NGA VJEN KRIZA E SHËRBIMIT TË URGJENCËS
“Spitali i së ardhmes”: utopia e elitave reformuese, makthi i kujdestarëve dhe pacientëve

"Në erë", kështu e kanë cilësuar punëtorët në grevë të urgjencës planin e paraqitur nga Ministrja e Shëndetësisë më 9 shtator. Për shërbimet në prag të shpërthimit ajo propozon një zarf rakitik, të mbështetur në sektorë të tjerë edhe ata në vështirësi. A duhet të flasim për "krizë" të spitalit ose "thyerje" – ose për një projekt afatgjatë që kërkon t’ia jep privatëve këtë institucion ikonë të shërbimit publik ?

1133

Chamonix, 1 Tetor 2016, kohë shumë e bukur. Si çdo vit, ajka e vendimmarrësve politikë, administrativë dhe industrialistë të shëndetësisë takohen gjatë CHAM-it. CHAM, – Konventa për Analizën dhe Menaxhimin e Shëndetsisë, një takim ku, nën udhëheqjen e z.Guy Vallancien, ish këshilltar shëndetësor i z.Nicolas Sarkozy dhe profesor i urologjisë në Institutin Montsouris, flitet për të ardhmen e sistemit shëndetësor. Me një fjalë, nëse ekziston një Medef (Lëvizja e kompanive të Francës) për shëndetin, ky event do të ishte universiteti i tij i vjeshtës.

Pajisja skenike e Qendrës së kongreseve të kujton atë të një palestre boksi. Në mes, skena drejtkëndore duket si një ring i ndriçuar nga spote të fuqishme. Përreth kolltuqe të rehatshme janë rregulluar për të pranishmit. Sidoqoftë, krahasimi ndalet këtu. Mjafton të dëgjosh për shembull, z.Luc Ferry, ish-Ministër i Arsimit që u  bë  lajmëtari  i transhumanizmit, të dialogosh me shkrimtarin Erik Orsenna si në një darkë mondane, duke përzjerë konsiderata stratosferike filozofike dhe shaka të rezervuara për happy few, për të kuptuar se as luftë,  madje as debat, nuk do të ketë fare. Në fakt, e gjithë kjo botë e vogël pajtohet pothuajse për gjithçka. Pyetjet e ralla i bën z.Loyal nga tryeza e rrumbullakët-përjashtohet çdo ndërhyrje e publikut. Zakonisht, ftohen folësit që të thellojnë pikat që qeveria ka ende nerva t’u rezistojë. Pjesa tjetër, thelbësorja, ndodh gjetkë: rreth tavolinës së shtruar ose restoranteve chic, përreth. Kjo është ajo ku, në grupe të vogla, industrialistët e shëndetit, instancat organizative, mbrojnë pranë vendimmarrësve publikë përfundimet e tyre për të zgjidhur të përjetshmen “krizë të sistemit shëndetësor”.

Në shpatet e vendpushimit borgjez të skive, defiçiti i sigurimit të shëndetit (borxhi prej shumë vitesh), nuk është pjesë e shqetësimeve. Rritja e shpenzimeve shëndetësore nuk është problem për aq kohë sa nuk bëhet fjalë për shpenzime publike – shpenzime të Sigurimeve Shoqërore. Këtu, shëndeti shihet si një treg premtues, madje si një pasuri e madhe industriale e Francës. Mjekësia franceze është një nga më të mirat në botë, dhe duhet të punojë, jo vetëm për të ruajtur rangun e saj, por edhe për të fituar pjesë të tregut jashtë vendit. Teknofilia bashkon këto elita që nuk dimë më nëse janë publike apo private, të djathtë apo të majtë. Pala e vetme e thirrur është ajo e Inovacionit, me I të madhe.

