ARTA DADE, ISH-MINISTRE E JASHTME E SHQIPËRISË
Shqipërisë i mungon një e majtë sociale

Do të inkurajoja dhe mbështesja një lëvizje për një të majtë të vërtetë të çliruar nga dukuri të frikshme që e gërryejnë demokracinë dhe varfërojnë jetën shpirtërore dhe socialekonomike të njerëzve, që frenojnë përparimin dhe e mbajnë vendin larg familjes së vlerave.

567

Përmes një interviste të rrallë, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë rikthehet për publikun ku rrëfen qëndrimet e saj mbi zhvillimet e fundit në rajon. Arta Dade shprehet se i takon Shqipërisë si vendi amë që ta ndihmojë Kosovën me përvojën e saj në proceset integruese, por edhe me zbatimin e marrëveshjeve dhe duke krijuar lehtësira për qytetarët e saj. Për ‘Le Monde Diplomatique’ në gjuhën shqipe, Dade komenton edhe marrëdhëniet Kurti-Rama, apo ndikimin që pritet të ketë administrata Biden në faktorin shqiptar. Por, a do të rikthehet zonja Dade në politikën aktive? Ish-ministrja sqaron më poshtë ambiciet e saj, si dhe eksperiencën në krye të MPJ.

–  Znj.Dade, Kosova sapo mbylli procesin zgjedhor ku Lëvizja Vetëvendosje mori një rezultat historik si partia më e votuar në proceset pas lufte. A mendoni se ky rezultat do të ndikojë për sfidat që Kosova ka në arenën ndërkombëtare, por edhe në politikat lokale, ku një masë kaq e madhe njerëzish ka besuar tek një parti dhe një njeri?

Arta Dade : Kosova është në një moment të rëndësishëm të historisë së saj moderne. Do të ecë përpara me konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe reformat demokratizuese, europianizuese, integruese në strukturat euroatlantike, apo do të shpenzojë energji duke u marrë me veten e dëmtuar për rrjedhojë imazhin e vet dhe perspektivën dhe aspiratat e brezit te ri. Ka pak ditë që ka dalë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë dhe Vetëvendosja ka fituar bindshëm. Zhvillimet e vitit të fundit në Kosovë, situata me pandeminë, rrëzimi aspak i justifikuar i qeverisë Kurti 1, ngjarjet me ndalimin dhe arrestimin e udhëheqësve të UÇK-së, debatet për shkëmbim territoresh me Serbinë, krijuan në Kosovë një situatë të paqendrueshme dhe të pasigurisë për të ardhmen jo vetëm të politikës, por edhe të vendit. Besoj fuqishëm se fitorja e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit do e risjellë Kosovën në shinat e zhvillimeve normale demokratike dhe të konsolidimit të shtetit të së drejtës. Ajo gjithashtu ka ringjallur shpresë në veçanti tek të rinjtë se Kosova do të jetë një shtet normal që do të qeveriset me përkushtim dhe seriozitet për të krijuar perspektivën për të rinjtë që ata ta shohin të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Pertej faktit se qeveria e re do të përballet me probleme të vështira, besoj se vullneti dhe kapacitetet nuk i mungojnë për t’i kapërcyer ato me mbështëtjen e BE-së dhe SHBA-ve sipas deklarimeve më të fundit nga të dy këta partnerë të rëndësishëm dhe të pazëvëndësueshëm. Në arenën ndërkombëtare besoj se është një Kryeministër dhe maxhorancë  e mirëpritur nga partnerët pa të cilët nuk mund të adresohen problemet e mprehta  e në veçanti problemet integruese në strukturat euroatlantike që duket se janë ndalur edhe për shkak të situatës së jashtëzakonshme me pandeminë edhe në BE dhe për rrjedhojë kanë zbehur shpresën dhe optimizmin për integrimin e vendit në BE dhe NATO. Kjo qeveri do të ulet si e barabartë me partnerët por edhe me Serbinë për të vazhduar bisedimet sipas një koncepti të ri e konkluduar me njohjen e ndërsjellë. Mesazhet që vijnë nga administrata e re e Presidentit Biden janë premtuese për një angazhim serioz të kësaj administrate për të vazhduar sipas të njëjtit koncept e vizion që ata kanë për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi.

– Si do t’i komentoni marrëdhëniet e vështira që kanë kryeministri Rama me homologun e tij të ardhshëm Kurti? A ka pasur ndonjë precedent të mëparshëm ku liderët e dy vendeve kanë pasur një marrëdhënie të tillë? Si e ka trajtuar Shqipëria Kosovën gjatë kohës që ju drejtonit Ministrinë e Punëve të Jashtme?

Arta Dade : Besoj se qeveria që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri duhet të reflektojë rreth ndonjë problemi që është shfaqur më shumë në nivel të retorikës sesa realisht ekziston. Marrëdhëniet midis Kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë asesi nuk mund të jenë marrëdhenie personale, ato i tejkalojnë këta kufij, sepse qeveritë patjetër që duhet të mbajnë në vëmendje vullnetin e popullit që qeverisin e për rrjedhojë këto marrëdhenie institucionale i shërbejnë afrimit të mëtejshëm të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit dhe pa mëdyshje që kjo ka ndikimin e vet te shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Maqedonisë së Veriut dhe të Malit te Zi. Ka patur hapa pozitive me mbledhjet e përbashkëta të qeverive, por është e domodoshme që angazhimet e marra përmes marrëveshjeve të nënshkruara të përditësohen dhe të zbatohen. Mendoj që është bërë pak për t’i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara. Po të kthehem pas në vite. Mendoj që Shqipëria ka bërë shumë për Kosovën sikurse edhe i takonte të bënte – para konfliktit, gjatë konfliktit dhe pas luftës – duke e mbështetur pa rezerva Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës, por edhe qeveritë e njëpasnjëshme, përtej faktit se cila forcë politike ka qeverisur dy vendet tona respektive. Asokohe Kosova nuk ka patur Ministrinë e saj të Punëve të Jashtme dhe shpesh ne na është dashur të flasim për zhvillimet pozitive atje dhe t’i mbrojmë arritjet të cilat nuk ishin vetëm të klasës politike, por ishin më së pari të popullit të Kosovës, madje edhe të partnerëve ndërkombëtare. Gjithashtu trupi diplomatik i MPJ së Shqipërisë udhëzohej periodikisht si të punohej me ndërkombëtarët në veçanti në organizatat shumëpalëshe ku Kosova kishte nisur përpjekjet për t’u anëtarësuar por edhe me kanceleritë perëndimore të rëndësishme. Jo vetëm në kohën kur unë drejtoja MPJ, por edhe më pas ndër vite si nënkryetare dhe kryetare e Komisionit të Politikës së Jashtme kemi mbështetur çdo nismë të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kosovës në organizim edhe të konferencave parlamentare rajonale, apo dhe me gjerë. Bashkëpunimi me Albin Kurtin, kur ai drejtonte këtë komision, por edhe me kolegë te tjerë, ka qenë i shkëlqyer. Në AP të Këshillit të Evropës, por edhe në AP të OSBE-së, ku kam qenë e pranishme për katërmbëdhjetë vjet, përpjekjet që Kosova të mos mbetet në harresë kanë qenë në vëmendje për çdo çështje që diskutohej për rajonin e kjo ishte edhe më e dukshme në debatet me delegacionet nga Rusia apo Serbia, por edhe individë të vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën.

Naiviteti i Ramës

– Çfarë mendimi keni për projektin e minishengenit që duket se është “molla e sherrit” mes dy administratave? Çfarë këshille do t’u jepnit dy kryeministrave nisur nga eksperienca juaj e gjatë në politikën e jashtme?

Arta Dade : Projekti i minishengenit është një projekt i vjetër që është riaktivizuar nga ana e Serbisë për të krijuar përshtypjen se ata janë të interesuar për bashkëpunimin rajonal, pa Kosovën, dhe Serbia rreket të luajë rol udhëheqës pa hequr dorë nga ëndrra e saj e kahershme për Serbinë e Madhe, nxitur e mbështetur edhe nga Kremlini. Më e pakta që Kryeministri i Shqipërisë bëri është naivitet duke e mbështetur këtë projekt dhe duke e bërë Shqipërinë vend mikpritës për një nga takimet në këtë kontekst pa pjesëmarrjen e Kosovës dhe në prani të Presidentrit Serb mund të ishin shmangur retorikat në distancë me liderët e Kosovës që nuk pranuan të bëhen pjesë e këtij projekti dhe kjo ishte në të drejtën e tyrë edhe për faktin që Kosova dhe pesë vendet tona janë pjesë e projektit të procesit të Berlinit që i dha një impuls të ri bashkëpunimit rajonal.

Nën kujdesin e Kancelares Merkel dhe vendeve të tjera të BE-së, ky proces shënoi disa rezultate pozitive si krijimi i fondit për Ballkanin Perëndimor, apo zyra për bashkëpunimin rinor, si edhe projekte të koordinuara të infrastrukturës dhe konjektivitetit. Asgjë e mirë nuk vjen nga mbivendosja e nismave veç se ka një spostim të vëmendjes nga fokusi kryesor ndjekja e agjendës europiane në proceset e integrimit. Përveç procesit të Berlinit vendet që ftohen në të ashtuquajturin miniSchengen ka kohë që janë pjesë e nismave të rëndësishme rajonale dhe pjesë e projekteve të rëndësishme dhe dobiprurëse për secilin vend që duhet të manifestojë vullnet të sinqertë për  bashkëpunim dhe të vetëdijtësohet për të pranuar realitetet e reja në rajon. Pa kontributin e secilit vend përfshirë, Kosovën dhe Serbinë, projektet e konektivitetit e të lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve, bashkëpunimi rinor, krijimi i zonës ekonomike rajonale do të ishte e vështirë të realizoheshin.

Nuk besoj se është vendi për të dhënë këshilla sepse në përgjithësi kryeministrat e këtyre trevave nuk e njohin mirë institucionin e Këshilltarit. Në çështje të politikës së jashtme unë mendoj se qeveritë duhet të bashkëpunojnë dhe të koordinohen e jo të bëjnë skena të papranueshme të zënkave provinciale. E Shqipëria si vendi amë duhet të jetë më e kujdeseshme për të ndihmuar Kosovën përmes zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara e krijimit të lehtësirave për akses në portet e Shqipërisë apo edhe me përvojën pozitive në proceset integruese.Madje edhe duke trajtuar  mangësitë tona në këtë proces  në mënyrë që Kosova të mos përsërisë të njëjtat gabime.

Shqipëria do e ndihmonte Kosovën duke qenë vet një shtet me institucione demokratike të konsoliduara, me standarde të pËrmbushura në proceset integruese, me rezultate të prekshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe një shtet me politika sociale dhe ekonomike që krijojnë shpresë dhe perspektivë me qëllim që brezi i ri të qëndrojë e të jetojë e të ndërtojë të ardhmen në vendin e tij.

Të lëvizim nga Kosova, por mbetemi në rajon… Në Maqedoninë e Veriut duket se BDI ka shtyrë disa procese të rëndësishme për shqiptarët, çfarë mendimi keni për situatën politike atje dhe për rolin e Tiranës?

Arta Dade : Mendoj se Shqipëria i ka kushtuar vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Maqedoninë e Veriut jo vetëm për faktin që jemi fqinjë, por në veçanti për shqiptarët që jetojnë atje që prej pavarësisë së saj nga ish Jugosllavia. Është e vërtetë që BDI dhe Ali Ahmeti dhe në përgjithësi shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë arritur disa rezultate pozitive si në përfaqësimin politik ashtu edhe në nivele të administratës civile dhe përfaqësimit në strukturat diplomatike. Shqiptarët në RMV kanë qenë në vazhdimësi jo vetëm  faktor shtetformues por edhe faktor stabiliteti dhe integrimi në strukturat euroatlantike. Ata vendin e tyre, Maqedoninë e Veriut, kanë aspiruar e kanë punuar ta shohin pjesë të BE-së dhe te NATO-s. Sigurisht që Tirana zyrtare i ka mbështetur përherë proceset për integrim euroatlantik si edhe kërkesat e drejta të shqiptarëve atje dhe ka kërkuar që Marrëveshja e Ohrit të zbatohej në të gjitha pikat e të shkohet edhe më tej. Gjithashtu Tirana ka shkurajuar ndonjë përpjekje të ekstremizmit që do të dëmtonte vet arritjet e shqiptarëve në RMV. Dëshiroj dhe uroj që Maqedonia e Veriut të zgjidhë problematikën që i është krijuar së fundmi me fqinjin e vet lindor sikurse me kurajo dhe maturi shembullore zgjidhi çështjen e emrit me Greqinë.

– Në Mal të Zi duket se mbetet një situatë problematike për shqiptarët, sidomos me qeverinë e re pro-serbe dhe për faktin që njeriu që e bëri të mundur këtë ishte shqiptari Dritan Abazoviç. A mendoni se Tirana zyrtare duke u rreshtuar haptazi me një krah politik atje dhe me një parti shqiptarësh bëri veprimin e duhur?

Arta Dade : Me Malin e Zi kemi patur marrëdhënie të ngushta të bashkëpunimit dy-palësh, rajonal dhe shumë-palësh dhe është kënaqësi kur shikon se si vendet e rajonit dhe fqinjët tanë punojnë në projekte të përbashkëta dhe përmbushim qëllime të përbashkëta sikurse integrimi i vendeve tona në NATO dhe BE si garanci për mbrojtjen e vlerave demokratike dhe nxitjen e bashkëpunimit në fushat socialekonomike dhe të infrastruktures.

Situata në Malin e Zi  po ndiqet me vëmendje dhe shqetësim edhe nga partnerët që e kanë mbështetur këtë vend të integrohet në NATO dhe të përparojë në agjendën e vet europiane për t’u bërë plotësisht pjesë e BE-së. Shqiptaret atje kanë mbështetur forcat pro-perëndimore dhe kanë mundur të orientohen në drejtimin e duhur. Ata janë pjesë e zhvillimeve pozitive dhe integruese të Malit të Zi dhe me qeveritë praardhëse kanë mundur të zgjerojnë hapësirën për të fituar më shumë të drejta si ne nivel të qeverisjes qendrore, sikurse përdorimi i gjuhës shqipe në parlament, ashtu edhe të qeverisjes vendore. Shqipëria e në veçanti e majta kanë mbështetur dhe nxitur bashkëpunimin e partive shqiptare me qeveritë progresiste ndër vite që prej shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Mali i Zi ka qenë i palëkundur në përparimin e tij për anëtarësim në NATO dhe agjenden europiane.  Me zhvillimet e fundit, me një qeveri pro-serbe, situata mund të ndryshojë. Qëllimet e Beogradit për hegjemoni në Ballkan nuk kanë ndryshuar. Aleati i tij kryesor, Kremlini, ka ndërhyrë në proceset demokratike në Mal të Zi. Uroj që të mos ketë procese regresive në këtë shtet fqinj. Shqiptari  Dritan Abazoviq, që e mban në këmbë këtë qeveri, duket se ka dhënë garanci që nuk do të lejojë kthim pas në proceset që janë në interes të Malit të Zi, por edhe në dobi të një rajoni të stabilizuar, me më shumë siguri dhe të integruar në BE. Unë shpresoj që ai të ketë forcë ta bëjë këtë. Lidhur me ndikimin e Tiranës zyrtare mendoj se pati një përpjekje të dështuar nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë për të bindur Abazoviqin të bëhej pjesë e një koalicioni që nuk do e ndryshonte kursin pro-perëndimor të Malit të Zi. Në këto raste mendoj se këto takime duhet të përgatiten më mirë dhe të merret informacion paraprak i saktë në mënyrë që autoriteti i shtetit të mos cenohet.

Partizimi i integrimit evropian

– Të kthehemi në Tiranë… Besoj se është edhe në interesin e lexuesit që të dimë mendimin tuaj sa i përket procesit të integrimit. Kryeministri Rama thotë se ngadalësimi i procesit ka ndodhur si pasojë e dinamikave të BE. A mendoni se qasja që duhet të ketë qeveria jonë dhe politika jonë e jashtme është lënia e përgjegjësisë dinamikave të brendshme të BE?

Arta Dade : Procesi i integrimit të Shqipërisë është i tejzgjatur dhe ka patur problematikë të mprehtë në vazhdimësi. Ne e kemi nisur këtë proces shumë më përpara se vendet e tjera të rajonit dhe tani duket se kemi mbetur të fundit. Ne nuk kemi patur as probleme të identitetit tonë si shtet, as jemi prekur nga luftëra të përgjakshme sikurse është rasti i vendeve që u pavarësuan prej ish-Jugosllavisë. Në momente të veçanta kur është dashur që ky proces të shtyhej përpara papërgjegjshmëria e klasës politike ka shkaktuar ndalje te procesit ose edhe më keq kthim pas. Jemi në fazën që ky proces nuk ka përparuar që prej 2014 kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidad.

Përtej problematikës së mprehtë brenda vetë BE-së përparimi dhe përmbushja e standardeve është në dorë të vendit që aspiron t’i bashkohet klubit të BE-së. Ka patur edhe momente të tjera kur BE-ja ka përjetuar kriza por procesi i zgjerimit nuk është ndalur. Në asnjë vend tjetër procesi i integrimit nuk është politizuar dhe nuk është dominuar nga fryma partizano-partiake sa në Shqipëri. Perspektiva europiane e Shqipërisë por edhe e rajonit është instrumenti që i beri popujt e rajonit të lënë pas konfliktet e përgjakura dhe të bashkëpunojnë për këte projekt madhor. Secili vend ka ditur të gjejë veten dhe të perfitojë nga ky proces si në nivel të thithjes së investimeve të huaja apo të fondeve përmes programeve që kanë si pikësynim zhvillimin e vendeve aspirante për të përmbushur standardet e kërkuara. Druaj të them nëse Shqipëria e ka bërë mirë këtë.

Perspektiva europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, duhet të vazhdojë të mbetet thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Patjetër që vlerësohet progresi i bërë në reforma politike dhe ekonomike apo reforma në drejtësi në rastin e Shqipërisë, por ka ende vende që nuk kanë bërë perpjekje të mjaftueshme për të përmbushur kriteret dhe kushtet në rruëetimin e tyre drejt anëtarësimit. Ka ende shqetësim se Ballkani Perëndimor vazhdon të ndeshet me sfida ende të pafituara që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, reforma administrative, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirinë e shprehjes dhe të medias si çështje që cënojnë një shoqëri demokratike dhe ekonomite funksionale. Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë janë në prag; mënyra se si do të zhvillohen ato e si dhe sa do të permbushen standardet ndërkombëtarisht të pranuara për zgjedhje të lira do të jetë edhe moment vendimtar për të hapur dritën jeshile që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim e të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare me Komisionin Europian.

Zvarritjet në këtë proces sjellin lodhje tek qytetaret dhe humbje të shpresës, sikurse është rasti i liberalizimit të vizave për në zonën Schengen të qytetarëve të Kosovës, por kjo gjithashtu ka sjellë spekulime nga ana e qeverive për të justifikuar dështimet në përmbushjen e premtimeve dhe programeve që i kanë sjellë në qeverisje duke bërë me faj BE-në dhe problematikën brenda saj .

– Zonja Dade, si do ta gjykoni që pikërisht në këtë kohë të rëndësishme Shqipëria vendosi të kishte një zv.Ministër në krye të MEPJ, dhe një zv.ministër pa eksperiencë. A mendoni se kjo ndikoi negativisht, apo politika e jashtme nuk lidhet me individin që është në krye të institucionit?

Arta Dade : Mendoj se Genti e zgjidhi vetë këtë dilemë duke dhënë dorëheqjen. Ideja e Kryeministrit për të përfshirë në kabinetin qeveritar një personalitet nga Kosova nuk mund të jetë e qortueshme, përkundrazi. Përzgjedhja duhej të kishte qenë më e pranueshme për një post kaq të rëndësishëm. Personalitetet nga Kosova që do i bënin nder detyrës së Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë nuk kanë munguar.

– Si mendoni se do të ndikojë zgjedhja e Joe Biden në politikat e rajonit tonë?

Arta Dade : Administrata Amerikane ka patur përherë vëmendje serioze ndaj rajonit në veçanti në momentet e konflikteve të përgjakura shkaktuar nga Millosheviqi dhe Serbia ku SHBA-të u angazhuan edhe ushtarakisht për t’i dhënë fund masakrave dhe genocidit në veçanti në Bosnje dhe Kosovë. Administrata Biden shpresoj të ketë angazhim më të madh se vitet e fundit në Ballkanin Perëndimor duke mbështetur përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në Bashkimin Europian, por edhe të Kosovës në hapat e saj drejt proceseve integruese euroatlantike edhe si kundërpërgjigje e përpjekje që bën Rusia që ky rajon të mbetet në qerthullën e konfliktualitetit ndëretnik e fetar dhe të pengohet në përparimin drejt Bashkimit Europian duke nxitur destabilitet me qëllim kontrollin e Moskës mbi vendet që mendohet se janë satelitë të saj si edhe më gjerë. Prania amerikane në rajon tani bëhet edhe më imperative me zhvillimet e fundit në Malin e Zi por edhe për t’i dhënë një impuls të ri dialogut Kosovë-Serbi për ta përmbyllur atë në njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve sikurse ishte dhe mesazhi i Presidentit Biden për Vuçiq i cili tërthorazi ka bërë deklarata të papranueshme lidhur me Kosovën. Pa bashkëpunimin e SHBA-ve dhe BE-së për të përshpejtuar zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi do jetë vështirë që të kemi rezultat të pritshëm në kohën e duhur aq më tepër që dihet se Serbia diktohet nga interesat ruse në rajon.

