Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Anna Ahmatova, ardhja e dytë në Shqipëri

Para disa kohësh u botua në shqip vëllimi me poezi i poetes ruse Anna Ahmatova, « Ballo me maska në park » (PoeziOnufri, 2019), përkthyer me mjeshtëri nga Aurel Plasari, me parathënie nga shkrimtari i njohur, Ismail Kadare. Në mjedisin kulturor shqiptar emri i kësaj poeteje nuk është i panjohur. Ajo ka hyrë dy herë në kufirin e memories kolektive të publikut që është marrë me letërsi e art. Herën e parë erdhi si e kryqëzuar, si modeli që nuk duhej ndjekur, por duhej stigmatizuar. Ishte viti 1947. Shqipëria po hynte në dimrin e gjatë të diktaturës dhe letërsia e artet do të duhej t’i nënshtroheshin projektit të ri të elitave komuniste. Kaluan shpejt vitet ’45, ’46 kur në ambientin shqiptar të pasluftës zotëronte një atmosferë paqeje dhe frymëzuesi i kësaj klime, Sejfulla Malëshova, përmes nxitjes së botimit të revistës « Bota e re », që doli vetëm 7 numra si dhe pas përpjekjes për të bashkuar në një organizatë të vetme të gjithë shkrimtarët pa dallim besimi e ideje, dështoi dhe u mënjanua nga jeta publike. Ai vdiq i dëbuar nga kryeqyteti si magazinier në qytetin e Fierit. Në vitin 1947, shkrimtarët dhe elitat që dolën fitimtarë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, vendosin të ndjekin modelin rus të instalimit të realizmit socialist. Pasi e mbyllën revistën « Bota e re », nën modelin e revistës ruse « Nashaja Literaturnaja », nxorën revistën « Literatura Jonë », që do të bëhej zëdhënësja e modelit të ri të artit dhe letërsisë shqiptare. Numri i parë i kësaj reviste hapet me një tekst, i cili, përgjatë gjithë periudhës së diktaturës, mbahej si modeli i parë teorik i kuptimit socialist të letërsisë dhe shënonte kështu kufijtë ku do të duhej të mbështetej gjykimi dhe vlerësimi i artit dhe letërsisë së realizmit socialist. Ky tekst ishte fjala e Kryetarit të Asamblesë së Sovjetëve, Andrej Zhdanov, me shkrimtarët rusë në të cilën ai kritikonte revistat « Zvjezda » dhe « Leningrad » pse kishin botuar poezi dhe poema të poetes Anna Ahmatova. Jehonën e kësaj fjale e botonte për revistën ruse një shkrimtar tjetër i revolucionit, Fadajev. Revista « Literatura Jonë » në numrin e saj botonte pikërisht këtë shënim programatik të Fadajevit për detyrat e letërsisë dhe artit në socializëm duke marrë si shtysë modelin e kundërt, atë të Anna Ahmatovës, frymëzuar nga fjala e Zhdanovit.  

