REPRESION MBI OPOZITARËT DHE RIRRESHTIMI STRATEGJIK - QËLLIMET E REXHEP TAIP ERDOGAN
Turqia, aleatja kapricioze, armikja e pamundur

Shënjestra e privilegjuar e pushtetit turk, rrjetet gyleniste, po përpiqen të riorganizohen në Evropë. Nga ana e saj, Ankaraja po përballet me një krizë të hapur me Shtetet e Bashkuara, pasi siguroi raketa ruse dhe skicoi një afrim me Moskën. Megjithë tensionet, nuk ka gjasa të ndodhë dalja e Turqisë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).

396

12 korrikun e shkuar, Turqia mori një pjesë të pajisjeve të destinuara për sistemin e mbrojtjes antiraketë S-400, prodhim rus. Në vijim të kontratës së nënshkruar midis Ankarasë dhe Moskës në prill të vitit 2017, ky furnizim i pasuar me të tjerë në gusht dhe shtator, provokoi tensione të mëdha diplomatike midis Turqisë dhe Amerikës. Për Uashingtonin, sistemi i raketave ruse S-400 ishte i papajtueshëm me pajisjet e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), ku  bën pjesë Turqia, që prej vitit 1952. Për t’i bërë presion Ankarasë, administrata e Donald Trump-it kërcënoi ushtrinë turke me ndalim të shitjeve të gjuajtësve F-35. Nuk do të duhej më shumë për të ngjallur frikë për daljen e Turqisë nga NATO-ja dhe prishjen e marrëdhënieve të saj me Shtetet e Bashkuara, tashmë, të tensionuara për shkak të strategjive kontradiktore në Siri. 

Për të kapur dinamikat e diplomacisë turke, duhet fillimisht të merret parasysh një prej konstanteve të saj, shpesh e njohur si  sindroma e Sevrës, nga emërimi traktatit të nënshkruar më 10 gusht 1920 nën presionin e fituesve të konfliktit të parë botëror që po të shkatërronte Perandorinë Otomane. Nën këtë shprehje fshihet tërësia e anktheve ekzistenciale kombëtare. Dhe, në fakt, mes motiveve që ndërtojnë politikën e jashtme  turke, vihet re një nacionalizëm shqetësues. Në planin regjional, diplomacia e Ankarasë dominohet nga çështja kurde dhe nga fiksimi për të ndaluar çdo lloj kristalizimi në formën e shtetit, çka aspirojnë nacionalistët kurdë përtej diversitetit të tyre. 

“Zero probleme me fqinjët”

Në fillim të viteve 2000 u vu re një përpjekje për kapërcimin e këtyre paradigmave nën ndikimin e z. Ahmet Davutoglu, në atë kohë ministër i punëve të jashtme dhe i njohur për doktrinën e tij “zero probleme me fqinjin”. Nëse kjo nismë do të sillte një buzëqeshje, duke njohur marrëdhëniet e stuhishme që Turqia kishte pasur gjithmonë me të huajin afër saj, ajo do të dëshmonte një vullnet të vërtetë për t’u ndarë nga një parim themelues i politikës së jashtme të Ankarasë gjatë shumë dekadave: “Turku ka mik vetëm turkun“. Shumë shpejt, mjedisi gjeopolitik i turbullt i vendit, në veçanti tronditjet e luftës civile në Siri, i çuan dëm këto përpjekje dhe fondamentalistët morën hov.

E lidhur ngushtë me fuqitë perëndimore që në fund të luftës së dytë botërore, Turqia nuk ka qenë gjithmonë një aleate e lehtë. Kontradiktat më Shtetet e Bashkuara kanë qenë të  herëpashershme. Pas pushtimit të veriut të Qipros nga ushtria turke, amerikanët vendosën një embargo mbi furnizimin e armëve, nga shkurti i vitit 1975 në shtator të vitit 1978. Po kështu, në vitin 2003, marrëdhëniet dypalëshe njohën pështjellime të rënda pas refuzimit të Parlamentit turk për të pranuar kërkesën e z. Xhorxh W. Bush për leje kalimi  nëpërmjet Turqisë të armatimit 62 000 GI i gatshëm për të sulmuar Irakun e Sadam Hyseinit. 

Megjithatë, përpjekja e Turqisë për t’i menduar edhe njëherë raportet e saj me botën që e rrethon, e gjithëpranishme që në vitin 1960, nuk është shoqëruar asnjëherë me tërheqje nga aleancat tradicionale. Tri ngjarje të kohëve të fundit e provojnë këtë gjë: kontrata për instalimin në tokën e saj të radarit të alarmit të shpejtë antiraketë të NATO-s, e përpiluar në samitin e Lisbonës në nëntor të vitit 2010 dhe e konfirmuar në shtator të vitit 2011; vendosja nga   NATO, me kërkesë të Turqisë, të raketave Patriot (prodhim amerikan), në kufirin turko-sirian në janar të vitit 2013; mbledhja e NATO-s në nivel ambasadorësh kërkuar nga Ankaraja – e cila u thirr menjëherë nga organizata transatlantike – disa minuta pasi avionët gjuajtës të saj rrëzuan një aeronef rus, më 24 nëntor 2015.  

