ULSI MANJA, KRYETAR I KOMISIONIT PARLAMENTAR TË LIGJEVE
Ndryshimet kushtetuese, risitë për listat dhe koalicionet sipas mazhorancës

Ata që shprehen ose mendojnë se ndryshimet kushtetuese nuk lejojnë koalicionet parazgjedhore janë dashakëqinj në qëllimet e tyre dhe ju mungon kurajoja politike. Për Le Monde Diplomatique-Shqip, Manja shpjegon vendimin e mazhorancës dhe opozitës parlamentare për t’i hapur listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet 2021.

1672

– Partia Socialiste është shprehur pro listave të hapura, por a ka rrezik që të mbushet parlamenti me njerëz “të fortë”, duke i dhënë fund partive ku së paku kupolat përbëhen nga profesorë dhe doktorë shkencash?

Ulsi Manja : Do të jetë e kundërta e kësaj dhe ky është efekti i parë real që buron nga hapja e listave shumemërore me të cilat çdo subjekt zgjedhor do të garojë në zgjedhjet e vitit 2021.

Partia apo kryetari i partisë ka përsëri përgjegjësinë politike të hartimit dhe të pastërtisë së listës së kandidatëve, por me hapjen e listave atyre u ka ikur nga duart renditja fundore e kandidatëve që do të fitojnë një ulëse në sallën e Parlamentit, pasi kjo e drejtë me ndryshimet kushtetuese i ka kaluar qytetarëve nëpërmjet votës parapëlqyese që do të japin për subjektin politik, por edhe për kandidatin që ata dëshirojnë. Sistemi ynë zgjedhor nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë me sistemin proporcional rajonal, por pas hapjes së listave, partitë politike apo subjektet zgjedhore, për ta maksimalizuar rezultatin zgjedhor në favor të tyre do të kujdesen të dalin para qytetarëve me emra sa më cilësorë kandidatësh me formim intelektual të ndryshëm dhe që vijnë nga shtresa të caktuara shoqërore. Partitë apo subjektet zgjedhore nuk do t’i marin kandidatët e listave të tyre në hënë e as do t’i importojnë nga jashtë. Ata do të përzgjidhen brenda nesh, por e rëndësishme është që të jenë njerëz të ndershëm, të jenë të njohur në zonat zgjedhore ku do të kandidojnë, të kenë figurë të pastër morale dhe politike, por mbi të gjitha të kenë kaluar filtrat e dekriminalizimit. Pastaj populli me votë le të zgjedhë atë që do për ta përfaqësuar në Parlamentin e ardhshëm.


– Më shumë se teknike e prodhimit të fletës së votimit dhe e administrimit të procesit, duket sikur kërkesa e PS për moslejimin e koalicioneve lidhet me rezultatin zgjedhor, pasi opozita ka më shumë parti aleate dhe në vota është treguar se aleatët tuaj të majtë kanë më pak vota. Si e komentoni këtë strategji?

Ulsi Manja : Ndryshimet kushtetuese të datës 30 korrik 2020 nuk i shoh as si teknikë e fletës së votimit dhe e administrimit të procesit dhe as si strategji elektorale të PS, por në qëllimin e tyre të mirë i konsideroj si adaptim i standardeve më të larta zgjedhore që aplikohen sot në botën demokratike dhe që garantojnë barazinë e votës dhe vullnetin e zgjedhësve.

Sistemet elektorale dhe rregullat e zbatimit të tyre janë pronë e subjekteve politike që marin pjesë në një garë politike, ndërsa për qytetarët që thirren për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlament. Rëndësi ka që këto rregulla loje zgjedhore të garantojnë barazinë e votës, lirinë dhe fshehtësinë e saj, si e drejtë themelore kushtetuese.

– A e kanë garantuar si duhet vullnetin e zgjedhësve rregullat e përcaktuara në ligjin tonë zgjedhor?

