Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Fashizmi në Francë, keqkuptimi i madh

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 nuk do të kenë si sfidë thjesht ndryshimin e pushtetit, por mundësinë e një kthese rrënjësore. Por për çfarë shkëputjeje bëhet fjalë? Për të shmangur atë që do të sillte në pushtet fitorja e së djathtës ekstreme, Rassemblement national, një pjesë e së majtës po mobilizohet kundër rrezikut të fashizmit, duke neglizhuar një hipotezë tjetër...

Gusht 2026

Në lojën e madhe të parashikimeve për të ardhmen politike të Francës, një parashikim ka dominuar mbi të gjithë të tjerët në debatet e së majtës gjatë dy dekadave të fundit: « Fashizmi! » – me fjalë të tjera, po shkojmë drejt tij. Me kultin e tij ndaj policisë, obsesionin për sigurinë dhe stigmatizimin e të rinjve me prejardhje emigrante, këtyre « rrugaçëve » që duhej « pastruar me Kärcher », z.Nicolas Sarkozy u bë, në fund të viteve 2000, objekt i kritikave të shumta që e paraqisnin si fashist. Në kapërcyell të viteve 2015–2016, sulmet islamiste, psikozat rreth « të rinjve të radikalizuar » dhe vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme rrënjosën thellë te një pjesë e popullsisë idenë e një « armiku të brendshëm », të gatshëm ta godiste Republikën me bashkëpunimin e një pjese të së majtës.

Një hap tjetër u hodh me projektin e presidentit François Hollande për t’ua hequr shtetësinë shtetasve me dyshtetësi, të lindur francezë, të dënuar për një « krim që përbën cenim të rëndë të jetës së kombit ». Me shtypjen e lëvizjeve shoqërore, banalizimin në media të temave që dikur kufizoheshin në konservatorizmin më ekstrem, rritjen pothuajse të pandërprerë të së djathtës esktreme ‘Rassemblement national (RN)’ gjatë dy mandateve të z.Emmanuel Macron dhe dashamirësinë e qarqeve të biznesit ndaj këtij formacioni politik, hipoteza shndërrohet në bindje: fashizmi po fiton terren në Francë.

Referimi te regjimi i Musolinit dhe periudha ndërmjet dy luftërave botërore ka përparësinë e padiskutueshme se zgjon menjëherë vëmendjen. Ai mbështetet në idenë e një rrëshqitjeje autoritare pasi e djathta ekstreme të ketë ardhur në pushtet falë kapitullimit të partive tradicionale, të cilat ia kanë lëshuar kundërshtarit kornizën e debatit. Prandaj, synimi është të mobilizohet shoqëria sa ende nuk është vonë, duke u mbështetur në shembullin e luftërave të njohura antifashiste, sado që ato nuk kanë qenë gjithmonë fitimtare. Por a nuk e fsheh spektri i fashizmit një rrezik më pak spektakolar, por shumë më konkret?

Rreziku i një rrëshqitjeje të padukshme drejt një regjimi të segregimit juridik, ku, pak a shumë si në Izrael, një pjesë e popullsisë, e konsideruar si e huaj për kombin, do të disiplinohej dhe do të kufizohej në një pozitë të nënshtruar përmes zbatimit të një të drejte të veçantë. Një kthesë fashiste do të nënkuptonte një shkëputje autoritare, të kushtueshme, si edhe shfaqjen e një udhëheqësi providencial, të cilëve do t’u kundërviheshin institucionet ende të fuqishme të borgjezisë liberale. Ndërkaq, aparteidi 2.0 do të mjaftohej me zbatimin e « përparësisë kombëtare », masës kryesore të së djathtës ekstreme, « Rassemblement national », të legjitimuar nga vota, e cila do ta ndante juridikisht popullsinë që përputhet me « identitetin francez » nga të tjerët. Dhe do të ofronte një zgjidhje për ekuacionin me të cilin përballen shumë vende evropiane.

E reduktuar në thelbin e saj, çështja e imigracionit – rreth së cilës artikulohen ndarjet ideologjike – përfshin dy dimensione: një demografik dhe një politik. Të goditura nga plakja e përshpejtuar dhe rënia e thellë e lindshmërisë, popullsitë e Kontinentit të Vjetër – që kurrë nuk e kanë merituar më shumë këtë emër – nuk janë më në gjendje ta mbajnë në funksion ekonominë pa iu drejtuar imigracionit.

