SERBIA NËN PRESIONIN E NDRYSHIMEVE DEMOKRATIKE NË FQINJËSI
Vala demokratike drejt digave të pushtetit serb

Krijohet përshtypja se regjimi në Serbi është i rrethuar me diga solide kundër valëve të demokracisë që po spërkasin nga jashtë. Kësaj gjendje mund t’i përgjigjet vetëm analogjia. Gjithçka ishte njëjtë apo ngjashëm edhe në Maqedoni, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Hungari. Por shikoni ku janë tani.

2008

Serbia është e rrethuar. Rrethi i ndryshimeve demokratike po ngushtohet rreth saj. A do t’i rezistoj ndryshimeve regjimi i Vuçiqit? Situata po vështirësohet: nga brenda regjimin e gërryen korona, nga jashtë presioni i vullnetit të shprehur të popujve (të tjerë). Autokratët rreth Serbisë po bien sikur dominot. A mundet që vala e lirisë ta vërshojë edhe Serbinë? Mirë, ndoshta edhe po e teproj.

Fakti se Dodiku dhe Izetbegoviqi humbën Banjallukën dhe Sarajevën në zgjedhjet e sapopërfunduara lokale në Bosnje dhe Hercegovinë, nuk do të thotë që edhe është fillimi i fundit të tyre. E as fakti që Orbani humbi zgjedhjet lokale në Budapest, nuk nënkupton detyrimisht që nuk do ta shohim tutje si lider i Hungarisë. Para Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe para Hungarisë, ka mbetur rrugë e gjatë për të arritur deri aty ku tanimë janë Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, me lëvizjet e tyre demokratike dhe me ndërrimin paqësor të pushtetit.

Kërcënim për regjimin në Serbi nuk janë vëtëm ndryshimet në fqinjësi. Ndryshim i madh ndodhi edhe në vendin i cili mund të shikohet si fqiu global i secilit shtet. Humbja e Trumpit në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara është gjithsesi një shenjë jo e mirë për regjimin në krye me Vuçiqin (si dhe për të gjithë radikalët djathtist në tërë globin). Ka analistë që mendojnë se Amerika është nxjerrur në momentin e fundit nga kapja e çeliktë e Trumpit. Ata besojnë se Trumpi do t’ia thyente kurrizin institucioneve amerikane në do ta fitonte mandatin e dytë bashkërisht me administratën e dëgjuesve të verbër dhe Partinë (e nënshtruar) Republikane. Kjo megjithatë nuk ndodhi.

Regjimi në krye me Vuçiqin tani edhe mund të shikoj me simpati drejt modeleve të tij pak më të largëta, si në Poloni apo Turqi, por duket se edhe atje nuk qëndrojnë gjërat mirë për autokratët. Sikurse Orbani, Dodiku dhe Izetbegoviqi, edhe Erdogani humbi qytetin e madh dhe prestigjioz të Stambollit, në zgjedhjet e fundit lokale turke. Derisa Jarosllav Kaczynski, që tërheq fillet e shtetit, me partinë e tij ‘Ligji dhe drejtësia’, është ngatërruar me ligjin për ndalimin e abortit (njësoj si Gjukanoviqi që ishte ngatërruar me ligjin mbi besimet fetare). Tani është i detyruar të përballet me valën e protestave masive të grave dhe burrave mendjehapur. 

Bjellorusia e pafat, në krye me Llukashenkon, mbetet rrëfim në vete, andaj edhe po e lëjmë anash në këtë rast.

Pra, Vuçiqit nuk i shkruhen ditë të mira, nëse është për t’u gjykuar nga ngjarjet në fqinjësinë e afërt, evropiane dhe globale. Çështja është se a ka Serbia kapacitete për t’iu bashkëngjitur këtij efekti domino. Deklaratat e Bërnabiqit se Serbia është vend pa ndasi, ku në mënyrë unanime votohet në masë të madhe për liderin, nuk janë të besueshme. Këto deklarata vetëm tregojnë se regjimi është i vetëdijshëm se ç’po ndodh përrreth kufijve të Serbisë dhe se po tenton t’i përgjigjet kësaj sfide. Po ç’qëndron tek ne si e kundërta e regjimit, si opsion i pranueshëm demokratik?