Siç vë në dukje edhe Kadare në parathënien e librit, te ne, qarkullimi letrar, pas rënies së diktaturës, është shënuar edhe nga botimi i atyre autorëve të huaj që kanë qenë të akuzuar e të anatemuar nga kritika e socrealizmit. E tillë është edhe Ahmatova. Nga ana tjetër të duket sikur ky botim plotëson librin e fundit të Kadaresë «Kur sunduesit grinden » (Tiranë, 2018), që u kushtohet tri minutave të bisedës mes Stalinit e Pasternakut për fatin e Osip Mandelshtajmit. « Ana Ahmatova, Osip Mandleshtajm, Marina Cvetajeva, Boris Pasternak, përbëjnë një « katërshe të veçantë » , siç e ka quajtur ajo vetë në bisedat e saj. Unazë prej katër perlash, secila prej tyre rrezëllinte edhe dritë edhe përzitje, ajo ka hyrë në fundnajën e artë të poezisë ruse të shekullit që porsa shkoi », shkruan Ismail Kadare në parathënien e botimit në shqip. Siç dihet, nga viti 1900 e deri në vitin 1910 e ndoshta pak më këtej, në Rusi u zhvilluan disa rryma letrare si simbolizmi, akmeizmi, imazhizmi, etj. Ndërkaq, në anën tjetër, vendi ishte përfshirë në revolucionin më të madh social-politik që kishte njohur bota deri atëherë dhe në Rusi u vendos diktatura e proletariatit. Bashkë me të lindi edhe një art dhe një kulturë e re, e cila i shpalli luftë artit të mëparshëm të quajtur feudo-borgjez, sepse nuk ndihmonte dhe nuk pasqyronte jetën e popullit, por kishte rrëshqitur në batakun e misticizmit reaksionar. Është paradoksale, por në një mënyrë më të rrudhur, e njëjta gjë ndodhi edhe në Shqipëri. Ashtu si në Rusinë e fillimit të shekullit, edhe te ne u vu re një tendencë për të bashkëjetuar me rrymat dhe drejtimet e ndryshme në letërsi. Mjaft të kujtojmë se në kryesinë e Lidhjes, në Konferencën e parë, u zgjodhën edhe Vincens Prenushi e priftërinj të tjerë, por edhe Mitrush Kuteli dhe të rinjtë partizanë, natyrisht si Shuteriqi e Musaraj. Ishte një kohë kur jeta kulturore rridhte e qetë. Mjaft të kujtojmë se Lasgush Poradeci shkruante edhe si gazetar i kulturës për koncertet simfonike që jepeshin në kinema « Kosova » në drejtimin e dirigjentit italian Ripi. Mirëpo, kjo paqe zgjati shumë pak.

E quajtur ikona e vuajtjes dhe e dhimbjes ruse, Anna Andrejevna Gorenk, e njohur me pseudonimin letrar Anna Ahmatova, lindi në Odesë më 11 qershor 1889 dhe vdiq në Moskë më 5 mars 1966. Kritika europiane e ka vlerësuar mjaft këtë poete dhe në vitin 1965 ajo ishte e nominuar për çmimin Nobel. Ndërkaq, të gjithë bien në një mendje se për ta njohur mirë atë, duhen mbajtur parasysh, sidomos ajo që është thënë gati në një zë për të se do të duhej një forcë jo e zakonshme për një femër, do të duheshin poemat e saj therëse për dashurinë, fatkeqësinë dhe dhimbjen ruse si dhe ato për universin që t’i skalitej asaj një vend në Olimpin letrar të zotëruar nga meshkujt.

Libri « Ballo me maska në park », botuar te ne, përmban 79 poezi. Studiuesi dhe përkthyesi Aurel Plasari ka bërë kujdes që të sjellë në shqip gjithë periudhën e gjatë të krijimtarisë së saj. Aty janë poezitë e para që vijnë nga jeta e salloneve dhe asaj që është quajtur epokë e argjendtë në letërsinë ruse, ku në një ballo me maska, një kalorës mund t’i ketë thyer pendën në kapelë një markezeje. Më tej rrëfimi dhe mëkati, dashuria që vjen si prej një prekjeje të dorashkës. Dhe pastaj ndarja, malli që të mbështjell në grykë lotët, vetmia. Poetja pat vizituar Parisin në kohën e asaj që është quajtur Belle Epoque dhe aty pat takuar edhe piktorin bohem Modiljanin, i cili i pat bërë asaj disa portrete. Pa e menduar gjatë, ajo kthehet në Rusi dhe aty përfshihet në jetën kulturore që ziente nga rrymat moderne si akmeizmi, futurizmi, simbolizmi, etj. Të kësaj periudhe janë poezitë që vizatojnë vdekjen së cilës poetja i lutet që mos t’i marrë me vete kujtesën apo përhumbja në rutinë dhe në normalitet deri te brenga për takimin e dështuar. Ndërkohë, Rusia po zien nga triumfi i revolucionit, ndërsa poetja lutet që « reja e zezë mbi Rusinë / të shndërrohet në dritë e lavdi » (Lutje). Tani duket se jeta e saj ka humbur drejtpeshimin dhe ajo e vizaton këtë gjendje boshi dhe asgjëje me vargje ku të duket se megjithëse është pranverë dhe drurët zhapëllijnë nëpër erë, trupi është gati si pa peshë dhe ti nuk di as shtëpinë ku e ke: 

