Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

E ardhmja e pezulluar e Rojavës

Tërheqja e forcave amerikane nga Siria veriore në tetor i mundësoi ushtrisë turke ta sulmonte Rojavën, enklavën ku popullsia kurde dhe arabe po përpiqen t’i zbatojnë parimet e komunalizmit demokratik. Fati i këtij territori tani varet nga negociatat midis Ankarasë, Damaskut dhe Moskës.

Që nga 9 tetori 2019, ushtria turke është e vendosur në verilindje të Sirisë dhe kontrollon një rrip prej njëqind e pesëdhjetë kilometrash të gjatë dhe tridhjetë kilometrash të gjerë midis qyteteve Tell Abyad dhe Ras Al-Ain (Serekaniye në gjuhë kurde)1. Tashmë e pranishme edhe mëtej në perëndim, pasi ka mbuluar Afrinin dhe rrethinat e tij në janar 2018, kjo ushtri ndërpren kështu kontinuitetin territorial të këtij rajoni kurd politikisht autonom që nga viti 2013, që njihet me emrin Rojava (“perëndimi” në gjuhën kurde) ose Federata Demokratike e Sirisë veriore. Në këtë mënyrë, Ankaraja kërcënon drejtpërdrejt aleancën politike dhe ushtarake të krijuar nga Partia e Bashkimit Demokratik (PYD), dega siriane e Partisë Popullore Kurde (PKK), me dy komponentët e tjerë kryesorë të popullatës së Rojavës, arabët dhe të krishterët siriakë. Kjo aleancë, e cila quhet Forca Demokratike Siriane (FDS), dega politike e së cilës është Këshilli Demokratik Sirian (CDS), gjithashtu duhet të llogarisë në trupat e z.Bachar Al-Assad, i cili nuk ka hequr dorë nga rimarrja e kontrollit e të gjithë rajonit nga i cili ishte tërhequr në vitin 2012.

« Turqia po na vret me armatim evropian »

Çfarë mbetet nga projekti pluralist dhe demokratik i kërkuar nga PYD2, shtatë vjet pas krijimit të tij? Udhëtimi ynë fillon në lindje, në kampin e refugjatëve Newroz në Derik, jo larg kufijve turk dhe irakian. Zonja Leila M. na tregon për gjashtë eksodet e saj që nga viti 2018. “Unë dhe familja ime jemi nga Afrin. Kur erdhën turqit, kemi ikur në Chabab, dhe më pas në Alepo. Pastaj kemi shkuar në Kobane. Më pas djali im gjeti një punë në Ras Al-Aïn. Pas sulmit turk, na është dashur të ikim zbathur drejt Tall Tamerit, ku tani jemi në këtë kamp. » Z. Dervish F., një fermer i vogël në Tell Abyad, gjithashtu rrëfen arratisjen e tij vjeshtën e kaluar. “Jetonim të lumtur. Sistemi politik funksiononte shumë mirë. Pastaj presidenti turk na bombardoi me aeroplanët e tij. Të gjithë kurdët kanë ikur.”

Më 22 tetor, z. Rexhep Tajip Erdogan dhe z.Vladimir Putin nënshkruan një marrëveshje dhjetëpikëshe në Soçi që e konfirmonte praninë e Turqisë në verilindje të Sirisë dhe detyronte Njësitë e Mbrojtjes Popullore (YPG), forca ushtarake e PYD, të tërhiqej nga rripi i tokës së pushtuar nga Turqia. Që atëherë, Ankaraja është akuzuar për kryerjen e një operacioni të spastrimit etnik, duke zëvendësuar popullsinë kurde me dy milion arabë sunitë të cilët ishin strehuar në Turqi pasi kishin ikur duke luftuar në pjesët e tjera të Sirisë. “Erdogani dëshiron ta ndryshoj përbërjen etnike të territoreve që ushtria e tij kontrollon“, thotë z. Abdelkarim Omar, Ministër për punët e jashtme të qeverisë autonome të Federatës. Para pushtimit turk të vitit 2018, 85% e popullsisë së Afrinit ishin kurdë, kurse tani vetëm 20%.

A e paralajmërojnë këto ngjarje fundin e projektit politik të Rojavës? Asgjë nuk është e sigurt. Kur ushtria turke dhe njësitë e saj siriane – të njohur këtu si “Çete”, gangsterët – u përpoqën ta zgjerojnë territorin e tyre, ata hasen në një rezistencë të ashpër.

Largohemi prej Kamechliye-së për të shkuar në Kobane, e cila në janar 2015 ishte fusha e humbjes së parë të madhe të Organizatës së Shtetit Islamik kundër trupave kurde. Në një postkontroll të madh të forcave të sigurisë së federatës, automjeti ynë është i detyruar të marrë një rrugë tjetër. Eshtë shumë e rrezikshme të shkohet kah autostrada M4 e cila përshkon rajonin nga lindja në perëndim. Njësitë proturke janë vetëm katërqind metra larg dhe shpesh intervenojnë. Përveç kësaj, dronat e ushtrisë turke fluturojnë mbi hapësirën. Më 12 tetor 2019, në autostradën M4, në Tirwazî, afër Tell Abyad, Hevrin Khalaf, një politikane kurde, karizmatike dhe me shumë ndikim, u torturua dhe më pas u vra nga njësitë e një grupi xhihadist të mbështetur nga Ankaraja3.

Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar tërheqjen e tyre ushtarake nga rajoni më 6 tetor – duke i hapur rrugën pushtimit turk – FDS nuk kishin zgjidhje tjetër përveç se t’i thërrisnin forcat e Damaskut për t’i mbështetur. Pas marrëveshjes së Soçit, ushtria siriane u dislokua në Kobane në kufirin irakian, përveç enklavës së okupuar nga turqit. Prania e saj përbëhet nga postblloqe të vogla ushtarake të pozicionuara në çdo dhjetë kilometra. Sipas bashkëbiseduesve tanë, roli i saj është mbi të gjitha parandalues. Duan ta parandalojnë ushtrinë turke të zgjeroj përsëri territorin e saj. “Eshtë mbi të gjitha një prani simbolike politike”, na thotë z. Mazlum “Kobane” Abdi, komandant i përgjithshëm i FDS. Ky ushtarak i lartë, i cili kërkohet nga Ankaraja, shton se nuk ka prezencë tjetër ushtarake siriane në zonat e kontrolluara nga FDS. Gjatë udhëtimit tonë, vërejmë se rrugët gjithmonë kontrollohen nga Asayishia, policia arabo-kurde e FDS. E pyesim z. Abdi në lidhje me të ardhmen e marrëdhënieve midis Federatës së Rojavës dhe Damaskut. Ai përgjigjet që së pari duhet të ketë një marrëveshje politike: “Duam që autonomia politike të përfshihet në Kushtetutën siriane dhe që FDS të jetë pjesë e mbrojtjes të gjithë Sirisë. Këto janë kërkesa për të cilat ne nuk do të bëjmë kompromise. Me këtë marrëveshje, mbrojtja e veriut të vendit do të ishte përgjegjësi e FDS.”

A do të ishte e gatshme qeveria siriane ta pranonte një ndryshim të tillë, i cili do t’i ndërpriste disa dekada të centralizmit dhe unanimizmit që thirret në një identitet të vetëm arab? Për momentin, Damasku nuk ka bërë as lëvizjen më të vogël në këtë drejtim. E intervistojmë gjithashtu z. Polat Can, gjithashtu veteran i luftërave të forcave kurde. Komandanti i FDS, i cili është gjithashtu shkrimtar, ka drejtuar poashtu operacionet për çlirimin e rajonit Deir Ez-Zor, që kishte qenë në duart e OEI për një kohë të gjatë. “Rojava nuk do të kthehet në situatën e para vitit 2010. Nuk do t’i lejojmë kurdët t’i humbasin të drejtat e tyre dhe ne nuk do t’i shkatërrojmë marrëdhëniet që kemi ndërtuar me arabët dhe të krishterët sirianë”, paralajmëron ai. Dhe shton se gjithçka tjetër është e negociueshme, përfshirë emrin e entitetit autonom ose modalitetet për kontrollin e kalimit kufitar.

Braktisja e enklavës prej Tell Abyad deri në Ras Al-Ain ka ngjallur shumë hidhërim dhe zemërim midis kurdëve. Mbi të gjitha, mungesa e mbrojtjes ajrore e rrit pakënaqësinë. “Rusët i lanë  aeroplanët turq t’i  sulmojnë civilët tanë, fëmijët tanë dhe forcat tona mbrojtëse. Nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre. As Shtetet e Bashkuara”, thotë z. Abdi. Z. Can është edhe më i rreptë: “Turqia po i vret kurdët me armatim evropian. Dronët vijnë nga Italia, tanku Leopard është gjerman. Sikur të kishim një zonë pa fluturime ku ishin të parandaluar bombardimet kundër trupave tona, FDS do t’i dëbonte turqit nga Rojava brenda një jave. “

Për të shkuar në Kobane duhet kaluar nëpër Rakka – një udhëtim prej gjashtë orësh nëpër rrugë në gjendje të mjerueshme. Kamionët cisternë të mbushura me naftë e bëjnë ajrin pothuajse të padurueshëm. Një pjesë e papërpunuar, e nxjerrë në verilindje të vendit, me çmim të lirë, por me cilësi të dobët, përdoret për nevojat e popullatës në Federatën Autonome, një pjesë tjetër i shitet Damaskut përmes ndërmjetësuesve. Me të ardhurat e naftës dhe taksat e importit dhe eksportit në kufirin irakian, qeveria autonome ka mjete të mjaftueshme për t’i drejtuar shërbimet publike dhe për t’i paguar punët e infrastrukturës. Por, eksploatimi i naftës po funksionon me shpejtësi të ngadalësuar. “Vetëm 25% e puseve në verilindje të Sirisë janë në funksion. Pjesa tjetër është ndalur për shkak të luftës dhe embargos siriane të naftës“, thotë z. Ziad Rustem, inxhinier dhe anëtar i komitetit të energjisë të qeverisë autonome.

