ARKITEKTURA KOSOVARE MIDIS MUTACIONEVE SHOQËRORE
“Ballkanizimi” i (ri)ndërtimeve

Nisja e ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë rikthen debatin mbi kaosin dhe fragmentarizimin arkitektural e urbanistik në Kosovë, si dhe raportin e tyre kundrejt kujtesës, trashëgimisë, historisë, modernitetit, ideologjisë dhe identiteteve.

3748

Arkitektura dhe urbanizmi nuk përbëjnë përjashtim sa i përket kaosit që ka prodhuar (pas)lufta në Kosovë, por edhe ndryshimi i sistemit në fillim të viteve ‘90.

Në vendet ish-socialiste të Ballkanit Perëndimor, arkitektura e “planifikuar shtetërore” asaj kohe, shpesh cilësohej si “peizazh i unifikuar”, më shumë një përkthim ideologjik në formë sesa krijmtari shprehëse. Nga ana tjetër, periudha post-socialiste karakterizohet sidomos me kaosin e “privatizimit” urbanistik, të nxitur nga politikat neoliberale.

Ku jemi sot dhe sa ka gatishmëri për t’u diskutuar sot mbi arkitekturën dhe urbanizmin e periudhës moniste? Si mund të konceptualizohen ato pas vitit ’89/’99?

Për këto tema, bashkëbiseduam me dy ligjërues të arkitekturës në Universitetin e Prishtinës: Florina Jerliu dhe Xhelal Llonçari.

– Së fundi, projekti për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë ka nxitur debat edhe identitar. Një debat të ngjashëm pati nxitur edhe ndërtimi i Katedralës së madhe, pa e harruar edhe simbolikën e ndërtimit të Kishës Ortodokse në oborrin e kampusit universitar. Ç’nënkuptojnë për ju këto tri ndërtime të kultit dhe si e keni vlerësuar debatin shoqëror për çështjen përkatëse?

Florina Jerliu : Nuk arritëm konsistencë të debatit që del me qëndrime të qarta dhe të pranuara nga të gjithë, në asnjërin rast. Përkundrazi, pati shumë polarizime e edhe manipulim dhe politizim të skajshëm të aspekteve që do të duhej të ishin thjesht administrative. Ndërtesa e kishës së papërfunduar ortodokse në kampusin universitar është materializmi në tulla i dhunës serbe në Kosovë dhe më konkretisht i dhunës ndaj studentit e studentes shqiptare që për Serbinë ishin armiku numër një. Si shtet i krijuar pas luftës së 1998/99-tës, ne e trashëguam këtë strukturë dhune, ashtu siç i trashëguam miliona përditshmëri dhune të Serbisë ndaj popullit të Kosovën; pra kemi mjaft dëshmi të tjera të drejtpërdrejta dhe simbolike të dhunës serbe, prandaj (që prej kur nisi të ndërtohej) jam që kjo kishë të hiqet nga aty. Ajo duhet të largohet nga kampusi universitar dhe ka mënyra sesi bëhet kjo, po ashtu mbështetur në parime dhe në përvoja të dëshmuara.

Tani, Katedralja dhe Xhamia e Madhe janë dy momente interesante që tregojnë sheshit për krizën politike-identitare të Kosovës së pasluftës. E para nisi të planifikohej në një kohë krize mbijetese e rimëkëmbjeje nga lufta, ndërsa e dyta si përgjigje e pamundësisë së tejkalimit të kësaj krize, shto këtu krizën globale dhe thellimin e mëtejmë të hamendësimit identitar të Kosovës.

Katedralja që në fillim pati konotacione politike-identitare; mendimi qytetar ishte gjëja e fundit që u përfill nga politika, e cila vendosi se i duhet Kosovës simbolika e saj (në këtë diskutim e përjashtoj çështjen e kërkesave dhe nevojave) dhe bëri atë që bëri dhe pikë! Nëse pati nevojë për Katedrale, kjo është çështje që nuk diskutohet, sigurisht që po! Nëse do t’duhej ta zinte atë vend në qytet dhe nëse ka mundur të ketë arkitekturë reminishente paleokristiane autoktone dhe jo romanike të huaj, është diskutim që tashmë e ka humbur rëndësinë. Fatkeqësinë e situimit dhe të arkitekturës që nuk na përfaqëson, do ta bartë Prishtina në supet e saja për një kohë të gjatë.