Edhe pse instrumentalizimi kombëtar ndaj mosmarrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara i ndez ndonjëherë tensionet, Turqia nuk mendon aspak të prishë urat, por, e ndërgjegjshme për potencialin e vet, ajo  mbron interesat e saj me forcë. Duhet të kujtojmë se ajo ka një ushtri që renditet e dyta në NATO, për nga numri i ushtarëve, vë në dispozicion të aleatëve të saj bazën  në Incirlik, ku janë vendosur armë nukleare, kontrollon akoma ngushticat dhe përfaqëson ende të vetmin shtet me kulturë muslimane, anëtar i Aleancës së Atlantikut. Me një fjalë, ajo përbën gjithmonë një aks euroaziatik të pashmangshëm nga politika regjoniale  amerikane.

Nga këndvështrimi i perëndimorëve, roli qëndror që luan Ankaraja de facto duhet të ruhet patjetēr. Besimi reciprok është thyer në mënyrë të pamohueshme nga vendimi i Turqisë për të marrë raketat, sistem S-400, por, pajtimi i interesave mbetet  i fortë. Për këtë arsye, Turqia do të ngelet në NATO, edhe pse  ndodh që sillet si provokatore, si gjenerali de Gaulle në kohën e tij. 

A e vë në diskutim këtë analizë, dosja e raketave ruse S-400? Është e vërtetë që këto armë nuk pajtohen me normat e organizatës atlantike, sipas Uashingtonit, sepse mund të futen në rrjet me sistemet e armatimit perëndimor që zotëron Turqia, duke i cënuar ato. Megjithatë, Turqia është e vetëdijshme se asnjë vend dhe as grup vendesh nuk janë në gjendje t’i garantojë siguri si ato që i jep NATO-ja. Kontratat e shumta të armatimeve në projekt apo negociim e sipër me fuqitë perëndimore, dëshmojnë, nga njëra anë, shumëllojshmërinë e akseve të diplomacisë së saj për të forcuar aftësitë e veta mbrojtëse. Në fakt, sasia e raketave Patriot që janë aktive në bazën e Incirlikut nuk mjaftojnë për të mbuluar të gjithë kufirin e saj lindor dhe jugor. 

Tensionet e vazhdueshme me Rusinë

Z. Donald Trump e ka minimizuar përgjegjësinë e turqve në blerjet e raketave ruse S-400. Sipas tij faji bie mbi z. Barack Obama, të cilin e akuzoi se pengoi Ankaranë të blejë raketa Patriot. Kjo nuk e ndaloi, që menjëherë pas furnizmit të elementëve të parë S-400, të merrte masa shpagimi duke e përjashtuar Turqinë nga programi i avionëve të luftës F-35: përjashtim nga zinxhiri i prodhimit, dëbim i pilotëve turq gjatë stërvitjes, ndalim për vendin që të blejë pajisje. Në  kundërshtim me  këtë qëndrim, z. Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, bëri një mbrojtje të vërtetë në favor të Ankarasë në hapje të Aspen Security Forum, organizuar në Kolorado më 17 korrik 2019: “Roli i Turqisë në NATO shkon përtej F-35 apo dhe S-400”. 

Çfarë mund të thuhet tani për marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Moskës? Nëse sot duket se po ndjekin një rrjedhë të harmonizuar, ngjarjet e viteve të fundit treguan se ato qëndrojnë në ekuilibër të paqëndrueshëm. Në fakt, midis Rusisë dhe Turqisë nuk mund të jetë realisht e mundur, as aleanca strategjike dhe as shkëputja totale. Frika se ndonjëherë dëgjohet të flitet për ndonjë aleancë ruso-turke që do të vihej përballë perëndimit, mbështetet në një perceptim të gabuar të vendit dhe objektivave të të dy vendeve në skenën ndërkombëtare.

Sigurisht, shumë aspekte duken se i afrojnë: fakti që i klasifikojmë rregullisht në grupin “e vendeve me ekonomi në rritje”, prirja për regjim autoritar dhe të përsonalizuar të pushtetit, marrëdhënie kundërvënieje me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, lidhja nostalgjike ndaj një të kaluare të lavdishme dhe, së fundi, vullneti për t’u afirmuar në planin ndërkombëtar. Megjithatë janë dy aktorë që vijnë nga kategori tërësisht të ndryshme. 