Midis dy seancave të servirjes të delikatesave të tavolinës, spërkatur me shampanjë, ndihet shqetësimi për vonesën europiane të inteligjencës artificiale në krahasim me dy gjigandët që janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë, në këtë vit parazgjedhor, të gjitha shpresat lejohen: ish-Ministri i Ekonomisë që dha dorëheqjen dhe kandidat për zgjedhjet presidenciale, z.Emmanuel Macron, e mbylli eventin, si zakonisht. Fjalimi i tij si përfaqësues i “star up nation” i jep audiencës shumë kënaqësi. Falë telemjekësisë, të dhënave Big Data, inteligjencës artificiale, mjekësisë “3P” (parashikuese, parandaluese, të personalizuar), Franca do të zgjidhë tërësinë e problemeve kronike të sistemit të saj të kujdesit gjithë duke u bërë lider, udhëheqës botëror i ekonomisë së shëndetit. “Dividentë të dyfishtë”, do të thonin anëtarët e Inspektoratit të Përgjithshëm të Financave, nga ku vjen z.Macron.

Optimizmi i tekno-adhuruesve në majat alpine, e ka të zorshme, megjithatë, të derdhet në luginën e profesionistëve të fushës (natyrisht të paftuar në CHAM). Këta të fundit ballafaqohen çdo ditë me urdhra paradoksale që gjeneron kufizimi i papranueshëm i buxhetit, i mbështetur në domosdoshmërinë e cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor: të bëhet gjithnjë më mirë, më shpejt, me burime njerëzore dhe materiale që nuk rriten, por pakësohen në disa institucione.

Vitet 2000 shënojnë një kthese neoliberale në politikat spitalore, ndërsa mjekësia e qytetit, ajo gëzon empatinë e habitshme të qeverisë. Për autoritetet publike, nëse kursimet do të realizohen, i takon “spitalocentrizmit” francez të paguajë haraçin e tij. Prandaj, është shkopi i buxhetit për spitalin, karrota e stimujve financiarë dhe thirrja për riorganizime vullnetare për mjekësinë e qytetit. Spitaleve u bëhet thirrje që të “përqëndrohen në biznesin e tyre thelbësor” –  shërbime shumë të specializuara, teknike dhe të kushtueshme, por edhe  misione të shërbimit publik – dhe për të dhuruar pjesën tjetër – rentabël – për aktorët e tjerë në ofertën e  kujdesit shëndetsor, që janë, në pjesën dërrmuese, privatë (mjekë privatë, klinika private …).

Emri i kodit të këtij operacioni të gjerë: “zhvendosje ambulatore”. Dy leva janë përdorur për të detyruar profesionistët dyshyes të spitalit që të negociojnë: kufizimi i buxhetit, nga njëra anë, dhe konkurrenca e institucioneve përmes “vendosjes së tarifikimit të veprimtarisë”, i njohur më mirë nga akronimi T2A, nga ana tjetër. Në teori, këto dy instrumente nuk janë të pajtueshme. Në të vërtetë, sipas T2A, sigurimet Shoqërore nuk paguajnë më strukturat, por vëllimin dhe natyrën e veprimeve të kryera nga institucionet shëndetësore. “Paraja e ndjek pacientin”, siç thoshte slogani i Theçerit nga fundi i viteve 1980 dhe spitali kthehej në një ndërmarrje e ftuar të rrisë pjesën e saj të tregut lokal të kujdesit shëndetësor (apo edhe tregun ndërkombëtar për instancat prestigjioze të Asistencës publike -Spitalet e Parisit – AP-HP). Më shumë aktivitet do të thotë më shumë të ardhura, pra më shumë personel dhe më shumë investime.

Sidoqoftë, qëkurse po zhvillohet kjo konkurencë, në një kornizë gjithnjë e më të kufizuar buxhetore, financimi bëhet shumë pervers. Para së gjithash, secili institucion ka interes të zmadhojë aktivitetin e tij, përfshirë mashtrimin: rrisnin numrin e ditëve të pushimit, “optimizojnë” kodimin e tij falë aftësive të ndërmarrjeve private që nuk janë subjekt i sekretit mjekësor – siç denoncoi, me koston e heqjes nga posti që mbante, z.Jean-Jacques Tanquerel, drejtor i informacionit mjekësor në spitalin e Saint-Maloi, etj. Me një fjalë, me sistemin T2A, aplikohet në plan biznes, jo në shërbimin publik.

