Zotërinjtë Vladimir Putin dhe Donald Trump ndajnë, para së gjithash, urrejtje. Të dy denoncojnë “wokizmin” dhe cancel culture. Shprehin keqardhje për relativizmin, ku lufta për të drejtat e personave transgjinorë — dhe në rastin e z. Putin, edhe e homoseksualëve — shihet si njëkohësisht rezultat dhe mjet luftarak. Bashkimi Evropian, me pretendimin e tij për të mishëruar vlerat demokratike dhe liberale, paraqitet si një absurditet që duhet neutralizuar. Të dy bëjnë thirrje për rikthim te vlerat tradicionale, te hierarkitë “natyrale”, të cilat i cilësojnë si “arsye e shëndoshë”. Secili, në mënyrën e vet, e përfytyron vendin e tij si pararojë të një rigjenerimi të Perëndimit që, sipas tyre, ka rënë në nihilizëm. Të dy hedhin poshtë demokracinë parlamentare përfaqësuese, kërkojnë një autoritet karizmatik dhe kontestojnë çdo kufizim të pushtetit ekzekutiv.
Dallime të rëndësishme priren megjithatë të mbizotërojnë. Z.Putin mbron ardhjen e një bote multipolare, në të cilën ndikimi i Shteteve të Bashkuara do të kufizohej vetëm në kontinentin amerikan. Rëndësia që presidenti rus i jep vizionit të tij për fuqitë e mëdha të rrënjosura si në gjeografi ashtu edhe në histori, doli në pah gjatë intervistës së dhënë më 8 shkurt 2024 për Tucker Carlson. Z. Putin i bëri ish-gazetarit të Fox News një ekspoze të gjatë mbi Ukrainën dhe thirrjen e saj historike për t’u integruar në botën ruse, sllave dhe ortodokse.
Ndërkohë, doktrina “America First” e z.Trump luhatet mes njohjes së multipolaritetit, dëshirës për një përqendrim të brendshëm kontinental dhe një ripohimi të supremacisë botërore të SHBA-ve, të ushqyer jo më nga “soft power”[1], por nga raporti i pastër i forcave ushtarake ose ekonomike.
Edhe pse të dy udhëheqësit synojnë të hakmerren për fuqinë e lënduar të vendeve të tyre, perceptimi i tyre mbi madhështinë kombëtare ndryshon. Në Rusi, interesat materiale të popullatës sakrifikohen pjesërisht në emër të politikës së jashtme. Në Shtetet e Bashkuara, raporti i forcës i imponuar shteteve të tjera duhet t’u shërbejë vetë amerikanëve, veçanërisht përmes rikthimit të vendeve të punës të zhvendosura jashtë vendit ose përmes qasjes në burime natyrore. Për më tepër, z. Trump e ripërsërit në arenën ndërkombëtare konkurrencën politike të brendshme, kur sulmon evropianët që, sipas tij, janë tepër të rreshtuar me opsionet ideologjike të Partisë Demokrate.
Pavarësisht paralelizmave ideologjikë, dy projektet politike paraqesin dallime të dukshme në aspektin institucional dhe shoqëror. Në vizionin putinian, shteti dhe aparati i lartë public përfaqësojnë kombin. Ata janë pikë referimi ndaj së cilës duhet të përputhen vlerat, politikat dhe vetë shoqëria. Z. Trump, nga ana tjetër, ëndërron një pushtet ekzekutiv të gjithëfuqishëm që do të kontrollonte drejtësinë dhe ushtrinë, por njëkohësisht synon ta çmontojë shtetin federal amerikan, të pakësojë në mënyrë drastike numrin e nëpunësve civilë dhe të çrregullojë ekonominë kombëtare.
Nga realizmi te kozmizmi
Putinizmi, ashtu si trumpizmi, përbëhen gjithashtu nga ekosisteme ideologjike ku ndërthuren interesa të larmishme. Në anën ruse, kampi i “realistëve” përfshin mbështetës të një fuqie të madhe ruse që zhvillon dialog me Perëndimin — me figura si Trumpi apo Viktor Orbán (një burim frymëzimi) — si dhe ish-perëndimorë të zhgënjyer. Por, për një pjesë tjetër të establishmentit rus, Rusia si shtet-qytetërim është natyrshëm në kundërshtim me “Perëndimin kolektiv”. Përveç kësaj, shumë moskovitë mendojnë se Rusia duhet të vazhdojë të forcojë lidhjet me “Jugun global”, pavarësisht perspektivave për afrime me Uashingtonin.
Në anën amerikane, elitat e vjetra republikane neokonservatore që janë bashkuar me trumpizmin e shohin Rusinë si një konkurrent dhe kundërshtar historik. Shumë prej tyre vazhdojnë të mbështesin kauzën ukrainase, por njëkohësisht mbështesin edhe presionet që Shtëpia e Bardhë ushtron mbi Kievin. Senatori Lindsey Graham, përfaqësues i Karolinës së Jugut dhe një mbështetës i zjarrtë republikan i z. Volodymyr Zelensky, e ka kritikuar këtë të fundit për mungesë vetëpërmbajtjeje në Zyrën Ovale gjatë përplasjes së njohur të 28 shkurtit të fundit[2].