Para se të themi diçka lidhur me këtë, të shohim sesi kanë qëndruar apo si po qëndrojnë gjërat në disa nga vendet e përmendura. Në Maqedoni, Mal të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (edhe pse duket groteske ky pohim) kemi pasur organizime të fuqishme opozitare. Në Maqedoni dhe në SHBA ka parti të fuqishme opozitare. Në Mal të Zi, opozita ishte Kisha Ortodokse Serbe. Në Hungari, pastaj në Bosnje dhe në Turqi, në vend të partive të fuqishme kishte koalicione të zgjeruara opozitare. Në Mal të Zi, koalicione të këtilla të zgjeruara janë mbështetur nga Kisha Ortodokse Serbe. Një koalicion i ngjashëm është duke u formuar në Poloni rreth të drejtave (të gruas).

Dalja në rrugë është element tjetër shumë i rëndësishëm. Në gjithë këto vende, fitoreve opozitare në zgjedhje i kanë paraprirë protestat e qëndrueshme masive. Njerëzit kanë protestuar kundër regjimit në Mal të Zi me muaj të tërë. Me vite të tëra në Maqedoni dhe në Banjallukë. Amerikanët kanë bërë rezistencë njëherësh në rrugë, para se të votonin kundër Trumpit dhe administratës së tij. Ngjashëm ishte edhe në Turqi dhe Hungari. Para numërimit të votave, qytetarët opozitarë numëroheshin në rrugë, për të përfunduar se ndryshimi është i mundshëm.

Kundërprotesta e regjimit në Serbi si përgjigje ndaj protestës së madhe të opozitës më 2019 duhet parë si një demonstrim i qartë i fuqisë me duar bosh, por edhe i fuqisë së numrave. Regjimi nxjori në mënyrë të organizuar më shumë se njëqind mijë përkrahës (vullnetarë të dyshuar), si përgjigje ndaj dyzet mijë protestuesve të opozitës. Përdorimi i tepruar i forcës ndaj protestuesve në qershor të 2020 do të duhej të merrej si veprim edukues ndaj banorëve të panënshtruar të Beogradit dhe Serbisë. Njëjtë veproi edhe Dodiku në Banjallukë në fund të vitit 2018, ndaj lëvizjes ‘Drejtësi për Davidin’, kur i shpërndau njerëzit nga rruga duke e përdorur brutalisht forcën policore. Krahas policisë, protestuesit më vonë u ndoqën edhe nga gjykata. Ishte Stanivukoviqi, prefekti i ri i Banjallukës nga radhët e opozitës, që tregoi urtësi dhe trimëri përkundër presionit, duke i zhvendosur kërkesat (e ngufatura) nga rruga në fushën institucionale të betejës poitike. Gjë që i solli më vonë fitoren në zgjedhje.

Krahas organizimeve të fuqishme ne rrugë dhe koalicioneve të kurdisura, në të gjitha këto vende ekzistojnë pak a shumë media të lira, kryesisht private. Diçka që e dëshmon një dozë lirie ekonomike në vendet përkatëse.

Tani mund ta tërheqim konkluzionin. Në Serbi nuk ka parti të fuqishme opozitare. Një parti e tillë mund të jetë vetëm Partia Demokratike, por ajo është rrënuar deri në themel, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, sipas direktivave të regjimit. Daljet në rrugë janë sporadike dhe deri tani, ato nuk kanë sjellë krijimin e ndonjë koalicioni të zgjeruar. Në vend se opozita të del më e fuqishme nga këto dalje, opozita duket më e dobët pas çdo dalje të protestuesve në rrugë. Ky është një fenomen jo i rëndomtë. Padyshim se pjesë e kësaj loje është edhe nëntoka e mbështetur nga regjimi. Megjithatë, ka edhe një arsye, sepse çdo dalje në rrugë, nga këndi i liderëve opozitarë shikohet si mundësi për t’u promovuar si liderë të së ardhmes. Megjithatë, në Serbi, liria e mediave dhe liria relative ekonomike nga politika, duken qëllime të paarritshme. Edhe ato pak media e mbetura të lira janë nën presionin e fuqishëm politik dhe ekonomik të regjimit.

Krijohet përshtypja se regjimi në Serbi është i rrethuar me diga solide kundër valëve të demokracisë që po spërkasin nga jashtë. Kësaj gjendje mund t’i përgjigjet vetëm analogjia. Gjithçka ishte njëjtë apo ngjashëm edhe në Maqedoni, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Hungari. Por shikoni ku janë tani.

(Ky tekst është botuar në portalin “Peščanik”)