Por për shkak të nevojës për të mbajtur buxhetin e përgjithshëm, autoritetet publike vendosin në mënyrë të njëanshme të ulin tarifat kur rritet aktiviteti i përgjithshëm. Kështu, sistemi T2A transformon personelin e spitalit në kavje, hamster: ata janë të dënuar të vrapojnë më shpejt dhe më shpejt, pa gëzuar përmirësimin e situatës financiare të spitaleve, përkundrazi. Në fakt, produktiviteti i personelit spitalor është rritur ndjeshëm (vëllimi i kujdesit të ofruar është rritur me 3% në vit deri në 2010, pastaj me 2% nga 2015). Në terren, kjo korrespondon me një intensifikim masiv të punës. Kjo nuk parandalon përkeqësimin e cilësisë së kujdesit: koha më e gjatë e pritjes, rritja e numrit të pacientëve që kthehen në spital pas mjekimit për herë të parë, rrjedhjet e pacientëve në sektorin 2 i cilësuar me “tarifa liberale” (shiko më poshtë) në klinika, etj. Për më tepër, edhe pse shkalla e vjetërimit dhe përdorimit  të ndërtesave  është e lartë, spitalet ose kanë ndalur investimet ose i janë drejtuar zgjidhjeve katastrofike për financat e tyre afatgjata: kredi toksike (flasim për huamarrje të “strukturuara”, domethënë me perqindje të ndryshueshme, shumë tërheqëse në kohën kur u nënshkruan, më pas shpërthyen  për shkak të ngritjes së frangës zvicerane në rritje), partneriteti publik-privat, kontrata të shtrenjta të qirasë/mirëmbajtja për pajisje të mëdha, siç është imazhëria (IMR, skanimi PET) …

Liria e shenjtë e instalimit

Një faktor tjetër shqetësues është se mjedisi i institucionit shëndetësor nuk është aspak i gatshëm për transferimin e aktiviteteve të përfshira në ndërrimin ambulator. Kundër rrymës, mjekësia e vjetër liberale, parimet e të cilës u caktuan në 1927 përballë projekteve të para të sigurimeve shoqërore, është në një gjendje dështimi. Jo vetëm që numri i mjekëve të përgjithshëm po bie, por ata kanë tendencë të zvogëlojnë edhe kohën e tyre të punës. Nëse Franca zbuloi “shkretëtirat mjekësore” në shekullin XXI, pabarazitë e përqëndrimit të sistemit mjekësor kanë qenë gjithmonë të forta për shkak të sundimit të të shenjtës liri të vendosjes. Në vazhdën e majit ’68, këto pabarazi u maskuan nga trajnimi i një numri të madh mjekësh. Në vitet 1990, sindikatat e mjekëve liberalë, privatë, u alarmuan nga ky “bollëk” dhe kërkuan forcimin e numerus clausus, përcaktimin e kuotave. Meqenëse këto grupe të shumta dalin në pension, ata denoncojnë mungesën që ata vetë e kanë ndihmuar të krijohet, dorë më dorë, paralelisht me Ministrinë e Financave

Si rezultat, numri i ndërhyrjeve për banorë të kryera nga mjekët e përgjithshëm është ulur me 15% ndërmjet viteve 2000 dhe 2013. Kjo ulje bëhet gjitnjë e më e jashtëzakonshme ndërkohë që popullsia plaket, disa patologji të caktuara bëhen kronike, dhe për këtë arsye kërkesa e përgjithshme për kujdes shëndetsor ka tendencë të rritet. Kjo do të thotë që pabarazitë territoriale të qasjes në kujdesin shëndetësor, janë thelluar.

Me një ekuilibër të favorshëm të fuqisë, sindikatat kryesore të mjekësisë madje po pyesin nëse duhet të kryejnë të vetmin lëshim që u kanë bërë Sigurimeve shoqërore në 1971: heqjen dorë nga liria për të vendosur tarifat e tyre me shpresën për të hyrë në një fushë me më shumë pacientë, për më tepër, të aftë për te paguar përmes rimbursimit nga sigurimet shoqërore 80% të kostos së kujdesit shendetësor. 