Për më tepër, për të gjithë republikanët restrainers (që propozojnë kufizimin e angazhimeve të SHBA-ve larg kufijve të saj për t’u përqendruar në çështjet kombëtare ose kontinentale), një marrëveshje e mundshme armëpushimi — apo edhe paqeje — përfaqëson thjesht një përputhje interesi, e në asnjë mënyrë një aleancë ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës
Për një pjesë tjetër të rrymës trumpiste, që mund të përkufizohet si “civilizacionaliste” dhe që përbën zemrën e lëvizjes MAGA (Make America Great Again – “Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”), marrëdhënia me Rusinë ka një karakter më simbiotik. Çështjet fetare dalin në plan të parë: për shumë figura të së djathtës së krishterë amerikane, pozicionimi i Rusisë në lidhje me të ashtuquajturat vlera “tradicionale” e bën Putinin një përfaqësues të krishterimit. Ata që janë në kërkim të një feje më autentike priren, në disa raste, edhe të konvertohen në ortodoksinë lindore[3]. Për të tjerë, si Tucker Carlson, qëllimi kryesor mbetet çmontimi i rendit liberal, me dy beteja të ndërlidhura: të fitohet lufta kulturore brenda vendit dhe të promovohet politika e “Së pari Amerika” në arenën ndërkombëtare.
Një rrymë tjetër shfaq admirim për radikalizmin kundër-revolucionar të së djathtës ekstreme ruse. Ish-drejtori i medias Breitbart News dhe këshilltar i z. Trump në fillim të mandatit të tij të parë, Steve Bannon, pohon hapur ndikimin e Alexander Dugin. Të dy, të cilët janë takuar në vitin 2018, ndajnë referenca të përbashkëta ndaj ideologut italian të dhënë pas ezoterizmit dhe frymëzuesit të madh të neofashizmit, Julius Evola (1898–1974), si dhe ndaj figurave të së ashtuquajturës “e djathta e re” evropiane, si Alain de Benoist. Dugin e ka kuptuar prej kohësh përfitimin që e sjell paraqitja e ish-promotori të pasurive të paluajtshme si një figurë kundër-revolucionare: ai lartëson një “Komunizëm MAGA” për të përshkruar tonin antiglobalist dhe pro-klasave punëtore të fushatës së z. Trump në vitin 2024, ose shprehet i kënaqur që z. Trump dhe z. Putin “ndajnë të njëjtat vlera” – një analizë që e vë në pah vetë Duginin të cilit i pëlqen që të paraqitet si një hallkë kyçe në përafrimin aktual midis dy vendeve [4].
Duhet përmendur edhe ndikimin e ideve të “Iluminizmit të errët” (Dark Enlightenment), që sot joshin si z. Elon Musk, ashtu edhe nënkryetarin James David Vance. Brenda kësaj rryme ideologjike për një kohë të gjatë margjinale, e cila bashkon ide neo-reaksionare dhe teknofuturiste, gjenden ndër të tjera z.Peter Thiel (një nga investitorët e parë të Facebook-ut, bashkëthemelues i PayPal-it dhe drejtues i Palantir Technologies) dhe Curtis Yarvin, një bloger i njohur me emrin Mencius Moldbug, një nga mendimtarët më radikalë të trumpizmit[5]. Në vitin 2022, z. Yarvin kishte propozuar që Rusisë t’i lihej dorë e lirë në kontinentin evropian për të udhëhequr reagimin kundër liberalizmit dhe për ta përmbysur në fund demokracinë [6]. Sa për z.Thiel, ai frymëzohet nga kozmizmi, një rrymë filozofike ruse pararendëse, në njëfarë mënyre, e transhumanizmit, që projektonte një njerëzim të ripërtërirë përmes pushtimit të kozmosit.
Është e vështirë të nxirren përfundime të qarta nga këto konvergjenca ideologjike, të cilat në vetvete janë mjaft të fragmentuara. Qëndrimet e kundërta gjeopolitike të Moskës dhe Uashingtonit e zbehin ndikimin e këtyre afërsive. Këtë e ka konfirmuar raporti vjetor për vlerësimin e kërcënimeve i publikuar në fillim të vitit nga struktura amerikane që koordinon agjencitë e inteligjencës: edhe pse aktorët joshtetërorë — kartelet e drogës, terrorizmi islamik ndërkombëtar — janë ngjitur sërish në krye të listës së kërcënimeve sipas administratës Trump, Rusia ruan statusin e saj si kundërshtare (pas Kinës dhe para Koresë së Veriut)[7].
