TENSIONET E VAZHDUESHME PAS VRASJES SË GHASSEM SOLEIMANIT
Dilemat e Shtëpisë së Bardhë : Të thyhet Teherani ose të rivalizohet Pekini?

Pse z.Donald Trump urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian Ghassem Soleimani? Kënd e këshilloi para se ta fillonte këtë projekt të rrezikshëm? Vendimi i tij nuk mbështetej nga të gjithë në Uashington. "Skifterët" anti-iranianë kundërshtojnë ata për të cilët Lindja e Afërt është një front dytësor, që i largon Shtetet e Bashkuara nga problemi kryesor: Azia dhe Kina.

366

Presidenti Donald Trump habiti shumë vëzhgues duke e urdhëruar vrasjen e gjeneralit iranian Ghassem Soleimani, komandant i forcave Al-Qods të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike. Ndonëse tensionet ishin rritur në rajon për një kohë të gjatë, nuk kishte ndonjë tregues për një konfrontim të afërt midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ose midis Iranit dhe fuqive të tjera të Gjirit arabo-persik. Përkundrazi, kishte tregues se gjenerali Soleimani gjindej pikërisht në Bagdad, për ta diskutuar një zgjidhje për ç’tensionim me Arabinë Saudite.

Administrata Trump thotë se dëshironte ta ndërpriste një sulm të paralajmëruar kundër ambasadave amerikane dhe pozicioneve ushtarake në Irak dhe gjetiu në Gjirin Persik. Por, analistët kanë sugjeruar shpjegime të tjera. Shumë evokojnë psikologjinë e Presidentit, prirjen e tij për reagime të papritura dhe të nxituara. Sipas disa analistëve, ai kishte frikë se do të gjindej në një situatë të ngjashme me sulmin e vitit 2012 ndaj Ambasadës së SHBA-ve në Benghazi, ku humbi  jetën  Ambasadori John Christopher Stevens, që i siguroi kongresistëve republikanë një pretekst për ta sulmuar pamëshirshëm zonjën Hillary Clinton, Sekretaren e atëhershme të Shtetit. Të tjerët parashtruan frikën e Presidentit Trump që mund të dukej i dobët nëse nuk i përgjigjej provokimeve iraniane, në veçanti bombardimeve të fushave të naftës Abkaik, në shtator 2019 (1). Por, këto arsye nuk janë të mjaftueshme, edhe pse me siguri që kanë patur një rol në vendimin e z.Trump.

Që nga fillimi i mandatit të tij, Presidenti Trump ka imponuar një distancë të paparë me aparatin diplomatik dhe të sigurisë, të cilin nuk ngurron ta kritikoj. Sidoqoftë, ai mbetet i rrethuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC) dhe Agjencive të tjera të specializuara, që e mbajnë atë të informuar për çështje të ndjeshme dhe që i rekomandojnë veprime specifike. Të gjitha këto institucione bien dakord për shumë çështje themelore  (në veçanti për nevojën për të rritur shpenzimet ushtarake), por ato janë thellësisht të ndara në aspektin e strategjisë së përgjithshme.

Dallohen dy grupe të fuqishme, secili prej tyre i pranishëm në Shtëpinë e Bardhë. Nga njëra anë, ata që do t’i quajmë “ideologët”, të cilët besojnë se Lindja e Afërt duhet të mbetet në qendër të planifikimit strategjik. Për ta, Uashingtoni duhet ta marrë drejtimin në formimin e një koalicioni ndërkombëtar, që do të përmbajë Iranin dhe nëse është e mundur edhe ta sjellë rrëzimin e regjimit. I udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Michael Pompeo dhe Zëvendës-presidenti Michael Pence, ky grup gëzon mbështetjen e figurave të rëndësishme në Kongres dhe në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë edhe dhëndrin e Presidentit dhe këshilltarin e vjetër, z. Jared Kushner, armiqësia e të cilit ndaj regjimit iranian bën shpesh jehonë tek mendimet e udhëheqësve sauditë dhe izraelit.

