Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Ana e fshehur e mrekullisë portugeze

E përmendur disa herë si kundërshtuese e Komisionit Europian dhe si nxitëse e rritjes së fuqisë blerëse, qeveria portugeze, tashmë është në vështirësi. Shumë lëvizje shoqërore po tensionojnë situatën në vend, si greva e shoferëve të kamionëve për paga më të mira. Në kulmin e vapës, madje, kryeministri kërkoi të shtonte kamionët për të furnizuar stacionet e shërbimeve. Lufta kundër punëve të përkohshme dhe për rritjen e fuqisë blerëse prekin jo vetëm pagat e sektorit publik, por edhe ato privat.

« Çfarë duam ne? Shtëpi për të gjithë! », bërtasin në grup prej nja pesëdhjetë personash përpara ndërtesës gri të ministrisë së strehimit. Në këtë mëngjes të 4 qershorit 2019, militantët e Stop Despejos (« Jo dëbimeve ») dhe një grusht familjesh lisboneze të kërcënuara me dëbim, nuk kanë ndërmend të mërziten.

Disa ditë më parë, zonja Maria Nazare Jorge, 83 vjeçe që banonte në qendër të kryeqytetit Lisbonë është nxjerrë jashtë nga shtëpia prej nja dhjetë ploicësh. « Ajo jetonte prej dyzetë vjetësh në atë apartament. Kontrata e qerasë ishte në emrin e tezës së saj, që vdiq nuk ka pak kohë », tregon zonja Sandra P. e « Stop Despejos ». Qiraja e saj ishte 200 euro në muaj. Me qenë se çmimi i qerave të banesave në qendër të kryeqytetit është rritur ndjeshëm, pronari do të përfitojë dhe e ka dëbuar». Përreth një ore, anëtarët e këtij grupi manifestojnë duke tundur pankartat në të cilat shkruhet : « Banimi është në krizë » ose « Jo spekulimit imobiliar !», ndërkohë që një delegacion i vogël është lejuar që të hyjë në ndërtesën e ministrisë. Shefja e kabinetit e ministres deklaron në mënyrë lakonike : « Maria Nazaré Jorge është strehuar përkohësisht derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare ». “Qysh nga nxjerrja forcërisht prej banesës ajo është dërrmuar dhe ka humbur gjithë kursimet”, thotë Sandra P. “Jeton e izoluar në lartësitë e Kastelos, lagjes më turistike të qytetit, ku e vetmja mënyrë e transportit publik, i famshmi tramvaj 28, është plot e përplot me pushues…”

 Më 2012, guvernatori i qendrës së djathtë z.Pedro Passos Coelho (2011-2015) modifikoi ligjin për banesat në favor të pronarëve, duke lehtësuar kështu rritjen e qerasë që pati si përfundim ndërprejen e qerave të vjetra dhe dëbimin e qiramarrësve në rastet kur ata nuk rinovonin kontratën me çmime të reja. E asfiksuar nga kriza e borxheve që nga viti 2008, Portugalia në vitin 2012 ra në rrjetën e « trojkës », aleanca e Fondit Monetar ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian. Këta i rekomanduan prishjen e tregut imobiliar dhe zhvillimin e ofertës turistike si kusht për dhënien e ndihmës prej 78 miliard eurosh. Qysh atëherë, Lisbona u përdor për të rritur « atraktivitetin fiskal », duke stimuluar tregun imobiliar. Krijuar në vitin 2012, « vizat e arta », lejeqëndrimi prej pesë vjetësh akorduar të huajve që blejnë të mira imobiliare për më shumë se 500.000 euro, bënë që në ekonominë portugeze të injektohen 4 miliard euro kapital në këtë sektor. Kësaj i shtohet edhe statusi i rezidentit jo të përhershëm (RNH), garanci e një regjimi fiskal avantazhues për shumë pensionistë evropianë që zgjedhin të vendosën në Portugali dhe gjejnë aty një banesë.

