BLLOKIMI I INTEGRIMIT EVROPIAN NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Vetmia ballkanike

Që njëzet vjet, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është e vetmja perspektivë politike që i ofrohet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përderisa kjo perspektivë është bllokuar nga vetoja e Francës ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, "metodologjia e re" e propozuar nga Komisioni Evropian ka pas gjasa ta ridinamizojë procesin. Sot, në pikëpyetje është vetë kuptimi i projektit evropian

« Një gabim historik ». Kështu e komentuan liderët evropianë Jean-Claude Juncker dhe Donald Tusk vendimin për ta shtyrë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ishte 17 tetori 2019, në samitin e Brukselit. Që atëherë, vendet e “Ballkanit Perëndimor” nuk e kanë më të qartë si të orientohen. Për gati një çerekshekulli, integrimi evropian është paraqitur si e vetmja perspektivë politike që i ofrohet rajonit. Ky vullnet për integrim kishte përfunduar të ishte pothuajse konsensusal në shoqëritë e rajonit dhe në mesin e elitave politike dhe ekonomike.

Sot, kjo siguri po vihet në pikëpyetje. Ndërsa Bashkimi Evropian i goditur nga seriali i pafund i Brexitit duket më i paaftë se kurrë për ta përcaktuar një qasje të përbashkët, sjelljet e Francës që kërkon një “metodologji të re” të zgjerimit vetëm se e kanë shtuar konfuzionin. Nëse liderët e Ballkanit mund të përpiqen të gjejnë strategji alternative – duke dashur të vëjnë bast për ardhjen e parave kineze, kthimin e një diplomacie agresive amerikane, “miqësinë tradicionale” me Rusinë, pa e harruar përafrimin me vendet e Grupit të Vishegradit – shoqëritë civile e gjejnë veten pa peshë, përderisa shpresat i patën mbështetur pikërisht në dinamikën performuese të procesit të integrimit, në aftësinë e tij për të sjellur përparim të vërtetë dhe të prekshëm, të paktën në disa fusha të rëndësishme, siç është forcimi i shtetit të së drejtës.

Përderisa regjime gjithnjë e më autoritare dhe gjithnjë e më të korruptuara po shtrihen në Shqipëri, Mal të Zi apo Serbi duke vazhduar të paraqiten si “pro-evropiane”, sot pikëpyetja është se cilat strategji politike duhet të zbatohen për të qëndruar në rrugën e duhur, për transformimin demokratik , social dhe mjedisor, të shteteve të ndryshme të rajonit? Sfida është gjithnjë e më e ngutshme, pasi që Ballkani po zbrazet nga popujt e tij, duke filluar nga të rinjtë, të cilët do të duhej të ishin vektorët kryesorë të ndryshimeve shoqërore. Të lodhur duke e pritur pafundësisht Godon evropian, qytetarët e Ballkanit po mendojnë gjithnjë e më shumë se rajoni i tyre nuk ka të ardhme dhe se nëse Evropa nuk vjen drejt tyre, ata nuk kanë zgjidhje tjetër se të ikin drejt Evropës.

Dy dekada të humbura?

Në qershor 2003, Këshilli Evropian i Selanikut e theksonte “vokacionin” e të gjitha vendeve të Ballkanit që një ditë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, duke e përjashtuar mundësinë e anëtarësimit në grup. Çdo shtet duhej ta ndiqte “udhërrëfyesin e tij” dhe do të gjykohej sipas përparimit të vet. “Kriterëve të Kopenhagës”, që përcaktonin në vitin 1993, kriteret e përshtatshmërisë për vendet kandidate të Evropës qendrore dhe lindore, iu shtua një kusht shtesë për shtetet që burojnë nga shpërbërja e Jugosllavisë, ai i “bashkëpunimit të plotë” me Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë. Në Ballkanin që sapo kishte kaluar kapitujt e luftërave dhe nacionalizmave, perspektiva evropiane ishte larg arritjes së konsensusit, përfshirë edhe ai i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare.

Në Kroaci dhe në Serbi, rrymat nacionaliste dhe konservatore kundërshtonin integrimin evropian. Në anën tjetrër, forcat demokratike dhe dinamika e shoqërisë civile, që buronte drejtpërdrejt nga mobilizimet pacifiste dhe antinacionaliste, besonin se perspektiva evropiane ishte e ndërlidhur me imperativin e drejtësisë tranzicionale dhe se ajo do t’i mundësonte vendeve të tyre të zgjidhnin llogaritë me të kaluarën e afërt dhe do të përfshiheshin në një proces të “normalizimit” politik dhe shoqëror. Çështja evropiane shënoi vijen kryesore ndarëse përreth së cilës u strukturua jeta politike e të gjitha vendeve të rajonit, midis forcave nacionaliste e konservatore dhe rrymave demokratike pro-evropiane.

