KOSOVA PAS ZGJEDHJEVE PARLAMENTARE
Patatja e nxehtë e dialogut me Serbinë

Vetëvendosja dhe LDK-ja pritet ta formojnë qeverinë e ardhshme në Kosovë, e cila do ta ketë një detyrë të rëndë para saj: ta rinisë dialogun me Beogradin. Përderisa SHBA-të po bëjnë presion për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, Bashkimi Evropian duket se është jashtë loje. Por, në këtë situatë, cila do të jetë hapësira vepruese e Albin Kurtit?

358

Ndonëse në Kosovë vijon numërimi i votave, kjo, në thelb, nuk do ta ndryshojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Takimet kanë filluar midis grupeve të punës të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me qëllim që të krijohet qeveria e re. Humbësit e zgjedhjeve, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Kadri Veselit dhe koalicioni AAK-PSD i Ramush Haradinajt kanë pranuar humbjen dhe kanë përjashtuar çdo mundësi që të bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme. Shkurt, gjithçka duket se rrjedh normalisht drejt ndryshimit të qeverisjes në Kosovë.

Megjithatë, çështja e marrëdhënieve të ardhshme midis Kosovës dhe Serbisë është ajo që mund të jetë përcaktuese për themelimin e qeverisë së re. U deshën vetëm tri ditë pas zgjedhjeve, që i dërguari i veçantë i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, Richard Grenell, të zbarkojë në Prishtinë dhe në Beograd, për t’i takuar aktorët kryesorë, përfshirë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, dy pretendentët kryesorë për detyrën e kryeministrit.

Qëllimi zyrtar i vizitës u saktësua nga ambasada amerikane : të punohet “ngushtë dhe shpejt” për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Sipas disa burimeve të mirinformuara, emisari amerikan ua ka përmendur bashkëbiseduesve serbë dhe kosovarë, muajin shkurt, si afatin e fundit për ta arritur një marrëveshje. Një qëndrim ky të cilin duket se nuk e ndan fituesi i zgjedhjeve, Albin Kurti, i cili nuk ngutet. « Përmbajtja dhe procesi i marrëveshjes janë më të rëndësishme për qëndrueshmërinë e saj sesa afati kohor për të », nënvizoi ai pas takimit me Richard Grenell.

Po cila mund të jetë përmbajtja e marrëveshjes, përderisa dy hipoteza vazhdojnë të qarkullojnë : “korrigjimi” i kufijve ose autonomia territoriale për serbët e Kosovës, si kundërpeshë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia ? Vallë, ndryshimi i mazhorancës në Prishtinë do të ndërtojë paradigma të reja për dialogun, apo do të mjaftohemi me heqjen e masës bllokuese të taksës 100% për produktet e importuara nga Serbia në Kosovë, të vendosur vitin e kaluar nga kryeministri Haradinaj?

“Kjo votë ishte votë e dënimit për keqqeverisjen dhe korrupsionin, por për pjesën më të madhe, ajo ishte votë që goditi disa lojëra gjeopolitike të cilat rrethuan Dialogun e Brukselit me idetë e rrezikshme të ndryshimit të kufijve, në të cilat ishte përfshirë edhe presidenti i Kosovës, presidenti serb Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë dhe një listë e gjatë e lobistëve”, mendon Edita Tahiri ish-zyrtarja e Kosovës për dialogun me Serbinë.

Për Albin Kurtin, një “fat” à la Tsipras?

“Marrëveshja e shpejtë me Serbinë për të cilën ngulmon Washingtoni është një patate e nxehtë për Albin Kurtin. Ramush Haradinaj dhe PDK-ja nuk janë tashmë de fakto në pushtet, por aktorët e tjerë janë ende. Ta fillosh mandatin e kryeministrit duke e firmosur një kompromis me Vuçiqin, nën hijen e Hashim Thaçit, rrezikon t’ia sjellë Albin Kurtit fatin e Alexis Tsipras. A do të dorëzohet? A do të përpiqet strategjikisht të përfshihet në proces për ta sabotuar atë, apo edhe do të synojë të fitojë kohë që të hyjmë në zgjedhjet serbe në pranverë, e sidomos në zgjedhjet presidenciale amerikane në vjeshtën e ardhshme? Mbase Albin Kurti mund të përzgjedh edhe të qëndrojë në opozitë me synimin që të rritet edhe më shumë më vonë…Mbetet për t’u parë se si do të sillet”- shpjegon një ish-bashkëpunëtor i tij në kushte anonimiteti.