Një segment ishte tashmë në depresion në 1979 me krijimin e sektorit 2 me tarifa liberale. Qëllimi tani është që të hidhet në erë sektori 1, i njohur si konvencional, në të cilën mjekët duhet të respektojnë normat që përfaqësuesit e tyre kanë negociuar me Sigurimet Shoqërore. Praktika e tejkalimit të tarifave është e banalizuar, dhe për pacientët, pengesave financiare u shtohen pengesat territoriale. Si rezultat, kur ka nevojë për trajtim, Franca e “jelekëve të verdhë” priret t’u drejtohet spitaleve, veçanërisht shërbimeve të tyre të urgjencës. Këtij përfundimi, tashmë të zymtë, duhet t’i shtohet kriza e thellë në psikiatrinë publike, e cila përballet me një mungesë kronike të burimeve njerëzore dhe materiale, siç theksohet nga mobilizimet e fundit në institucione të caktuara (Amiens, Saint-Etienne-du -Rouvray …). Ky dështim ushqen kalimin në urgjencat spitalore të disa prej pacientëve që vuajnë nga çrregullime mendore.

Pas vendosjes se rregullores spitalore, sektori mjeko-social i ndau kompetencat e tij midis Shtetit dhe këshillave të departamenteve, të paafta financiarisht për të përballuar ngritjen e varfërisë dhe pasigurisë. Ai është sfiduar, gjithashtu, nga një popullsi e moshuar, e varur, ku secili nga dy përbërësit – mjekësor dhe social – përpiqen t’ia hedhin përgjegjësitë njëri-tjetrit. Kriza që ka tronditur ambientet e kujdesit rezidencial për të moshuarit (Ehpad) vitet e fundit ka zbuluar gjendjen e tyre të rrënuar si dhe shpeshtësinë e rasteve të keqtrajtimit. Të paguar keq, të nën-mjekuar, këto struktura i dërguan në shërbimet e urgjencës personat e moshuar, shëndeti i të cilëve po përkeqësohet.

Në rastin e atyre që mbesin në shtëpi, janë familjarët e tyre, të pagëzuar “kujdestarë“, që vuajnë pamundësinë e spitaleve për të akomoduar pacientë të moshuar, me çmimin  e vështirësive ekonomike dhe  dhimbjeve morale të padurueshme. Mungesa e një shërbimi të mirëfilltë të shëndetit publik në rritje, gati falimentimi i sistemit  mjeko-social që shkon teposhtë: këto janë shkaqet e vërteta të “krizës së  urgjencave”. Kësaj i shtohet fakti që urgjencat zënë një pozitë relativisht të vogël në spitale. Për shkak se ato marrin përgjegjësinë e çështjeve të konsideruara “të papastra”, duke përzier çështjet mjekësore, psikologjike dhe sociale (të pastrehë, të moshuar, pacientë psikiatrikë në krizë, etj.). Profesionistët e përgjithshëm që ushtrojnë profesionin  atje, shpesh shikohen me përçmim  nga shërbimet e specializuara, të cilët vijnë për të përfituar, (me fjalë të tjera, për të gjetur “rastin e bukur”, që  korrespondon në mënyrë të përkryer me nozologjinë mjekësore dhe që dihet se nuk do të zërë një shtrat për shumë kohë të gjatë) .

Situata po ndryshon, por ngadalë. Tani e tutje, mjekët e universitetit spitalor mund të drejtojnë shërbimet e urgjencës; mjekësia e urgjencës u njoh si një specialitet me të drejta të plota, në fund të vitit 2015, dhe diploma përkatëse e specializimit që i korespondon, u krijua në vitin 2017. Përveç kësaj, një pjesë e komunitetit të praktikantëve të spitalit mbështeti grevistët – padyshim që pak vonë – si MM. Bruno Riou, Dekan i fakultetit të Mjekësisë Pierre-et-Marie Curie në Paris, André Grimaldi, Profesor i Diabetologjisë dhe Anne Gervais, Zëvendës Presidente e Komisionit të Themelimit Mjekësor AP-HPi. Klinikat, nga ana tjetër, specializohen në hapësira më fitimprurëse nga pikëpamja e T2A, do me thënë, kujdesi i programueshëm, teknik dhe i specializuar (kirurgji e legenit, plevisit kataraktit etj). Kështu, tregu i kujdesit mjekësor i krijuar nga autoritetet publike i bindet këtij rregulli klasik: shoqërizim i humbjeve dhe privatizim i fitimeve.

