KOLË LUKA DHE VEPRA E TIJ "SHQIPËRIA MESJETARE NË TOPONOMASTIKË DHE ONOMASTIKË"
Shkëlqimi i një dijetari që punoi në hije

Si emër i mbetur në hije, i njohur turbull për përkthimet në frëngjisht – gjithnjë pa autor – jo vetëm të të shumtës së artikujve shkencorë në revistën albanologjike Studia albanica, por edhe të rezymeve të punimeve shkencore të pothuaj gjithë organeve albanologjike që botoheshin në Shqipërinë socialiste, – Studime historike, Studime filologjike, Çështje të folklorit shqiptar, Kultura popullore, Iliria etj., – nuk janë shumë ata specialistë të albanologjisë që e dinë Kolë Lukën edhe për kontribues të rëndësishëm në studimet albanologjike.

1106

Me rastin e këtij botimi, për ta nxjerrë këtë kontribues të dalluar të studimeve albanologjike nga hija e “epokës socialiste”, është e udhës të tregohet diç më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij.

Kolë Luka ishte lindur më 28 tetor 1917 në Shkodër, në një familje të kamur. I ati Angjelin Luka ushtronte veprimtari jo vetëm tregtare, por edhe industriale, si zotërues i një fabrike karamelesh, bonbonesh, llokumesh dhe prodhimesh të ndryshme sheqeri. E ëma ishte gjithashtu bija e njërit prej tregtarëve të mëdhenj të Shkodrës, Gjon Ashikut. Kolë Luka qe i pari i pesë fëmijëve të familjes. Shkollimin e filloi në Shkodër, aty deri në vitin 1933 kreu Kolegjin e Shën Françesk Ksavjerit, të mbajtur nga Etërit Jezuitë. Pra ishte shkolluar “ndër Jezuitë”, siç përgojohej gjatë “epokës socialiste” një shkollim i tillë. Më 1933, pa mbushur të 16-at, u dërgua në Neuchatel të Zvicrës për të studiuar “Langues Modernes & Branches Commeriales” në Institut des Fréres des Écoles Chretiennes Neuchatel Suisse. Mbas studimeve të mesme, më 1937 filloi studimet universitare në Universitetin e të njëjtit qytet në degën “Menaxhim biznesi”. Ideja e të atit kishte qenë ta përgatiste njërin prej bijve për të ndjekur biznesin e familjes. Mirëpo ndodh që jeta e njeriut, nga njëra anë, dhe formimi i tij, nga tjetra, të shndërrohen në paradoks. Kujt do t’i nevojiteshin studime të tilla për menaxhim biznesi në “epokën socialiste”, në të cilën do t’i takonte Kolë Lukës të ushtronte gjithë veprimtarinë e vet? Paradoks i ngjashëm me studimet e një tjetri të shkolluar “ndër Jezuitë”, Injac Zamputit, me diplomën e tij të Shkencave politike nga Universiteti i Triestes (1941).

Në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, kishte filluar një periudhë e rëndë për familjen, por edhe për biznesin e saj. I ati qe internuar në Gramsh, më vonë në Porto Romano, ndërsa i vëllai – intelektuali i njohur Gjovalin Luka – ndodhej në ilegalitet si pjesëmarrës aktiv i Grupit Komunist të Shkodrës dhe mandej i Luftës Nacional-Çlirimtare. Atëherë e ëma i bëri thirrje djalit të madh që të kthehej në atdhe për të përballuar vështirësitë e familjes. Kolë Luka u kthye në Shkodër më 1941 dhe iu vu menaxhimit të biznesit të të atit.

Me pushtetin e ri të vendosur nga përfundimi i Luftës, më 1945 Kolë Lukës iu besua drejtimi i Radio Shkodrës. Ishte fjala për një institucion të krijuar aty për aty dhe, si i tillë, ai mban përgjithnjë vulën e përkushtimit profesional të drejtorit të parë. Mbas një viti pune u shtrëngua të kryente shërbimin e detyruar ushtarak, të cilin e përfundoi më 1949, d.m.th. në moshën 32-vjeçare. Prej vitit 1950, i vendosur në Tiranë, filloi punën në Institutin e Shkencave, sikurse emërtohej atëherë, si përkthyes i gjuhës frënge. Më 1952 u martua me një bijë të familjes  Harapi, familje me zë në Shkodër, por edhe të Marubëve emërmëdhenj.

Një parantezë do të duhet hapur këtu për një tjetër veprimtari të Kolë Lukës: veprimtari me peshë kombëtare dhe ndërkombëtare për kulturën shqiptare. Paralel me punën në institutet e albanologjisë, Kolë Luka u shqua edhe si përkthyes në qarkun më të ngushtë të dy ose tre përkthyesve veprash nga shqipja në frëngjisht. Sqima e tij kulturore, si edhe prerja  intelektuale, e shmangën nga përkthime tekstesh të rëndomta; zgjodhi të përkthente vepra të qenësishme prej thesarit të krijimtarisë gojore të popullit shqiptar ose të letërsisë së traditës. Vetëkuptohet synimi: për t’i bërë ato pjesë të pasurisë kulturore të popujve të botës. Fryte të asaj veprimtarie të tij tanimë të regjistruar si unikale janë përmbledhje, si: Chansonnier populaire albanais (Université d’État d’Albanie, Tirana 1961), Chansonnier des Preux Albanais (Collection “UNESCO”, Paris 1967), Le Chants albanais au cours des âges (Université d’État d’Albanie, Tirana 1969), Choix de poèmes albanais de nos jours (Naim Frashëri, Tiranë 1969), Tresor du chansonnier populaire albanais (Académie des Sciences de la RPS d’Albanie, Tirana 1975), Chansonnier épique albanais (Académie des Sciences de la RPS d’Albanie, Tirana 1983) etj. Nuk mund të mos spikatin krahas tyre përkthimi në frëngjisht i veprës së Çajupit, Baba Tomorri (Père Tomor, Traduit de l’albanais par Kolë Luka, Editions d’État “Naim Frashëri”, Tirana 1962), dhe posaçërisht i asaj poetike të Migjenit (Poèmes, Traduit de l’albanais par Kolë Luka, Préface par Andrea Varfi, Éd. Pierre Seghers, Paris 1965). Poezia e Migjenit në frëngjisht u botua në Paris nga i mirënjohuri botues Pierre Seghers në kolanën e tij “Autour du monde”,  no 85. E drejtuar në atë ndërkohë nga poeti dhe kritiku Alain Bosquet, ishte një kolanë që kishte për mision t’i ofronte publikut ndërkombëtar poezinë më të mirë botërore në një editurë luksoze për t’u çmuar edhe sot e gjithë ditën.

