Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Mitologjia e sigurisë

Janar, 2026

Fryma e kohës është pa asnjë dyshim e dominuar nga siguria. Në mbrëmjen e fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, z.José Antonio Kast deklaroi: Pa siguri nuk ka paqe. Pa paqe nuk ka demokraci dhe pa demokraci nuk ka liri. Dhe Kili do të jetë sërish i lirë nga krimi, ankthi dhe frika (The Star, 14 dhjetor 2025). Këto deklarata pasqyrojnë fushatën e ashpër të zhvilluar nga z.Nayib Bukele kundër bandave në Salvador, ekzekutimet jashtëgjyqësore të trafikantëve të drogës të supozuar nga administrata e z.Donald Trump pranë brigjeve të Venezuelës, ashpërsimin penal të nxitur nga znj.Giorgia Meloni në Itali dhe nga z.Ulf Kristersson në Suedi, si edhe deklaratat alarmiste të z.Gérald Darmanin apo z.Bruno Retailleau në Francë.

Për një kohë të gjatë, këto qëndrime të ashpra kanë qenë apanazh i partive konservatore, por sot ato po radikalizohen dhe po shtrihen në një pjesë të gjerë të spektrit politik. Mediat i transmetojnë dhe i amplifikojnë, sepse kriminaliteti dhe emigracioni ngjallin frikë te publiku dhe përforcojnë audiencat. Çdo kritikë paraqitet si e papërgjegjshme. Megjithatë, anketat e viktimizimit sugjerojnë një stabilitet, madje edhe një rënie të shumë formave të kriminalitetit, me disa përjashtime të kufizuara dhe shumë të lokalizuara. Përfundime këto që hedhin poshtë idenë e një procesi të çqytetërimit, të përmendur nga z.Emmanuel Macron në mbledhjen e Këshillit të Ministrave më 24 maj 2023. Por ç’rëndësi ka. Kjo retorikë fshin disa shekuj filozofi liberale të shtetit, e cila thekson domosdoshmërinë e një ekuilibri mes lirisë dhe sigurisë, për t’ia lënë vendin një slogani, me gjasë të formuluar nga një zyrë konsulence për komunikim politik: Siguria është liria e parë.

Në procesin gradual të ndërtimit të shteteve moderne, nga shekulli XVI deri në shekullin XIX, koncepti i sigurisë fiton tri dimensione të pandashme dhe plotësuese: ushtarake, policore dhe juridike. Në të parën, bëhet fjalë për përballjen me kërcënime ekzistenciale, si lufta, që mund të vijnë nga entitete të tjera, shtetërore ose jo. Dimensioni i dytë lidhet me mbrojtjen e pasurisë dhe të personave, si edhe me ruajtjen e rendit, pra me mbrojtjen ndaj çdo përpjekjeje për destabilizim shoqëror ose politik. Siguria juridike, nga ana e saj, synon të garantojë përmes universalitetit të së drejtës dhe pavarësisë së drejtësisë lirinë e mendimit, të lëvizjes dhe të veprimtarisë ekonomike, barazinë, sidomos barazinë e trajtimit, pronën dhe solidaritetin.

Që herët, autorë si Karl Marx apo Walter Benjamin kanë treguar karakterin formal të shtetit të së drejtës, i cili në praktikë mbron më shumë zotëruesit e pasurisë sesa të shtypurit. Por, gjatë shekullit XIX dhe XX, organizimi i këtyre të fundit e ka ndryshuar rendin e gjërave. Shfaqja e organizatave të fuqishme sindikale dhe politike, ekzistenca e regjimeve socialiste si alternativë, si edhe krizat drejtpërdrejt të atribuueshme kapitalizmit, si ajo e vitit 1929, e kanë zgjeruar fushën e sigurisë juridike. Ajo merr kështu një dimension më shoqëror, që përbën themelin e shteteve të mirëqenies. Që nga ky moment, bëhet fjalë për zbutjen e pasigurive të rrugëtimeve të jetës, si papunësia, sëmundja, pleqëria, aksidentet dhe varfëria. Kjo mbrojtje mbështetet në një sërë mekanizmash, që shtrihen nga e drejta e punës, paga minimale dhe kufizimi i orarit të punës, te socializimi i rreziqeve përmes kontributeve shoqërore dhe rishpërndarjes ndërbreznore, duke kaluar përmes institucioneve specifike si sigurimi shoqëror, sigurimi i papunësisë dhe fondet pensionale.

