Në zemër të “stuhisë Trump” që ka përfshirë botën që prej marrjes së detyrës nga presidenti i 47-të amerikan, drejtuesit e Kontinentit të Vjetër ngjajnë herë pas here me udhëtarë në një lundrim të trazuar, të shqetësuar nga dallgët, me duart kapur fort pas parmakut të anijes. Ndërkohë, Partia Komuniste Kineze (PKK) dëshiron ta luajë një rol tjetër: atë të një kapiteni me përvojë të gjatë, me sytë të ngulitur drejt horizontit.
Më 2 prill 2025, presidenti amerikan Donald Trump përmendi një “kërcënim ndaj sigurisë kombëtare” për të anashkaluar Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe për të vendosur barriera doganore amerikane ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës. Ky vendim, i paprecedentë në përmasat e tij, e gjeti botën të papërgatitur. Por jo Partinë Komuniste Kineze (PKK), siguron një editorial i Quotidien du Peuple më 6 prill 2025. “Megjithëse tregjet ndërkombëtare vlerësojnë se agresioni tarifor i Shteteve të Bashkuara ka tejkaluar pritshmëritë, Komiteti Qendror i Partisë e kishte parashikuar këtë cikël të ri masash,” shkruhet aty. Norma doganore e vendosur për Kinën, 34%, i shtohet një sërë taksash ekzistuese, duke arritur një nivel mesatar prej mbi 70%. Vendimi amerikan “do ta ndikojë ekonominë kineze”, pranon editoriali. “Por qielli nuk do të na bjerë mbi kokë.”
Kina përgjigjet duke rritur barrierat e saj doganore, duke kufizuar eksportet e mineraleve të rralla, të domosdoshme për disa industri — veçanërisht atë të aeronautikës — dhe duke ndaluar më shumë se pesëmbëdhjetë “entitete amerikane” nga importimi i produkteve që mund të kenë përdorim ushtarak. Kështu nis një seri masash të ndërsjella midis Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat i zhytin shpejt tregjet financiare në panik. Në fillim të prillit, indeksi S&P 500, që ndjek performancën e 500 kompanive më të mëdha amerikane, ka rënë me mbi 10% brenda tre ditësh. “Sipas British Broadcasting Corporation (BBC), kjo është një rënie pothuajse po aq e thellë sa ajo e krizës financiare të vitit 2008 dhe e fillimit të pandemisë, në vitin 2020”.
Ndërkohë që miqtë e tij miliarderë e nxisin të rishikojë strategjinë, dhe normat e interesit ngjiten në mënyrë të frikshme mbi një borxh amerikan që zakonisht konsiderohet si investimi më i sigurt, z.Trump shpall me vetëbesim se strategjia e tij ka dhënë fryte: shumica e vendeve të botës, mburret ai, e telefonojnë për t’ia “lëpirë këpucët” dhe për të negociuar. Më 9 prill 2025, ai shpalli një armëpushim 90 ditor, gjatë të cilit Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë një tarifë doganore prej 10% për të gjithë botën… me përjashtim të Kinës. Pekini “ka treguar mungesë respekti ndaj tregjeve financiare”, justifikoj banori i Shtëpisë së Bardhë. Si pasojë, ai e ngriti tarifën mbi produktet kineze në nivelin absurd prej 145%.
Kina bën të ditur se e i vjen keq për këtë përshkallëzim, por nuk trembet prej tij: “Ne nuk i provokojmë konfliktet, por ato nuk na frikësojnë”, thuhet në komunikatën zyrtare të qeverisë kineze, të publikuar më 5 prill 2025. “Jemi të përfshirë në një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara prej tetë vitesh dhe kemi grumbulluar një përvojë të pasur”, justifikon organi i Partisë Komuniste të Kinës (PKK). Kina, jo vetëm që e ka ulur pjesën e eksporteve në ekonominë e saj, nga 33% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2005 në rreth 20% në vitin 2022 – sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore – por edhe ekspozimi i saj ndaj tregut amerikan ka rënë ndjeshëm: eksportet drejt SHBA-ve përbënin 19,2% të totalit në fillim të mandatit të parë të z. Trump, ndërsa sot përfaqësojnë 14,7%. Në ndërkohë janë rritur eksportet drejt vendeve të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) dhe partnerëve të rrugëve të reja të mëndafshit, përkatësisht nga 12,8% në 16,4% dhe nga 38,7% në 47,8%. “Ulja e importeve amerikane nuk do të ketë ndonjë ndikim shkatërrues në ekonominë tonë”, konkludon Quotidien du peuple.
