Evropa, toka ku gjetën strehë gylenistët

794

Simite (bukë në formë unaze me susam), tranguj, ullinj të zinj dhe menemen (vezë të kavērdisura me domate): mëngjesi është i kuzhinës turke  por ne ndodhemi në një nga ato shtëpitë borgjeze me dritare të dala, të periferisë në veri të Londrës. I ftuari ynë, pesëdhjetëvjecari, z. Mustafa Yesil, është bërë objekt i një kërkese ekstradimi nga ana e Turqisë. Ai është njëri nga katër personalitetet në arrati për të cilët kryeministri turk Binali Yidirim, gjatë një vizite në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2017, i kërkoi Znj. Theresa May, në atë kohë  kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar që t’ia dorëzonte. Pushteti islamo-nacionalist i Ankarasë e lidh atë me “organizatën terrorriste të partizanëve të Fethullah Gulen-it”, ose e quajtur ndryshe FETO. Me këtë emër e ka pagëzuar ai  lëvizjen  që është ngritur rreth imamit të vetëmërguar në Pensilvani (Shtetet e Bashkuara), të cilin ai e akuzon se ka nxitur puçin ushtarak të dështuar më 15 korrik 2016. Por, z. Yesil është nga ata të rrallët që janë në lidhje direkte me “Hoxhë efendinë”, Mjeshtrin, një titull shumë i respektuar, dhënë z. Fethullah Gülen, në emër të të cilit është autorizuar të flasë

Organizator dhe drejtues i pashoq, z. Yesil ka pikërisht profilin-tipik të anëtarëve të aparatit gylenist që gjallëron Hizmetin (shërbim), emër që i kanë vënë lëvizjes së tyre. Kjo lëvizje sipas universitares kaliforniane Sofia Pandya,   numëron 10 milionë partizanë në gjithë botën. Në fund të viteve 1970, z. Yesil studioi teologji në universitetin e Marmaras në Stamboll, para se të fillonte të jepte mësime feje.  Në vitin 1983 ai zbuloi “me një emocion që nuk e kishte ndjerë kurrë më parë”, predikimet e Fethullah Gulenit,që  lidhen me traditën e një fetari kurd të fillim shekullit XX-të, Said Nursi (1878-1960),  afër me sufizmin. Në ditët e sotme ai është një Abi (vëlla i madh), shef i Heyet-it (Këshilli); ai drejton degën europiane të komunitetit dhe kontrollon imamët e ndryshëm (kuadro kompetentë) me pozita në Kontinentin e Vjetër, në të cilin gylenistët kërkojnë tashmë strehim. 

Kundërshtari kryesor i Ankarasë

Por gjendja ndryshoi. Pasi ishte aleat me Z.Rexhep Taip Erdogan, i cili erdhi në pushtet pas zgjedhjeve legjislative të vitit 2002 – kjo gjë e ndihmoi atë jo vetëm të pakësonte  ndikimin e vendosjes republikane, elitiste, nacionaliste, laike dhe qemaliste, por, gjithashtu, të shtynte  ushtrinë jashtë kampit politik, Hizmeti është  tashmë armiku kryesor i pushtetit të Ankarasë. Z. Yesil luajti një rol kyç, midis viteve 2010-2015, në përballjet midis gylenistëve dhe partizanëve të Erdoganit në gjirin e aparatit shtetëror – konflikte fillimisht në larvë, por që nuk vonuan të shpërthejnë haptazi. Ai u largua nga vendi një vit para tentativës për grusht shteti në vitin 2016 – një puç i dështuar që çoi në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, çrrënjosjen e rrjeteve gyleniste në gjirin e administratës, mbylljen e shumë shoqatave, konfiskimin e medias, vënien nën tutelë të shkollave, të universiteteve dhe të shumë ndërmarrjeve të lidhura me gylenistët. Nga burime zyrtare mësohet se në pranverën e vitit 2019, rreth 77 000 persona të akuzuar se i përkisnin FETO-s u arrestuan (nga të cilët 17 000 femra bashkë me 750 fëmijë), 240 000 persona duhej të dilnin para drejtësisë, 30 400 ishin shpallur tashmë fajtorë dhe 150 000 funksionarë u pezulluan ose u hoqën përfundimisht.  