Ky fakt, i dokumentuar gjerësisht, njëkohësisht i favorizon dhe i penalizon partitë e së djathtës ekstreme. Rënia e lindshmërisë dhe rritja e numrit të të moshuarve krijojnë terren të përshtatshëm për diskurset e sigurisë, profecitë e dekadencës dhe frikën nga « zëvendësimi i madh ». Por ato shtrojnë një problem për elitat ekonomike, pa të cilat e djathta ekstreme nuk mund të qeverisë.

Në Itali, znj.Giorgia Meloni, e zgjedhur mbi një platformë kundër imigracionit, nënshkroi në vitin 2025 një dekret të dytë trevjeçar që autorizon hyrjen e 500.000 punëtorëve të huaj për t’iu përgjigjur kërkesave të sektorëve të bujqësisë, ndërtimtarisë dhe turizmit. Ndërkohë që, në tetor të po atij viti, kancelari gjerman Friedrich Merz e përshkruante praninë e migrantëve si « një problem në peizazhin urban », ai u përgjigjej ankesave të punëdhënësve për mungesën e fuqisë punëtore duke krijuar një agjenci dixhitale për rekrutimin e punëtorëve të huaj të kualifikuar, të quajtur Work-and-Stay. « Nuk janë punëdhënësit ata që kërkojnë masivisht imigracion, por ekonomia », shpjegonte në Radio Classique (19 dhjetor 2023) z.Patrick Martin, president i Lëvizjes së Ndërmarrjeve të Francës (Medef).

Lidhja e të barabartëve

Pavarësisht përparimeve të jashtëzakonshme të automatizimit, inxhinierët e Silicon Valley nuk parashikojnë, në një të ardhme të afërt, një inteligjencë artificiale që do të kujdesej për personat në varësi, edhe pse ish-kandidati i së djathtës ekstreme Éric Zemmour premton se « robotët do t’i zëvendësojnë emigrantët » (Europe 1, 23 qershor 2026). Ky transformim në strukturën e moshave – piramida demografike po shndërrohet në një kërpudhë – shoqërohet me një tjetër, në strukturën gjinore: ndërsa gratë ua kalojnë burrave në arsimin e lartë, me përjashtim të degëve më të vlerësuara, të rinjtë me pak ose aspak arsimim të lartë e perceptojnë imigracionin si një kërcënim edhe më të madh, për aq sa pozita e tyre shoqërore dhe martesore bëhet gjithnjë e më e pasigurt. Pikërisht në këtë kohë, lëvizjet migratore në botë janë përshpejtuar gjatë një çerek shekulli: në vitin 2024 numëroheshin 304 milionë migrantë ndërkombëtarë, kundrejt 174 milionëve në vitin 2000, ndërsa pjesa e tyre në popullsinë botërore është rritur nga 2,8 % në 3,7 %. Në Evropë, ky numër arriti në 94 milionë në vitin 2024, përkundrejt 56 milionëve në vitin 2000, ndonëse popullsia ka mbetur pothuajse e pandryshuar.

Termi i dytë i ekuacionit është politik: ngritja e formacioneve të së djathtës ekstreme, të mbështetura mbi një diskurs kundër imigracionit mysliman nga Afrika, Magrebi dhe Lindja e Mesme. Në Francë, listat e Frontit Kombëtar, e më pas të « Rassemblement national », kalojnë nga 11,3 % e votave dhe asnjë deputet në zgjedhjet legjislative të vitit 2002, në më shumë se 33 % dhe 123 deputetë në ato të vitit 2024. Në Itali qeveris e djathta « postfashiste ». Në Gjermani, « Alternative für Deutschland » (AfD), e krijuar në vitin 2013, dymbëdhjetë vjet më vonë fiton një në pesë vota. Në Poloni dhe Hungari, formacionet e së djathtës radikale kanë dominuar jetën politike, ndërsa në Holandë, Danimarkë, Suedi, Norvegji e gjetkë, ato imponojnë diskurset e tyre mbi « kërcënimin migrator », « zëvendësimin e madh » dhe « pasigurinë kulturore ».