Një dozë e caktuar zbavitjeje
Nga këndvështrimi i Pekinit, një skemë tjetër skicohet për ekonominë amerikane, e cila varet nga eksportet kineze të mallrave të konsumit dhe mallrave ndërmjetës, si dhe nga minerale të rralla. Kjo e bën të rrezikshme çdo përpjekje për shkëputje (decoupling). “Merrni për shembull industrinë farmaceutike”, vëren analisti gjeopolitik Arnaud Bertrand. “Si mund të rikthehet prodhimi i këtyre produkteve kur Kina e dominon furnizimin global me substanca aktive dhe me shumë paralëndë esenciale? (…) Natyrisht se mund të përpiqeni ta riktheni prodhimin, por për ta bërë këtë, do t’ju duheshin pajisje të specializuara, të cilat gjithashtu prodhohen në masë të madhe në Kinë. Mund të vendosni të riktheni edhe prodhimin e këtyre pajisjeve të specializuara, por për këtë do të ju nevojiteshin materiale kritike, të cilat Kina i përpunon në shkallë globale”. (X, 5 prill 2025)
Për Wang Huiyao, president i Center for China and Globalization — një institut kërkimor (think tank) i afërt me pushtetin dhe me seli në Pekin — Shtetet e Bashkuara sapo “kanë qëlluar veten në këmbë”. Wall Street Journal nuk thotë gjë tjetër. Në një editorial të publikuar më 4 prill pas “tarifave doganore në të gjitha drejtimet” nga z.Trump, thuhet se : “Një fitues tashmë po del në pah: Xi Jinping, presidenti i Kinës”.
Në rrjetet sociale, rrymat nacionaliste kineze argëtohen me idenë se Pekini po e fiton betejën duke u mjaftuar me zbatimin e proverbit “yǐ jìng zhì dòng”, që mund të përkthehet si “reago përmes mosveprimit”, por që, në përputhje me humorin e momentit, do të tingëllonte më mirë si “të ngadhënjesh pa e lëvizur as gishtin”. Sigurisht, Pekini shpreh vendosmërinë për të “luftuar deri në fund”, por sipas një analize të përhapur në Kinë, kriza aktuale gjeopolitike është para së gjithash një krizë amerikane, përmes së cilës SHBA-të po shkaktojnë vetes kaos (China Daily, 19 mars 2025).
“Shtetet e Bashkuara janë të kapluara nga një luftë civile e heshtur,” analizonte një dokument i publikuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës në vitin 2023.
“Republikanët dhe demokratët udhëheqin dy komunitete diametralisht të kundërta, të cilat në realitet funksionojnë si konfederata nën një të njëjtin qeverisje”.
Kjo analizë përputhet me atë që shprehet në librin “Amerika kundër Amerikës”, një vepër kineze e pabotuar në frëngjisht, e publikuar në vitin 1991 nga një studiues atëherë i panjohur, i cili sot është një nga shtatë anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike, organi më i lartë vendimmarrës i PKK-së.
Z.Wang Huning, në këtë libër, formulonte një kritikë të ashpër ndaj demokracisë liberale amerikane, të minuar nga individualizmi, pabarazitë sociale, racizmi, etj. Ky është një libër themelor për rrymën e quajtur “neoautoritariste”, sipas së cilës zgjedhja e z.Trump përfaqëson një simptomë të krizës amerikane dhe konfirmon epërsinë e regjimeve të centralizuara mbi demokracitë liberale.
Kjo ndoshta e shpjegon edhe titullin e një artikulli të publikuar më 7 nëntor në faqen China Academy, e afërt me këtë linjë politike: “Si po i ndjekin me rehati akademikët kinezë zgjedhjet amerikane duke ngrënë popcorn”. Zhang Weiwei, një intelektual i njohur në media, librat e të cilit anëtarët e PKK-së inkurajohen t’i lexojnë, shpjegon aty se intelektualët kinezë po e vëzhgojnë rikthimin e z.Trump “me qetësi, madje me një farë doze zbavitjeje”. Kjo “dozë zbavitjeje” shpërndahet edhe në rrjetet sociale kineze, të cilat gjallojnë nga një pyetje thumbuese: Mos vallë Shtetet e Bashkuara po e përjetojnë “revolucionin e tyre kulturor”?