Qofshin të akuzuar për akte kriminale në Turqi: “vëllezër të mëdhenj”: apo ndjekës të thjeshtë, një numër i madh gylenistësh zgjodhën të kërkonin azil politik  në Bashkimin Europian – 55 000 gjithsej midis viteve 2016 dhe 2019, sipas z. Yesil. Bashkë me Shtetet e Bashkuara, kontinenti i Vjetër duket sikur që tani e tutje është “zemra që rreh” e këtyre rrjeteve, gjë që nuk ka qëne gjithmonë kështu. Sigurisht,  ata janë atje që nga vitet 1980 dhe vetëfinancohen falë dhurimeve të shumë sipërmarrësve turq, simpatizantë të Fethullah Gulenit që jetojnë në Europë. Por, sidomos pas fitores elektorale të Partisë së drejtësisë dhe të zhvillimit, në vitin 2002, ata  njohën një zhvillim të  madh.

Një i besuar që kërkoi anonimatin na tregon me detaje mënyrën se si funksionojnë: “Në Europë dhe gjetkë, lëvizja gyleniste i bindej gjithmonë të njëjtës skemë. Një imam emërohej për të “drejtuar” lëvizjen në vend, një grup ishte ngarkuar të merrej me dialogun ndërfetar apo dhe me shoqërinë civile, një tjetër me strehimin, një tjetër me shkollat, dhe një i fundit me biznesmenët. Çdo krahinë e madhe kishte një imam. Në Francë, përshembull, ishte imami i Lionit, imami i 93 etj.” Suksesi ishte i garantuar, sepse kjo formulë u jepte rezidentëve europianë muslimanë praktikantë, mundësinë të përqafonin fenë e tyre, origjinën e tyre turke dhe qytetarinë e tyre në vendet perëndimore që nuk ishin gjithmonë dashamirëse  karshi islamit dhe besimtarëve të tij. «Mesazhi i Gülenit na lejonte të krijonim një urë lidhëse midis fesë sonë muslimane dhe botës moderne, shpjegon një ndjekës që jeton në Londër.Ai propozonte një përqasje alternative përballë  islamit politik, që  e braktiste  në përfitim të islamit civil, i cili pērmbante  një përgjegjësi sociale, integrimin  dhe dialogun me të tjerët”. 

Kjo prani gyleniste në Europë – Gjermani, Belgjikë, Hollandë, por edhe në Francë – u dha jetë  rreth pesëdhjetë shkollave, qindra orëve mësimi në kurset e natēs, një plejade të  tërë shoqatash kulturore, profesionale, femërore, si dhe në çdo vend,  një “Platformë për të promovuar dialoguan ndërfetar”, që ishte dhe logoja e lëvizjes. Kjo lëvizje ofron gjithashtu dhe bursa studimi, por jo pa kaluar më parë në si të moralin, buxhetin dhe zakonet e familjes së kandidatit. Gazeta e saj, Zaman, që u vetëshpërbë disa javë pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016, kishte dhjetë botime lokale në Europë (Gjermani, Austri, Bullgari, Belgjikë, Danimarkë, Spanjë, Francë, Maqedoni, Hollandë, Rumani, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër), me një shpërndarje totale që ndonjëherë  shkonte deri në 50 000 kopje (12 000  në Francë). 

Paralelisht me këtë, është bërë një punë shumë e madhe me marrëdhëniet me publikun, duke shenjuar mjediset intelektuale, fetare dhe politike. Shoqata e industrialistëve të lëvizjes Turkish Confederation of Businessmen and Industrialists (Tuskon), financonte mbajtjen e konferencave  në partneritet me Think tanks europianë më bazë në Bruksel. Universiteti i Louvain-it në Belgjikë, ka një katedër pēr studimet ndērkulturore Fetullah Gülen. Në Francë rrjetet organizonin çdo vit një darkë në hapësirat e Parlamentit. Nëse të zgjedhurit nuk shqetësohen aspak për të njohur natyrën e shoqatave franko-turke që i ftonin në këto darka, përgjegjësit të departamentit të kulteve në ministrinë e brendshme, nuk i shpëtonte asgjë, për më tepër që gulenistët ngulmonin të vendosnin kontakte të mira me shërbimet sekrete kombëtare. 