« Një ligj tjetër, ai i vitit 2014 që rregullon vendbanimet e tipit Airbnb, u lejon pronarëve të fitojnë 3000 euro në muaj duke iu dhënë me qera turistëve një banesë që një portugezi do t’ia jepnin me 300 euro, shton Luis Mendes, gjeograf dhe anëtar i Mora rem Lisboa (« Të banosh në Lisbonë »), platformë e rreth dyzet shoqatave për të drejtën e banesës. Në disa lagje të qendrës, më shumë se një në dy banesa është dhënë me qera përmes Airbnb. Ky liberalizim i tregut të banesave ka çuar në nxjerrjen jashtë banesës të një deri në tre familje çdo ditë. Edhe klasat e mesme tani kanë vështirësi në strehim ! » Me një rritje të banesave turistike prej 3000% brenda dhjetë vjetësh, që nga viti 2018, Lisbona është qyteti evropian që numëron më shumë rezidenca Airbnb për banorë, përpara Barcelonës dhe Parisit. Ndërkaq, « në katër vjet qeveria e majtë ka reaguar shumë pak përballë këtij arsenali masash neoliberale, që favorizojnë financimin e pronarëve të banesave », deklaron Mendes.

Përjashtime fiskale për të pasurit që jetojnë jashtë

Në nëntor 2015, qeveria e kryeministrit socialist Antonio Costa erdhi në pushtet duke shpallur vullnetin se do të zbuste masat e ashpra të parashikuara nga « trojka ». I mbështetur në Parlament nga Blloku i Majtë, Partia Komuniste portugeze (PCP) dhe ekologjistët në saj të marrëveshjeve dypalëshe – një koalicion i quajtur ‘La geringonça’ – , ekzekutivi vuri në veprim një politikë të rritjes së fuqisë blerëse, gjithë duke ndërhyrë në rregullimin e llogarive publike. Qeveria rivlerësoi pensionet më modeste duke e rritur pagën minimale deri në kufirin e paluajtshëm të 485 eurove bruto në muaj (për katërmbëdhjetë muaj) deri në 2014 dhe në vitin 2019 ajo e kaloi shifrën e 600 eurove – dhe ka zgjeruar bazën e pagesës për minimumin jetik.

Dhe rezultatet janë të shndritshme. Në qershor 2017, Portugalia doli nga procedura deficitit të rënduar në të cilën gjendej qysh prej 2009. Përqindja e papunësisë është ulur ndjeshëm, duke kaluar nga 12% më 2015 në 6.3% më 2019 dhe qeveria synon ta arrijë një deficit publik përafërsiht në zero për vitin 2019, ndërkohë që ka stabilizuar akoma me 4.4% rritjen e prodhimit të përgjithshëm bruto (PIB) që në vitin 2015 : e para shifër e arritur nga rikthimi i demokracisë në vitin 1974. Rritja « kulmoi » që nga 2017 me 2.8%, një rekord që nuk njihej prej shtatëmbëdhjetë vjetësh.

Nga New York Times te Le Monde, nga Figaro te Economie e te Financial Times, shtypi përshëndeste « mrekullinë e ekonomisë portugeze ». Ndërsa e majta europiane duartrokiste këtë rinisje të veçantë, udhëhequr nga z.Costa, që diti t’i kthejë shpinën dogmës së masave të ashpra imponuar nga Brukseli. Gjatë fushatës presidenciale në Francë në vitin 2017, kandidati socialist Benoit Hamon, shkoi e takoi z.Kosta në Lisbonë. Nga ana e tij z.Jean-Luc Mélenchon (France insoumise) i referohej « modelit portugez » për ta lartësuar programin e tij elektoral.

Ky sukses u përkthye në rezultate të mira në zgjedhjet e fundit evropiane megjithë abstenimin e fortë. Zëvendës-sekretari i shtetit për çështjet parlamentare, socialisti Duarte Cordeiro, i kënaqur me rezultatin e partisë së tij, ulur në kolltukun e zyrës së tij elegante në zemër të Asamblesë Parlamentare të Republikës, nënvizon : « Disa muaj deri në zgjedhjet parlamentare të tetorit, ne e kemi rritur numrin e parlamentarëve me 33.4% të votave. Ne nuk kemi tetë, por nëntë deputetë socialistë në parlamentin evropian. Është kjo një shenjë e mbështetjes së gjerë popullore për logjikën aktuale të Partisë Socialiste (PS) dhe të partive që mbështesin qeverinë. »