Paradoksalisht, studime të shumta dëshmojnë një rënie të bindjeve raciste në vendet evropiane – në kuptimin e besimit në një hierarki të « racave » – dhe, njëkohësisht, një rritje të ksenofobisë, si edhe të ndjenjës se « nuk jemi më në shtëpinë tonë ». Ky perceptim po fiton tashmë terren edhe në radhët e së djathtës tradicionale dhe po banalizohet: « 63 % e francezëve janë në favor të pezullimit të imigracionit të ligjshëm për tre vjet, sipas një sondazhi », të porositur nga CNews dhe të transmetuar nga Le Figaro (28 maj 2026). Shtypi dhe influencuesit e së djathtës ekstreme i bombardojnë çdo ditë rrjetet sociale me kronika të zeza që duket se përforcojnë idenë se, nga kanali Saint-Martin në lagjen e 10-të të Parisit deri te stacioni i Këlnit në Gjermani, e nga rrugët e Belfastit te ato të Romës, popullsitë me prejardhje nga imigracioni me kulturë myslimane kanë marrë kontrollin e hapësirës publike dhe ua imponojnë ligjin e tyre « të bardhëve ».

Në thelb, ajo që e bezdis të djathtën nuk është prania në territorin francez e francezëve me prejardhje afrikane dhe arabe, por fakti që emigrantët dhe pasardhësit e tyre e marrin seriozisht pikërisht atë për të cilën denigruesit e tyre i kanë dyshuar gjithmonë se nuk e pranonin: integrimin, dëshirën për të lëshuar rrënjë dhe praninë me të drejta të plota në hapësirën publike. Nëse racizmi tradicional e ndërtonte hierarkinë racore mbi biologjinë, ksenofobia e sotme ua mohon emigrantëve statusin shoqëror të të barabartëve.

Nga njëra anë, rënia demografike dhe nevoja për fuqi punëtore; nga ana tjetër, refuzimi dhe frika gjithnjë e më e madhe ndaj imigracionit mysliman: si mund të pajtohen këta dy elementë? Përmes një shkëputjeje fashiste. Ose përmes vendosjes graduale të një regjimi juridik të diferencuar, që sanksionon epërsinë e vendasve mbi të sapoardhurit, në mënyrë që emigrantët punëtorë dhe pasardhësit e tyre të përfshihen në një jetë të përbashkët të konceptuar si marrëdhënie nënshtrimi. Edhe pa përmendur skllavërinë apo sistemin « Jim Crow » në Shtetet e Bashkuara, ndërtime të tilla juridike e përndjekin historinë bashkëkohore.

Së pari, regjimi i indigjenatit, i vendosur nga Republika e Tretë në kolonitë e saj. Ai dallonte dy kategori subjektesh: qytetarët, mbajtës të tërësisë së të drejtave politike, dhe indigjenët, të cilët u nënshtroheshin një sërë detyrimesh të posaçme (punë të detyruar, rekuizime, taksa), si edhe sanksioneve dhe kufizimeve specifike, sidomos sa i përket të drejtës së votës. Përditësimi i këtij regjimi në Francën metropolitane nga një qeveri e së djathtës ekstreme do të nënkuptonte zbatimin e një versioni më të zbutur të këtij statusi ndaj atyre shtresave të popullsisë metropolitane që identifikohen si problematike.

Një variant edhe më radikal i këtij modeli haset në vendet e Gjirit: në Emiratet e Bashkuara Arabe, njësoj si në Katar, 20 % e popullsisë gëzon të gjitha të drejtat, ndërsa 80 % e të huajve prodhojnë ose ofrojnë shërbime. Të sjellë nga agjenci private, ata mbahen në kampe banimi të veçuara, pa asnjë perspektivë integrimi.