“Stuhia Trump” do të duhej të shihej në kontekstin më të gjerë të një krize amerikane, e cila është përkeqësuar nga një kthesë thelbësore: globalizimi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë udhëhequr që nga viti 1945 dhe që nuk po i sjell më përfitimet e dikurshme. Edhe pse presidenti aktual i SHBA-së e formulon këtë gjendje në mënyrë veçanërisht të ashpër në vitin 2025, analiza në vetvete nuk është krejtësisht e re. Kthesa e tij drejt izolacionizmit dhe protekcionizmit nuk përbën aq një fazë të re të politikës amerikane, sesa thellon një zhvillim që ka qenë prej kohësh në rrjedhë — dhe për të cilin Kina është përgatitur. Por nëse, në planin e multilateralizmit, presidenca e z.Trump mund t’i shërbejë qëllimeve të Pekinit, ofensiva e tij ekonomike rrezikon të nxjerrë në pah disa nga brishtësitë e modelit kinez.
Zhargoni i marrëdhënieve ndërkombëtare i kundërvë shtetet “revizioniste”, që dëshirojnë ta ndryshojnë rendin ndërkombëtar, fuqive që mbrojnë status quo-në. Kina luan njëkohësisht të dyja këto role — dhe e bën këtë në mënyrë të qëndrueshme.Kjo sepse Pekini angazhohet për një reformë të multilateralizmit, i cili ka ndryshuar pas shpërbërjes së bllokut sovjetik, me synimin për t’u rikthyer në një status quo ante.
Që në vitin 1992, një artikull i New York Times zbulonte një dokument të klasifikuar të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, sipas të cilit “misioni politik dhe ushtarak i Amerikës në periudhën pas Luftës së Ftohtë do të jetë të sigurojë që të mos shfaqet asnjë superfuqi rivale”. Dokumenti i rekomandonte Uashingtonit të pajisej me “fuqi të mjaftueshme ushtarake për të penguar çdo shtet apo grup shtetesh që do të synonin ta sfidonin supremacinë amerikane”. Një qasje që, sipas gazetarit të përditshmes së Nju-Jorkut, përfaqësonte “hedhjen më të qartë poshtë deri atëherë të internacionalizmit kolektiv, si strategji e dalur nga Lufta e Dytë Botërore, kur pesë fuqitë fituese formuan një Organizatë të Kombeve të Bashkuara për t’i arbitruar mosmarrëveshjet dhe për t’i kontrolluar shpërthimet e dhunës”.
Disa vite më vonë, Gilford John Ikenberry, anëtar i Council on Foreign Relations, shpreh gjithashtu qëndrimin se Uashingtoni duhet të përfitojë nga “momenti unipolar” që po përjeton atëherë planeti, për të zëvendësuar arkitekturën ndërkombëtare të lindur në vitin 1945 me një “rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla, i cili do të garantonte dominimin global të Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit (…) edhe përballë një rënieje të mundshme të fuqisë amerikane”, siç e shpjegon John Bellamy Foster. “Rend i bazuar në rregulla”: kjo shprehje është bërë tashmë refren i pandërprerë në fjalimet diplomatike të Perëndimit.
Administrata Trump, megjithatë, hedh një hap tutje në çmontimin e multilateralizmit të imagjinuar pas Luftës së Dytë Botërore, duke tërhequr Shtetet e Bashkuara nga disa agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ndërkohë, me ardhjen në pushtet të z.Xi në vitin 2012, Kina përfundimisht mbyll kapitullin e doktrinës së promovuar nga Deng Xiaoping (në pushtet nga viti 1978 deri më 1989): “Të dukemi me profil të ulët” në skenën politike ndërkombëtare. Gjatë një takimi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në mars 2021, drejtori i Komisionit Qendror për Çështjet e Jashtme të Partisë Komuniste të Kinës, Yang Jiechi, hezitoi më pak se paraardhësit e tij. Kina, theksoi ai, mbron “sistemin ndërkombëtar të përqendruar te Kombet e Bashkuara dhe rendin e bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Jo atë që propozohet nga një numër i vogël shtetesh si i ashtuquajturi rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla.”