Megjithatë, PS-ja portugeze duket se është ambientuar pa shumë vështirësi me aplikimin e masave neoliberale të pararendësve të saj. Siç janë psh., masat që nxisin pronarët imobiliarë që t’ua japin me qera banesat më parë turistëve sesa banorëve vendës, përjashtimi nga taksat për të tërhequr investitorët kinezë dhe rusë. « Vizat e arta dhe statusi i RNH-së janë dy objekte mbi të cilat qeveria nuk e ka riformuluar politikën e saj, pranon z. Kordeiro. Por ne jemi të gatshëm për të reflektuar, natyrisht gjatë legjislaturës së ardhshme. »

Me të vërtetë ? Në janar 2019, z.Costa përuroi një regjim të shoqërisë imobiliare, frymëzuar prej Real Estate Investiment Trust, një model që të lejon ta transformosh investimin imobiliar në investim financiar falë avantazheve fiskale. Për më tepër, në të njëjtën logjikë si statusi i RNH, qeveria, qysh nga korriku i 2019-s ofron një zvogëlim me 50% të taksave për të ardhurat gjatë pesë vjetëve për të gjithë portugezët, të cilët, të larguar gjatë peridhës së ashpër të masave të trojkës, vendosin të kthehen në atdhe. Gjatë viteve 2010 dhe 2015, në periudhën më të nxehtë të masave ekonomike të ashpra e shtrënguese, 500.000 persona, pra 5% e popullsisë, emigroi në fakt. Objektivi i kësaj mase : t’i inkurajojë me taksa të ulëta të rinjtë e diplomuar dhe të pasur, të vijnë e të investojnë në Portugali. Një ndihmë të cilën nuk mund ta marrin ata që nuk kanë pasur mjetet për të emigruar gjatë viteve të masave të ashpra ekonomike.

Të nesërmen e aksionit Stop Despejos, Mora rem Lisboa organizoi një debat me temë kalimin rishtas të banesave Airbnb në administrim nga bashkia. Në një sallë të vogël me perde të trasha, dy hapa larg muzeut të traditës muzikore « fado », një lagje e ulët e Alfamas, debatet e ndezura shuhen vetëm kur bie nata. Zonja Lurdes Pinheiro e shoqatës së lagjes, shpërthen : « Affama po kthehet në një park tërheqës. Të gjitha ndërhyrjet urbanistike të bashkisë janë drejtuar për turistët dhe për lizbonasit. Është një barbari arkitekturore që po shkatërron pasurinë tonë !»

Disa rrugica më tej, bashkia socialiste ia ka dhënë pallatin Santa Helena, një ndërtesë antike e pagëzuar në shekullin XVI, Stone Capital, një nga promotorët kryesorë imobiliarë të qytetit. Dy vëllezërit, në krye të këtij grupi privat, francezët Artur dhe Geofroy Moreno, e kanë transformuar në apartamente luksi. « Nga ana tjetër e kodrës së Alfamës. Stone Capital ka privatizuar një oborr të lashtë me pemë dekorative, i konsideruar si mushkëria e gjelbër e lagjes Graça, thotë zonja Ana Jara, arkitekte dhe këshilltare e opozitës në bashki (PCP). Projekti i saj është që të ndërtojë një rezidencë të mbyllur luksi, pa konsultim publik dhe pa studim ambiental.

Lisbona, terreni i lojërave të investitorëve

Pas zgjedhjeve për pushtetin lokal, që rikonfirmuan kryetarin socialist të bashkisë Fernando Medina, projektet urbane të hapësirës nuk kaluan në sitën e këshillit bashkiak. Ato janë vlerësuar drejpërdrejt nga zëvendëskryetari i bashkisë, i ngarkuar me urbanistikën. M. Manuel Salgado, që kishte këtë funksion deri në gushtin e shkuar, për dymbëdhjetë vjet ka qenë « mjeshtri i strategjisë së menaxhimit urban neoliberal, objektivi themelor i të cilit ka qenë ta kthejë Lisbonën në një tokë pjellore për investimet financiare », thotë zonja Jara.