Kriza e urgjencave është, pra, një krizë sistemike, simptomë e sëmundjeve të organizatës sonë shëndetësore dhe gabimeve të së kaluarës:  performanca më të pakta në menaxhimin e sëmundjeve kronike sesa në atë të sëmundjeve akute, reformë spitalore me shumë efekte perverse, jo reforma -kronike (ose “jo-vendime”, siç thonë politikanët) në fushën e mjekësisë urbane.

Në këtë drejtim, presidenca Macron shënon një  kthesë simbolike, pasi Ministrja e Shëndetësisë, zonja Agnès Buzyn, vetë praktikuese në spital, e njohu publikisht paaftësinë e autoriteteve publike gjatë njëzet viteve të fundit. Ajo tha se i duhej dhënë fund ideologjisë të “spitalit ndërmarrje” dhe “sistemit T2A”, i shndërruar me kalimin e kohës në problemin e politikës spitalore, duhet të marrë fund. Vetë Presidenti i Republikës pranoi, në një intervistë televizive me dy gazetarë, se shkaqet e krizës spitalore duhen kërkuar jashtë spitalit: në të vërtetë, kjo do të kërkonte “një përgjigje [në termat] e riorganizimit të shërbimeve tona (…) dhe problemit që qëndron midis asaj që quhet mjekësi e qytetit dhe spitaleve, për të evituar që të gjithë të shkojnë në urgjencë”.

Lindja e “Hotel-Spitaleve”

Këto fjalë tingëlluan si një mospërputhje, refuzim politik i politikëbërësve dhe ekspertëve që kishin përmendur vazhdimisht grumbujt e majmë të fitimeve të produktivitetit të fshehura nën shtresat e korporatizmit dhe të “rezistencës ndaj ndryshimit” – duke u hapur dyert e spitalit firmave konsulente, me lean management dhe metodave të tjera të reengineering. Kjo ishte rentabël për këto firma, por jofitimprurëse për aktorët e spitalit, të cilëve iu veshën përgjegjësinë për situatën e pamundur të krijuar nga autoritetet publike.

Të ngushëlluar në pozicionet e tyre nga ministrja, ata të cilët që nga vitet 2000, kritikonin zgjedhjet e bëra nga qeveritë e njëpasnjëshme-zgjedhje të vazhdimësisë së jashtëzakonshme përtej alternativave-mundën të hiqnin etiketën si”majtistë”, që kundërshtarët e tyre ua kishin  ngjitur në shpinë. Sidoqoftë, midis retorikës dhe akteve, ekziston një boshllëk, madje një humnerë. Reforma e paraqitur nga zonja Buzyn përzien qëllime të bukura me efekte reklamash. Shumë objektiva, të përcaktuara dobët dhe  pa hierarki për të mos zemëruar askënd, mënyra të paqarta të funksionimit, këmbëngulje për të riorganizuar mjekësinë e qytetit sipas logjikës si inisiativë ku të gjitha studimet (dhe faktet) e ndërmarra prej saj tregojnë se ajo nuk funksionon: kjo është një politikë simbolike në gjithë shkëlqimin e saj. Për shembull, ministria shpreson që “komunitetet e reja profesionale të territoreve shëndetësore” – grupe profesionistësh në një territor të caktuar, bazuar vetëm në vullnetarizëm – do të përmirësojnë koordinimin. Sidoqoftë, duke pasur parasysh acarimin e krizës spitalore, ky riorganizim i spitalit kundër rrymës, ka të ngjarë të ngecë në rërën e konkurencës profesionale (mjekë të përgjithshëm/specialistë) dhe ndërprofesionalë (mjekë/paramjekësorë). Në mënyrë të ngjashme, eleminimi i numerus klauzus supozohet se lejon zhdukjen e shkretëtirave mjekësore, por pa vënë në dyshim lirinë e vendosjes dhe, veçanërisht, pa ndonjë rishikim të ngritjes të aftësisë të Qendrave Spitalore Universitare (CHU). Në realitet, do mbijetojnë numerus klauzus zyrtarë, i vendosur nga çdo universitet sipas aftësive të tij të pritjes. Shkurt, ka mjaft shanse që kjo reformë, si ato që i paraprinë, të varroset së shpejti në intimitet strikt.