Por nuk u konkretizuan këto shpresat e mëdha. Të betonizuar në krizat e brendshme (dështimi i Traktatit kushtetues, kriza greke, Brexit), Bashkimi Evropian dëshmoi paaftësi për hapje ndaj vendeve të juglindjes. Pas një dekade procedure të nisur para samitit të Selanikut, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së më 2013.Për më keq, mënyra si Athina u (keq)trajtua nga partnerët e saj evropianë frikësoi banorët e Ballkanit, duke i shqetësuar ata se do të kufizoheshin në një rol periferik edhe pas integrimit të mundshëm të tyre. Në vitin 2014, Jean-Claude Juncker i kishte shuar edhe ashtu shpresat e tyre për të paktën pesë vjet, duke paralajmëruar edhe para se ta merrte detyrën e tij në krye të Komisionit Evropian, se asnjë zgjerim nuk do të ndodhte gjatë mandatit të tij.

Një « stabilokraci » e dëmshme

Por, në të njëjtën kohë, Ballkani përballej me një paradoks të vërtetë: përderisa perspektiva e vërtetë e zgjerimit vazhdonte të venitej dhe që popullsitë po shfaqnin çdo herë e më pak entuziazëm për projektin evropian, të gjitha elitat lokale politike e përqafonin atë.

Në krye të shumicës së vendeve të Ballkanit tanimë janë liderë ose parti të krijuara në vitet ‘90, të cilët e kanë përshtatur me mjeshtri gjuhën e tyre për ta bërë « evropianisht të pajtueshme » dhe për t’i fituar favoret e Brukselit. Millo Gjukanoviqi, “sunduesi” i pathyeshëm i Malit të Zi që nga viti 1991, është arketipi i këtyre ish-nacionalistëve të shndërruar në pro-evropianë. Në Beograd, Aleksandër Vuçiqi e ndoqi duke shfrytëzuar të njëjtin rrjet këshilltarësh politikë. Duke e vërejtur pamundësinë e ardhjes në pushtet pa e luajtur kartën e integrimit, ky ish-kuadër  i ekstremit të djathtë u konvertua në « doxan » pro-evropiane më 2008, duke ndjekur « agiornamenton » të operuar më herët në Kroaci nga konservatorët e Unionit Demokratik Kroat (HDZ).

Në Mal të Zi ose Serbi, pushteti ka kontroll mbi të gjitha institucionet dhe po sulmon gjithnjë e më shumë mediat e rralla të pavarura. Në Shqipëri, kryeministri socialist Edi Rama ka marrë të njëjtën rrugë, ndërsa në Kroaci, që nga kthimi i HDZ-së në pushtet në fillim të vitit 2016, po zhvillohet një revolucion konservator mbi modelin polak. Pothuajse të gjitha lëvizjet popullore që organizohen për të rezistuar (si në Bosnjë dhe Hercegovinë në 2014 me “plenumet” ose në Serbi më 2017 dhe 2019) po përballen me një mur institucional, të mbështetur në heshtje nga Bashkimi Evropian. Ky i fundit i ka akomoduar shumë mirë regjimet pak demokratike në pushtet në rajon, me kushtin që ato të pretendojnë se janë “pro-evropianë”, e në anën tjetër ata i mbajnë evropianëve diskursin që duan të dëgjojnë, pa e përkthyer në veprim konkret.

Kërkesa e vetme evropiane është në të vërtetë formula magjike e “stabilitetit rajonal”, e një stabiliteti të përcaktuar në më të paktën, e që reduktohet në thelb në mungesën e luftës. “Është e vërtetë se në vitet e fundit, Bashkimi Evropian e ka mbështetur më shumë stabilitetin në kurriz të demokracisë”, pranoi gjatë samitit të Parisit më 2016, Ulrike Lunacek, asokohe nënkryetare ekologjiste në Parlamentin evropian. Për ta cilësuar këtë mendësi në vendet e ndryshme të rajonit, profesori austriak Florian Bieber e shpiku neologjizmin e “stabilokracisë”.

(Jo)besueshmëria e Bashkimit Evropian

Ky kompromitim i Brukselit me regjimet që e cenojnë hapur parimet themelore të shtetit të së drejtës, që e cenojnë pavarësinë e gjyqësorit, që sillen si kapës të lirisë së medias dhe që e kanë ngritur nepotizmin dhe klientelizmin si parim qeverisës, po cenon drejtpërdrejt besueshmërinë e vetë BE-së. Si të besohet ende që procesi i integrimit mund t’i ndryshojë shoqëritë dhe rregullat e lojës politike, kur ai nuk pushon së zvarrituri dhe nuk po ndryshon konkretisht asgjë?