Mbaroi koha e profilit të ulët
“Ajo që ka ndryshuar”, shpjegon studiuesja Nadège Rolland, “është besimi i udhëheqësve se tani janë krijuar kushtet që Kina të mos jetë më vetëm një kritike dhe disidente brenda kornizës ekzistuese të rendit ndërkombëtar, por edhe të mbrojë në mënyrë më aktive edhe vizionin e saj”. Mirëpo, Zhang Weiwei ngrit pikëpyetjen gjatë një tryeze të rrumbullakët të organizuar në kuadër të China International Finance Forum (CIFF), se a nuk është Kina fuqia e parë ekonomike botërore në terma të barazisë së fuqisë blerëse tashmë prej gati dhjetë vitesh?
Gabim strategjik, i përgjigjet në thelb bankieri me ndikim nga Hong Kongu, Charles Li.
“Nuk jam dakord të kthehemi gjithmonë te ideja se Kina është tashmë numër një në terma të fuqisë blerëse… Ne, kinezët, preferojmë të jemi numër dy ose tre”.
Përgjigjja e Zhang: “Në gjeopolitikë, nënvlerësimi i forcës tënde mund të krijojë probleme serioze. (…) Shtetet e Bashkuara për shumë kohë e kanë trajtuar Rusinë sikur ekonomia e saj të kishte madhësinë e asaj të Spanjës. Prandaj e kanë shtyrë zgjerimin e NATO-s, me rrezikun e luftës. Sot, Putini flet për ekonominë e tij vetëm në terma të fuqisë blerëse”, shifra sipas të cilave “Rusia është ekonomia më e madhe e Evropës, përpara Gjermanisë”.
Pra, mjaft më me profil të ulët. Midis viteve 2021 dhe 2023 – pikërisht në kohën kur këshilltari për sigurinë kombëtare i presidentit Joseph Biden, Jake Sullivan, e paraqiste G7-ën si “komitetin drejtues të botës” –, z.Xi nisi tri iniciativa për të promovuar multilateralizmin: Nisma për Zhvillimin Global, Nisma për Sigurinë Global dhe Nisma për Civilizimin Global (GDI, GSI dhe GCI, sipas akronimeve në anglisht).Këto tashmë strukturëzojnë politikën e jashtme kineze.
Të formuluara në një gjuhë të mbushur me mbiemra që sipas studiueses Rolland nganjëherë duken sikur janë marrë drejtpërdrejt nga ndonjë fjalor sinonimesh për fjalën “sjellshëm”, këto iniciativa gjithsesi përcaktojnë perspektivën e një “rendi tjetër” ndërkombëtar. Jo nën hegjemoninë kineze, argumenton Pekini, por të çliruar nga hegjemonia amerikane.
Ndër propozimet që ato formulojnë janë: kthimi te rendi vestfalian (sovraniteti absolut i shteteve, integriteti territorial, mosndërhyrja në punët e brendshme të kombeve të tjera), mbi të cilin u themelua OKB-ja; marrja në konsideratë e kërkesave të sigurisë së secilit shtet; mospërdorimi i sanksioneve të njëanshme; rindërtimi i zhvillimit si përparësi e multilateralizmit; mbrojtja e të drejtës së popujve për të zgjedhur vetë formën e tyre të organizimit shoqëror dhe refuzimi i parimit të një epërsie të lindur të preferencave perëndimore në këtë fushë; ideja se e drejta për zhvillim përbën një nga të drejtat e njeriut dhe një përfaqësim më të mirë të vendeve të “Jugut global” në organizatat ndërkombëtare… Sipas Pekinit, dy nga sukseset e tij të fundit diplomatike lidhen drejtpërdrejt me këto iniciativa:nënshkrimi nga Irani dhe Arabia Saudite i një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike, më 10 mars 2023 dhe nënshkrimi i një tjetër marrëveshjeje, ndërmjet fraksioneve të ndryshme palestineze, me qëllim formimin e një qeverie uniteti në Gaza, në korrik 2024.
