DREJT NDËRHYRJES PËR ARSYE KLIMETARIKE
Të vësh dorë mbi Amazonën

Edhe në kampin e kundërshtarëve të presidentit brazilian, media e profilit të lartë që e shtrëngonte atë kundër homologut të tij francez, ngjall ndjenja të përbashkëta. Për të parandaluar Jair Bolsonaron që t’ia dorëzojë Amazonën agrobiznesit, a duhet vërë në dyshim parimi i sovranitetit territorial të shteteve, siç e sugjeron z.Emmanuel Macron?

322

Të prezantohesh si kundërshtar i privilegjuar i homologëve të huaj të cilësuar si “iliberalë”, ky është vërtet një ushtrim të cilin presidenti Emanuel Macron e kryen me dëshirë. Në fillim kundër kryeministri hungarez Viktor Orban, dhe më pas kundēr udhëheqēsit të Ligës italiane Matteo Salvini. Zjarret që shkatërrojnë pyjet e Amazonës që prej fillimit të vitit, i kanë dhënë atij një kundërshtar të ri me profil ideal: presidenti Brazilian i ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, mizogjin, homofob, dhe dyshues i ndryshimeve klimatike, klimato-skeptik. Ndërkohë që, në fund të gushtit, revista Science, do të vendoste një lidhje midis reve të tymit që nxinin qiellin brazilian deri në Saõ Paulo dhe politikës  së shpyllëzimit që inkurajohej nga Brazili. Z. Macron sugjeroi që t’u jepej “një status ndërkombëtar pyjeve të Amazonës, në rast se  drejtuesit e kësaj zone do të dëmtonin për planetin”.

Një pyll mijëravjeçar, shpëtuar prej sharrave vetëm nga mobilizimi i atyre që ai mbron. Në fjalimet eliziane, bota ngjason paksa me planetin Pandora që imagjinoi James Cameron për filmin e tij Avatar (2009), presidenti francez  mishëron një version tokësor  të qëndresës së  Na’vis, kësaj popullate, me lëkurë blu që  mrekulloi  sallat e errëta. Fatkeqësisht, edhe pse i hartuar nga një Emanuel Macron me jelek të kaltër puthitur pas trupit, propozimi mezi “i entuziazmoi brazilianët”, përfshi këtu edhe ata që ishin kundër Z. Bolsonaro. Disa nuk i kanë harruar një mijë e një projektet që kanë  kërcënuar tashmë  të heqin  sovranitetin e vendit të tyre , në këtë hapësirë të ripagëzuar Hylée nga natyralisti gjerman Alexander von Humbold (1769-1859). Këtyre aksioneve u bën jehonë ambicia e Z. Macron në ditët e sotme. 

Në shekullin e XIX, hidrografi dhe meteorologu Mattheë Fontaine Maury (1806-1873), drejtor i Observatorit detar të Uashingtonit, propozoi  që të rregullojë çështjen raciale në Shtetet e Bashkuara duke kolonizuar Amazonën për të vendosur aty popullsinë amerikane me ngjyrë. Strategjia e tij konsistoi fillimisht në kërkesën për “hapjen” e thjeshtë të lumit të Amazonës për lundrim.

 “I gjithë shtypi u hodh në fushatë, – rrëfen historiani Luiz Alberto Moniz Bandeira. Mbrojtësit e skllavërisë, armëpunuesit, tregtarët dhe piratët u mobilizuan të gjithë për të mbrojtur atë që Maury e paraqiste si një politikë të tregtisë për interes të shkencës.” Megjithatë, në vitin 1849, përfaqësuesi i Brazilit në Uashington (ekuivalent i ambasadorit), vuri alarmin. Autorizimi për të lundruar në Amazonë “do t’i hapte dyert formimit të ndërmarrjeve tregëtare amerikane, imigrimit masiv dhe, për pasojë, një manovre të ngjashme me atë që i lejoi (Uashingtonit) të fuste duart në Teksas”. Një korrespondencë e Maury-t e vitit 1853, zbuluar nga shtypi brazilian, konfirmon se këto shqetësime nuk janë të pajustifikuara. “Të mundohemi të bindim bashkëbiseduesit tanë në rrugë diplomatike, – shkruan ish oficeri, sepse, ndoshta, do të jetë e mundur të fitohet hapja e Amazonës në rrugë paqësore.”  Para se të saktësojë metodën e tij: “Paqe nëse mundemi, forcë nëse duhet”, gjithsesi, projekti dështoi. 