Rakka, kryeqyteti jetëshkurtër i OEI nga viti 2014 deri në 2017, tani është nën kontrollin e FDS. Vendndodhje e luftimeve të tmerrshme, qyteti është ende i shkatërruar, por rindërtimi ka filluar. Në qendër të qytetit, shkronjat gjigande “I love Rakka ” i mirëpresin vizitorët. Këtu, OEI vendoste koka të prera mbi hunjë për ta frikësuar popullsinë. Organizata xhihadiste ka ende një bazë simpatizantësh në këtë rajon me popullsi kryesisht arabe, dhe njësitë sekrete teroriste rregullisht ndërmarrin veprime duke kryer sulme vetëvrasëse. Megjithatë, mbizotëron qetësia relative. Duke pushtuar veriun e vendit, z. Erdogan vuri bast kot në një kryengritje të arabëve kundër kurdëve.

Duke folur për strategjinë turke, z. Can buzëqesh paksa: “Klanet arabe të Deir Ez-Zor na thanë:”Mos e ktheni regjimin këtu! Ju jeni kurdë, ne nuk ju duam, por në fund të fundit ju jeni sunitë, ne do të punojmë me ju. Në të kaluarën, regjimi e manipulonte popullsinë arabe kundër kurdeve duke thënë se jemi sionistë, ateistë dhe kapitalistë. Por, në këto rajone pothuajse 100% të populluara me arabë, nuk pati asnjë kryengritje kundër FDS. “

Pushtimi i fundit turk madje përafroi grupet kurde, të cilat kundërshtonin sundimin e PYD. Znj Nari Mattini, e cila një kohë të gjatë ishte kundërshtare e CDS, i është bashkuar sot. Z. Mohsen Tahir pranon që dëshiron ta favorizoj unitetin kurd nga frika e spastrimit etnik. Është anëtar i Këshillit Kombëtar  Kurd (ENKS), që ishte krijuar me iniciativën e Partisë Demokratike të Kurdistanit Irakian (PDK) dhe ka marrëdhënie të mira me Ankaranë, për ta zvogëluar ndikimin e PYD-PKK në rajon. Uniteti do të varet megjithatë nga marrëdhëniet midis PYD dhe PDK, pasiqë i pari nuk e toleron praninë e një force tjetër ushtarake kurde në Rojava.

Në Kobané, frika nga një sundim i ri

Në Aïn Issa, në rrugën nga Rakka për në Kobane, një patrullë ruse largohet me shpejtësi të madhe nga një bazë ushtarake. Këtu, Rusia i ka zëvendësuar Shtetet e Bashkuara. Më tej në lindje, afër Hassaké  kishim takuar një tjetër patrullë ruse, jo shumë larg vijës së frontit të Tall Tamerit, si dhe një patrullë amerikane, në lindje afër fushave të naftës. Është e vështirë t’i kesh gjërat e qarta në këtë situatë konfuze.

A konsiderohet Rusia më e besueshme se Shtetet e Bashkuara? Z. Abdi na thotë që, për momentin, “Moska po punon për një zgjidhje midis kurdëve dhe pushtetit sirian”. Por ai,  sikurse personalitete të tjera, nuk shmang faktin që territori i Rojavasë është objekt i pazareve midis Moskës dhe Ankarasë, prej të cilit përfiton regjimi sirian. “Rusia së pari “ia dha” Afrinin Turqisë në këmbim të Homs-it, Ghoutës dhe një pjesë të vogël të Idleb për regjimin. Pastaj e “shiti” Ras Al-Aïn dhe Tell Abyad në Ankara në këmbim të një pjese tjetër të Idleb ”, thotë Abdi. Bisedime këto prej të cilave në fund kurdët mund të jenë humbësit e mëdhenj.

Në Kobane, shi dhe acar. Në qytet dhe rrethinë janë pezulluar jeta dhe rindërtimi nga frika e vazhdueshme e një pushtimi të ri. Në vitin 2014, ishte frika nga OEI. Këtë herë kërcënimi vjen nga ushtria turke dhe njesitët aleate – në disa prej tyre janë bashkangjitur ish-luftëtarë xhihadist. E bindur për një luftë të afërt, popullata gërmon furishëm tunelet për t’iu rezistuar sulmeve. Pesë vjet pas fitores në janar 2015, a do të jetë sërish vendimtar fati i Kobane-së  për të ardhmen e Rojavës?

* Gazetarë të pavarur, respektivisht anëtar të Koordinimit kombëtar të solidaritarit me Kurdistanin (CNSK) dhe Komitetit editorial të revistës online Orient XXI.

[1] Lexoni Akram Belkaïd, « Ankara et Moscou, jeu de dupes en Syrie », Le Monde diplomatique, nëntor 2019.

2 Lexoni « Une utopie au cœur du chaos syrien » dhe « Le Rojava, entre compromis et utopie », Le Monde diplomatique, respektivisht shtator 2017 dhe dhjetor 2018.

3 Fatma Ben Hamad, « Enquête : des images établissent les exactions d’une milice proturque en Syrie », Les Observateurs, 21 tetor 2019, https://observers.france24.com

Botime të tjera