Edhe pse tre iniciativat kanë marrë mbështetjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, si dhe të më shumë se njëqind e njëzet shteteve dhe organizatave ndërkombëtare apo rajonale, Atlantic Council thekson se, deri më tani, ato “ekzistojnë kryesisht në fushën e ideve”. “Sipas këtij think tank-u amerikan, që këto iniciativa të luajnë një rol domethënës në rindërtimin e rendit botëror, Kina duhet të bindë se parimet që ajo propozon nuk janë thjesht një alternativë ndaj rendit të bazuar në rregulla të udhëhequr nga SHBA-ja, por parime më të larta, më të afta për të zgjidhur konfliktet, për të përballuar sfidat dhe për të promovuar mirëqenien”. Shtrohet pyetja se mos vallë z.Trump ka kontribuar në promovimin e projekteve kineze duke shkatërruar çdo ide për rend dhe rregulla?
Fillimisht, gjithçka do të varet nga beteja tjetër e hapur mes Pekinit dhe Uashingtonit: ajo në frontin ekonomik. Sepse, në javët në vijim, mbrojtja e multilateralizmit me shumë gjasë do të ketë më pak peshë në mendjet e drejtuesve të planetit sesa çështjet tregtare. Rezervat e Shteteve të Bashkuara ndaj tregtisë së lirë nuk janë shfaqur në vitin 2025. Historia tregon se, në fakt, “Shtetet e Bashkuara e mbrojnë atë kur u shërben interesave të tyre, por e braktisin në favor të proteksionizmit sapo forcat e tregut vënë në pikëpyetje supremacinë e tyre”, thekson China Daily (19 mars 2025).
Megjithatë, deri në zgjedhjen e z.Trump, shkeljet e parimit të lëvizjes së lirë të tregjeve dhe kapitaleve vendoseshin në mënyrë të heshtur.
E nisur mbi baza tregtare nga z.Trump në vitin 2017, qasja proteksioniste amerikane nuk ka pësuar asnjë kthesë me pasardhësin e tij – përkundrazi.
Më 27 prill 2023, këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, mban një fjalim të rëndësishëm në Brookings Institution.
Ai paraqet një kritikë të ashpër ndaj pasojave të neoliberalizmit mbi Shtetet e Bashkuara: “Zbrasja e bazës industriale të vendit”, “Zhdukja e logjikës së investimeve publike që kishte udhëhequr projektin amerikan pas Luftës së Dytë Botërore”, “Përjashtimi i punëtorëve nga përfitimet e rritjes ekonomike”. Përpara se ta shpallte fundin e “konsensusit të Uashingtonit”, një kthesë që justifikon vendosjen e masave proteksioniste për të ndaluar Kinën të ketë qasje në teknologjitë e ndjeshme.
Marrëveshja e fundit e tregtisë së lirë e nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara daton nga viti 2023. Ajo u negociua me Japoninë dhe ka të bëjë vetëm me mineralet kritike.
Në të njëjtin vit, Kina nënshkroi marrëveshje të ngjashme me Serbinë, Ekuadorin dhe Nikaraguan. Dy raunde të reja janë në proces negociimi (me Hondurasin, Izraelin, Moldavinë, Norvegjinë dhe Sri Lankën) ose paranegociimi (me Bangladeshin, Kanadanë, Kolumbinë dhe Mongolinë). Kështu që kur z.Trump shpall vendosjen e tarifave ndaj (thuajse) gjithë botës, Kina përpiqet të paraqitet si mbrojtësja e vërtetë e një rendi ekonomik që për një kohë të gjatë ishte promovuar nga vetë Uashingtoni.
Disa ditë para “Ditës së Çlirimit”, presidenti kinez mbledh më shumë se dyzet drejtues kompanish ndërkombëtare në pallatin e Asamblesë Popullore.