Nga ana tjetër, kampi i “gjeopolitikanëve” mbledh zyrtarët e ushtrisë dhe inteligjencës, që e shohin ngritjen e Kinës si pengesën kryesore të strategjisë amerikane. Ata gjykojnë se është e preferueshme të zhvendosen burimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara nga Lindja e Afërt në Azi.

Këto dy kampe pajtohen për nevojën që vendi i tyre ta ruaj pozitën e fuqisë së parë botërore dhe të ushtroj dominimin e tij në të gjitha rajonet strategjike. Por, burimet e ushtrisë, sado kolosale, nuk janë të pakufizuara. Prej nga edhe lindin dallimet e shpeshta në lidhje me mënyrën më të mirë për të alokuar burimet e disponueshme (transportues aeroplanësh, trupa, etj.) në zonat e ndryshme të konfliktit. Lindjes së Afërt iu dha përparësi për sa kohë që terrorizmi islamik dhe Organizata e Shtetit Islamik (ISIS) ishin kërcënimet kryesore për sigurinë e Shteteve të Bashkuar. Tani, përkundër opinionit të ideologëve, shumë protagonistë në Uashington besojnë se Azia është bërë epiqendra e konkurrencës për fuqinë ndërkombëtare dhe se pjesa më e madhe e forcave amerikane duhet të përqendrohen atje.

Dominuar nga zyrtarë të lartë të Pentagonit, të Departamentit të Thesarit dhe të Shërbimeve të Inteligjencës, kampi i « gjeopolitikanëve » konsideron se Shtetet e Bashkuara janë të fiksuara në konfliktet në Lindjen e Afërt, rëndësinë e të cilave e kontestojnë. Sipas tij, fuqitë e mëdha rivale, Kina dhe Rusia, do të kishin përfituar nga kjo miopi strategjike, për ta shtrirë fuqinë e tyre ushtarake dhe ndikimin e tyre diplomatik (2). Kështu Pekini kishte arritur t’i forconte aftësitë teknologjike të ushtrisë së tij, duke gërryer avantazhin e Shteteve të Bashkuara. Këto shqetësime i ndajnë biznesmenët e mëdhenj, shumë prej të cilëve kanë lidhje të ngushta me Shtëpinë e Bardhë.

Për një kohë, kriza e Kinës ishte përparësia në Uashington. Për ta operuar “shtyllën” e tij drejt Paqësorit, Pentagoni kërkoi miliarda dollarë buxhet shtesë për ta zhvilluar armatimin. Ai filloi t’i ripozicionojë forcat e vendosura në zonat kufitare me Kinën dhe Rusinë, në “frontet dytësore”, si Afrika e Veriut dhe Lindja e Afërt (3). Ministri i Mbrojtjes, Mark Esper, konfirmoi këtë orientim, në një fjalim gjatë dhjetorit të kaluar në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan në Simi Valley, California. “Pentagoni,” tha ai, “është i përkushtuar për zbatimin e një doktrine të re të luftës, ai është duke punuar për t’i rivendosur forcat dhe pajisjet tona në pozicionet prioritare të operacioneve, në mënyrë që të konkurrojmë më mirë me Kinën dhe Rusinë (4)”.

Ky besim se ushtria amerikane duhet të “rivendos forcat dhe pajisjet” që gjinden në zonat e konfliktit dytësor, sikurse Gjiri Arabo-persik, për t’i pozicionuar ato në “ pozicionet prioritare të operacioneve ” është blasfem për ideologët, të cilët Iranin e kanë fiksim. Sipas tyre, pushteti në Teheran paraqet një rrezik që është moral dhe strategjik : moral për shkak të armiqësisë së tij të ashpër ndaj Izraelit, judaizmit dhe Shteteve të Bashkuara; e strategjik për shkak të autoritetit të tij mbi njësitë e armatosura rëndë në gjithë rajonin dhe dëshirës së tij për t’u pajisur me armë bërthamore dhe ambicien e tij për të dominuar Gjirin. « Regjimi i tanishëm iranian », ka thënë nënkryetari Pence në Varshavë në shkurt 2019, kërkon ta kthej Perandorinë e lashtë persiane përmes diktaturës moderne të Ayatollaheve. » Sipas tij, një fatkeqësi të tillë do të parandalohej vetëm me një përgjigje të ashpër dhe të pamëshirshme (5).