Pothuajse një shekull më vonë, në vitin 1948, Organizata e Kombeve të Bashkuara për arsimin shkencën dhe kulturën, (Unesco) themelon Institutin ndërkombëtar të Hylée-së amazoniane (IlHA). Fillimisht e perceptuar si një qendër ndërkombëtare kërkimi në shkencat natyrore, ky i fundit u zhvillua “duke e shndërruar zhvillimin ekonomik të zonës së Amazonës në një aks madhor të veprimit të saj”, – raporton studiuesi në Unesco Malcolm Hadley. Anëtarët brazilianë të strukturës u akuzuan se “rrezikuan sigurinë kombëtare duke autorizuar krijimin e një instituti ndërkombëtar në “zonën e mbrojtjes natyrore” të Amazonës”. Në radhën e parë të kritikave, presidenti i dikurshëm Artur Bernardes, i cili në tribunën e Dhomës së deputetëve më 24 janar 1950, foli për  kërcënimin se mund ta shihte pyllin të transformuar në “një ndërtesë kombesh”, që do të përfundonte “në ndarjen e zonës në formë kolonish”.  

Instituti u rrënua, por ide të tjera lindën. Një prej ideve më me fantazi doli nga Instituti Hudson, me qendër në Uashington. Në vitin 1967 futurologu Herman Kahn, drejtori i tij, sygjeroi  të bllokohej me diga lumi  i Amazonës për të krijuar një “liqen të madh kontinental”, që do të lehtësonte qarkullimin midis vendeve kufitare dhe do të mundësonte prodhimin e sasive kolosale të energjisë. “Absurde” reagoi prerë geografi Herve Thery: “Me një bllokim prej shumë kilometrash, ngritja e ujërave do të përmbyste një pjesë të mirë të popullsisë së Amazonës”. Megjithatë, propozimi u mor shumë seriozisht nga ushtarakët, që ishin në pushtet  që prej grushtit të shtetit në vitin 1964, dhe kjo i nxiti të formulonin doktrinën e tyre në lidhje me pyllin: “Integrar para nao entregar” (të integrojmë territorin për të mos e dorëzuar). 

Diktatura ndërtoi një seri kantieresh faraonike të paracaktuara që të pushtonin një hapësirë e cila konsiderohej si bosh. Më e spikatura mes tyre mori formën e një autostrade që duhet të shpaloste  një shirit bitumi prej 4 000 km midis qytetit të Cabedelo-s në pjesën verilindore, dhe atij  të Labrea-s, afër kufirit bolivian. Edhe pse nuk përfundoi asnjëherë, e gjitha vepra u përurua në vitin 1972, me premtimin se do të lehtësonte hyrjen tek tokat e më të varfërve, duke shmangur një reformë agrare të refuzuar nga ushtarakët. “Njerëz pa tokë, për një tokë pa njerëz”, theksoi atëherë propaganda zyrtare. 

Në mënyrë paradoksale, ky pohim i influencës braziliane në hapësirën e Amazonës, lehtëson hapjen ekonomike të vendit, për të cilën po punon dhe Brazilia. I konceptuar si një minierë e pashtershme pasurish, pylli i madh duhet të tërheqë institucione shumëkombëshe, furnizuese kapitalesh dhe teknologjish moderne që mungojnë në Brazil.  

Të sigurohet sovraniteti kombëtar i vendit në mënyrë që të kënaqen orekset e të huajve: projekti i ushtarakëve do ishte dukur kontradiktor, duke e bërë të brishtë përgjegjësinë e parë që ata kishin marrë – të garantonin sigurinë e vendit – me pretekstin të punonin për atë përgjegjësi  që kishin kērkuar kur morën pushtetin – të favorizonin zhvillimin e vendit. Lufta e ftohtë i fshiu vështirësitë duke i ftuar të siguronin kufijtë gjeografikë me të tjera ideologji. “Në atë kohë bota ishte e ndarë midis Perëndimit të krishterë dhe Lindjes komuniste, shpjegon kërkuesja Ana Cristina da Matta Furniel. Kjo do t’i lejonte forcave të armatosura të zgjidhnin dy probleme: atë të sigurisë (duke bërë aleancë me botën perëndimore) dhe atë të zhvillimit (përmes investimeve private që vinin nga Perëndimi).” Nënshkrimi i kontratave me shumëkombshet dhe  ndjekja e guerilasve nëpër pyje, lidhej me të njëjtën ambicje : mbrojtjen e sovranitetit brazilian.