« Ka akoma pesë vjet që një në tri ndërtesa në Lisbonë është shkatërruar, degraduar ose është bosh », na thotë Mendes. Qysh se tregu i lëvizshëm i rehabilitimit të kryeqytetit i është besuar sektorit privat, projekte të mëdha urbanistike janë rrëmbyer nga M. Sangado. Në veri të kryeqytetit, e ardhmja e Torre Portugalia, një kullë që ka banesa luksoze brenda saj, ka nxjerrë në pah zemërimin e lisbonasve. Nga ana tjetër, në lagjet e varfëra, projekti Lisbon South Bay, parashikohet të jetë operacioni më i madh i rikualifikimit urban që nga ekspozita ndërkombëtare e 1998-s. Në program : qendra e kongresit, marina dhe hotele luksoze. Promotorët e kësaj nisme çmojnë se ky projekt « do ta përforcojë statusin e Lisbonës si destinacion i turizmit dhe investimeve » (Publico, 14 maj 2019). Kryeqyteti sot është bërë një terren i tillë lojërash për investitorët ndërkombëtarë sa që z.Medina ishte e ftuar në pranverën e vitit 2019 në klubin Bieldberg një mbledhje diskrete vjetore e elitave politike dhe ekonomike perëndimore.

Kjo politikë e rrëmbimit të të mirave publike, e shkatërrimit të së drejtës të banimit në kryeqytetin portugez kanë për qëllim të lehtësojnë dobësinë e madhe të investimeve të qeverisë së z.Costas. Sepse, që prej ardhjes në pushtet të socialistëve, çantat e portugezëve janë zvogëluar ashtu siç nuk kanë qenë qysh nga viti 1974. Më 2018 madje, vendi ka qenë investitori më i dobët publik i zonës euro.

Arsyet e kësaj zgjedhjeje politike ? Ankthi i qeverisë socialiste është ta respektojë ortodoksinë buxhetore të imponuar nga traktatet europiane. Ringritja e ekonomisë ka shërbyer kështu jo vetëm si prioritet për përmirësimin e kushteve të jetës së portugezëve, por edhe për reduktimin e borxhit, vlerësuar me 120% të PIB. « Një pjesë e madhe e PS-së dëshiron të ruajë një marrëdhënie paqësore me sektorin bankar dhe institucionet evropiane, për t’u dukur si një nxënës i mirë në sy të Europës, shton José Gusmao, drejtues i Bllokut të majtë dhe eurodeputet. Objektivi final është të zvogëlohet borxhi i brendshëm për të respektuar tavanin e fiksuar nga Brukseli deri në 60% të PIB. Por, duke vështruar ritmin aktual të reduktimit të borxhit- ajo që është utopike – do të duhej që ne të privoheshim nga investimet publike për të paktën edhe dy dhjetëvjeçarë… » Z.Cordeiro pranon : « Divergjenca kryesore me ne partnerët e majtë mbetet ritmi i reduktimit të borxhit. Ato nuk përputhen me objektivat tanë buxhetorë. Ne i përmbushim ato plotësisht. »

Kjo ashpërsi është vënë në jetë nga ministri i financave  Mario Céntenao, ekonomist liberal i diplomuar në Harvard dhe presidenti aktual i Eurogrupit. Më shumë se të investojë në sektorin publik, z.Centeno ka fryrë rishtaz arkat e Novo Banko, një bankë private që kishte falimentuar gjatë krizës për shkak të aktiviteteve të saj spekulative : 1.9 miliard euro para publike. Vendimi provokoi zemërimin e së majtës radikale dhe të komunistëve të cilët akuzuan ministrin që preferonte « të shëndoshte » bankat private më shumë se të kryente investimet e nevojshme në vend.

Universitetet janë në prag të falimentimit; sistemit shëndetësor i mungojnë mjetet materiale dhe personale. Sektori publik i infrastrukturës hekurodhore ka shpallur se 60% e linjave të trenave janë në një gjendje « të keqe » ose « mediokre ». Sa u takon banesave sociale, ato nuk zënë më shumë se 2% të fondit imobiliar. « Një ligj kuadër mbi banesat sapo është miratuar në Parlament, por pak a shumë ne e dimë se si ka për të përfunduar ai, psherëtin zonja Rita Silva, e shoqatës për të drejtën e banimit « Habita ». Megjithë disa masa pozitive, nuk ekziston asnjë vullnet politik për të investuar para publike në strehim. Dhe Antonio Costa ka pohuar tashmë se ky ligj nuk duhet të vërë në diskutim liberalizimin e tregut imobiliar. »

Simptomat e këtij tensioni mes disiplinës buxhetore dhe politikave sociale : greva e fundit e mësuesve. Duke dashur të përfitojnë nga përmirësimi ekonomik, këta të fundit kërkojnë rritjen e pensioneve, të ngrira gjatë nëntë vjetëve për shkak të ashpërsisë buxhetore. Por në 3 majin e shkuar, kryeministri e cilësoi këtë miratim të të tilla shpenzimeve nga Parlamenti si « bombë buxhetore » që kërcënonte të prishte « ekuilibrin e shpenzimeve publike » dhe që do të kompromentonte « besueshmërinë nëdrkombëtare » të vendit. Pasi qeveria kërcënoi me dorëheqje, mësuesit arritën të përfitojnë vetëm një ngritje të pjesshme të pensioneve të tyre me përllogaritje vetëm për dy vjet e nëntë muaj.