Të gjitha këto vepra, përpos detyrave në institutet e albanologjisë ku shërbeu, kryheshin në atë që e quajnë zakonisht “kohë e lirë”. “Kohë e lirë” është një fjalë goje, sepse përbëhet prej mijëra e mijëra orësh të vjedhura nga gjumi i mbasditeve, nga pushimet, nga dëfrimet, qoftë edhe nga nevoja për limonti. Siç kryhen, pothuaj gjithnjë, veprat e pasionit. Jo më kot familjarët e kujtojnë në marrëdhëniet familjare si njeri “ëorkaholic”. Ndërkaq edhe puna në institutet ku shërbeu duhet përfytyruar gjithnjë e mbingarkuar. Do t’i binte të regjistrohej ndër të rrallat raste përjashtimore të specialistëve që as të pensionoheshin nuk i lejonin. Kam pasur rastin të dëgjoj, gati në trajtë anekdotike, sesi në moshën 71-vjeçare, mbas një pune të stërlodhshme, një dite të vitit 1988 qe detyruar t’i jepte drejtorit të atëhershëm një mesazh të këtillë: “Sot është e shtunë dhe është dita e fundit e punës sime. Të hënën nuk vij më në punë”.

Autorit të këtij shënimi i ka qëlluar ta njohë modestisht zotërinë autoritar Kolë Luka, jo vetëm si banorë të një lagjeje, por edhe falë një shkrimi vlerësues për njërën nga kryeveprat e tij në fushën e përkthimeve (Epika jonë gojore në frëngjisht: “Chansonnier épique albanais” , në: “Nëntori, nr. 1 / 1984). Sot nuk e gjykoj dot se ç’vlerë mund të ketë ai shkrim imi, por nga perspektiva llogaris që për Kolë Lukën në “epokën socialiste” pothuaj nuk shkruhej. Jo vetëm kaq, por në “epokën socialiste” Kolë Lukës iu desh të çante edhe mes zilie e ligësie. Nëse ndokush dëshiron dëshmi, le të zbresë nga rafti i bibliotekave botimin francez të Eposit të kreshnikëve të përkthyer në frëngjisht prej tij dhe të botuar nga UNESCO: “Collection UNESCO d’Oeuvres Représentatives. Série Européenne”. Në të emri i Kolë Lukës nuk ekziston, ndërsa spikat me shkronja të mëdha (exergue) emri i drejtorit të atëhershëm të Institutit të Folklorit si autor i një hyrjeje: Chansonnier des preux albanais, Introduction de Zihni Sako, Maison neuve & Larose Paris 1961. Më ka qëlluar të jem në dijeni të orvatjeve të zyrtarëve të Tiranës që edhe në botimin e Migjenit në Paris emri i Kolë Lukës të mos shënohej; atëherë ndeshën në refuzimin e botuesit Seghers dhe të drejtuesit të kolanës Bosquet, të cilët nuk pranuan ta kryenin një shëmti të tillë, ndryshe nga burokratët e bindurtë UNESCO-s.

Kolë Luka vdiq më 4 gusht 1994 në moshën 77-vjeçare. Nuk iu gëzua dot daljes në dritë të veprës së tij Dokumente të Rilindjes për Shkodrën: Letërkëmbimi i firmës tregtare Bianku-Çoba (1877-1878) (Tiranë 2000), e cila iu botua postume nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në vitin 2000. E lënë në dorëshkrim, ishte vepër së cilës studiuesi i qe kushtuar me vite të tëra, gjithnjë në “kohën e lirë”, si dhe e dorëzuar për botim qysh 12 vite të shkuara. Lexuesit e interesuar për vlerat e saj mund të lexojnë çmuarjet që i kanë bërë asaj në veprimtarinë promovuese – si model i një pune kërkimore-shkencore me kritere të rrepta metodike etj. – prof. dr. Gazmend Shpuza dhe prof. dr. Seit Mansaku. 

Kolë Luka nuk mban gradë doktorale dhe as titull profesoral. Prej vitit 1972 qe vlerësuar thjesht si “bashkëpunëtor shkencor” në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Një vit më vonë iu akordua Urdhri “Naim Frashëri” i klasit III, ndërsa më 1995, mbas vdekjes, ju dha Urdhri “Naim Frashëri” i klasit I. Ai mbetet i modelit të kontribuesve të dalluar në studimet albanologjike, të cilët nuk imponohen as prej gradës, as prej titullit, por prej veprës. Edhe për këtë arsye ky botim nga ana e Akademisë së Studimeve Albanologjike synon të shërbejë si një akt më shumë vlerësimi e nderimi për të.