Nëse ka pasur gjithmonë një konkurrencë mes kuptimeve ushtarake, policore dhe juridike të sigurisë, pesha e tyre përkatëse sot ka prirje të evoluojë në dëm të kësaj të fundit. Globalizimi i tregjeve nën hegjemoninë financiare, konkurrenca e shtuar mes ndërmarrjeve dhe zhvendosjet e prodhimit kanë përkeqësuar raportet e forcave shoqërore dhe kanë ristrukturuar kornizat intelektuale ose institucionale të ndërtuara në një fazë tjetër të kapitalizmit. Deregulimi dhe fleksibiliteti përbëjnë një program politik të krijimit të pasigurisë së ekzistencave. Ai synon të detyrojë punëtorët të pranojnë shfrytëzimin duke dobësuar strukturat e tyre të rezistencës. Ky projekt neoliberal presupozon një çmontim sistematik të mbrojtjeve të ndërtuara më herët. Ulja e taksave, borxhi dhe shtrëngimi buxhetor, politika e arkave bosh, krijojnë një kornizë për veprimin publik. Si rrjedhojë, shërbimet publike degradojnë, varfëria përparon, ashtu si edhe pabarazitë në të ardhura, në shëndet dhe madje edhe në jetëgjatësi.

Shfaqja e kësaj pasigurie sociale të përgjithësuar përbën bazën e një regjimi bashkëkohor sigurie të ndërtuar mbi frikën. Frika nga fundi i muajit, nga humbja e vendit të punës ose nga pamundësia për t’u përballur me intensifikimin e ritmeve të punës, si edhe frika nga e ardhmja në përgjithësi, i atomizon individët dhe minon në masë të madhe aftësitë e tyre për mobilizim kolektiv. Ajo thellon gjithashtu tensionet me grupet më të afërta shoqërisht, për shkak të konkurrencave të lokalizuara për akses në burime që po bëhen gjithnjë e më të pakta, si puna, banimi, përfitimet sociale dhe bursat shkollore. Kësisoj, ajo përbën një terren të favorshëm për zhvillimin e një mitologjie sigurie, e cila do ta shndërrojë frikën nga e ardhmja në frikë nga tjetri.

Në veprën e tij të fundit, botuar në vitin 1945, filozofi gjerman Ernst Cassirer shprehte shqetësimin për triumfin në vendin e tij të një mendimi mitik, në dukje të papërshkueshëm nga argumentet racionale. Reflektimi i tij, veçanërisht duke u nisur nga antropologjia, mbi funksionet shoqërore të miteve dhe mënyrën e funksionimit të tyre, ndriçon aktualitetin tonë. Ai shpjegon fillimisht se mitet zhvillohen kryesisht në periudha krize, sepse ato japin ndjesinë se njeriu mund të ketë sërish kontroll mbi një botë të pasigurt përmes premtimeve të pasigurta, madje krejtësisht të parealizueshme, dhe sidomos përmes përcaktimit të përgjegjësve. Kjo kalon përmes një ndryshimi të fjalorit. Refugjatët bëhen në diskursin publik kërkues të rremë të azilit, përfituesit e të drejtave shndërrohen në mashtrues potencialë, të përjashtuarit në të asistuar, myslimanët rigoristë në të radikalizuar. Idealët e solidaritetit, bujarisë, barazisë apo riintegrimit lënë vend për nocione si përgjegjësia individuale, aktivizimi, sipërmarrja e vetvetes, ndëshkimi ose lëvizshmëria. Jemi dëshmitarë të asaj që Cassirer e quante një përmbysje të të gjitha vlerave tona etike. Nëse darvinizmi social ose moral nuk është një ide e re brenda klasave dominuese, grupe të tjera shoqërore po i përqafojnë ato. Kështu, ato mund t’ua atribuojnë vështirësitë e tyre atyre që janë edhe më të pafavorizuar se vetë ata, sepse përshkruhen si të ndryshëm.