Njerëzit pranë Administratës Biden në vijimësi janë shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ofruar si zgjidhje nga Beogradi dhe mbështëtur edhe nga një numër i kufizuar politikanësh shqiptarë andej e këtej kufirit si një çështje që do të hapte probleme të tjera të mprehta etnike e do ta kthente rajonin në ciklin e krizave të njëpasnjëshme. Kjo edhe njëherë konfirmon qartazi që SHBA-të nuk do lejonin që ky rajon të rrëshqasë drejt destabilitetit e do vazhdojnë të punojnë që vendet të përmbushin standardet e shteteve dhe shoqërive me demokraci të konsoliduar për t’u integruar plotësisht në BE sikurse u punua që Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të jenë anëtare të NATO-s.

Çfarë mendimi keni për partitë e reja që janë regjistruar në këto zgjedhje? A mendoni se ndikon në acarimin e marrëdhënieve dhe fakti që LVV ka themeluar parti edhe në Tiranë?

Arta Dade : Është zhvillim për t’u përshëndetur që në këto zgjedhje garojnë parti të reja si nisma Thurje dhe LVV-ja. Votuesit në Shqipëri do kenë edhe alternativa të tjera për të votuar veç partive që kanë dominuar skenen politike në 30 vjet. LVV-ja e Albin Kurtit ka ndikim në Shqipëri në veçanti tek grupimi i të rinjve që nuk e gjejnë veten tek partite tradicionale si edhe tek votues me bindje të majta që mendojnë se një forcë politike që përfaqëson realisht të majtën me vokacionin e saj social dhe solidaritetin njerëzor nuk ekziston.

– Pas 30 vjetesh kontribut në PS a do të pranonit një ofertë nga një parti tjetër apo? Apo, a ka plan Arta Dade të rikthehet në politikë qoftë edhe përmes themelimit të një lëvizje të re?

Arta Dade : Unë ndjehem mirë dhe ka qenë nder për mua të kem punuar me përkushtim për të majtën e re shqiptare që i dha vendit alternativën më të dashur dhe të parapëlqyer ndër vite duke kuruar plagët social-ekonomike në vend dhe duke e çuar vendin përpara drejt proceseve integruese duke u integruar edhe vetë në strukturat partiako-politike rajonale, europiane dhe ndërkombëtare. Nuk do e ndërroja Partinë Socialiste e as votuesit e saj me asnjë forcë tjetër politike në vend. Flas për atë parti që identitetin e kishte realisht të majtë socialdemokrat dhe vendin e çoi përpara me programin e saj. Nuk jam larguar nga politika të cilën e ndjek me të njëjtin pasion dhe kjo më bën që t’i shoh gjërat me syrin kritik. Do të inkurajoja dhe mbështesja një lëvizje për një të majtë të vërtetë të çliruar nga dukuri të frikshme që e gërryejnë demokracinë dhe varfërojnë jetën shpirtërore dhe socialekonomike të njerëzve, që frenojnë përparimin dhe e mbajnë vendin larg familjes së vlerave.

– Në fund donim një mesazh nga ana juaj për partitë shqiptare në rajon. A është akoma ëndrra për t’u integruar në BE një ide e qendrueshme apo tezat e bashkimit kombëtar do të marrin më shumë terren?

Arta Dade : Sikurse u shpreha më sipër partitë shqiptare në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarët janë shprehur qartazi e pa mëdyshje për vokacionin e tyre perëndimor dhe integrimin e vendit të tyre në Bashkimin Europian. Ideja e bashkimit kombëtar nuk është kundërthënëse me idenë e integrimit të vendeve tona -Shqipërisë e Kosovës në BE, por edhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi  dhe shqiptarët në Serbinë jugore. Besoj se më shumë se sa flasim për Bashkim Kombëtar, Shqipëria e Kosova duhet të punojnë që të zhvillohemi së bashku ekonomikisht e të përmbushim standardet për të përfunduar rrugëtimin drejt BE-së ku bashkohemi në familjen e madhe të vlerave. Nëse Europën do e sjellim në vendet tona atëherë kufijtë do të jenë të papërfillshëm. Duke qenë shtete që u krijojnë shqiptarëve hapësira socialekonomike e demokratike që vendi të mos braktiset, ne do të mund të mbrojmë më mirë interesat e shqiptarëve kudo ku jetojnë në rajon.