Ai mahnit Financial Times-in duke “mbajtur një nga fjalimet më pasionante në mbrojtje të tregtisë ndërkombëtare” dhe të “sistemit të zinxhirëve të furnizimit global” (29 mars 2025). “Kina është tashmë partneri i parë tregtar i më shumë se 140 shteteve. Nëse Donald Trump dhe Shtetet e Bashkuara vendosin të tërhiqen nga globalizimi, ne do të marrim përsipër ta vazhdojmë” thotë Zhang Weiwei. Dhe, më 7 prill, është ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara, jo Shtëpia e Bardhë, ajo që publikon në platformën X një video të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan duke paralajmëruar për rrezikun e proteksionizmit…
Por “mbrojtja e tregtisë ndërkombëtare” me shumë gjasë do të ketë pak rëndësi në sytë e “partnerëve” të Kinës kur ata do të përpiqen të negociojnë një lehtësim të barrierave doganore amerikane. As shkëmbyes tregtare, as realisht proteksionist, strategjia e z.Trump është mbi të gjitha “transaksionaliste”: asgjë nuk e përjashton mundësinë që ai të heqë barrierat tregtare për vendet që pranojnë t’i bashkohen fushatës së tij kundër Kinës.
Por, kur Partia Komuniste Kineze (PKK) shfaq një ulje të eksporteve drejt Shteteve të Bashkuara, ajo harron të përmendë se një pjesë e prodhimit të saj i destinuar për tregun amerikan tashmë kalon përmes ndërmarrjeve të vendosura në Azinë Juglindore, për të anashkaluar pengesat e vendosura gjatë mandatit të parë të z.Trump. Kjo shpjegon rritjen e shpejtë të eksporteve vietnameze dhe indoneziane gjatë viteve të fundit. Manovra nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Uashingtonit: “Ne presim që vende si Kamboxhia, Meksika dhe Vietnami të ndalojnë së lejuari Kinën të shmangë barrierat doganore amerikane duke eksportuar produktet e saj nga territori i tyre,” paralajmëron Peter Navarro, këshilltari i z.Trump për tregtinë dhe industrinë, në Financial Times (8 prill 2025). Ata që i binden, mund të shpresojnë që do të shpërblehet bindja e tyre.
Megjithatë, në përplasjen që është shpalosur, Kina është shumë larg së qenit e pafuqishme. Përveç faktit që ajo pothuajse ka kapërcyer hendekun në teknologjitë e avancuara, nga të cilat Uashingtoni është përpjekur ta përjashtojë, ajo tashmë lëshon sinjale për një arsenal të gjerë masash hakmarrëse që mund të përdorë. I njohur për afërsinë e tij me pushtetin, intelektuali Ren Yi u kujdes ta artikulojë këtë në blogun e tij më 8 prill 2025: pezullimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në çështjen e fentanilit, një drogë sintetike që po shkatërron qytetet amerikane dhe përbërësit e së cilës prodhohen pjesërisht në Kinë; rritja e kufizimeve për eksportet drejt SHBA-së të produkteve bujqësore, si soja apo sorgumi; kufizimi i importeve të produkteve shpendësh nga Amerika; kundërmasa në sektorin e shërbimeve, ku Uashingtoni ka një tepricë tregtare në raport me Pekinin…
Duke vërejtur se presidenti amerikan tashmë po grumbullon përjashtime nga tarifat e tij, nën presionin e elitave ekonomike të vendit të vet, zëvendëspresidenti i Institutit të Politikave të Shoqërisë Aziatike për çështjet e sigurisë dhe diplomacisë, Daniel Russel, vlerëson se z.Xi mund ta bëjë “bastin se makineria tarifore e Trump do të shembet nën presionin e tregjeve financiare”. Një situatë paradoksale, ku udhëheqësi i partisë më të madhe komuniste në botë do të mbështetej në mbështetjen e spekulatorëve të botës së financës…
Në realitet, Kina qëndron fort përballë presionit me synimin për të negociuar.