Sepse mitologjia e sigurisë i jep një vend qendror dy përbërësve kryesorë të sigurisë ushtarake dhe policore, armikut dhe të dyshuarit. Edhe përpara se zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë evropianë të shfaqnin shqetësim për një kërcënim rus, islami ishte përcaktuar si një armik njëkohësisht i brendshëm dhe i jashtëm për shoqëritë tona. Më pas, trafikimi i drogës u ndërtua si kundërshtari kryesor, që përfaqëson një rrezik të barasvlershëm, sipas z.Darmanin, ose po aq serioz sa terrorizmi, sipas z.François Hollande. Mishërime bashkëkohore të së keqes, këta armiq shtyhen jashtë trupit shoqëror. Kjo justifikon miratimin ndaj tyre të masave të jashtëzakonshme në fushën penale dhe atë të burgimit, si edhe përdorimin masiv të procedurave administrative, nga caktimi i detyrimit për qëndrim deri te dëbimet, pa qenë shumë të dëgjueshme zërat që i kundërshtojnë këto masa.

Sa i përket dyshimit, ai e tejkalon individin për t’u shtrirë mbi grupe të tëra. Ai është i dukshëm në kontrollin policor të lagjeve popullore, por nuk kufizohet vetëm aty. Reformat e njëpasnjëshme të administratave sociale kanë shtuar vëmendjen ndaj mashtrimit, duke rikonfiguruar gjerësisht dhënien e përfitimeve. Logjika të ngjashme vërehen edhe në fushën e të drejtave të të huajve dhe të azilit. Reprezioni dhe kontrolli bëhen normë për këto popullata dhe, hap pas hapi, shtrihen edhe ndaj aktivistëve që sfidojnë rendin shoqëror dhe politik.

Kështu, komponentët ushtarak dhe policor të sigurisë mbështeten fuqishëm politikisht dhe i shpëtojnë në masë të madhe shtrëngimeve buxhetore që godasin sigurinë sociale dhe juridike. Kjo e fundit përparon pa dyshim në disa fusha, veçanërisht sa i përket barazisë gjinore, kontracepsionit ose bashkimeve mes personave të së njëjtës gjini, por njëkohësisht ka prirje të tkurret, si në zbatimin e saj konkret, ashtu edhe në vetë parimin e saj. Duke u bërë gjithnjë e më e kushtëzuar, ajo humb aftësinë për të prodhuar kohezion shoqëror. Përkundrazi, shoqëritë polarizohen. Pikërisht këtu mitologjia e sigurisë kryen një mistifikim. Ajo fsheh mekanizmat strukturorë të thellimit të pabarazive mes dominuesve dhe të dominuarve, duke theksuar dallimet e vogla mes këtyre të fundit. Ajo i ndan qytetarët e mirë dhe qytetarët e këqij në varësi të pozitës së tyre në tregun e punës ose të banimit, të përdorimit të përfitimeve sociale, të statusit të tyre administrativ, madje edhe të bindjeve dhe prejardhjes së tyre.

Kjo mund të duket e papërshtatshme dhe absurde. Por Cassirer kujtonte se miti nuk lind vetëm nga një proces intelektual, ai depërton në thellësitë më të mëdha të emocioneve njerëzore. Në një kontekst ku paqëndrueshmëria e ekzistencave gjeneron një pasiguri të thellë dhe nxit individualizmin, kuptohet se kjo mitologji e sigurisë mund t’u sigurojë sukses formacioneve politike që e përqafojnë dhe e ndërtojnë atë, jo pa cinizëm. Po ashtu, shihet qartë ngërçi në të cilin futen forcat progresiste kur braktisin dimensionin thelbësisht shoqëror të sigurisë, sikur të bëhej fjalë për një çështje tjetër. Premtimi i sigurisë synon të frenojë pasojat më të dukshme të varfërimit dhe të pasigurisë ekonomike. Por ai synon gjithashtu të fragmentojë gjithnjë e më shumë grupet që luftojnë për të ruajtur ose për të fituar mbrojtjet kolektive, të cilat u mundësojnë atyre të sigurojnë një pozicion më të favorshëm në raportet e forcave shoqërore, ekonomike dhe politike.

Botime të tjera