AntiKÇK me syze të errëta

352

Duke marrë shkas nga atentati ndaj prokurorit Arjan Ndoji, që udhëtonte në makinë me një eksponent të krimit, kryeministri Edi Rama do të palarajmëronte në nëntor 2019 një paketë kundër të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai do t’i quante disa nga prokurorët dhe gjyqtarët që nuk e kanë kaluar ende Vettingun si grupimi ‘kap çfarë të kapësh’. Pikërisht, ky epitet i vendosur gjatë fjalimit plot batuta do të kthehej në shkurt të këtij viti në një paketë ligjore të Qeverisë së Shqipërisë.

Sot, ekranet e shqiptarëve po ndeshen përditë me zëdhënësen e Operacionit Forca e Ligjit, që në daljen e saj të parë nuk la shije të mirë te publiku. E komentuar gjatë për syzet e saj të errëta dhe e justifikuar më pas nga zyrtarët se ato syze janë pjesë e uniformës, sot të gjithë janë gjithë sy e veshë nga ajo. Arsyeja është e kuptueshme. Kurioziteti nga të gjithë palët se cilit eksponenti të krimit i ka trokitur këtë radhë OFL në derë është po aq i madh sa dëshira për ta parë krimin të gjunjëzuar një herë të vetme.

Megjithatë, nisma AntiKÇK ka ngritur pikëpyetje të mëdha rreth transparencës, selektimit të emrave që u shkon formulari për pasurinë, apo seriozitetit dhe fuqisë ligjore mbi ta. Paralelisht me deklaratat e përditshme ecën edhe dilema e qytetarëve: Po a do të trokasë OFL në dyert e politikanëve të korruptuar? Vilat tashmë të deklaruara nga vetë politika kanë vite që ngjallin zemërimin e qytetarëve. Nuk është zili, por revolt natyrore ndaj karshillëkut që u bën pasurimi i dyshimtë, me gjasë mbi kurrizin e vetë taksapaguesve.

Kësaj pikëpyetje është përpjekur t’i japë shpjegim iniciatori i OFL-së, Edi Rama. Herë në deklaratat e tij verbale e herë duke iu përgjigjur komentuesve në Facebook, Rama i mëshon idesë se politikanët i deklarojnë të ardhurat e tyre në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Nga pikëpamja ligjore kjo përgjigje është e saktë, por e pamjaftueshme kur qytetari e di se në ILDKPKI letrat kopsiten sipas orekseve të politikës dhe se ky institucion nuk ka referuar në Prokurori ndonjë rast serioz pasurimi nga zyrtarët e lartë, deputetët apo kryebashkiakët.

Sot, kur opozita është pozicionuar hapur kundër “AntiKÇK” dhe kur mazhoranca mjaftohet me formularët ndaj eksponentëve të krimit të organizuar, qytetarët mbeten ende të habitur. Për dikë, emrat e krimit kanë shërbyer si ‘Robin Hudë’ apo policë kur shteti ishte i rënë me fytyrë për tokë. Fjala bie, në vitin e trazuar 1997. Për shumicën, emrat e tyre ngjallnin një panik që i detyronte të ngujoheshin apo të largoheshin nga vendi.

Por të gjithë e dinë se aktiviteti i tyre kriminal nuk do të lulëzonte pa ndihmën e politikës nga çdo krah. Në thelb, vetë kapitalizmi është krim i organizuar, ka thënë dikush. Për ta rrëzuar këtë thënie, nevojitet së pari që të përmbushet oreksi i qytetarëve për të parë politikën prapa hekurave, apo të katandisur pa pronat e korrupsionit. Mozaiku me makina luksoze, pushime jashtë vendit dhe fëmijë që shkollohen në Perëndim kundrejt parave, duhet të shkatërrohet. Më pas lufta ndaj kriminelëve që pasurinë ia kanë marrë njëherë, qyshse kanë rënë në pranga, mund vijojë si një punë e zakonshme e çdo policie në rruzullin toksor. Edhe pa syze të errëta.