« Vendi ka mbetur i bllokuar nga dëshira për të kënaqur kërkesat e Brukselit, analizon José Reis, kërkues shkencor i ekonomisë në Universitetin e Coimbras dhe koordinator i Observatorit të krizave dhe alternativave. Një luftë e vështirë është bërë për të rivlerësuar të ardhurat e ulëta brenda kuadrit të buxhetit evropian, por niveli i përgjithshëm i pagave nuk ka arritur ende atë të para krizës financiare. Përse ? Sepse rritja ekonomike, mes të tjerash, mbështetet në punën sezonale dhe me kosto të ulët.

Më shumë se asnjëherë tjetër punëtorë të përkohshëm

Ulja spekakolare e papunësisë fshihet në fakt pas punonjësve të paguar keq dhe pak të kualifikuar. Sipas studimeve kushtuar kësaj çështjeje, gjysma e të punësuarëve sot janë me kontratë me kohë të përcaktuar. Që nga ardhja e « trojkës », nuk ka pasur asnjëherë kaq punëtorë të përkohshëm : 73 000 më shumë se në 2011-n. Gjysma e orëve shtesë të kryera, nuk ishin paguar në vitin 2018. Në radhë të parë janë të rinjtë. 65% e tyre janë me kontratë të përkohshme, dhjetë përqind më shumë se dhjetë vjetë më parë. « Sa i takon legjislacionit të punës ne kemi përparuar shumë pak, mamë shumë kemi bërë regres, shpjegon z. Gusmao. Me ndihmën e së djathtës dhe të patronatit, qeveria ka validuar si të ligjshme kontratat e përkohshme me koëhzgjatje të pakët, rezervuar më parë për sektorin turistik. Në tërësi ajo që geringorça mundësoi që të ndërtohej një rivlerësim i pagave, qeveria e minoi përmes pagesave për punë të përkohshme.

Ndërkohë që mes 2009-s dhe 2018-s, totali i eksporteve kaloi nga 27% në 43% të PIB – një rritje e konsiderueshme – portet industriale paraqisnin kështu një sfidë të madhe për ekonominë. Mirëpo konkurenca e porteve te eksporti portugez mbështetet mbi shfrytëzimin e një krahu pune fleksibël dhe në shkurtimin e pagave të punëtorëve. « Në kapërcyell të 2013-s, pushteti votoi një ligj për liberalizimin e veprimtarisë portuale që solli si pasojë dobësimin e kushteve tona të punës, tregon z.Antonio Mariano, president i sindikatës së hamejve dhe logjistikës (Sindicato des dockers e da Actividade, Logistica, SEAL). Kjo ka çuar drejt një forme të gjerë të nënkontraktimit.

Në gusht 2018, SEAL-i shpalli një grevë në solidaritet me punëtorët e portit të Setubalit, nja pesëdhjetë kilometra nga Lisbona, ku 90% e dokerëve dhe logjisticientëve ishin në atë kohë me kontrata ditore. « Këta punëtorë sezonalë nuk përfitojnë as leje, as sigurime shoqërore dhe as shëndetësore në raste sëmundjesh apo aksidentesh në punë. Disa mund të kontraktohen dhe të ç’kontraktohen dy herë brenda një dite, me qëllim që t’i mbajnë lidhur për të punuar deri në gjashtëmbëdhjetë orë në ditë », shpjegon z.Mariano. Setubali është porti i eksportit strategjik të Autoeuropea, uzina e grupit Volgsvagen, prej nga dalin më shumë se njëqind mijë automobila në vit dhe e The Navigator Company, një nga peshat më të rënda të industrisë së letrës.