Sipas sondazheve të vazhdueshme, nga një vend në tjetrin, shohim një ulje të shkallës së mbështetjes në projektin evropian. Në të vërtetë, çështja e integrimit evropian nuk po ka më shumë kuptim. Pikëpyetja e duhur, e cila nuk është bërë kurrë, është ajo se çfarë presin sor qytetarët e Ballkanit nga procesi i integrimit?

“Jo”-ja franceze për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e ka përfunduar këtë proces të zbehjes së ndjenjës fillestare pro-evropiane.”Ky refuzim ka goditur  si rrufe të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë Nikola Burazer, kryeredaktor i portalit « European Western Balkans » me seli në Beograd… “Kjo nënkupton që edhe nëse janë përmbushur kushtet e përcaktuara nga BE, ato mund të mos jenë të mjaftueshme për disa shtete anëtare që rezistojnë më shumë në lidhje me zgjerimin e BE-së se me situatën në Ballkanin Perëndimor”. I njëjti qëndrim në Podgoricë: “Tani e tutje, udhëheqësit e Ballkanit do ta kenë shumë të vështirë të mbështeten në vlerat themelore të Bashkimit Evropian”, ankohet Momçillo Radulloviq, që drejton Lëvizjen Evropiane në Mal të Zi.

Kroacia, e cila mori kryesimin e saj të parë të rradhës të Bashkimit Evropian më 1 Janar, e ka përcaktuar rifillimin e zgjerimit si një nga prioritetet e mandatit të saj. Në fillim të majit, një samit BE-Ballkan Perëndimor do të mbahet në Zagreb, me qëllim të arrihet më në fund një pozicion i përbashkët përballë Shqipërisë dhe Maqedonisë, përpara Këshillit Evropian në mes të qershorit. Në këtë këndvështrim, Komisioni Evropian sapo ka paraqitur një metodologji të re. Për t’i dhënë garanci vendeve më të pakënaqura (Franca, Hollanda, Danimarka), Brukseli pranon t’ia forcojë pushtetin  vendimmarrëse shteteve anëtare, të cilat për shembull mund të rihapin kapitujt që konsiderohen të mbyllur, një parim ky i kthyeshmërisë të kërkuar nga Parisi. Pra, procesi i integrimit bëhet një lojë e patave: një kapitull përpara, dy mbrapa, tre hapa para … Aq më tepër që kjo reformë parashikon “integrimin sipas meritës”: përparimi do të shpërblehet me qasje më të mirë në fondet e para-pranimit të IPA-së, ndërsa « nxënësit » e këqij do të përballen me sanksione financiare. “Sido që e shikojmë këtë metodologji të re, ajo duket se e vështirëson edhe më shumë rrugën drejt integrimit”, nënvizon Rikard Jozwiak, korrespodent i Brukselit për Radio Evropën e Lirë.

Orbani dhe Salvini, më evropianë se Makroni?

Në pritje të pajtueshmërisë midis 27 shteteve anëtare të Bashkimiot Evropian,, aktorët e tjerë po ndërhyjnë gjithnjë e më shumë në punët e Ballkanit Perëndimor: Kina, Rusia, Turqia. Dobësimi i zgjatur i zërit të BE-së e hap padyshim autostradën për këto tri fuqi të mëdha, sidomos duke pasur parasysh se Pekini, Moska dhe Ankara, nuk kërkojnë reforma në dobi të shtetit të së drejtës ose respektimit të minoriteteve, që i përshtatet regjimeve të korruptuara të autokratëve të Ballkanit. Krimbi është njëkohësisht në fryt: kohët e fundit, udhëheqësit e rrymave neo-konservatore evropianë janë bërë mbështetësit më të zjarrtë të zgjerimit. Këto grupe politike kanë kuptuar se liderët nacionalistë-konservatorë ballkanik mund të bëhen aleatë të nesërm pas integrimit të shteteve të tyre në Bashkimin Evropian.

Vitet e fundit, Viktor Orban ka vazhduar ta zgjeroj rrjetin e tij në Ballkan. Ai është bërë madje një mbështetës i vendosur i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Qëllimi i njeriut të fuqishëm të Budapestit është t’i shtyjë kufijtë e BE-së në lindje dhe në jug, në mënyrë që Hungaria ta rimarrë vendin e saj si udhëkryq në qendër të kontinentit evropian. Kjo mbështetje bazohet në vlera reaksionare dhe ksenofobe, të cilat janë në kundërshtim me vlerat që promovohen teorikisht nga Bashkimi Evropian, si toleranca ose refuzimi i nacionalizmit.