Për të njohur përmbajtjen e vërtetë të politikës shëndetësore makroniane, nuk duhet hedhur shikimi nga Ministria e Solidaritetit dhe Shëndetësisë, por nga kështjella Bercy. Në të vërtetë, drejtoria e buxhetit ka nën tutelë drejtimin e Sigurimeve shoqërore, përgjegjëse për hartimin e projekt-ligjit për financimin e sigurimeve shoqërore (PLFSS) të votuar çdo vjeshtë nga Parlamenti. Këtu figuron niveli vjetor i shpenzimeve, i quajtur Target kombëtar i shpenzimeve të sigurimit të shëndetit (Ondam), i nterpretuar nga arbitrazhet politike. Teksti është i thatë, le t’i japim fjalën një zyrtari të lartë të respektuar, ish drejtorit të Sigurimeve Shoqërore, ish anëtarit të kabinetit Cahuzac dhe presidentit aktual të Këshillit orientues të pensioneve (COR): “Një Ondam prej 2.3% mbase është i nevojshëm për të arritur objektivat e financave publike, por nuk ka gjasa që spitalet publike dhe cilësia e kujdesit të jenë në gjendje t’i rezistojnë dëmit”. Që një përkrahës i reformave të mëparshme e konsideron kufizimin e buxhetit të paqëndrueshëm, të papranueshëm, kjo, tashmë, është instruktive, pasi bie ndesh me komunikimin e qeverisë. Por, këto komente na konfirmojnë mbi të gjitha se politika shëndetësore është zhvilluar mirë në Bercy. Vullneti presidencial për t’u bërë nxënësi i mirë i ordoliberalizmit, i mbrojtur nga Komisioni Europian, çon në mënyrë të pashmangshme qeverinë Philippe të shohë me zili këta mamuthë të mbrojtjes sociale që janë pensionet dhe shëndetësia. Përsa u përket shpenzimeve të shtetit, ne, tashmë, na ka ngelur kocka. 

Nëse detajet e “reformës së madhe” të pensioneve nuk janë zbuluar ende, ne, tashmë, e dimë qëllimin e saj: të zvogëlojë shpenzimet publike. Për sa i përket shëndetit, ndarja e punës politike është pak më ndryshe: ministrit i lejohet të hedhë karremat dhe, në fshehtësi, zvogëlohet oferta publike, në dobi të aktorëve privatë. Kështu “spitali i së ardhmes”, ëndërruar në shpatet e Alpeve përfundon zbritjen e tij: në hapjen e tregjeve për start-up dhe kompanive të tjera shëndetësore. Dy shembuj. Ka disa vite që afër spitaleve ngrihen “hospitels” që synojnë strehimin e pacientëve që kanë shansin të kryejnë një operacion ambulator:  sapo zbarkojnë, ata operohen, dhe nisen menjëherë ose pothuajse menjëherë për në shtëpi apo ne “hospitels”. Por netët rrallë paguhen nga Sigurimet shoqërore: fondi i shëndetit plotësues të pacientëve. E dimë se si ata janë vektorë të pabarazisë – ose janë vetë pacientët që paguajnë. Shembulli i dytë: shoqëria Medtronic u siguron spitaleve salla operimi të teknologjisë shumë të lartë, me çelës në dorë, por, si kthim, këta të fundit duhet të angazhohen që të kryejnë një numër veprimesh dhe të derdhin një “të ardhur” për ndërmarrjen private-bota e start-up nuk është ende aq filantropike. Kjo krijon një nxitje perverse për të operuar edhe kur nuk është e nevojshme. Për Medtronic, tani është koha të flitet për “krijimin e vlerës” në shëndet. Kompania, gjithashtu, mori pjesë në themelimin e qendrës think tank “Cercle Valeur Santé”, “Qendra, Vlera Shëndeti” e cila nisi  të redaktonte një “Manifest për një sistem shëndetësor të bazuar në vlera” – një “vlerë” që  supozojmë se nuk do të rishpërndahet në mënyrë të barabartë midis Sigurimeve Shoqërore dhe kompanive private. Sepse, kur një teknologji ose një ilaç krijon shumë “vlerë”, kompania që i shet ato, u kërkon Sigurimeve Shoqërore çmime të larta që nuk kanë lidhje me kostot reale të prodhimit.