« Përballë lëvizjes sonë kundër punës sezonale deri në ekstrem, qeveria Costa është çliruar nga përgjegjësia duke argumentuar se kjo është një çështje që ka të bëjë me sektorin privat,  tregon presidenti i SEAL. Më 22 nëntor, kur porti ishte paralizuar, shteti dërgoi forcat e policisë për të thyer grevën me qëllim që të ngarkohej një sasi veturash të Autoeuropea… » Ministri i detit, socialistja Ana Paula Vitorino ishte e shqetësuar më shumë për autoveturat Volkswagen që pritnin të ngarkoheshin dhe të eksportoheshin se për kushtet e dokerëve.

Fundi i 2018-s, lufta e SEAL solli një marrëveshje sipas së cilës punëtorët e Setubalit formuan një konventë kolektive. « Megjithatë, ligji i 2013-s për punën në porte mbetet në fuqi, megjithë ndërhyrjet e shumta të ministrisë së detit ose të komisioneve parlamentare që mbështeten në legjislacionin e punës. Sot në tërësinë e porteve të vendit 25-50% e punëtorëve janë punonjës ditorë të nënpaguar, vijon z. Mariano. Por dokerët nuk janë të vetmit që janë prekur nga vala e përkohshmërisë. Shteti kërkon të rrisë produktivitetin duke thyer pushtetin e negociimit të punëtorëve. »

Dyqind kilometra në veri të Lisbonës, në zemër të Portugalisë, qyteti i vogël i Pedrogao Grande duket si i thërmuar nga dielli. Për të arritur atje duhet të hysh nëpër një labirint rrugësh në mes të një peizazhi të gjerë zhgënjyes. Në qershor 2017, zjarre monstruoze i katandisën në hi dhe trungje të shkrumbuara tridhjetë mijë hektarë pyje dhe shkatuan vdekjen e shtatëdhjetë personave. Shumica u plagosën duke dashur të shpëtonin nga zjarret përmes rrugës kryesore, të cilën autoritetet nuk e kishin mbyllur në kohë. Kjo tragjedi kombëtare ka zgjuar një emocion të madh. Për të shpjeguar shkaqet e këtij zjarri, më vdekjeprurësi në historinë e vendit, shumë kanë nënvizuar mungesën e mjeteve njerëzore dhe materiale. Zjarrëfikësit, në shumicë vullnetarë në Portugali, janë të përgatitur keq dhe sistemi i komunikimit mes ndihmës së shpejtë (Siresp), frut i një partneriteti publik-privat është gjykuar i falimentuar prej dhjetëra vjetësh.

 Qeveria e z.Costa ishte në qendër të kritikave të ashpra. Pasojë e ashpërsisë ekonomike dhe nivelit të ulët të investimeve publike, shkatërrimi i shërbimit pyjor, privatizimi i mjeteve ajrore kundër zjarreve dhe shkurtimi i buxhetit për politikat e mbrojtjes së pyjeve, u zbatuan edhe nga ekzekutivi socialist. Mes 2006-s dhe 2016-s efektivat e policisë pyjore u reduktuan me një të tretën. Një çmenduri në një vend që ka sipërfaqen prej 32% të mbuluar me pyje dhe ku zjarret shkatërrojnë mesatarisht njëqind mijë hektarë çdo vit.

Kultura intensive e eukaliptit në fakt është inkriminuar. Kjo pemë me origjinë australiane e njohur për varfërimin njëherësh të tokës dhe të biodiversitetit është edhe shumë e ndjeshme ndaj zjarrit. Mirëpo pronarët e vegjël të pyjeve e mbjellin atë masivisht që prej njëzet vjetësh : sepse nuk kërkon asnjë ndërhyrje dhe rritet shumë shpejt. Esenca e saj, siç dihet, shitet si lëndë e parë në industrinë e letrës, përkatësisht te The Navigator Company. « Eukalipti përfaqëson sot ¼ e pyjeve portugeze. Është fjala për llojin më të përhapur në territor, denoncon Lidhja për mbrojtjen e natyrës (LPN). Portugalia numuron densitetin më të lartë të eukaliptit. Kjo pemë e shpallur prej shtetit si « nafta jeshile », perceptohet si motorri i ekonomisë.

