Kush jemi ne?

Ilustrimi: Choi Juhyun

Le Monde Diplomatique – Shqip është botimi i licencuar në gjuhën shqipe i mujores së njohur franceze Le Monde Diplomatique.

Botimi në gjuhën shqipe, me redaksi të veçantë dhe të dedikuar, realizohet nga Instituti për Politika Sociale Musine Kokalari në Prishtinë. Kjo e bën publikimin shqipfolës pjesë të një rrjeti global me numrin më të madh të artikujve të shpërndarë në botë.

Kështu, Le Monde Diplomatique – Shqip i është bashkuar tashmë dhjetëra botimeve të tjera ndërkombëtare: në gjuhët angleze, gjermane, italiane, japoneze, turke, arabe e deri në gjuhët perse, kurde, farsi, esperanto etj.

Në epokën e digjitalizimit, informacioni nuk mungon. Edhe në hapësirën shqipfolëse informimi është i kudondodhur: në televizione, radio, gazeta, portale dhe rrjete sociale. Por ky informim është zakonisht i shpejtë, i shkurtër, protokollar dhe i lokalizuar. Përvoja ka dëshmuar se shpejtësia dhe thjeshtësimi jorrallëherë prodhojnë dezinformim, keqinformim dhe mosbesim.

Le Monde Diplomatique – Shqip është ndryshe. Është gazetari tematike, hulumtuese, analitike, universale, kritike dhe “e ngadalshme”.

Shqipërimi i Le Monde Diplomatique është një përpjekje për më shumë kohezion shoqëror në kohën e globalizimit dhe në zemër të modernitetit digjital.

Duke përkthyer artikuj nga skena ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe duke prodhuar artikuj vendorë me karakter social, ekonomik dhe kulturor, Le Monde Diplomatique – Shqip nuk synon vetëm universalizimin e sociokulturës shqiptare, por mbi të gjitha krijimin e një platforme që pasuron hapësirën mediatike dhe publike me tema mbi barazinë, drejtësinë sociale, qytetarinë dhe bashkëjetesën.

Ky botim na ndihmon ta kuptojmë realitetin tonë përmes këndvështrimeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht ta analizojmë botën përmes përditshmërisë sonë, duke marrë parasysh veçoritë shoqërore, politike, kulturore dhe historike të rajonit.

Shqipërimi i Le Monde Diplomatique është një përpjekje për zhvillimin e mëtejshëm të një gazetarie profesionale, pjesëmarrëse dhe jopersonale, në një mjedis ku jo rrallëherë, në emër të lirisë së shprehjes, përhapen ide ksenofobe, përjashtuese, raciste, autoritare, patriarkale etj.

Le Monde Diplomatique – Shqip praktikon edhe një gazetari të angazhuar, që ka për ideal besnikërinë ndaj së vërtetës dhe mënyrës së jetesës që ajo përfaqëson. Ajo nuk kufizohet vetëm në raportimin e fakteve, duke toleruar ideologji të rrezikshme në emër të neutralitetit. Është gazetari që nuk mjaftohet me përhapje mendimesh—sepse ato nuk mungojnë në pluralizmin mediatik.

Albert Camus thoshte: “Nëse nuk besojmë në asgjë, nëse asgjë nuk ka kuptim dhe nëse nuk mund të shpërfaqim asnjë vlerë, atëherë gjithçka është e lejuar dhe asgjë nuk ka rëndësi. Atëherë nuk ka as të mirë e as të keqe. E rrjedhimisht, as Hitleri nuk do të ishte as i mirë e as i keq. Ai që ka të drejtë do të ishte vetëm ai që ka sukses”.

Tanimë, lexuesi në gjuhën shqipe ka një mundësi më shumë: një hapësirë të re ku gjuha shqipe dhe shoqëria shqipfolëse bëhen pjesë e “Le Monde” – si njerëzim, dhe “Diplomatique” – si marrëdhënie.

Redaksia


Le Monde Diplomatique është themeluar në vitin 1954 nga Hubert Beuve-Méry. Ai shënon një epokë në të cilën gjithçka dukej e mundur: perandoritë koloniale po dobësoheshin, bota e tretë po bashkohej në Bandung për t’u kundërshtuar fuqive të mëdha të kohës, ndërsa mendimet emancipuese po lulëzonin. Në të njëjtën kohë, popujt në veri dhe në jug po ngriheshin.

Si trashëgimtare e këtij shpirti rebel dhe të vendosur, Le Monde Diplomatique është sot edhe gazeta franceze më e shpërndarë në botë. Ajo përkthehet në më shumë se njëzet gjuhë dhe botohet në rreth tridhjetë vende të botës.

Le Monde Diplomatique ndërthur një hapësirë të gjerë analitike për çështjet ndërkombëtare me një vizion kritik mbi ato që më së shpeshti mungojnë në mediat tradicionale: ideologjinë dhe funksionimin global të kapitalizmit, pasojat ekologjike dhe sociale të tregtisë së lirë, rreziqet e “përplasjes së qytetërimeve”, prapavijat e aleancave ushtarake, utopitë e nevojshme dhe perspektivat e formave të reja të demokracisë në epokën e ndryshimeve të mëdha gjeopolitike.

Të bindur se qasjet krahasuese dhe distanca historike ndihmojnë në çrrënjosjen e iluzioneve të aktualitetit ngulfatës, redaksia e mujores kujdeset që në çdo numër të kombinojë analiza, reportazhe dhe hulumtime.

Duke u mbështetur në një këndvështrim të veçantë dhe rigoroz, të pasuruar nga qindra bashkëpunëtorë ndërkombëtarë, Le Monde Diplomatique është bërë gazetë referuese për të gjithë ata që dëshirojnë ta kuptojnë botën – por edhe ta ndryshojnë atë.

Tirazhi global i Le Monde Diplomatique, së bashku me botimet e tij ndërkombëtare, tejkalon 2,4 milion kopje.