monarkia e di se duhet të kujdeset për të ruajtur legjitimitetin e saj si kujdestare e vendeve të shenjta. Prandaj edhe ndërmerr përpjekje të mëdha për ta siguruar mbarëvajtjen e haxhit që bëhet në tokën e saj. Në vitin 2019, Rijadi nuk ngurroi t’i besojë sigurinë e perimetrit të haxhit një degës së kompanisë izraelite G4S. Sfida logjistike, shëndetësore dhe të sigurisë është e konsiderueshme. Dy deri tre milion haxhilerë shkojnë çdo vit në haxh, i cili është shtylla e pestë e Islamit. Haxhi është i detyrueshëm një herë në jetë për çdo musliman që gëzon shëndet të mirë dhe që i ka mundësitë. Ai kryhet çdo vit për së paku pesë ditë gjatë muajit Dhul Hixhe, muaji i fundit i kalendarit të hixhrit (hënor). Ai përbën apoteozën e jetës së besimtarit dhe e lanë atë nga të gjitha mëkatet e tij. Është gjithashtu një moment i ribashkimit për muslimanët nga e gjithë bota, një faktor uniteti dhe shkëmbimi.

Mesatarisht, haxhi sjell në mbretëri 10 deri në 15 miliardë dollarë në vit. Në këtë arkë duhet shtuar 4 deri 5 miliardë dollarë të sjellura nga tetë milion haxhilerë që kryejnë umren, një pelegrinazh jo i detyrueshëm në Mekë i cili mund të kryhet në çdo datë të vitit (jashtë haxhit) dhe që arrin vlerë kulminante gjatë Ramazanit. Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Mekë, 25% deri 30% e të ardhurave të sektorit privat në dy qytetet e shenjta varen nga pelegrinazhi. Në total, të ardhurat e kumuluara të haxhit dhe të umrës përbëjnë zërin e dytë më të madh të të ardhurave për shtetin Saudit pas shitjeve të naftës. Në vitin 2018, Rijadi parashikoi që këto dy pelegrinazhe do t’i sillnin të hyra prej 150 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme. Dhe mbretëria dëshiron më shumë. Sipas ekspertëve që hartuan planin “Vizion 2030”, plan i diversifikimit ekonomik të mbretërisë, përpiluar nën mbikëqyrjen e Princit trashëgimtar Mohamed bin Salman, tridhjetë milion njerëz pritet të kryejnë umrën çdo vit brenda dhjetë vjetësh. Sipas këtij dokumenti, “turizmi fetar është një opsion i qëndrueshëm për Arabinë Saudite“, në një kohë kur vendi duket se ka humbur mjetet për të qenë stabilizuesi i vetëm i çmimeve të lëndës së papërpunuar.

Marka luksoze dhe ‘fast-food’

Në mënyrë që të rriten të ardhurat nga haxhi, komuniteti i biznesit saudit dëshiron suprimimin e kuotave të haxhilerëve të imponuar për secilin shtet që nga viti 1988. Edhe pse nuk e konsiderojnë këtë shfuqizim, autoritetet po punojnë vazhdimisht për të rritur numrin e haxhive dhe rregullojnë ambientet në përputhje me rrethanat. Fondi i investimeve publike saudite i cili menaxhon pasuritë prej 230 miliardë dollarë i ka dhënë Mekës një infrastrukturë masive për ta përballuar valën gjigande me njerëz që po pushton qytetin e shenjtë. Midis viteve 1950 dhe 2017, falë aeroplanit, numri i përgjithshëm i pelegrinëve (haxhi dhe umreha) kaloi nga 50.000 në 10 milion, jo pa shkaktuar tragjedi të papërshkrueshme dhe mijëra vdekje.

Vetë Meka ka ndryshuar. Me 100.000 dhoma hoteli, shtatëdhjetë restorante luksoze, pesë helipada dhe vende të shumta të dizajnuara për të akomoduar në tenda pelegrinët më të varfër, vendi është shndërruar në një xhungël betoni pa pemë, e shtruar me mermer dhe e rrethuar me vinça dhe rrokaqiejt sikurse  “Kullat e Shtëpisë [së Allahut]” (Abraj al Baït) – që rrethojnë shenjtërinë e të shenjtërve, Qaben. Me rreth 60 tunele lidhëse që bashkojnë tre vendet e tjera të pelegrinazhit, qyteti i shenjtë duket shumë më tepër si “një shkrirje e Disneyland-it dhe Las Vegas-it” se një qytet në Lindjen e Mesme. Metamorfoza e tij “me ndërtesa groteske prej qelqi dhe çeliku” është veçanërisht e shëmtuar dhe “lëkundet midis sublimes dhe kinemasë“, thotë antropologu maroken Abdellah Hammoudi. Rreth ‘Qaabës’ dhe Xhamisë së Madhe ‘el-Haram esh-Sherif’ në të cilën mund të mblidhen dy milion besimtarë ka vetëm hotele luksoze dyzetëkatëshe, marka luksoze por edhe ‘fast-food’. Asnjë vend nuk është rezervuar për kulturë dhe pothuajse asnjë artefakt i së kaluarës së qytetit nuk i ka rezistuar tërbimit ikonoklastik wahhabi kundër idhujtarisë, shkatërrimi i parë i të cilit filloi me pushtimin e qytetit në vitin 1924 nga mbreti Abdelaziz Ibn Saud. Nuk është kursyer as vendi i lindjes së profetit që u shndërrua në një parking, as vendi ku lindi gruaja e parë e tij Khadija, ku u ndërtua një bllok sanitar! Arkitektura tradicionale që i përshtatet shumë klimës së nxehtë me anë të “moucharabieh“-ëve , pajisje të ventilimit natyror, është shkatërruar për t’i lënë hapësirë shëmtisë së betonit dhe zhurmës së kondicionerëve, sepse asgjë nuk duhet ta kujtojë të kaluarën e gjatë osmane të qytetit të shenjtë. Në këtë mjedis, haxhi – një fjalë që do të thotë përpjekje – zbrazet nga pesha e tij fetare, shpirtërore dhe historike duke u shndërruar në një respektim mekanik të ritualeve dhe në një nxitje për shopping.

