Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

A është psikanaliza borgjeze?

PSIKANALIZA PËR TË GJITHË?

Janar, 2026

“Një analizë kushton shtrenjtë.” Kjo ide zë një vend qendror, por të dykuptimtë, brenda psikanalizës. Është e vërtetë se disa psikanalistë theksojnë se përfshirja e pacientëve do të ishte aq më e madhe sa më i lartë të jetë çmimi i seancës, si kosto financiare. Me këtë, ndoshta duhet kuptuar se puna mbi të ashtuquajturat rezistenca (tërësia e shkaqeve të vetëdijshme ose të pavetëdijshme që bëjnë që të mos kemi gjithmonë dëshirë të shërohemi) presupozon pikërisht faktin se nuk kemi gjithmonë dëshirë të shkojmë te psikologu, ose se e bëjmë këtë disi pa shumë përkushtim. Disa analistë nxjerrin prej kësaj ideje, jo pa bazë, një lloj ekuacioni: nëse seancat kushtojnë shtrenjtë, dëshira për t’i shfrytëzuar ato do të jetë më e madhe.

Ky argument gjendet ende sot në prodhimin teorik psikanalitik dhe në vendet e transmetimit të psikanalizës. Ai vazhdon të legjitimojë honorare të larta të disa terapeutëve, apo edhe rritje të papritura çmimesh gjatë trajtimit. Me fjalë të tjera, problemi nuk qëndron vetëm te fakti që disa psikanalistë propozojnë tarifa të larta, por te fakti që ata e bëjnë këtë nën mbulesën e një koherence teorike.

“I varfri ka të drejtë për ndihmë shpirtërore”

Nga një këndvështrim politik, Sigmund Frojdi e trajton drejtpërdrejt këtë çështje, edhe pse rrallë, duke vënë në pikëpyetje qasjen në trajtim për klasat popullore. Kështu, në një tekst të titulluar “Rrugët e terapisë psikanalitike”, ai shkruan: “Ne [psikanalistët] jemi të kufizuar, nga kushtet e ekzistencës sonë, te shtresat e sipërme të pasura të shoqërisë, të cilat zakonisht e zgjedhin vetë mjekun e tyre dhe që, në këtë zgjedhje, largohen nga psikanaliza për shkak të të gjitha paragjykimeve të mundshme. Për shtresat e gjera popullore, që vuajnë jashtëzakonisht nga neurozat, për momentin nuk mund të bëjmë asgjë. Tani, le ta pranojmë se, përmes një organizimi të caktuar, do të arrinim të shtonim numrin e psikanalistëve deri në atë pikë sa të mjaftonte për trajtimin e masave më të mëdha njerëzore. Ja, nga ana tjetër, çfarë mund të pritet: herët a vonë, ndërgjegjja morale e shoqërisë do të zgjohet dhe do t’ia përkujtojë shoqërisë se i varfri ka po aq të drejtë për ndihmë shpirtërore”.

Frojdi vazhdon duke e krahasuar këtë situatë të ndihmës shpirtërore (që lidhet me shpirtin) me ndihmën kirurgjikale, e cila u shpëton jetën të varfërve pavarësisht statusit të tyre shoqëror. Në këtë ëndërr frojdiane dallohen propozime që i afrohen institucioneve tona bashkëkohore të kujdesit publik shëndetësor (qendra mjekësore-psikologjike, spitale ditore etj.), në të cilat pacientët kanë qasje përmes një sistemi rishpërndarjeje të barabartë (sigurimet shoqërore). Horizonti që përshkruan Frojdi i afrohet një socializmi universal, përgjegjësinë e të cilit ai, për momentin, e vendos në anën e “bamirësisë private”: “Atëherë do të ngrihen institucione ose qendra konsultimi, ku do të caktohen mjekë të trajnuar në psikanalizë. Këto trajtime do të jenë falas. Mund të kalojë shumë kohë përpara se shteti t’i ndiejë këto detyrime si urgjente. Rrethanat aktuale mund ta vonojnë edhe më tej këtë afat; ka të ngjarë që bamirësia private të jetë ajo që do t’i vërë në lëvizje këto qendra; por herët a vonë, do të duhet patjetër të mbërrihet deri aty”.

Botime të tjera