Duke e rindërtuar zinxhirin e ngjarjeve që e çuan z. Trump të vendos për eliminimin e gjeneralit Soleimani, vërejmë se kampi i ideologëve, udhëhequr nga z. Pompeo dhe z. Pence, ushtron një kontroll të tepruar mbi presidentin amerikan. Siç duket, Presidenti e dëgjonte z. Pompeo dhe jo z. Esper, gjatë diskutimeve të nivelit të lartë për politikën ndaj Iranit (6). I diplomuar në Akademinë Ushtarake ‘West Point’ dhe ish-oficer i ushtrisë, z. Pompeo njihet në Uashington për kundërshtimin e tij të tërbuar ndaj Teheranit dhe për përpjekjet e tij të pamëshirshme për të parandaluar çdo ulje të personelit dhe të pajisjeve ushtarake në Lindjen e Afërt.

Duket se z. Trump i cili edhe kishte ndjenja anti-iraniane ka rënë nën ndikimin e një grupi të vogël shumë të pranishëm në shtresat e larta të aparatit të sigurisë kombëtare. Kjo ka ndikuar që ai të pranonte një atentat i cili do të shkaktonte një reagim agresiv nga Teherani, me qëllim të zgjerimit të pranisë ushtarake së Shteteve të Bashkuara në rajon. Megjithëse tensioni është ulur paksa që nga reagimi i Iranit (një seri bombardimesh pa viktima, në pozicionet ushtarake amerikane në Irak), Irani mund të ndërmarrë në të ardhmen veprime më indirekte, si p.sh. sulmet e paramilitarëve ndaj pozicioneve të Shteteve të Bashkuara ose aleatëve të saj. Dhe me siguri se mijërat ushtarë të dërguar javët e fundit me urgjencë në Gji për ta forcuar ushtrinë dhe trupat detare do të qëndrojnë atje edhe për disa kohë, duke përjashtuar çdo mundësi të “rivendosjes” së forcave në rajon Azi-Paqësor.

Sidoqoftë, herët ose vonë, lavjerrësi do të përkulet përsëri drejt një strategjie kah Azia. Elitat e politikës së jashtme amerikane kanë tepër frikë nga forcimi i Kinës. Ato nuk do të lejojnë që një grindje  e cila duket e parëndësishme në Lindjen e Afërt ta ndyshojë drejtimin e aparatit diplomatik dhe të sigurisë nga misioni kryesor: ruajtja e epërsisë së Shteteve të Bashkuara ndaj rivalëve gjeopolitikë.

* Profesor në Hampshire College, Amherst (Massachusetts), autor i All Hell Breaking Loose : The Pentagon’s Perspective on Climate Change, Metropolitan Books, New York, 2019.

(1) Cf. Peter Baker, Ronen Bergman, David D. Kirkpatrick, Julian E. Barnes and Alissa J. Rubin, «7 days in January : Secret plans, a deadly strike and a spiraling crisis», The New York Times, 12 janar 2020.

(2) Cf. për shembull dëshmia e M. Michael D. Griffin, zv-sekretar i mbrojtjes për hulumtim dhe inxhinieri, «Hearing to receive testimony on accelerating new technologies to meet emerging threats », komiteti i forcave të armatosura të Senatit, Washington, DC, 18 prill 2018, www.armedservices.senate.gov

(3) Lexo « Quand le Pentagone met le cap sur le Pacifique », Le Monde diplomatique, mars 2012.

(4) «Keynote address by secretary of defense Mark T. Esper at the Reagan National Defense Forum », 7 dhjetor 2019, www.defense.gov

(5) «Remarks by vice president Pence at the Warsaw ministerial working luncheon », 14 shkurt 2019, https://pl.usembassy.gov

(6) Cf. Nahal Toosi, «Trump’s shadow secretary of defense », Politico, Arlington, 6 janar 2020.