Në Parlamentin Europian, më mikpritësi është treguar grupi i të Gjelbërve. Një funksionar i lartë i BE-së, njohës i sekreteve të politikës turke, tregon se deputetët e gjelbër kishin“ mbështetur  një seri nismash  që mbanin hapur  firmën e gylenistëve”, si ajo e vitit 2012 kur u hap  një ekspozite  fotografish në gjirin e Parlamentit të organizuar nga Zaman më rastin e 25 vjetorit të tij. Bashkëbiseduesi ynë nuk e fsheh habinë e tij, madje zemërimin e tij: “Ta kthesh Zamanin në simbolin e lirisë sē shtypit, ishte diçka absurde. Kur u informova, mësova se ishte pikërisht (Daniel) Cohn-Bendit, dora vetë që e mbështeste këtë ngjarje!” në krah të kryeredaktorit të gazetës, Z. Ekrem Dumanli, ekstradimi i të cilit i qe kërkuar Shteteve të Bashkuara nga Ankaraja. 

“Në antipod me të gjitha demokracitë”

Gjykata evropiane e të drejtave të njeriut, ka mbledhur, edhe ajo, shumë juristë të dërguar nga Ankaraja. Një funksionar i lartë turk, njohës i mirë i instancave  të BE-së tregon: “ Ishin prokurorë të rinj. Ne, turqit, e dinim që ata ishin gylenistë. Për ta flitej hapur në zyrat e Këshillit të Europës. Të gjithë u thirrën në Turqi duke nisur nga viti 2013, kur shpërtheu lufta midis Erdogani-t dhe Gülen-it.” 

Në Azi, në Afrikë, por edhe në kufijtë e Evropës, si në Kosovë apo dhe në Moldavi, u hoqën shumë kuadro gylenistë nga komandot speciale të dërguara nga Ankaraja. Edhe brenda BE-së, këta përgjegjës kanë marrë kërcënime: fotografi të rrugës së tyre, të ndërtesës së tyre, të makinës së tyre u botuan në shtypin pro-qeveritar turk, dhe mesazhi duhej të ishte : “Nuk na shpëtoni dot!” Ndodh që, praktika e tyre  e  gjatë në institucionet europiane i  ka bindur  një numër të mirë syresh se do të ishin më të mbrojtur brenda BE-së, sesa gjetkë – sido që refuzimi nga ana e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i mijëra kërkesave adresuar asaj, menjëherë pas grushtit  të shtetit  të dështuar në vitin 2016, i zhgënjeu shumë. Për tu mbajtur, ata u kapën pas idesë së durimit (sabër) përballë sprovës (mysibet) 

Për shumicën e gylenistëve që janë në arrati, Greqia përbën etapën e parë. Të gjithë ata që kanë fatin të vazhdojnë rrugën e tyre në Europë duhet të derdhin një shumë prej 1 000 eurosh për të ndihmuar ata që vinë pas. Emre, që tani jeton në Greqi, ishte prokuror në Gjykatën e Lartë të Ankarasë në kohën kur gylenistët ishin në majë të fuqisë së tyre në zemēr të aparatit të Shtetit. Nuk e kishte menduar kurrë se një ditë do t’i  paguante  10 000 euro një varkëtari, para se ky i fundit ta braktiste, atē dhe  dy familje siriane në një varkë plastike që rrezikonte të mbytej. «Deti Egje ishte shumë i trazuar, ne hiqnin ujin që mbushte varkën, ishte natë dhe një anije e madhe  po vinte drejt nesh. “Lutemi!” u thashë sirianëve, gjithmonë duke menduar  për titujt e mëdhënj të gazetave  turke që lajmëronin mbytjen tonë: “Një gjykatës u arratis nga democracia dhe u ndërshkua…» 

E shtypur në Turqi, e dobësuar financiarisht, me anëtarët e saj të kërcënuar me jetë, lëvizja  nuk e braktisi objektivin e saj politik parësor: rrëzimin e Erdoganit. Arma e saj: nuk ishte krijimi i një partie politike që do të luante rolin e institucioneve dhe të zgjedhjeve, por një fushatë komunikimi shumë agresive dhe destabilizuese për pushtetin. 

