
Më 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet i fortë i magnitudës 6.4 të shkallës richter, me epiqendër në detin Adriatik. Dridhja u ndje përveçse në zonat bregdetare edhe në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë e qytete përreth. Tërmeti i 26 nëntorit la 52 të vdekur, 3 mijë të plagosur dhe një faturë të rëndë dëmesh që tronditën jetën e dhjetëra mijëra banorëve të Shqipërisë.
Tronditja e tokës më 26 nëntor u shoqërua nga 1300 dridhje më të lehta për gati një muaj rresht, goditje që kanë trazuar rëndë jetën dhe normalitetin e banorëve të zonës nevralgjike të Shqipërisë.
Qeveria shqiptare ka shpallur Gjëndjen e Emergjencës Kombëtare në rajonet e Tiranës, Durrësit dhe Lezhës, si më të prekura nga tërmeti dhe i ka kërkuar Parlamentit që ta zgjasë atë pasi ende situate është më shumë se problematike.
Shtabi i Emergjencës i ngritur nga qeveria shqiptare ka publikuar se janë shembur totalisht rreth 136 banesa, janë dëmtuar shumë rëndë mbi 3811 banesa, janë dëmtuar lehtë 3149 banesa.
Ndërkaq, janë dëmtuar në shkallë të rëndë, çka mund të konsiderohen të pabanueshëm, por ende pritet verdikti përfundimtar i ekspertëve 461 pallate, janë dëmtuar mesatarisht 324 pallate. Deri më sot i është vënë shenja e kuqe 20 pallateve, ndërkohë që procesi i vlerësimit është ende në vijim.
Më shumë se 5 mijë banorë janë strehuar në hotele, ku do të qëndrojnë deri më 1 janar, kohë kur qeveria do të japë para kesh për këta banorë që të jetojnë në banesa me qira sipas dëshirës së tyre. Për 6 muaj deri në 1 vit kryeministri Edi Rama, ka shpallur ndërtimin e blloqeve të banesave për banorët që mbeten pa strehë, por ende nuk ka një shifër të qartë të këtyre banesave.
Sot më shumë se 7500 banorë jetojnë në çadra, kryesisht në zona rurale, ku ata kanë pronën dhe bagëtitë e tyre. Qeveria ka bërë të ditur se do të zëvendësojë çadrat me banesa portative parafabrikate të përkohshme.
Dy javët e para pas tërmetit, Shqipëria përjetoi një situatë solidariteti ndërkombëtar. Në një mega operacion për të shpëtuar njerëzit në rrënoja morën pjesë 9 ekipe me 669 të huaj dhe 287 nga Shqipëria. Në terren punuan 142 trupa nga Kosova, 180 nga Italia, 90 nga Franca, 57 nga Greqia, 54 nga Rumania, 17 nga Zvicra, Izraeli, Turqia edhe nga Serbia.
Pas rënies së tërmetit qeveria hapi një llogari unike ku çdo qytetar mund të dhuronte vullnetarisht një shumë financiare për të dëmtuarit e katastrofës së 26 nëntorit.
Në portalin e-albania, që përditësohet herë pas here, deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli janë grumbulluar 61 milionë e 433.079 lekë, apo afërsisht 504 mijë euro. Sipas të dhënave kjo shifër është vepër e 6086 donatorëve privatë.
Por këto shifra janë krejt të veçuara nga kontributet e dhëna nga shtete, qeveri, apo edhe biznesmenë të fuqishëm, ose edhe fondacione bamirëse, të cilët ende nuk e kanë bashkëngjitur shifrën e tyre në kontributin qeveritar, ku disa prej tyre kanë premtuar që do ta menaxhojnë privatisht.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka shpallur se do të organizojë nën patronazhin e tij një Konferencë Donatorësh të Bashkimit Europian, e cila pritet të mblidhet në janar të 2020-ës.
Ndërkaq, Kryeministri shqiptar mori pjesë në një samit në Stamboll të organizuar nga presidenti turk Rexhep Taip Erdogan I cili premtoi se do të ndërtojë 500 banesa në zonën e Laçit.
Komiteti Kombëtar i Rindërtimit u kthye në një ministri special dhe titullar i saju emërua ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Zyra Operacionale risjell në vëmendje se janë vënë në funksion të plotë tre numra të gjelbër në dispozicion të qytetarëve për çdo nevojë, për qarqet Durrës, Lezhë, Tiranë: 0694114100; 694114101; 0694114040.
Gjithashtu, për çdo shqetësim, apo pyetje lidhur me tërmetin e datës 26 nëntor, qytetarët mund t’i drejtohen edhe Platformës së Bashkëqeverisjes: ëëë.shqiperiaqeduam.al
Strehimi
FA kanë angazhuar 334 forca dhe rreth 100 mjete për ngritje çadrash e menaxhim kampingjesh, pritje e shpërndarje ndihmash dhe shoqërim të ekipeve të ekspertëve.
Lidhur me shërbimin shëndetësor për qytetarët e lënduar si pasojë e tërmetit, aktualisht janë 18 pacientë që vijojnë të marrin shërbim në spitalin e Traumës, 3 në spitalin e Durrësit dhe 3 pacientë po marrin një trajtim më të specializuar jashtë vendit. Të gjithë pacientët janë në gjendje të stabilizuar, drejt përmirësimit.
Aktualisht shërbimi është i përqendruar në qendrat 24-orëshe afër zonave të prekura dhe me ekipet mjekësore në terren në hotele ku janë sistemuar banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit.
6,269 vizita mjekësore për banorët e akomoduar në hotele dhe në QSH 24/7 të ngritura pranë zonave të prekura. 435 të sëmurë kronikë kanë marrë barna.
Në pikat e emergjencës vijon vaksinimi kundër gripit për të sëmurët kronikë, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në 5 vjeç, për t’i mbrojtur nga viruset stinore.