Kur këngën që dikur të qe mërzitur

Ti e këndon me mall si t’ish e re (pa titull, f. 16)

Në jetën e saj ajo pati shumë fatkeqësi. Në vitin 1921 komunistët sovjetikë i pushkatuan të shoqin, themeluesin e akmeizmit rus, Nikolaj Gumiljov, ndërsa të birin, Lev Gumiljov, ia kishin arrestuar dhe degdisur në Gulag. Pikërisht vajtje-ardhjet në burgjet ruse dhe pritjet në zyrat e KGB-së për të marrë njoftim për të birin shenjuan te ajo një përmasë tjetër të poezisë që ajo i përmblodhi në ciklin Requiem. Kritika ka vënë re se ajo është poetja unikale që ka vizatuar emocionet e ngrira dhe dhimbjen e patreguar të reshtave pafund të nënave, grave e motrave përpara gulagëve rusë. Dhe, në shënimin në faqen 33, ajo tregon se si një ditë duke pritur në radhë para zyrave të KGB-së, në acar, një grua që e ka njohur, i afrohet dhe e pyet. Po këtë mund ta përshkruash? Po. Mundem, – i thotë ajo. Dhe si apoteozë të të gjitha këtyre poezive me këtë temë, do të veçonim poezitë « Dita e të vdekurve » (f.39-40) dhe Epilog (f.41). Në të parën ajo ka në vështrim ato mijëra gra shamizeza që humbën bijtë e burrat në humnerën e krimit stalinian. Me to është dhe poetja, e cila, duke kujtuar ditën e të vdekurëve, thotë se, nëse një ditë ndokush do të kujtohet t’i bëjë një monument, e dua ta ngrejë këtu përpara kësaj dere burgu:

Këtu të ma ngrenë, ku llozi nuk lot,

ndërsa pres në këmbë treqind orë plot. (XII Dita e të vdekurve, f. 40)

 Një vit para vdekjes, në vitin 1965, ajo u nderua nga Universiteti i Oxfordit me titullin « Honoris causa » dhe shtypi anglez e vlerësoi si një nga poetet më të mëdha të kohës. Poezitë e këtij vëllimi janë vezullime të trishta të një shpirti që u ndrit nga shkëlqimi i një epoke të artë në fillim të shekullit XX dhe u errësua pastaj nga dhuna dhe poshtërimi përreth 50 vjet, e detyruar të jetonte me kujtimin e të shoqit të vrarë dhe të të birit në burg. Si mallkim për kohën që do të vinte dhe për dashurinë që nuk do ta provonte më kurrë, duket se është kjo poezi shkruar në vitin 1917.

Natë e njëzetënjëshit. Ditë e hënë

Kryeqyteti krejt në terr të zi.

Seç u ngrit e shkroi një i lënë

Që në botë paskësh dashuri.

Dhe prej verbësisë a përtacisë

Na i zunë besë në çdo vend:

I këndojnë këngë dashurisë,

Lënë takime, ndarja sa s’i çmend.

Po misteri ka për t’u zbuluar

Dhe kanë për të mbetur krejt pa zë

Unë këtë sëmundje e paç provuar

Dhe që ahere s’u shërova më. (1917, Pjetërburg.)

Botime të tjera