James Joyce (1882–1941) i ka përshkuar rrugët e Triestes. Italo Svevo (1861–1928) dhe Umberto Saba (1883–1957), dy nga figurat më të mëdha të modernitetit italian, kanë lindur e kanë jetuar në këtë qytet. Trieste nuk është vetëm një vend, por një mit letrar, i ushqyer brez pas brezi nga shkrimtarët e saj. Ndër ata që e kanë skalitur këtë mit spikat Claudio Magris, i cili i ka kushtuar faqe të paharrueshme kafeneve triestine, veçanërisht San Marco-s. E hapur më 3 janar 1914, kjo kafene është shumë më tepër se një vend takimi: ajo përmbledh në vetvete historinë e një qyteti kufitar, të kontestuar për dekada me radhë.
Kafeneja San Marco ishte një prej vatrave të irredentizmit italian në kohën kur Trieste ishte ende pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze. Hyrja e Italisë në luftë, në maj të vitit 1915, solli edhe plaçkitjen e saj nga demonstrues prohabsburgas. Sot, aty mbretëron një atmosferë krejt tjetër: San Marco është një kafene-librari ku triestinët mund të kalojnë orë të tëra, ndërsa turistët e bëjnë vendin të gumëzhijë me ardhjet dhe ikjet e tyre.
Trieste është qyteti i kufijve. Pas bashkimit me Italinë në vitin 1918, Trieste për pak sa nuk u bë pjesë e Jugosllavisë në vitin 1945. Midis viteve 1947 dhe 1954, qyteti ishte qendra e një “Territori të Lirë”, të garantuar nga Kombet e Bashkuara, përpara se t’i rikthehej përfundimisht Italisë. Kjo histori e trazuar ka lënë gjurmë edhe në identitetin e tij: Trieste ka qenë gjithmonë një qytet shumëgjuhësh, edhe pse sot zëri i pakicës sllovene mezi dëgjohet në qendrën e qytetit, pasi ajo është tërhequr në fshatrat e Karstit që ngrihen mbi det.
Sivjet, Sllovenia kremton poetin Srečko Kosovel i cili vdiq nga meningjiti në vitin 1926, në moshën vetëm 22-vjeçare. I quajtur shpesh “Rimbaud slloven”, ai vinte nga një familje e vjetër triestine dhe lindi në Sežana, sot pjesë e Sllovenisë, në pllajën e Karstit që mbikëqyr Triesten. Ishte, siç e përshkruajnë, “një djalosh krenar që këndon natën”.
I ndjeri Boris Pahor (1913–2022), plaku i letrave sllovene dhe evropiane, mbetet përgjithmonë triestin. Dëshmitar, si fëmijë, i djegies së Narodni Dom, Qendrës Kulturore Sllovene, në vitin 1920 nga milicitë fashiste, ky ish-rezistues nuk reshti kurrë së kërkuari një pajtim italo-slloven që do të garantonte të drejtat e pakicës së cilës i përkiste.
Christophe Solioz ka drejtuar një vepër ku gjejmë zërat e Boris Pahorit, Biagio Marinit dhe Paolo Rumizit, dhe në të cilën katër portofolë fotografikë i këndojnë qytetit. Aty ndriçohen të gjitha aspektet e mozaikut triestin dhe përmenden të gjitha kulturat që e kanë formuar atë, si edhe dimensioni detar dhe portual i qytetit, i cili mundësoi zhvillimin e tij marramendës gjatë shekullit XIX. Libri kujton gjithashtu fjalët e Claudio Magrisit, i cili pohonte se: “Trieste është si një kolazh ku koha nuk i shëron plagët.”
Trieste vazhdon të jetojë si qytet kufitar. Në kohën e Jugosllavisë socialiste, tregu i Ponte Rosso-s ishte destinacioni i qytetarëve që vinin për xhinse dhe mallra perëndimore, të shitura me çmime të ulëta.
Së fundi, Trieste u bë ballkoni prej nga shihej Ballkani në flakë, një qytet ku gazetarët dhe punonjësit humanitarë ndaleshin rregullisht. Këtë faqe të historisë e sjell në letër Federica Manzoni në një roman të mrekullueshëm, pa harruar të përmendë ato “hije” që vazhdojnë ta përshkojnë qytetin: hijet e të mërguarve të djeshëm dhe të sotëm, të mbledhur pranë stacionit hekurudhor të Triestes, pikëmbërritja e asaj që njihet si “Rruga e Ballkanit”.