Edhe pse z.Putin dhe z.Trump pajtohen që ta shohin Ukrainën si një mandatare (proxy) të ish-administratës demokrate në luftën e saj kundër interesave strategjike të Rusisë, çështja e Kinës i ndan: banori i Shtëpisë së Bardhë — dhe aq më tepër nënkryetari Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio — e cilësojnë Pekinin si kundërshtarin kryesor, ndërkohë që Kremlini e sheh Kinën si një partner strategjik.
Mospajtime të rëndësishme vazhdojnë të ekzistojnë edhe mbi konfliktin izraelito-palestinez: përderisa z.Trump është i rreshtuar hapur në krah të z.Benyamin Netanyahou, z.Putin duket më i afërt me vizionin e vendeve arabe. Teherani, një mbështetës i çmuar i Moskës në përpjekjet e saj luftarake, vazhdon të shihet si armik nga presidenti amerikan. Edhe pse z.Trump njoftoi më 7 prill rifillimin e diskutimeve mbi çështjen bërthamore iraniane, dy ditë më vonë ai theksoi se një ndërhyrje ushtarake kundër Republikës Islamike mbetet e mundshme.
Pikëpamjet janë krejtësisht të ndryshme në çështjen e tregtisë së jashtme. Z.Putin mbron tregtinë e lirë, veçanërisht në shkallë rajonale, përmes Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, si dhe dënon sanksionet ekonomike perëndimore si praktika të konkurrencës së pandershme.
Në anën amerikane, çmontimi i globalizimit filloi të marrë formë më 2 prill, kur z. Trump shpalli një tarifë doganore minimale prej 10% mbi të gjitha produktet e huaja — dhe më shumë akoma për disa vende të veçanta.
Ideja e një Donald Trump të rreshtuar në anën e Rusisë e përcjellë nga mediat perëndimore shpesh në mënyrë të nxituar e lë Kremlinin të habitur. Si shtypi, ashtu edhe klasa politike ruse vërejnë, për shembull, se Elon Musk nuk ua ka ndërprerë qasjen ukrainasve në rrjetin satelitor të internetit Starlink, apo se ministri i ri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e zhvilloi vizitën e tij të parë të jashtme në Poloni, një ndër pikat më të forta të pozicioneve antiruse. Deklaratat e z.Trump mbi një aneksim të mundshëm të Groenlandës dhe Kanadasë gjithashtu pasqyrojnë një dëshirë për projeksion gjeopolitik amerikan në Arktik — gjë që nuk është aspak në përputhje me interesat e Moskës.
Në thelb, vizionet e Moskës dhe Uashingtonit ndryshojnë sa i përket rolit të tyre përkatës në skenën ndërkombëtare, ashtu edhe mbi vendin që duhet të zërë Perëndimi në raport me pjesën tjetër të botës. Në anën ruse, ka ngazëllim për kundër-revolucionin të nisur nga z.Trump, por pa ndonjë besim në një përafrim të vërtetë e të thellë me Uashingtonin. Në anën amerikane, rryma MAGA e vështron me interes — në mos me admirim — një Rusi të imagjinuar, por nuk përfaqëson të gjithë republikanët, nga të cilët disa zëra e kanë përqafuar agjendën e “Së pari Amerika” pa pasur asnjë simpati për Rusinë. Trumpistët e urrejnë Ukrainën, jo sepse mbështesin vizionin e botës të Moskës, por sepse e shohin çështjen ukrainase si një produkt të luftërave kulturore të brendshme dhe sepse z.Zelensky ka mbështetur kundërshtarët e tyre demokratë.
* Autorja është profesoreshë në Universitetin George Washington, autore e librit Ideology and Meaning-Making under the Putin Regime, botuar nga Stanford University Press, Redwood City, 2025.
[1] Shih Philip S. Golub, “Les masques du “soft power”, Le Monde diplomatique, prill 2025.
[2] Maggie Haberman dhe Tyler Pager, « How Zelensky’s Oval Office meeting turned into a showdown with Trump », The New York Times, 1 mars 2025.
[3] Susan Coen, « Young, single men are leaving traditional churches. They found a more “masculine” alternative », The Telegraph, Londër, 4 janar 2025.
[4] “CNN speaks to Russian philosopher referred to as “Putin’s brain” on day of Trump-Putin call”, Cable News Network, 18 mars 2025, edition.cnn.com
[5] Jason Wilson, “He’s anti-democracy and pro-Trump : The obscure “Dark Enlightenment” blogger influencing the next US administration”, The Guardian, Londër, 21 dhjetor 2024.
[6] “A new foreign policy for Europe », Gray Mirror, 17 janar 2022, https://graymirror.substack.com; shih gjithashtu: « “Se préparer à l’empire”: Curtis Yarvin, profeti i Iluminizmit të Errët”, Le Grand Continent, 21 janar 2025, https://legrandcontinent.eu
[7] “Annual threat assessment of the US intelligence community”, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, mars 2025, www.dni.gov