The Navigator Company realizon 3% të eksporteve kombëtare, domethëne e treta në rendin e eskportuesve të vendit. « Nga 2002-2004 qeveria e José Manuel Borroso negocioi me këtë ndërmarrje me qëllim që të intensifikonte zhvillimin e saj ekonomik, na thotë zonja Nadia Piazza, e cila ka humbur djalin e saj 5 vjeç gjatë dramës së qershorit 2017 dhe që drejton Shoqatën e viktimave të zjarrit të Pedrogao Grande.Që atëhere, qeveritë lokale me sy mbyllur, kanë dhënë autorizime që pronarët e vegjël të mbjellin eukalipte. Politika pyjore është ndërtuar mbi përfitimin e shpejtë, me pemë që rriten shpejt në zonat rurale më të pafavorizuara. » Në shtim të kësaj dhe pavarësisht dhimbjes së shoqatave të mbrojtjes së mjedisit, qeveria e z. Passos Coelho ka liberalizuar kulturën e eukaliptit për parcelat me më pak se dy hektarë, pra për më shumë se 80% të sipërfaqes pyjore, duke e transformuar Portugalinë në « Eucalyptugal », sipas shprehjes së ekologjistëve.

« Pedrogao Grande është një nga komunat më të varfra të vendit. Një e treta e 2500 banorëve tanë që janë më shumë se 65 vjeç marrin një pension më pak se 300 euro në muaj, dëshmon z. Valdemar Alves, kryetar bashkie i PS-së i komunës. Të mbjellësh disa eukalipte në parcela të vogla, do të thotë të sigurosh një të ardhur modeste për të mbijetuar ». Veç kësaj, popullsia e fshatit është rrudhur dhe zvogëluar gati përgjysmë gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit. « Të gjithë të rinjtë shkojnë në Lisbonë për të kërkuar punë, shpreh keqardhjen kryetari i komunës. Ky eksod rural ka bërë që të braktisën fushat me pyje, të cilat të pamirëmbajtura e lehtësojnë përhapjen e zjarreve. » « Ne kemi humbur jo vetëm të afërmit, por, gjithashtu edhe shpresën, na thotë duke psherëtirë zonja Piazza. Të gjithë sikur provojmë ndjenjën e braktisjes. »

Asnjë ambicie për ta ndryshuar skenarin aktual

Territori që rrethon bashkinë është rudhur në një tërësi kodrash i gri ku të humbet vështrimi ose me fidanë të lartë eukalipti që dalin nga toka ashtu si djalli nga shishja. « Zjarret e favorizojnë përhapjen e kësaj bime si dhe sjelljen e saj prej pushtueseje…», na shpjegon LPN. Pas tragjedisë së qershorit 2017 dhe me krizën e rënduar të zjarreve, qeveria i rrit efektivët në terren, përforcoi mjetet ajrore dhe i bleu te privati për 7 million euro rrjetin e sigurisë Siresp. Mirëpo kryeministri ka emëruar në krye të Agjencisë për ruajtjen e integruar të zjarreve  rurale, në strukturën kombëtare të koordinimit dhe planifikimit të luftës kundër zjarreve krijuar në fillim të 2019-s, z. Tiago Martins de Oliveira, ish- kuadrin e The navigator Company. Sa u takon programeve të reja rajonale të menaxhimit pyjor, hyrë në fuqi këtë vit, ata preferojnë eukaliptin për të gjitha operacionet e mbjelljes dhe të ripyllëzimit në 95% të territorit. « Programet e reja nuk dëshmojnë asnjë ambicie për të ndryshuar skenarin aktual dhe funksionimin sipas modelti bisness us usual », përfundon LPN-ja.

Që nga viti i shkuar, shenjat tregojnë se bumi ekonomik i Portugalisë është duke u shuar. Pas shtatë vjetësh ngritjeje të pandërprerë, rritja e numrit të turistëve është zvogëluar ndjeshëm në vitin 2018 – një rritje prej 3.8% përkundrejt 9.1% në 2017. Në qershor, Banco de Portugal vuri alarmin për një mundësi për « një ndërprerje brutale » të efikasitetit spekulativ në tregun imobiliar. Dhe nëse rritja ekonomike në vitin 2017 ishte 2.8%, ajo ka filluar të rrudhet në 2018 (2.1%) dhe në vitin 2019 parashikohet 1.7%.

Me dëshirën që të vërë në drejtpeshim ashpërsinë e buxhetit me rregullimin social, qeveria e z.Costa a nuk ka ndërtuar më shumë një mirazh sesa një mrekulli ? « Geringonça ka qenë një laborator politik, një përvojë e re e së majtës, përfundon Reis. Mirëpo, në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit, një çështje shtrohet : a mund të vazhdohet kështu ? »

Botime të tjera