Duke i cilësuar “raciste” idetë për ndarje etnike në mes Kosovës dhe Serbisë dhe duke u angazhuar për heqjen e taksës 100% për produktet serbe në këmbim të “parimit të reciprocitetit”, Albin Kurti mbetet këmbëngulës jo vetëm kundër një marrëveshje të shpejtë me Serbinë, por edhe refuzon ta përfshijë në qeverinë e tij Listën « Srpska » të teledirigjuar nga Beogradi, e cila do të jetë në fakt e vetmja përfaqësuese e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës e, rrjedhimisht, e vetmja që do ta gëzojë të drejtën e miratimit të emërimit të ministrave të ardhshëm serbë, pjesëmarrja e të cilëve në qeveri është e paraparë në mënyrë të posaçme nga Kushtetuta.

« Pavarësisht se çfarë përfaqëson politikisht, pjesëmarrja e partisë më të madhe të komunitetit serb në qeveri është një detyrim kushtetues. Nëse shkohet me logjikën e përjashtimin të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera, atëherë jo që është antikushtetuese, por ajo, domosdo, shpie edhe në realizime etnike territoriale », thotë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Zhdukja e “karrotës evropiane”

Politika e mbylljes përballë Serbisë e Albin Kurtit, qoftë ajo rreth dialogut apo ajo e përjashtimit të Listës Srpska, duket se shkojnë në të kundërtën e linjës së mbrojtur nga diplomacia amerikane me shumë ndikim dhe qëllimi i së cilës është arritja e një marrëveshje të shpejtë midis Beogradit dhe Prishtinës. Për më tepër, qasja e mbrojtur nga Albin Kurti nuk duket e përputhshme me atë që, sipas të gjitha gjasave, do të jetë partnerja e koalicionit qeverisës, LDK-ja e Vjosa Osmanit. Madje ishte Vjosa Osmani dhe jo Albin Kurti, ajo që u ftua në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit pas zgjedhjeve. Një vizitë “shumë produktive rreth prioriteteve dhe sfidave që e presin Kosovën gjatë muajve e viteve në vijim”, nënvizoi bartësja e listës së LDK-së.

Në të njëjtën kohë, kryeministri rus Dmitri Medvedev, që ishte për vizitë në Beograd, ripohoi se Rusia do të mbetet në mbështetje të “një zgjidhjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara”.

Dhe në fund, Bashkimi Evropian që sapo i tha “jo” hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duket se u vetëpërjashtua nga mundësia për të pasur një rëndësi më të madhe. Ky vendim rrezikon t’i fuqizojë euroskeptikët dhe pasiguritë gjeopolitike rajonale.

 « Me humbjen e perspektivës evropiane për Ballkanin, BE-ja e ka humbur peshën si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi dhe vetë dialogu e ka humbur kuptimin », thotë analisti kosovar, Agon Maliqi. « Serbia pa perspektivë europiane nuk ka kurrfarë presioni për të na njohur, ndërsa në një dialog të tillë Kosova nuk ka pse futet. Kësisoj është zbehur edhe fuqia përcaktuese e Gjermanisë në rajon. E vetmja forcë që mund të bëjë diçka janë SHBA-të, por levat e saj për ta bindur Serbinë për të na njohur janë të paqarta. Me shumë gjasë zgjidhjet nuk mund t’i presim nga jashtë, por duhet t’i gjejmë vetë si rajon. Jemi vetë!”.

(Ky artikull është botuar në portalin frankofon për Ballkanin: “Courrier des Balkans”- https://www.courrierdesbalkans.fr/)