Ndërkohë që Rusia po rifiton vendin e saj në skenën botërore, Turqia nuk e ka gjetur asnjëherë këtë vend dhe vazhdon ta kërkojë. Kjo asimetri e vazhdueshme çon në tensione të përsëritura midis dy kombeve, që interesat e tyre politike dhe ekonomike të përbashkëta, nuk arrijnë dot t’i zhdukin. Kthimi i Rusisë mes fuqive të mëdha, ka ndodhur këto vitet e fundit, në kurriz të ambicieve të Turqisë që kërkon të pozicionohet si lider i zonës. Përmes implikimit të saj në krizën siriane, Moska mban marrëdhënie me të gjithë aktorët e zonës dhe luan, më në fund, rolin qëndror që Ankaraja kishte marrë përsipër nën ndikimin e Z. Davutoglu. Për më tepër, impulsiviteti i z. Rexhep Tayip Erdogan dhe paaftësia e tij për të përcaktuar një perspektivë të qartë, shpjegojnë, midis të tjerave, pse Turqia nuk shfaqet në një pozicion të fortë në negociatat për dosjen siriane, ndërkohë që nuk merret në konsideratë asnjë zgjidhje për konfliktin pa praninë e saj. 

Në përgjithësi, vetë koncepti i aleancës apo i partneritetit që dikton disa detyra dhe detyrime politike reciproke, nuk të lejon të kapësh natyrën thellësisht pragmatike të marrëdhënies ruso-turke. Nuk duhet ngatërruar bashkëpunimi ideologjik, politik dhe ekonomik, me një afri strategjike në një logjikë aleatësh dhe as të harrohet rivlerësimi konstant i interesave të saj nga secili vend. Është e sigurt se Turqia nuk e shikon Rusinë si armike, apo si një kërcënim, ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë. 

Nuk ka aleancë strategjike, interesi dypalësh i dy aktorëve për  bashkëpunim e bën të pamundur skenarin  e një shkëputjeje  totale. Megjithëse tensione, madje, përplasje të drejtëpërdrejta mund të mendohen, Turqia mbetet një partner i domosdoshëm i z. Vladimir Putin, nëse ai kërkon të arrijë objektivat në Siri dhe të konkretizojë ambiciet e tij ndërkombëtare. Kremlini duket se e ka kuptuar këtë gjë, duke i lënë Ankarsë një lloj hapësire  për të vepruar në Verilindje të Sirisë përballë kurdëve të organizuar në gjirin e Partisë së bashkimit demokratik (PYD), apo edhe në krahinën Idlib, aty ku Turqia ka ndikim mbi grupet rebele. Nga ana e tij, z. Erdogan e shikon bashkëpunimin më Rusinë si një mjet për të mbajtur nën kontroll çështjen kurde që ai e gjykon ekzistenciale për  vendin e tij. Edhe pse nuk përjashtohen ndryshime taktikash, në sytë e Ankarasë, politika e Moskës në zonë është shumë më pak destabilizuese për interesat e saj sesa  ajo e Uashingtonit. 

Në terma afatshkurtër, marrëdhënia ruso-turke, në një pjesë të mirë të saj, do të përcaktohet nga kthesa që do të marrë konflikti sirian dhe negociatat për zgjidhjen e tij. Ajo duhet lexuar, përmes prizmit të raporteve të secilit nga këto dy vende me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara. 

Përfundimisht, zhvillimet e politikës së jashtme të Turqisë rrjedhin si nga kërkimi për një kohë të gjatë të identitetit të saj, çka është e dukshme që prej pesë dekadash tashmë, ashtu dhe nga vullneti i kohëve të fundit për të kuptuar paradigmat e reja që ndërtojnë marrëdhëniet ndërkombëtare. Që sot e tutje, vlerat që vendet perëndimore i konsiderojnë akoma – pak a shumë jo qartë – si universale, nuk arrijnë më të pranohen   as nga pikëpamja ushtarake, politike dhe  kulturore. Përtej shumëllojshmërisë së tyre, fuqitë e ashtuquajtura të zhvilluara po afirmohen në skenën politike botërore, dhe po prishin ekuilibrat e vjetër. Turqia është një shembull i kësaj tronditjeje botërore dhe presidenti Erdogan shpreh, rregullisht, refuzimin e tij për një rend ndërkombëtar  të përbërë nga pesë anëtarë të këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

“Këmbëngul duke e përsëritur: Këshilli i Sigurisë i   Kombeve të Bashkuara duhet të riformohet në mënyrë që ta përfaqësojë më mirë botën në ditët e sotme. Këtë dua të them kur shpjegoj që bota është më e madhe se pesë”, deklaroi ai gjatë sesionit mbyllës të asmblesë së 62-të parlamentare të NATO-s, më 21 nëntor 2016 në Stamboll.  

Aleatët tradicionalë të Turqisë duhet të mësojnë të veçojnë atë që varet nga qëndrimi sipas rrethanave – shpesh i motivuar nga arsyet e politikës së brendshme – nga ajo që, në mënyrë hipotetike, do mund të bëhej strukturë në vitet e ardhshme.

*Zëvendës-drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike