“Heshtni !”

863

Më 9 janar 2021, njëmbëdhjetë ditë para përfundimit të mandatit të z.Donald Trump, përderisa e patën braktisur edhe disa republikanë, Twitter vendosi ta mbyllë llogarinë e tij dhe Facebook ta pezullojë atë. Të këqijat e ish-presidentit nuk ishin megjithatë më vdekjeprurëse, se ato të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) ose krerëve të tjerë të shteteve, llogaritë e të cilëve nuk janë kërcënuar kurrë. Të pretendosh (gabimisht) se humbja e tij zgjedhore ishte siguruar përmes mashtrimit nuk ishte më keq se ta kërcënosh (në Twitter) Korenë e Veriut me sulm bërthamor.

“Gjuha e urrejtjes” e z.Trump të cilën e ndalojnë sot platformat elektronike pasiqë përfituan jashtëzakonisht shumë prej saj, nuk është e barabartë me ashpërsinë ekstreme që të njëjtat rrjete “sociale” kanë shpërndarë në Mianmar ose në Indi kundër pakicave myslimane.

Por, Twitter dhe Facebook nuk karakterizohen nga koherenca ose guximi i tyre. Të inkurajuar nga lehtësia e pabesueshme e qeverive dhe individëve që i lejuan atyre të vepronin dhe të rriteshin, Twitter dhe Facebook arritën në përfundimin se gjithçka i lejohej. Derisa të mund t’ia mbyllin gojën Presidentit të Shteteve të Bashkuara, që është një masë marramendëse e fuqisë që kanë fituar.

Por, kur indinjohet e djathta amerikane, tundohemi t’i përgjigjemi: a nuk jeni ju dhe mendimtarët tuaj të Çikagos që ndërtuat idenë që pushteti publik nuk duhet ta përmbajë as fuqinë e kompanive dhe as pasurinë e pronarëve të tyre, të legjitimuar sipas jush nga zgjedhja e lirë e konsumatorëve?

Epo, ju po bëheni viktimat e sotme të “popullizmit të tregut”. Amendamenti i parë i Kushtetutës së SHBA mbron shprehjen e lirë nga censura e shtetit federal dhe qeveritë lokale, por jo kundër korporatave private në gjendje monopoli. “Shprehja” e tyre është heshtja juaj. Vae victis dhe tërë pushteti GAFA[1] kur ua mbyllin gojën!

Megjithatë, ky është rreziku tjetër i njerëzve të rrezikshëm dhe ideve që mbartin. Pranojmë gjithçka për t’u mbrojtur, përfshirë edhe pezullimin e pacaktuar të lirive themelore. Por, kur bëhet fjalë për t’i luftuar idetë terroriste, raciste, antisemite, “separatiste”, lufta nuk është kurrë e fituar, aq më pak me një dorëzim zyrtar të të mposhturëve. Do ta përjetojë vetëm një gjendje përjashtimi që zgjat dhe forcohet.

Asgjë nuk mund të jetë më e lehtë, në të vërtetë, sesa ta identifikosh një shënjestër të urryer që askush nuk do të dëshirojë të duket se do ta shoqërojë, dhe pastaj ta zgjerojë vazhdimisht perimetrin e anatemave dhe ndalesave. Kundërshtarët e luftërave në Afganistan dhe në Irak ishin quajtur avokatë të Al-Kaidës; kritikët e politikave të Izraelit si antisemit. Në raste të tilla, njeriu nuk kërkon t’i kundërshtojë rivalët e tij, por t’i heshtë ata.

Dhe në këtë mënyrë, në një heshtje shqetësuese, vrasja e Samuel Paty shërbeu si pretekst për shpërbërjen e Kolektivit kundër Islamofobisë në Francë. Sikurse që çdo ditë e më shumë, larg zgjerimit të perimetrit të lirive, shpërthimi i rrjeteve të komunikimeve ndërton shoqëri disiplinuese të cilat na dënojnë për të udhëtuar midis vendeve tona të izolimit.


[1] Google, Apple, Facebook, Amazon.