Edhe pse me një përbërje demografike dhe një histori të ndryshme, aparteidi i vendosur në Izrael u ofron evropianëve një model edhe më domethënës, aq më tepër që ky shtet, i lartësuar nga e djathta radikale, paraqitet si një demokraci. Epërsia e hebrenjve ndaj palestinezëve nuk imponohet vetëm përmes dhunës së paligjshme – kolonizimit, ekzekutimeve jashtëgjyqësore, dhunës së kolonëve, ndalimeve arbitrare dhe torturës ndaj të burgosurve – por edhe përmes miratimit të ligjeve që vendosin një regjim të pabarazisë juridike. Ligji i miratuar nga Knesseti më 19 korrik 2018 përcakton se « e drejta për të ushtruar vetëvendosjen në shtetin e Izraelit i përket vetëm popullit hebre ». Ashtu si shumë ligje të tjera para tij, duke nisur nga « Ligji i Kthimit », ky tekst me vlerë kushtetuese legalizon diskriminimin mbi bazën e prejardhjes, duke i reduktuar johebrenjtë në një status juridik inferior. Edhe pse vepruan në përputhje me këtë ideologji të aparteidit, themeluesit e shtetit u kujdesën të ruanin një fasadë demokratike, duke garantuar në Deklaratën e Pavarësisë së Izraelit « barazi të plotë të të drejtave shoqërore dhe politike për të gjithë qytetarët e tij ».

Miratimi, më 30 mars të këtij viti, nga një shumicë dërrmuese e deputetëve, i një ligji që dënon me vdekje palestinezët e shpallur fajtorë për « vrasje terroriste », por jo hebrenjtë izraelitë autorë të së njëjtës vepër, sugjeron se nuk kemi të bëjmë me një shmangie tjetër nga norma, por me një formë qeverisjeje më vete: një sistem juridik me dy shpejtësi, që sanksionon epërsinë e një pjese të popullit mbi tjetrën.

Është e lehtë të kuptohet se deri në ç’masë ky model mund ta frymëzojë të djathtën ekstreme franceze, nëse ajo do të vinte në pushtet në vitin 2027 dhe do të kërkonte ta zgjidhte kontradiktën mes rënies demografike dhe nevojës për imigracion, pa e tjetërsuar elektoratin e saj. E djathta ekstreme « Rassemblement national » është zotuar se, në rast se vjen në pushtet, mandatin do ta nisë me një referendum të madh për imigracionin, i cili do t’i siguronte « përparësisë kombëtare » një bazë juridike. Projektligji kushtetues « Shtetësia–Identiteti–Imigracioni », i paraqitur nga znj.Marine Le Pen më 25 janar 2024, jep një ide të qartë të drejtimit që synohet: shndërrimin e « përparësisë kombëtare » në një « të drejtë kushtetuese të zbatueshme », shfuqizimin e së drejtës së lindjes (jus soli), ngritjen e « mbrojtjes së identitetit të Francës » në rang misioni republikan dhe synimin për « t’ua ndaluar qasjen në vendet e punës në administratë, në ndërmarrjet publike dhe në personat juridikë të ngarkuar me një mision shërbimi publik personave që kanë shtetësinë e një shteti tjetër ».

Drejt aparteidit

Kjo dispozitë e fundit synon qartazi shtetasit me dyshtetësi, 90 % e të cilëve janë emigrantë ose pasardhës emigrantësh. Ajo bën të mundur anashkalimin e pengesës kushtetuese, e cila ndalon çdo dallim të bazuar shprehimisht në prejardhje. Sepse, nëse një shumicë parlamentare mund t’i nënshtrojë lehtësisht të huajt regjimeve juridike të veçanta, e njëjta gjë nuk vlen për francezët me prejardhje emigrante, një pjesë e madhe e të cilëve gëzojnë shtetësi të plotë. Për t’i prekur pa i emërtuar si të tillë, e djathta ekstreme « Rassemblement national » mund të mbështetet te kategori zëvendësuese, mjaftueshëm të lidhura me këtë prejardhje për të prodhuar pasoja të ngjashme. Përveç dyshtetësisë, shenjat fetare – si ndalimi i shamisë në hapësirën publike – ose kriteri territorial përbëjnë leva të tjera veprimi. Edhe pse nuk i veçon popullsitë sipas prejardhjes së tyre, ky kriter bën të mundur përqendrimin e masave të posaçme në hapësira ku jetojnë në numër të madh emigrantët dhe pasardhësit e tyre.