«Ata janë në opozitë të hapur me Erdoganin, por gjithmonë shtetarë, gjithmonë antidemokratë në lidhje me cështjen kurde. I vetmi aspekt pozitiv është se nuk janë më armiq me të majtët”, gjykon gazetari Ragip Duran, edhe ai i arratisur në Greqi.  

Në Suedi ku legjislacioni mbi shtypin është vecanërisht liberal, një bërthamë gazetarësh u mblodhën rreth një pene gyleniste: Abdullah Bozkurt. Shumë të pranishëm në rrjetet sociale, vecanërisht në Twitter, ata vazhdojnë të vënë në shënjestër presidentin turk duke denoncuar persekutimet, që kanë pasur si objekt njerëzit e tyre, dhe nxjerrin dokumente të brendshme mjaft shqetësuese për pushtetin. Politologu turko-suedez Halil Karaveli nuk i kursen kritikat e tij: “Me tentativën e grushtit të Shtetit – dhe para kësaj, nëpërmjet manovrave të errëta  për të marrë në dorë Shtetin turk dhe përfshirja e mundshme  e tyre në vdekjen e gazetarit  dhe shkrimtarit armen Hrant Dink – gylenistët treguan se janë në  antipodë me çdo lloj demokracie. Ata janë, gjithashtu, përgjegjës po aq sa Erdogani për rrëshqitjen në autoritarizëm të Turqisë.

Ora e rindërtimit

Në Stokolm, një gazetar i ri i lëvizjes, Ahmet Donmez, kërkon të hedhë dritë mbi rolin e gylenistëve në tentativën për grusht ushtarak shteti. Bashkë me shumë ndjekës të tjerë të sinqertë në angazhimin e tyre, ai ka ndjesinë e hidhur se i kanë mashtruar – edhe pse ata nuk e pranojnë gjithmonë këtë gjë para të huajve. Këtu, por edhe atje në Europë janë mbajtur shumë mbledhje të brendshme, duke bërë bashkë përfaqësuesit e ndryshëm të hierarkisë – “të vjetrit”, si z. Yesil dhe brezi i ri. Sipas  dëshmisë së dy pjesëmarrësve, një drejtues provokoi një thirrje për protestë  duke hedhur idenë  që të bëhej  në Evropë  ajo që ndodhi në Turqi, që do të thotë infiltrimi në institucionet shtetërore. I pyetur në lidhje me këtë protestë të brendshme, z. Yesil e zvogëlon problemin : 

“Lëvizja Güleniste në Europë i kryen aktivitetet e saj në mënyrë transparente dhe nuk ka pasur asnjë problem. Duhet pak kohë për të siguruar integrimin e anëtarëve të Hizmet-it që kanë mbërritur në kontinent këto vitet e fundit, dhe që kanë paguar një taksë të rëndë në Turqi.”

Por, nga ana tjetër, të gjithë bien dakort për një gjë: pikërisht në Europë rrjetet gyleniste mund të shpresojnë të rindërtohen. Që tani e tutje shoqatat e tyre depozitojnë statute tërësisht zyrtare. Ora e autokritikës dhe rindërtimit ka rënë. “Thamë se pērpjekja jonë ishte civile, por u fiksuam pas Shtetit. Thamë se ishim  apolitikë, por ne mbështetëm një parti politike. Fillimisht duhet të fshijmë plehrat përpara portës tonë”,  deklaron njëri nga anëtarët e tyre. Sipas një tjetri, nga këta “disidentë”, tradicionalët, për momentin do të dalin mbi modernët. Debatet e brendshme, në të gjitha rastet nuk sollën asgjë. Parashikimet e tij? “Për aq kohë sa Fetullah Gülen është akom gjallë, nuk do të ndodhë asgjë. Çfarë do të ndodhë më pas? Lëvizja do të shpërthejë.”

* Gazetare, autore e Turqia, Ora e së vërtetës, botimet Empreinte temps présent, Tharaux (Gard), 2019.