Kthimi i demokracisë në vitin 1985 u krye në një kontekst ndërkombëtar  ku ra në sy emergjenca e masave ndaj  mjedisit dhe të drejtave të popullatës indigjene. Kushtetuta e re mbart vulën e kësaj  demokracie ku neni 231 përcakton se “u njihen vendasve (..) të drejtat e tyre të origjinës mbi tokat që ata zotërojnë tradicionalisht”, dhe se “i takon Unionit që t’i kufizojë  dhe t’i  mbrojë”. Vrasja e sindikalistit Francisco Alves, në vitin 1988, i njohur me emrin Chico Mendes, i cili mbronte të drejtat e punëtorëve që mblidhnin  latex në plantacionet me drurë hevea, nxiti  një fushatë ndërkombëtare të mbështetur nga personalitete  të spektaklit, ku bënte pjesë dhe anëtari i dikurshëm i Beatles, Paul McCartney. Në të njejtën kohë, kur studime të ndryshme përcaktuan se gjatë viteve 1970, dhjetë milionë hektarë pyje të Amazonës u shndërruan në kullota, vërshuan dhe reagimet e ndërkombëtarëve. “Ndryshe nga ç’mendojnë brazilianët, Amazona nuk u përket atyre, por na përket neve” – deklaroi senatori dhe zëvendës-presidenti i ardhshëm Albert Gore në vitin 1989. Ndërsa presidenti Fransua Miteran shtoi: “Brazili duhet të pranojë një sovranitet relativ mbi Amazonën”. 

Ndër vite, qeveritë demokratike tentojnë ta çarmatosin idenë që, ende, e interpretojnë si një formë lakmie e huaj, duke integruar çështjet mjedisore dhe atë të indigjenëve në fletushkat e udhëtimit. Kryeministri Brazilian i përkushtuar tërësisht ndaj çështjeve të mjedisit, u zgjodh në vitin 1992. Disa muaj para Samitit të Tokës në Rio, që u mbajt në të njëjtin vit, presidenti Fernando Collor de Mello shpalli krijimin e një territori Yanomami prej 9, 4 milionë hektarësh. 

Me këtë politikë të zhvillimit të Brazilit si “afatgjatë” dhe me respektin ndaj popullatës autoktone, është e kotë të imagjinohet se mund të shkelet me këmbë sovraniteti i saj,   shpjegon shkurt  Brazilia. 

Të kthyera në barakat e tyre, forcat e armatosura vazhdonin të ishin të shqetësuara. Para syve të tyre, rezervat indiane përbënin fillimin e një “ballkanizimi” të Amazonës që do të formonte  ishuj të vegjël indigjenësh “lehtësisht të manipulueshëm nga vendet e pasura”. Përsa i përket kërkesës ekologjike, ajo do të lehtësonte emergjencën e “normave ndërkombëtare larg parimit të vjetër të barazisë së të drejtave midis shteteve,  të mosndërhyrjes dhe vetëvendosjes së popujve”. Armiku i djeshëm ka shkëmbyer dritën e kuqe me atë të gjelbër, armët me organizatat joqeveritare: por, megjithatë, kërcënimi, ende nuk do të zhduket. Më 10 dhjetor 1991, ish – ministri i ushtrisë, Leonidas Pires Gonçalves, shpjegoi për të përditshmen Folha de Sao Paolo-s se sekretari i Shtetit për ekologjinë i ngjall “të njëjtën urrejtje që kishte provuar dikur për drejtuesin komunist Luis Carlos Prestes”