Në fakt, drejtuesit politikë tashmë po e zbatojnë këtë logjikë: kontrolle identiteti të përqendruara në lagjet popullore, vepra penale e qëndrimit në hyrjet e pallateve, operacionet « Place nette », të vendosura kryesisht në lagjet e komplekseve të mëdha të banimit, si dhe « lagjet e ripushtimit republikan » (quartiers de reconquête républicaine – QRR), të krijuara nga z.Emmanuel Macron për ta territorializuar veprimin policor. Me shpërthimin më të vogël të trazirave, përfaqësuesit e së djathtës tradicionale dhe të së djathtës ekstreme kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendosjen e orës policore dhe zbatimin e « masave të jashtëzakonshme » për këto lagje, të cilat znj.Marine Le Pen dhe znj.Valérie Pécresse i cilësojnë si « zona jo-Francë ». Në duart e një qeverie të « Rassemblement national », këta mekanizma, të zgjeruar dhe të ndërthurur me kufizime të tjera, do ta forconin arsenalin ligjor të drejtuar kundër të drejtave të të huajve, por edhe të francezëve me prejardhje nga emigracioni jashtëevropian.

Një zhvillim i tillë do të lehtësohej nga një reagim i dyfishtë antiversalist, që vepron prej një çerek shekulli. I pari është ai i së djathtës, e cila ushqen pandërprerë idenë se popullsitë myslimane janë të papajtueshme me idealin republikan, duke i identifikuar tashmë me terrorizmin dhe obskurantizmin. I dyti vjen nga një pjesë e së majtës, e cila ngre në piedestal veçantitë kulturore ose fetare të pakicave.

Kështu, pa shkuar deri aty sa z.Benjamin Netanyahu dhe pa e grisur velin e dukjes demokratike, një qeveri e së djathtës ekstreme do të kishte në dispozicion një mori instrumentesh për t’ia rikthyer elektoratit të vet atë « ndjenjë sigurie » që, sipas tij, ia ka rrëmbyer prania e emigrantëve « të lirë dhe të barabartë para ligjit ».

Rivendosja e rendit: në vend të rrugës ushtarako-policore të fashizmit klasik, e djathta ekstreme « Rassemblement national » me shumë gjasë do të parapëlqente një rrugë më të zbatueshme – një operacion njëkohësisht sigurie dhe simbolik, që synon t’i « rikthejë emigrantët në vendin e tyre ». Në atë vend që ndodhet në fund të shkallës shoqërore, aty ku në vitet 1970 gjendeshin punëtorët e specializuar (OS) në industrinë e automobilëve ose në bujqësi.

Këta punëtorë të sapoardhur emigrantë, pa të drejta, pa familje, pa mbështetje politike, në mëshirën e pronarëve abuzivë të banesave dhe të mbajtur nga drejtuesit e ndërmarrjeve larg punëtorëve profesionistë francezë ose emigrantëve të vendosur prej kohësh, endën rrjetën e « tridhjetë viteve të lavdishme » (les trente glorieuses), për të cilat edhe sot njeriu i së djathtës shpreh nostalgji: « dikur ishte më mirë », sigurisht, sepse një arab nuk do ta kishte parë sy më sy në rrugë.

A do të përballej një apartheid « à la française » me një rezistencë shumicë? Në të majtë, pa dyshim. Por, a do të mjaftonte kjo? E djathta, e magjepsur nga « modeli izraelit » i sigurisë dhe i politikës së jashtme, tashmë denoncon këdo që guxon ta vërë atë në diskutim. « Rikujtimi nga evropianët i parimeve të mëdha të së drejtës ndërkombëtare është i lavdërueshëm, por këto thirrje parimore nuk sjellin ndonjë rezultat konkret », shprehej gazetari Guillaume Roquette në Le Figaro Magazine (6 mars 2026), duke komentuar « spastrimin e madh » izraelit në Lindjen e Mesme. Kjo e përjavshme, e vendosur në kryqëzimin mes së djathtës tradicionale dhe së djathtës ekstreme, shpreh një logjikë që, pa dyshim, do të përdorej edhe për të justifikuar rrënimin e rendit juridik francez nga e djathta ekstreme, nëse ajo do të vinte në pushtet.

Për t’iu kundërvënë kësaj prirjeje, si në këtë terren ashtu edhe në atë ekonomik, e majta ka një busull politike, një program dhe një parullë: barazinë.

Botime të tjera