Nën prizmin e shembullit amerikan

Më në fund, defiçiti, “vrima e shoqërisë së sigurimeve” është gërmuar saktësisht nga Inovacioni i festuar në Chamonix, ndërsa mjetet e studimit publik vazhdimisht po ulen, duke theksuar varësinë e sistemit të kujdesit shëndetësor publik ndaj kapitalizmit shëndetësor. Ilaçi i famshëm i hepatitit C, sofosbuvir, fillimisht kushtonte 41,000 euro për një kurë prej dymbëdhjetë javësh. Pavarësisht marrëveshjes midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe laboratorit amerikan që e prodhon atë, çmimi i tij është akoma 28 700 euro. Shifra të ngjashme janë në dispozicion për ilaçet e reja të kancerit, për përfitime të paqarta. “Krijimi i vlerës në shëndet” ka të ngjarë të hedhë në erë bankën publike, kompaninë e sigurimeve. Diagnostikimi i zhvlerësimit të organizatës sonë shëndetësore, i trashëguar nga një kohë kur kishim shijen e mirë për të vdekur në moshën 50 vjeç, tani është përhapur gjerësisht. Sfida e sëmundjeve kronike dhe ndërlikimi në rritje i çështjeve mjekësore, sociale dhe kulturore na detyrojnë të rishikojmë themelet tona. Për t’iu përgjigjur kësaj, elitat ofrojnë më shumë teknologji dhe më shumë shendetësi private. Sipas tyre, çdo krizë, ekonomike apo shëndetësore, mund ta gjejë zgjidhjen e saj në teknikë. Ka shumë arsye legjitime për të dyshuar. Nga njëra anë, sa më shumë që një sistem shëndetësor privatizohet, aq më i kushtueshëm është, siç tregon, në mënyrë të habitshme, shembulli amerikan. Nga ana tjetër, dekada kërkimesh në sociologji dhe në historinë e shkencës dhe teknologjisë na kanë mësuar të mos i nënshtrohemi determinizmit teknologjik, një formë e dembelizmit intelektual. Në realitet, duhet rishikuar i gjithë sistemi, dhe vendi i aktorëve të ndryshëm.

Zgjedhja miope e ekonomive buxhetore nënkupton transferimin e kostove të riformimit të pashmangshëm të sistemit tonë mbi supet e kujdestarëve që nuk mund ta mbajnë dhe mbi cilësinë e kujdesit shëndetësor. Prandaj qeveria duhet të parashikojë, në muajt e ardhshëm, vatra zjarri që s’ mund t’i shuajë me kovat e saj të vogla – që përmbajnë një shumë, për vështirësitë në punë, prej 100 eurosh bruto për çdo kujdestar në urgjenca. Ky është instalimi i kushedisatë i një “misioni “.

Ose kush e di, nesër, mund të ndodhë një bashkim luftërash, të “jelekëve të verdhë” me bluzat e bardha?

*Sociolog, studiues në Qendrën për Studime dhe Kërkime Administrative, Politike dhe Sociale (CERAPS) dhe në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor (CNRS). Autor me Pierre-André Juven dhe Fanny Vincent të librit “Vjedhja e shekullit, – Rreth reformave të Spitalit Publik, Arsyet për të vepruar”, Paris, 2019.