Ulsi Manja :Për të qënë më i qartë me lexuesin tuaj të ftohtë politikisht dhe për të qartësuar arsyet e ndryshimeve kushtetuese të datës 30 korrik 2020 më duhet të shpjegoj konceptin e koalicioneve parazgjedhore dhe si kanë funksionuar ato sipas ligjit zgjedhor në Shqipëri.

Koalicionet parazgjedhore janë formacione elektorale që i përdorin zakonisht partitë e vogla politike që nuk e kalojnë pragun elektoral si taktikë për t’u përfaqësuar në parlament duke hyrë në koalicion me një parti të madhe në mungesë të peshës së tyre politike në elektorat.

Formula e koalicioneve parazgjedhore sipas ligjit tonë zgjedhor deri para ndryshimeve kushtetuese i përshtatej listave të mbyllura të kandidatëve në një mënyrë absurde që jo vetëm nuk përfaqësonte vullnetin e vërtetë të zgjedhësve por e devijonte atë në drejtim të kundërt me vullnetin e tij, drejt partisë udhëheqëse të koalicionit ose partisë pasuese në rradhë sipas numrit të votave të fituara.

Ky model koalicioni parazgjedhor korruptiv i mishëruar në ligjin zgjedhor i reshtonte kryetarët e partive të vogla si ushtarë te lista e sigurtë e partisë udhëheqëse të koalicionit duke u siguruar një ulëse në parlament dhe ndërkohë kandidatët e listës së partiçkës së tyre brenda koalicionit shpërndaheshin në çdo cep të Shqipërisë duke mbledh vota që i shkonin në torbë jo partiçkës së tyre që as bëhej fjalë të kalonte pragun elektoral sipas ligjit, por partisë së parë të koalicionit në numër votash me premtimin korruptiv për ti bërë zv/ ministra apo drejtorë kandidatët e këtyre partive të vogla në rast fitoreje të zgjedhjeve.

Për mendimin tim formula e koalicioneve parazgjedhore sipas ligjit tonë zgjedhor ishte një rast tipik i korrupsionit zgjedhor të mishëruar në vetë ligjin zgjedhor dhe që u korrigjua me ndryshimet kushtetuese të datës 30 korrik 2020 sipas modeleve më të mira zgjedhore që aplikohen sot në pothuajse të gjitha vendet anëtare të OSCE-ODHIR.

Por hapja e listave pas ndryshimeve kushtetuese dikton në mënyrë të natyrshme një formë të re të koalicioneve parazgjedhore me një listë të përbashkët shumemërore që jo vetëm e thjeshton procesin zgjedhor për zgjedhësit, por e barazon dhe i jep peshë reale votës parapëlqyese të zgjedhësve për kandidatin apo për partinë që duan, dhe kjo vlen për të gjitha partitë garuese në zgjedhjet politike të rradhës.

Ndryshimet kushtetuese i hapin rrugë një gare të vërtetë politike ku çdo subjekt zgjedhor duhet të dalë përpara zgjedhësve shqiptarë me potencialin e vet politik dhe jo të marë mandate deputetësh fiktivë me bishtat e partive të tjera.

– Cili mund të jetë reagimi i mazhorancës nëse PD do të vendosë si kusht të padiskutueshëm lejimin e koalicioneve?