Sepse në Pekin nuk e pranojnë lehtë idenë që ekonomia të rritet më pak sesa ishte parashikuar. Papunësia tek të rinjtë (përjashtuar studentët) kalonte 15 % në vitin 2024, dhe gjithçka tregon se konfliktet në vendin e punës, ndonëse të vështira për t’u matur, janë në rritje. Për Partinë Komuniste të Kinës (PKK), dinamizmi ekonomik shihet si mjeti i vetëm për ta mbrojtur vendin – që historikisht është përçarë shumë herë nga brenda – nga çdo lloj kundërshtimi social apo politik. “Çështja themelore për Kinën është nevoja për stabilitet”, i kishte shpjeguar Deng Xiaoping presidentit amerikan George H. W. Bush më 26 shkurt 1989. Disa muaj më vonë, pas ngjarjeve të Tiananmenit, kjo “çështje themelore” u kthye në një prioritet absolut: “Stabiliteti mbi gjithçka” ishte titulli i Gazetës së Popullit më 4 qershor 1990, ditën e përvjetorit të parë të “ngjarjeve”. Që atëherë situata nuk ka ndryshuar: z.Xi mori detyrën në vazhdën e “pranverave arabe”, për të cilat ai kurrë nuk e ka fshehur shqetësimin e tij. Nëse kapiteni i Kinës i druhet stuhisë, është sepse ajo mund të sjellë kryengritjen.
Kina pra duhet të fuqizohet. Por, pavarësisht nismave të fundit për të nxitur konsumin e brendshëm, qytetarët kinezë kanë filluar të shpenzojnë më pak që nga viti 2021, kur rrënimi i tregut të pasurive të paluajtshme zhduku një pjesë të konsiderueshme të kursimeve të tyre. Si reagoi pushteti? Duke shpallur rinisjen e përpjekjeve për të rritur konsumin, por mbi të gjitha, duke përforcuar edhe më tej kapacitetet prodhuese të orientuara drejt eksporteve. Kjo po bëhet veçanërisht përmes automatizimit, i cili shihet si mjeti më efikas për të ruajtur konkurrueshmërinë e vendit. Por kjo strategji ngre (të paktën) dy sfida të mëdha, një të brendshme dhe një gjeopolitike.
“Kur shumë punëtorë të pakualifikuar përjashtohen nga industritë e modernizuara, pagat e tyre kanë prirjen të mbeten në vend ose të bien, gjë që ul kërkesën dhe pengon rritjen ekonomike”, shpjegojnë studiues të cituar nga Financial Times (25 mars 2025). Para se të konkludojnë: “Vendet ku fuqia punëtore është e polarizuar në mënyrë sociale vuajnë gjithashtu nga paqëndrueshmëria politike”. Kërkimi i stabilitetit nga Partia Komuniste Kineze mund të çojë kështu në një garë për rritje, e cila në fund të fundit mund ta rrezikojë vetë stabilitetin. Përveç nëse vjen një valë e re rritjeje ekonomike që do ta kthente prapë ekuilibrin në favor të sistemit.
Këtu qëndron edhe vështirësia e dytë. Pjesa e Kinës në prodhimin industrial botëror ka kaluar nga 6 % në vitin 2000 në më shumë se 32 % sot. Vendi përfaqëson 18 % të PBB-së globale, por vetëm 15 % të konsumit. “Kjo do të thotë se i nevojitet kërkesa e vendeve të tjera për të përthithur tepricën e madhe të prodhimit të vet”, vëren Financial Times (9 prill 2025) – një problem që ishte identifikuar që më herët nga ekonomisti britanik John Maynard Keynes. Në vitin 2024, suficiti tregtar i Kinës arriti në 1 000 miliardë dollarë – një nivel i paparë më parë. Megjithatë, etja e Kinës për eksporte tashmë konsiderohet si përgjegjëse në masë të madhe për ç’industralizimin e disa vendeve të Azisë Juglindore. Ky fenomen është përkeqësuar edhe më shumë nga tarifat doganore amerikane, të cilat i shtyjnë kompanitë kineze të ridrejtojnë një pjesë të eksporteve të tyre drejt rajonit. Tani Evropa pret të përmbytet nga një valë produktesh që Perandoria e Mesme nuk arrin më t’i shesë në Shtetet e Bashkuara.
Nëse Pekini nuk përfiton nga mundësia që i ofron z.Trump për ta korrigjuar këtë çekuilibër, kjo mund të çojë në forcimin e diskurseve proteksioniste te partnerët e tij. Disa prej tyre mund të jenë më pak të paparashikueshëm dhe më progresistë se ai i z.Trump. Kësisoj, në përpjekje për ta shmangur kryengritjen, kapiteni kinez do të kishte përgatitur stuhi të reja.