Këto ndryshime dhe zhvillimi i vazhdueshëm e vëjnë gjithashtu qytetin në rrezik të përmbytjeve të papritura, të ndotjes së shtresave nëntokësore të ujit dhe të degradimit të mjedisit. Një studim i autostradave, tuneleve dhe kyçjeve të qytetit i cili është kryer gjatë haxhit në vitin 2012 ka treguar nivele shumë të larta të ozonit, monoksidit të karbonit, benzenit, komponimeve organike të paqëndrueshme (VOC) toksike nga gazërat e automjeteve dhe komponimet e fluoruara CFC-12 të kondicionerëve. Pelegrini duhet të jetojë në këtë mjegull fotokimike duke lëvizur në rrugët e stërngarkuara që çojnë nga xhamia e madhe në tre vendet e detyrueshme në drejtim të malit Arafat, 20 km në lindje.

“Çdo ditë, autobusët dhe veturat në Mina [vend i detyrueshëm i ritualit të haxhit, 5 km larg Mekës] lëshojnë 80 tonë gazra gjatë periudhave të pikut. Shumica e pelegrinëve kalojnë më shumë kohë duke kollitur se duke u lutur. Efektet e dëmshme të tymrave të shkarkimeve të automjeteve, nxehtësia dhe rraskapitja ishin shumë të qarta: pashë njerëz duke u alivanosur, pashë njerëz duke vdekur”, shkruan shkrimtari dhe studiuesi anglo-pakistanez Ziauddin Sardar, i cili punoi për pesë vjet në Qendrën e Kërkimit të Pelegrinazhit në Mekë (Hajj Research Centre) në Xhedah.Sardari ka studiuar problemet logjistike “apokaliptike” që lindin nga haxhi për të gjetur zgjidhje. Ai tregon se rekomandimet e Qendrës kurrë nuk janë zbatuar, madje edhe kur ai paralajmëronte se “të dy cilësitë e veçanta të Qytetit të Shenjtë, “bukuria” dhe “përjetësiado të zhduken nën efektin e planifikimit modern”.

Haxhi është gjithashtu një sfidë gjigante financiare dhe logjistike për josauditët. Me një kosto mesatare prej 5000 deri në 8000 euro (transporti, akomodimi në vend dhe ushqimi), Haxhi detyron shumë haxhilerë të bëjnë sakrifica të mëdha financiare (Islami ndalon të merret borxh për të shkuar në haxh). Ndonjëherë, shtetet sigurojnë një pjesë të kësaj shume, por pjesa kryesore mbetet përgjegjësi e haxhiut të ardhshëm (personi që e ka përfunduar haxhin). Në Nigeri, si në shumë vende myslimane, paga e ulët minimale (30 dollarë) i pamundëson shumicës së popullatës të konsiderojë udhëtimin, duke shkaktuar frustrime dhe zemërim kundër autoriteteve. Në Tunizi, islamologu Badri Madani, duke kritikuar koston e tepruar të haxhit, vlerësoi në prill të vitit 2020, se mirëmbajtja e shkollave dhe spitaleve ishte më e levërdishme se pelegrinazhi dhe umreja. Në Francë, ku mesatarisht 25.000 persona marrin vizë për të shkuar në Mekë çdo vit, vetëm rreth gjashtëdhjetë agjenci janë të akredituara nga ministria saudite e haxhit dhe umre-së. Këto agjenci përfitojnë shumë nga pozicioni i tyre pothuajse i monopolit, ndërsa dallavergjinjtë nuk hezitojnë t’i keqpërdorin kandidatët që nuk i kanë marrë vizat e tyre përmes kanalit normal.

Haxhi është gjithashtu një çështje e tensioneve diplomatike. Për të “ndëshkuar” një vend që nuk ndan pikëpamjet e tij, Riadi mund ta ulë në mënyrë të njëanshme kuotën e tij të pelegrinëve. Një situatë e kritikuar nga Turqia, Irani dhe madje edhe Indonezia dhe Malajzia, të cilat kanë përjetuar këtë lloj hakmarrje dhe që rregullisht evokojnë krijimin e një lloj Vatikani Mysliman që shpëton nga diktati Saudit.

* Profesor Universitar, anëtar i Akademisë së Shkencave, Letërsisë dhe Artit të Tunizisë Beït El Hikma (Carthage).