Në anën tjetër, Xhamia e madhe nuk është ndërtuar ende, rrjedhimisht gjykuar nga situata “fait accompli” e Katedrales, por konteksti skajshmërisht i shtrembëruar i të dytës që e ka tronditur debatin dhe shpirtin e qytetarëve, sugjeron të njëjtin skenar. Kulmi i stërkeqjes në rastin e Xhamisë (për dallim nga Katedralja) është abstinenca e politikës; politika këtu na del krejt jashtë kuadrit. Politika edhe në rastin e Xhamisë nuk e përfill mendimin qytetar (si te Katedralja), por kësaj radhe kemi të bëjmë me shpërfillje literale – asaj aq i bën! Pyes, a janë aq të pafuqishëm Presidenti, Kryeministri, Parlamenti dhe të tjerë të votuar para mendimit qytetar, apo nuk e kanë idenë se si të mendojnë? Abstenimi politik po e rrit polaritetin e mendimeve tashmë të ndara në dysh të qytetarit! Kjo dëshmon për një pikë klimaksi të krizës identitare të vetë politikanëve, krizë serioze në të cilën janë katandisur ata, e bashkë me ta po fundoset edhe qytetari. Ndërkohë që i kanë në duar institucionet dhe instrumentet shtetërore për t’i vënë në shërbim të qytetarit, ata kanë zgjedhur ta braktisin qytetarin dhe ta lënë atë që të zhytet në ligjet e xhunglës. Nëse ka nevojë për një Xhami qendrore në Prishtinë, është çështje që nuk diskutohet, patjetër që po! A duhet që kjo xhami ta përfaqësojë qytetarin e Kosovës edhe në kuptimin simbolik? Edhe këtu them fuqishëm po. Tani, këtu ndahen rrugët midis patriotëve dhe jopatriotëve, varësisht nga cili kënd i vështrimit gjykon: çfarë simbolike duhet të ketë kjo Xhami që të mund ta përçojë identitetin tonë kolektiv? Kush jemi ne dhe kush duam të jemi në këtë shekull? Arkitektura e Xhamisë, në fund të ditës, do ta japë këtë përgjigje! Fort do të dëshiroja ta dëgjoja Presidentin e Kryeministrin se si do ta pajtonin ata identitetin kosovar euroatlantik me simbolikën e aluduar të Xhamisë.

Xhelal Llonçari : Sa i përket Xhamisë së Madhe, pa marrë parasysh nevojën e patjetërsueshme për ta pasur një të tillë, nuk i është gjetur lokacioni adekuat. Vendi në të cilin është paraparë të ndërtohet është shumë i vogël, i inkastruar në mes të objekteve të cilat do e ngulfatnin atë në një anë dhe lartësia e Postës në anën tjetër do t’i bënte konkurrencë në vertikalitet dhe dukje. Kështu që asnjë zgjidhje arkitektonike nuk do ta zbuste këtë të metë te lokacionit. Te Katedralja e kemi të kundërtën. Ajo ka një lokacion të mrekullueshëm, por fatkeqësisht vendosja e objekteve dhe arkitektura e saj katastrofale, të bëjnë të të vie keq për humbjen e të gjitha tipareve pozitive të vendit që e ka. Ndërsa, “Kisha” ortodokse qëllimisht ka përmasa të jashtëzakonshme me një pseudo-stil bizantin. Ajo kishte për qëllim të mbizotëronte peisazhin urbanistik të Prishtinës, kurse vetë lokacioni kishte një porosi tjetër. Ajo duhej të shndërrrohej në një fokus dominant në kompleksin universitar, për ta traumatizuar hapësirën më vitale ekzistenciale të gjeneratave të reja.

Mjerim i arkitekturës apo arkitekturë e mjerimit?

– Në Prishtinë ngjalli debat edhe fati i ndërtesës së ish-qendrës tregtare “Gërmia”, mes idesë që të rrënohet si objekt e të shndërrohet në objekt të sallës së re koncertale dhe ruajtjes së saj si pjesë e trashëgimisë kulturore, duke u bërë galeri e artit bashkëkohor. Kundërshtuesit e idesë së rrënimit e quajtën idenë e rrënimit përpjekje për ta lënë Prishtinën pa ndërtesën e fundit që lidhet me të kaluarën?

Xhelal Llonçari : Këtu tentohet të flitet për njëfarë trashëgimie kulturore, gjë të cilën në kontekste tjera e kisha pranuar, pra do të isha pajtuar të ruhen objektet e tilla. Mirëpo sjelljet e deritashme tonat karshi objekteve të trashëguara  e zbehin ose e zhbëjnë tërësisht këtë pajtueshmëri. Këtu shtrohet pyetja : nëse nuk e kemi ruajtur “Kuvendin e Kosovës” e që në aspektin arkitektonik ka vlera të larta e se i njëjti, para syve tanë, është shndërruar në paçavurë në të cilën mund të shihen njollat e ekzebicionizmit të impotencës sonë kulturore e jo vetëm; duke i ndërruar shtyllat në hyrje të objektit, duke vendosur pervazë dekorative rreth dritareve te caktuara, duke e mveshur me qelq pa kurrfarë domëthënie një fasadë të tërë, duke shtuar shkallë atje ku nuk duhen, dhe së fundmi duke e mbështjellur pjesërisht me dofarë pllakash, si duket të para diku jashtë vendit. Pra, ku është reagimi qytetar e profesional, i cili po shkumon për ish-Shtëpinë e Mallërave? Pyetja tjetër e pashmangshme është shfytyrimi i “Bankkosit”, në vëllim, në dukje, në funksion etj.. Paramendoni sikur nesër të flitej për rrënimin e “Teatrit” tonë (po e fus ne thonjëza sepse edhe ky është projektuar si shtëpi kulture, por po na shërben si teatër), çfarë zhurme do bëhej… Trashëgimi, kulturë, bla… bla… bla. Shiheni të njëjtin sot. Askush nuk flet asnjë fjalë për të, edhe pse ai jeton i zgjebosur, me lloj-lloj lyrthash, me gangrena të shtuara do si do, pothuajse në të gjitha anët e tij. Ku është vlera e tij? Ku është kultura e të jetuarit të një objekti për të cilin nesër do të pretendojmë ta ruajmë? Ku është kuptimi i të jetuarit të një objekti të sëmurë kronik qe nuk na prezenton në mënyrë të denjë atë që është? Më tej, ku është hoteli “Bozhuri”? Çka u bë më të?T’i kthehem prapë Shtëpisë se Mallërave dhe asaj se cila është vlera e saj sot në kontekstin e shtruar më lartë. A thua ne do t’i lëshojmë të gjitha rastet për të ndërruar faqen e historisë sonë? Si është e mundur të lëshohet rasti për ta bërë një objekt i cili do të qartësonte kahjen e zhvillimit të shoqërisë sonë bashkëkohore? Raste të tilla i lëshuam kur e bëmë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Bibliotekën e Qytetit, deshëm ta bëjmë një marri të ngjashme edhe me Operën dhe tash duam që Galerinë e arteve moderne ta fusim në atë qymez. A është kjo vallë mjerim i arkitekturës apo arkitekturë e mjerimit?!

– Si një objekt i periudhës së arkitekturës socialiste/komuniste, “Gërmia” ruan ende tipare karakteristike që konsiderohen vlera arkitekturale, por megjithatë ka pasur ndërhyrje në tiparet origjinale. Kjo mosmirëmbajtje e origjinalitetit në këtë rast, por edhe në raste tjera, a e zbeh vlerën kulturore të këtyre objekteve?

Florina Jerliu

Florina Jerliu : Te “Gërmia” ka pasur një periudhë të gjatë të mosmirëmbajtjes, alternimit dhe braktisjes dhe ndërhyrjet që janë bërë gjatë kësaj kohe janë të pritshme. Ideale (lexo: e vështirë) është që diçka që qëndron për një kohë të gjatë të mos ndryshohet, nisemi nga vetja jonë. Por ka gjithnjë mënyra për të kthyer disa tipare që humbim, me kusht që shumë nga autenticiteti i ndërtesës ka arritur të ruhet. “Gërmia” në këtë rrafsh nuk qëndron keq; por edhe këtu, po e përsëris, bëhet valorizimi dhe mbi këtë bazë vendosen në tavolinë variantet e intervenimit (restaurimit) që duhet të bazohen në 1) ruajtjen e asaj që është burimore, 2) rikthimin e tipareve/vlerave që mbase kanë humbur dhe 3) krijimin e një vlere të shtuar për të akomoduar një funksion të ri (psh. galeri e artit), pa i cenuar dy të parat.

– Nga koha e Jugosllavisë, vitet e 70’ta cilësohen si “vite të arta” në përgjithësi, edhe nga studiuesit e ndryshëm, por edhe nga “kujtesa kolektive”. Një konstatim i tillë jepet edhe sa i përket ariktekturës të asaj kohe, duke konsideruar se Kosova në këtë drejtim ka arritur maksimumin e modernizimit në ato vite. Sa qëndron kjo?

Florina Jerliu : Jo e gjithë dekada e 1970-tave janë “vite të arta”. Në fakt ato fillojnë pas 1974 dhe përfundojnë gradualisht në periudhën e pas vitit 1981 (demonstratat e studentëve). Sidoqoftë, nga ajo kohë, ne trashëguam një bulevard ideologjik (Marshall Tito), i cili më parë ishte aveny, bosht përmbledhës administrativ-ekonomik, dhe të cilin pas luftës e  rikthyem në aveny (Nëna Tereze), më shumë si promenadë. Trashëguam edhe lagje të bëra në frymën moderne, sepse e tillë ishte epoka: ekonomizimi, maksimalizimi dhe standardizimi i ndërtimeve në frymë moderniste, për klasën punëtore urbane. Por ky modernizim i qytetit tek ne u bë në fragmente dhe për më keq, mbeti i papërfunduar – si proces zgjati vetëm rreth 10 vjet. Tani, problemi që e trashëguam bashkë me të është kritik: ne filluam rindërtimin e pasluftës së 1998/99 mbi një pëlhurë urbane të fragmentuar; ndërtuam që 20 vjet aty ku gjetem vend dhe ku mundem. Nuk po them se është dashur që pas luftës ta përfundojmë vizionin e modernes, por është dashur detyrimisht të kemi vizion për modernen dhe për bashkëjetesën me të. Për më keq, sikur nuk patëm vizion fare!

– Në vendet ish-socialiste, në këtë rast edhe në ato të ish-Jugosllavisë,  arkitektura e asaj kohe shpesh cilësohet si “peizazh i unifikuar” marrë parasysh linjën e njëjtë ideologjike në këto vende. Në këtë kuptim, nëse krahasojmë Prishtinën me kryeqendrat tjera të vendeve ish-jugosllave, a ka karakteristika dalluese arkitektura e saj gjatë kësaj periudhe?

Florina Jerliu : “Peizazhi i unifikuar” nuk ekziston në rastin e Prishtinës, ai është i fragmentuar. Peizazh ideologjik? Po! Për dallim nga Prishtina, qytetet ish-jugosllave e patën pak më të përfunduar urbanizimin modern, pëlhura e tyre urbane u bë më kompakte. Në Prishtinë ndodhi ndryshe, pra u la e fragmentuar, pikërisht me qëllimin që të promovohet një peizazh specifik ideologjik për Prishtinën, kryeqytet i Kosovës: zona historike u zhbë, ndërsa e vjetra më e degraduar e strukturës urbane u la ashtu siç ishte, e mbijetuar nga luftërat, pushtetet dhe dhuna e vazhdueshme shekullore; pra, nuk u modernizua plotësisht Prishtina, sepse ish-pushteti nuk pati interes që ta modernizonte jetën dhe infrastrukturën e shqiptarëve; aq më mirë për të: kështu propagonte “kulturën primitive shqiptare” për ta justifikuar rrënimin, ndërsa ndërtonte me beton modern “shpresën” që shteti shprehimisht po ia jepte shqiptarëve brenda ish-Jugosllavisë. Edhe “shpresën” e manipuloi: e bëri “prima facie” – arkitektura moderne shihet vetëm nga rrugët kryesore, ndërsa po të dilni prapa tyre, ose vështroni kontekstin e ngushtë të ndërtimeve moderne, ende ka “mbetje” të së kaluarës që kurrë nuk u trajtuan. Për shembull, prapa ish Komitetit ka shtëpi të vjetra e parcela toke, të vjetra së paku 100 vjet. Gjithashtu prapa ish KEK-ut. Pastaj, mentalisht, për dikë-dikë, Prishtina urbane përfundon me ndërtesën e Komunës; i gjithë veriu i Prishtinës është peizazh ideologjik  i mbijetesës. Kjo është karakteristika më dalluese e dukshme e arkitekturës sonë në raport me qytetet tjera të ish-Jugosllavisë.  

Xhelal Llonçari : Jo. Nuk ka “peisazh unifikues” tek ne dhe as në kryeqytet e ish-Jugosllavisë.

– Ka shumë arkitektë që vlerësojnë se arkitektura në vendet komuniste më shumë se krijimtari shprehëse është përkthim i ideologjisë në formë. A ndikon kjo që shpesh të këtë refuzim për t’u diskutuar mbi vlerat dhe rëndësinë që kanë objektet në Prishtinë të ndërtuara gjatë periudhës socialiste?

Xhelal Llonçari

Xhelal Llonçari : Duhet dalluar ish-Jugosllavinë nga vendet e tjera komuniste të kohës, sepse me tone të theksuara ideologjike ishin vetëm përmendoret e Luftës së Dytë Botërore. Objektet kulturore nuk ishin brenda këtyre kllapave, sikurse që nuk ishin as objetet turistike, siç janë hotelet. Ato kishin një arkitekturë moderne, pa tipare të socializmit. Kështu që, nga ky pikëveshtrim, nuk ka asnjë arsye për ndonjë refuzim.

– Duke pasur parasysh se ndërtimi i një qyteti ndër të tjera përfshinë brenda vetes edhe dimensionin historik, çfarë do të thotë për Prishtinën riprojektimi që i është bërë – madje pa ndonjë debat shoqëror – objekteve të periudhës socialiste, siç është rasti me Pallatin e Shtypit?

Florina Jerliu : Pallati i Shtypit nuk bën përjashtim; ndryshimi në fasadë, por edhe në enterier e tjetërsoi idenë origjinale të brut-arkitekturës që e kishte, e që është e rrallë në Kosovë (pra, ka vlerë rariteti). A kemi pasur nevojë për ndërtesë qeveritare? Po. A ka mundur të restaurohej dhe të modernizohej (retrofiting) e jo të rinovohej aq brutalisht? Sërish po. A jemi pyetur, qoftë specialistët, ose qytetarët? Jo. Përderisa qytetari shtyhet në margjina të qytetarisë, kështu do t’i kemi punët! Pallati i Shtypit u ndryshua në mënyrë jodemokratike nga një pari që bën bé në demokratizimin e Kosovës.    

Xhelal Llonçari : Pallati Shtypit mbase është storia më e dhimbshme dhe më e shëmtuar që i ka ndodhur Prishtinës. S`di a ka nevojë ta potencojmë rolin e atij Pallati, ku botohej gazeta ditore ”Rilindja”, ku botoheshin periodikët, librat shkollorë, libra të beletristikës etj.. Pra ishte një pishtar i emancipimit kulturor. Sa i përket arkitekturës, ajo ishte brutaliste –  nga betoni. Armeja me një pamje “burrërore”, e tash duket – sikur e kam quajtur në një shkrim të mëhershëm – “burrë i veshur me fustan”.

