Stomatologjia e pabarazisë sociale

3610

Në vitin 1970, një dentist i ri nga qyteza Autun,i frymëzuar nga ngjarjet e Majit ‘68, lansoi një projekt të guximshëm: hapi një institucion të kujdesit dentar për të varfërit në rajonin e Saône-et-Loire.

Bernard Jeault ia doli ta siguronte një kredi në një bankë dhe filloi aventurën me katër kolegë të tij. Ishin të gatshëm për t’i tradhtuar dy parimet e shenjta të profesionit të tyre: punën private dhe suksesin material. Ata vendosën të punonin kolektivisht, me pajisje të përbashkëta dhe me pagë modeste.

Por Urdhri Kombëtar i Stomatologëve po i vëzhgonte. Ishte kundër idesë së një qendre të kujdesit me vokacion social dhe në panic, ngase mendonin se një çarje e tillë në modelin e shenjtë të dentistit do të zgjerohej duke kërcënuar gjithë sistemin. Filloj një luftë e gjatë dhe e paskrupullt kundër Jeault-it.

E shkatërruan dhe më pas ia ndaluan ushtrimin e profesionit: “dentisti i të varfërve” përfundoi i papunë, jetoi prej ndihmave minimale sociale dhe pati një pleqëri të vështirë para se të vdiste në korrik të vitit 2019. Pesëdhjetë vjet pas shkatërrimit të projektit të tij, ende janë të thella pabarazitë në qasjen në kujdesin shëndetësor, të cilin Jeault provoi të zhvillonte. Prishjet e dhëmbëve mund të shihen që në moshë të vogël. Sipas kontrolleve shëndetësore shkollore nëpër çerdhe, 25% e fëmijëve të punëtorëve kanë zgavra të patrajtuara të dhëmbëve, përkundrejt vetëm 4% të fëmijëve të kuadrove drejtuese. Kjo pabarazi thellohet në moshën e rritur.

Vlerësohet se më shumë se 25% e familjeve me të ardhura të ulëta nuk shkojnë te dentisti për arsye financiare. Ministria e Shëndetësisë në vitin 2011 pranoi se “pabarazitë e vërejtura pasqyrojnë, nga njëra anë, ekspozimin e pabarabartë ndaj rrezikut: zakonet e mira për shëndetin oral (larja dy herë në ditë, ekspozimi ndaj fluorideve, dieta e shëndetshme) janë më të përhapura në shtresat e popullsisë me nivel më të mirë të arsimit dhe të të ardhurave; përderisa nga ana tjetër ka përdorim të pabarabartë të shërbimeve kujdesore: kuadrot konsultohen me kirurg dentist më shpesh sesa kategoritë sociale të pak kualifikuara”.

Një ngushëllim i vogël për të paprivilegjuarit e sistemit francez, që vuajnë nga dhimbje të mëdha të dhëmbëve, që kanë vështirësi për të përtypur ose kanë buzëqeshje të thyer që ua prish jetën private, shoqërore dhe profesionale: situata është e ngjashme në gjithë botën.

Edhe pse këto pabarazi prekin miliona njerëz dhe shkaktojnë vuajtje të mëdha, ato shpesh mohohen, ose minimizohen. Vetë stomatologët përsërisin me kënaqësi të njejtin refren : shëndeti i dhëmbëve është në thelb një çështje e përgjegjësisë individuale.

Për ta gëzuar një shëndet dentar të shëndetshëm, të gjithë duhet t’i respektojnë rregullat e higjienës që predikohen qysh në moshë më të re, ta kenë një dietë të ekuilibruar, t’i shmangin ëmbëlsirat, alkoolin, duhanin dhe ilaçet, të mos i ekspozohen shumë shkopit të policit ose grushteve të burrit të dhunshëm, shkurt të kenë një ekzistencë të virtytshme dhe të kujdesshme. Përndryshe, ata thjesht mund ta fajësojnë veten nëse u prishen dhëmbët.

Sistemi francez i kujdesit dentar bazohet në dy parime. Në njërën anë i jepet përparësi modelit liberal, kërkohet nga qytetari që ta bëjë maksimumin e investimit të tij me çdo kusht. Në anën tjetër, propozohet trajtimi me dy nivele, ku procedurat e rimbursuara me çmime “të sigurta”, të disponueshme për pacientë modestë, konkurrojnë me procedura të pashfrytëzuara, pafundësisht më shpërblyese, siç janë implantet dhe protezat. Midis betimit të ditës së parë të karrierës së tij – “Premtoj solemnisht se jetën time do ta vëjë në shërbim të nevojtarëve” dhe tundimit për t’i favorizuar klientët me vlerë të lartë të shtuar, dentisti përballet me një dilemë që heziton të vendosë në interes të shëndetit publik.

Lakmia luan një rol kyç. Nuk është rastësi që, në zhargonin e ekspertëve evropianë të evazionit fiskal, “investitori privat që kalon kufirin me paratë e tij të zeza për t’i plasuar ato në një mjedis tatimor më të favorshëm quhet dentist belg”. Ky term e nderon më shumë profesionin sesa flamurin.

Lakmia e parave thekson edhe më shumë urrejtjen ndaj atyre që nuk kanë para. Në fund të vitit 2018, mbrojtësi i të drejtave i urdhëroi platformat për rezervime online të termimeve, si Doctolib, që të fshijnë nga uebfaqet e tyre thëniet hapur diskriminuese në faqet e shumë dentistëve, sic janë “Nuk pranohen në kabinet përfituesit e sigurimit universal shëndetësor (CMU)”. Refuzimi i pacientëve me “CMU”, por edhe refuzimi i të varfërëve në përgjithësi, fëmijëve, të moshuarëve ose personave me aftësi të kufizuara, është i zakonshëm në këtë profesion, edhe pse zakonisht bëhet në mënyrë më të sofistikuar.

Edhe pse dentistët e drejtojnë këtë sistem, ata nuk e prodhojnë atë. Lista e rimbursimeve të miratuara nga autoritetet publike e cila vë konkurrencë trajtimin falas dhe shërbimet fitimprurëse inkurajon dentistët ta lënë pas dore trajtimin e parë për t’iu përkushtuar më mirë të dytit. “Për një kontroll oral, çmimi është 23 euro, domethënë asgjë fare”, shpjegon një dentist i zemëruar me profesionin e tij. Atëherë, ose e kryej shërbimin brenda një çerek ore, ose vendosi ta bëjë seriozisht punën time dhe të kaloj tre çerek ore. Nëse veproj kështu disa herë në ditë, shpejt falimentoj. “

I stërngarkuar me punë dhe i shqetësuar për misionin e tij, edhe ai vetë e ka vështirë t’i mbuloj shpenzimet e tij dhe të siguroj jetesën. Në anën tjetër, kolegu i tij më pak skrupuloz që kryen zbardhjen e dhëmbëve brenda dhjetë minuta – kur nevojiten të paktën tridhjetë minuta për një shërbim të tillë – ka të ardhura komode. Siç e përmbledh bashkëbiseduesi ynë, “më së miri ia dalin ata që punojnë më së keqi ose që shpikin arsyetime për të mos dhënë shërbime”.

Në këtë drejtim, e ashtuquajtura reformë “zero detyrim”, e cila ka hyrë në fuqi që nga janari 2020, nuk e ka ndryshuar thelbësisht sistemin. Ajo e mundëson mbulimin e plotë të disa protezave të thjeshta nga sigurimet (të cilët menjëherë e shfrytëzuan rastin për t’i rritur tarifat e tyre), por e lë të paprekur logjikën e sistemit që mundëson neglizhencën dhe përfitimet. Pa dyshim, ka edhe dentistë heroikë të cilët nuk i kursejnë përpjekjet e tyre për t’u kujdesur në mënyrën më të mirë të mundshme për këdo që paraqitet, që rrezikohen nga burn-out-i, por nuk duket e sigurt që në mesin e dyzet e dy mijë dentistëve që praktikojnë në Francë – përfshirë tridhjetë e pesë mijë dentistë liberalë – këta të jenë shumicë.

T’ia njohim secilit të drejtën për dhëmbë ‘kafshues’, t’i bashkojmë mjetet e kujdesit për t’i ulur shpenzimet, të paguhen dentistët me rrogë në mënyrë që ata të ushtrojnë zanatin e tyre pa u shqetësuar për të bërë para ose për të financuar pishinën me flluska në rezidencën e tyre sekondare: padyshim projekti i imagjinuar nga Bernard Jeault gjysmë shekulli më parë do të meritonte një shans të dytë. Për momentin, e vetmja utopi që duket se mund të lëkundë modelin e shenjtë liberal, tregohet  të jetë edhe më e dhënë pas përfitimeve. Në të vërtetë, falë një ligji rregullues të miratuar në vitin 2009 nën kujdesin e znj. Roselyne Bachelot, Ministre e Shëndetësisë në atë kohë, u krijuan qindra qendra të kujdesit dentar me kosto të ulët. Dentego, Dentimad, Dentifree, Dentalvie, Dentymed, Dentasmile… Pavarësisht emrave të tyre, të cilët duken si një konkurs reklamues onomastik, ato janë “shoqata jofitimprurëse”, që supozohet se nuk sjellin asnjë fitim. Në fakt liritë e ofruara nga ky ligj ua mundësojnë atyre t’i ikin kësaj gracke.

Këtë e dëshmon skandali Dentexia i emërtuar sipas një rrjeti të qendrave të kujdesit shëndetësor që falimentoi në vitin 2016, pasi kishte shkatërruar financiarisht dhe gjymtuar në shkallë të ndryshme deri tre mijë pacientë. Themeluesi i tij, z.Pascal Steichen, ishte i pari që shfrytëzoi hapësirën e lënë nga ligjvënësi. I diplomuar për biznes dhe autor i një manuali “Marketingu praktik i agjenteve të paluajtshmërisë“, ky aventurist i shkolluar nuk kishte njohuri për stomatologjinë. Por asgjë nuk e pengonte pasiqë ligji e lejonte secilin biznesmen të kryente veprimtarinë. Për ta anashkaluar ndalimin për të bërë fitime, ai krijoi kompani fiktive që faturonin me çmime të larta kompaninë-mëmë për shërbime pak a shumë fiktive, si dhe protezat dhe implantet e blera në Turqi. Si stakhanovistë të kolltukut, punonjësit e këtij rrjeti vraponin prapa objektivave të paqëndrueshme duke kontrolluar me nxitim, një pas një, gojë të shumta. Feja e numrit i arsyeton të gjitha gjestet, përfshirë nxjerrjen e dhëmbëve të shëndetshme dhe zëvendësimin e tyre me protezat e vëna me nguti. Viktimat e tij, të mbetur pa dhëmbë, vuajtën tmerrësisht për dy vjet. Gjatë asaj kohe më të dëshpëruarit arritën të organizoheshin si një kolektiv dhe bënë çmos për ta fituar rimbursimin e shpenzimeve të nevojshme për rregullimin e dhëmbëve të tyre.

Akterët që po garojnë tani për tregun me kosto të ulët pretendojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët me Dentexia. Numri i ulët i ankesave të paraqitura kundër tyre deri më sot tregon që mund të kenë te drejtë, por identifikimi tregtar “jofitimprurës” mbetet baza e kësaj industrie. Dy themeluesit e Dentego, liderë në këtë treg, e gjetën vokacionin e tyre në Paris School of Business, ku për 30.000 euro, mësohet sesi të “bëheni menaxherët e së ardhmes”. Z.Steichen i cili gjindet pas grilave në pritje të gjyqit, do të mbetet pioner i një sistemi që ka zgjuar interes, ndryshe nga Bernard Jeault.

*Gazetar. Autor i « Sur les dents. Ce qu’elles disent de nous et de la guerre sociale », La Découverte