Ulsi Manja

Ulsi Manja:Ata që shprehen ose mendojnë se ndryshimet kushtetuese nuk lejojnë koalicionet parazgjedhore janë dashakëqinj në qëllimet e tyre dhe ju mungon kurajoja politike dhe profesionale për t’i treguar qytetarëve të vërtetën e këtyre ndryshimeve : që koalicionet parazgjedhore lejohen por me një listë të vetme kandidatësh dhe jo me lista partiçkash me emra pafund e pakrye që stimulojnë korrupsion zgjedhor duke prodhuar mandate fiktive për partitë e mëdha dhe duke tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Ndryshimet kushtetuese nuk i pengojnë koalicionet parazgjedhore, por korrigjojnë një padrejtësi të ligjit zgjedhor aktual ku partitë hynin në koalicion parazgjedhor me listat e tyre dhe mandatet i merte partia e parë apo e dytë e koalicionit, sipas numrit të votave të fituara në çdo zonë zgjedhore. Me ndryshimet kushtetuese vlejnë të njëjtat rregulla për koalicionet, por ndryshimi i referohet hapjes së listave, çka e bën të detyrueshëm konkurimin e koalicionit me një listë të vetme kandidatësh dhe jo me mijëra kandidatë në lista partiçkash si dhëndurë për t’u bërë zv/ministra, drejtorë qëndrorë apo lokalë. Rregullat e reja të koalicioneve vlejnë njëlloj si për PS, ashtu dhe për opozitën e bashkuar në rrugë pakrye apo për çdo lëvizje politike rishtas. Ato kanë në themel vullnetin real të zgjedhësve dhe synojnë të risin konkurueshmërinë e partive politike në zgjedhje, të evidentojë peshën reale politike të tyre tek zgjedhësit. E thënë më shkoqur çdo parti politike apo subjekt zgjedhor pas këtyre ndryshimeve kushtetuese duhet të shkojë tek votuesi me fytyrën e vet dhe jo me maska ose nëse vendosin të shkojnë me maska duhet të mblidhen të gjitha maskat në një listë. Hapja e listave dhe riformësimi i koalicioneve parazgjedhore në funksion të tyre, duke garantuar barazinë gjinore dhe barazinë e votës sipas standardeve të Venecias dhe të GJEDN është meritë e këtij Parlamenti që iu përgjigj zërit të qytetarëve shqiptarë, çdo qëndrim i kundërt është llogari e pastër politike që bën opozita jashtëparlamentare përkundër vullnetit të popullit shqiptar.

– PS po tenton mandatin e tretë që nuk e ka arritur deri më tani asnjë forcë politike. Nga ana tjetër ju keni nisur që tani takimet për zgjedhje. Nga parashikimi, sa është numri i deputetëve që prisni? Dhe së dyti, kur ndodhën ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, mazhoranca u shpreh se kushtetuta nuk do të preket më për 30 vite. Si ndiheni sot që kushtetuta sërish ndryshoi sa hap e mbyll sytë?


Ulsi Manja : Drejtësia dhe vota kanë të përbashkët barazinë për të gjithë qytetarët dhe si të tilla janë themelore dhe thelbësore për çdo Kushtetutë moderne. Si përfaqësues i kësaj shumice parlamentare me një rol aktiv në zhvillimet e rëndësishme politike të kohës, unë ndjehem mirë që vota ime dhe e kolegëve të mi deputetë si në mesnatën e datës 21 korrik 2016 ashtu edhe në mesditën e datës 30 korrik 2020, u vunë në funksion të jetësimit real të drejtësisë dhe votës së lirë si principe themelore njerëzore për çdo demokraci liberale.

Ju pyesni a po tenton PS mandatin tretë? Ne nuk po tentojmë, por do ta rinovojmë për të tretën herë kontratën e pushtetit me qytetarët shqiptarë. Këtë do ta bëjmë të mundur duke shkuar përballë qytetarëve tanë pa maska koalicionesh absurde, me listë të denjë emrash sa më përfaqësuese, duke korrigjuar vetveten, duke dhënë llogari për çfarë kemi bërë mirë e çfarë jo, do të kuvendojmë hapur e shtruar për çdo ditë të qeverisjes tonë dhe do t’u kërkojmë shqiptarëve që bashkarisht të mbyllim plagët e hapura nga përballja me dy fatkeqësi natyrore njëherazi, tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe pandeminë globale të shkaktuar nga Covid-19 dhe shumë e shumë punë të tjera nē kryerje e sipër.