Ndërhyrja stihike

– Kur flasim për objekte simbolike të periudhës socialiste, shpesh pjesë e debatit ka qenë edhe ideja e rrënimit të tyre, duke krijuar një narracion të ri apo duke ua mveshur një simbolikë tjetërfare këtyre objekteve. Është i freskët rasti i monumentit “Vëllazërim Bashkimi”, që kishte për synim promovimin e solidaritetit mes kombeve në ish-Jugosllavi dhe që daton nga 1957’ta, por që sot nga zëra të shumtë cilësohet si sinonim i shtypjes jugosllave/serbe gjatë viteve të ’80-ta e ’90-ta. Çfarë thonë për Prishtinën objektet e tilla dhe çfarë do të thoshte në rastin e këtij monumenti përgjigja e institucioneve për t’u përballur me sentimentin nacionalist të masave, që do të mund të rezultonte me një vendim për rrënimin e këtij objekti?

Florina Jerliu : E thoni që ideja e rrënimit të objekteve të socializmit ka qenë shpesh pjesë e debatit, por në fakt, realiteti është ndryshe. Nuk u rrënua ndërtesa e ish-Kuvendit për ta ndërtuar një Parlament të ri, si simbol i shtetit të ri, siç ishte qëllimi i ndërtesës burimore të ndërtuar nga ish pushteti komunist, e as ish Komiteti, as Burgu, as Komuna, e as tre-rremëshi (monumenti i “Vëllazërim-Bashkimit”). Simbolikat që u mveshen janë të ndryshme; ne nuk kemi një përshkrim të trashëguar, të shkruar, lidhur me arkitekturën dhe simbolikën që bartin këto struktura. Bazohemi vetëm në interpretimet e masës, e ato janë të ndryshme. Ka edhe interpretime më shkencore, por janë të rralla, meqë këto struktura nuk janë mbrojtur me ligj dhe prandaj nuk kanë interpretim formal.

Xhelal Llonçari : Ajo përmendore më shumë ka simbolikë në emër se në vetë veprën. Ajo vepër ka në vete simbole të tjera e shumë pak ideologjike, dhe si e tillë nuk duhet rrënuar.

– Periudha paskomuniste është karakterizuar edhe me prirjen për të shkatërruar gjithçka të vjetër në emër të modernitetit. Nëse do të duhej konceptalizuar arkitekturën dhe urbanizmin e viteve ’90 në rajon dhe sidomos të pas ’99 në Kosovë, si do ta kishit cilësuar?

Florina Jerliu : Rindërtimi i pasluftës së viteve 1998/99 në esencë është ndërhyrje stihike, e kudondodhur në kontekste pasluftërash, me synimin për të ndërtuar i lirë në vendin tënd. Kjo s’ka asgjë të bëjë me ndonjë slogan të tipit “në emër të modernizimit”!  Kosovarët pas luftës ndërtuan në emër të lirisë nga represioni dhe shteti serb, pra jo se menduan se qyteti ishte i prapambetur e tani këta po e modernizojnë! 

Xhelal Llonçari : Kjo periudhë tek ne në Kosovë, në vitet e `90 –ta, është karakterizuar me ndërtimin e objekteve militare dhe me ngritjen e objekteve me tipare folklorike serbe nga ana e po atij pushteti. Sa i përket periudhës së pasluftës, hasim në tendenca të tilla sikur e permenda Pallatin e Shtypit apo sikurse është rasti me “Hotel Bozhurin”, “Bankkosin”, “Eksimkosin” etj. Nëse duhet të gjendet një emërues i përbashkët për të gjitha ndodhitë në fushën e arkitekturës për këtë periudhë, atëherë më e sakta do te ishte: kaos.