Presidenti serb madje mund të mburret me një mbështetje tjetër të fuqishme nga grupi i “patriotëve” evropianë: atë të Matteo Salvini. Duke vizituar Romën në pranverën e vitit 2019, Aleksandar Vuçiqi e quajti kreun e të djathtës italiane “një mik të sinqertë”, duke shtuar se ishte « në interes të Serbisë të siguroj aleatë të rinj, të cilët duan me të vërtetë ta ndihmojnë Serbinë të hyjë në BE ». Një mesazh mezi i mbuluar nga Franca e Emmanuel Macron, i cili shumëfishon mesazhet që e mbyllin derën e zgjerimit dhe që propozon një Bashkim Evropian me disa shpejtësi.

Ankandi i shoqërive civile

Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë qytetarë të Ballkanit po marrin rrugën e eksodit, në një shpopullim që po përshpejtohet që nga viti 2014. Ata që largohen nuk janë më të varfërit, janë ata që kanë kapitalin e vogël material dhe veçanërisht kapitalin intelektual e kulturor që i lejon ata ta marrin mërgimin në konsideratë – njerëz të rinj, dinamikë, të trajnuar për një vend pune, qoftë doktorë, inxhinierë, elektricistë etj. Largohen sepse nuk duan që fëmijët e tyre të rriten në klimën e pasigurisë shoqërore dhe politike.

Këto largime tashmë kanë zbrazur spitalet dhe shkollat publike. Në disa sektorë, siç është turizmi, vendet e Ballkanit tashmë duhet të importojnë fuqinë punëtore nga Azia (Kroacia, Mali i Zi dhe tani Shqipëria) dhe ky eksod shkreton rajone të tëra, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e shërbimeve themelore publike. Në afat të gjatë, efektet e eksodit premtojnë të jenë dramatike për vendet që tashmë po kanë vështirësi ta financojnë sistemin e tyre të sigurimit shëndetësor dhe të pensioneve. Sidoqoftë, këto ikje nuk shihen keq nga autokratët në pushtet: ata i ulin artificialisht të dhënat e papunësisë dhe mbi të gjitha, ata që largohen janë ata që mund ta kundërshtojnë pushtetin e tyre korruptiv duke qenë vektorët e ndryshimit shoqëror.

Çfarë hapësire mbetet për shoqëritë civile në një Ballkan të dënuar për një “stabilitet” fasadë vdekjeprurës (nën rregullimin e prerë të oligarkëve) që e gëzon mbështetjen e drejtuesve të 27 shteteve të Bashkimit Evropian vetëm sepse po duket “pro-evropian”? Për qytetarët që mobilizohen fuqimisht kundër projekteve të mini-hidrocentraleve, që shkatërrojnë ekosistemet duke lejuar oligarkët dhe mafian t’i “gjelbërojnë” kapitalet e tyre – shpeshherë me bekimin e institucioneve evropiane dhe financimin e BERZH-it, në emër të “tranzicionit ekologjik” që do të zbatohet për t’u pajtuar me ‘acquis communautaire’? Për aktivistët feministë që përpiqen t’i shkundin prangat e shoqërive ende shumë patriarkale? Për aktivistët LGBTQI që kanë pasur sukses, jo pa guxim të madh, ta imponojnë dukshmërinë e tyre sociale? Çfarë mesazhi mund të dërgojë Bashkimi Evropian për studentët që po mobilizohen kundër privatizimit të arsimit të lartë, për artistët që po shohin se si po shkrihen buxhetet publike për kulturën, për sindikalistët që po kërkojnë zbatimin e rregullave minimale të ligjit të punës, të flakur hapur nga oligarkët të lidhur me mbajtësit e pushtetit politik?

Më vitin 2000, kur Ballkani dukej se po mbyllte kapitullin e luftërave dhe nacionalizmit, mendohej se kishte ardhur dita për ta “evropianizuar” rajonin. Përtej dimensionit neokolonial të këtij vullneti “civilizues”, çfarë po mbetet sot nga procesi i vërtetë i transformimit shoqëror që duhet të nxiste integrimi? Vetë kuptimi i këtij projekti evropian është vërë sot në pikëpyetje. Dhe përtej llogaritjeve politike të njëri-tjetrit, në vendet anëtare dhe kandidate, sot në Ballkan, po luhet në masë të  madhe e ardhmja e gjithë Evropës. E ardhmja jonë e përbashkët qytetare.

(Ky artikull i “Courrier des Balkans” është botuar në partneritet me « Heinrich Böll Stiftung – Paris”)