Duke emëruar në postin e ministrit të ekologjisë Z. Ricardo Salles, drejtori i dikurshëm i Shoqërisë  fshatare braziliane  (një bastion i agrobiznesit ), Z. Bolsonaro,  bashkohet me vizionin e miqve të tij ushtarakë. Duke harruar fjalimet e paraardhësve të tij mbi zhvillimin afatgjatë dhe premtimin për të mbrojtur mjedisin: për sytë e tij, Amazona është një burim pasurie për ta mbrojtur në mënyrë që të nxirren  përfitime. Një qëndrim i tillë lehtëson kthimin e refrenit të globalistëve… dhe dyshime. Sepse Brazilias nuk i ka shpëtuar fakti që gjithë këto fuqi të mëdha që ngrejnë idenë e mbrojtjes së  natyrës  si një prioritet për vendet e Jugut,  ia kursejnë vetes, më shpesh, barrën për të bërë të njëjtën gjë. Pa llogaritur këtu që në vitin 2007, “komuniteti ndërkombëtar” e kishte injoruar propozimin e Quito-s për të mbrojtur Parkun kombëtar Yasuni të Amazonës  në këmbim të derdhjes së gjysmës së shumës që do  nxirrej nga shfrytëzimi i tij. Urrejtja që miliona brazilianë ndjejnë për Z. Bolsonaro i shpie që t’i kuptojnë  fjalimet  e presidentit të tyre si një çmenduri paranojake. 

Duke argumentuar se Amazona është “një problem botëror” dhe duke ndaluar këdo që të  pretendojë se “kjo gjë i përket vetëm atij” (Twitter, 26 gusht 2019), Z. Macron projektoi  idenë që të paraqeste në Konferencën e Santiagos të vitit 2019 mbi ndryshimet  klimatike (COP 25) “një strategji afatgjatë” që thekson se do të sigurojë “mirëqënien e popullatës” së Amazonës dhe do të garantojë “një zhvillim afatgjatë dhe ekologjik” në gjithë zonën. Kështu, do tē shohim të rishfaqet  ideja  e një të drejte  për ndërhyrje klimatike, si kalk i ndërhyrjes njerëzore, që  justifikoi sulmet ushtarake perëndimore në Somali në 1992, në Haiti në 1994 dhe në ish-Jugosllavi në vitin 1999 … 

“Këshilli i lartë i Kombeve të bashkuara mund (…) të kishte vlerësuar se, duke kontribuar për ndryshimet klimatike, shkatërrimi i pyllit të Amazonës përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, kjo i lejon atij të japë përgjigje shtërnguese”, hamendëson drejtori i Institutit të kërkimeve strategjike të Shkollës ushtarake (Irsem), Z. Jean-Baptiste Jeangene Vilmer, në kolonat e Le Monde, më 27 gusht 2019. Nëse hipoteza e përdorimit të një  force –  ndërhyrje ushtarake  për të vendosur një perimetër  mbrojtjeje dhe për të ndaluar shpyllëzimin, p.sh –  duket marrëzi  dhe e rrezikshme, sepse padyshim rezulton aspak produktive, ne  nuk mund të përjashtojmë se në një situatë të ngjashme, pas dhjetë apo njëzet vjetësh, nëse ky objektiv do shihet si jetësor,  do ngrihet kjo pyetje : a do të mjaftojë  sulmi kundër  nacionalizmit reaksionar të forcave të armatosura për t’iu përgjigjur kërcënimeve  shqetësuese ? 

Në nëntor të vitit 2000, gjatë një debati në një universitet amerikan, Z. Cristovam Buarque, një prej udhëheqësve të Partisë së Punëtorëve (PP e majtë), u pyet nga një student mbi idenë e ndërkombëtarizimit të Amazonës. Përgjigja e tij u bë e famshme në Brazil: 

“Nëse Shtetet e Bashkuara duan të ndërkombtarizojnë Amazonën që të mos rrezikojnë braktisjen e saj duke e lënë nën përgjegjësinë vetëm të brazilianëve, atëherë le të ndërkombtarizojmë gjithashtu edhe arsenalin nuklear amerikan. Jo për gjë, por Shtetet e Bashkuara e kanë treguar tashmë se janë të aftë që ta përdorin arsenalin duke provokuar një shkatërrim  shumë herë më të madh se  zjarret (..) që po vështrojmë në Brazil”.