Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Beteja botërore për tregtinë elektronike

Davos, 25 janar 2019. Jashtë Forumit Ekonomik Botëror, shtatëdhjetë e gjashtë shtete nënshkruan një deklaratë të përbashkët mbi tregtinë elektronike, në të cilën pohojnë përsëri qëllimet e tyre, “nisjen e negociatave në kuadrin e Organizatës botërore të tregtisë mbi aspektet tregtare të lidhura me tregtinë elektronike”. Në dhjetor të vitit 2017, shtatëdhjetë prej tyre ishin shprehur në këtë drejtim pas konferencës së njëmbëdhjetë ministrore të OBT-së, në Buenos Aires.  Mes nënshkruesve, gjenden fuqitë kryesore të planetit (Shtetet e Bashkuara, Japonia, Bashkimi Europian, Rusia, Kina), por vihen re edhe disa mungesa të mëdha, duke filluar nga India dhe gati i gjithë Kontinenti Afrikan, shenjë kjo që tregon se çështja është larg arritjes së marrëveshjes. 

“Tregtia elektronike, ose tregtia numerike është risia më e gjerë e sfidave të reja të shekullit XXI në fushën e negociimeve tregtare ndërkombëtare”, shpjegon profesoresha Jane Kelsey, e universitetit të Auckland-it. “Disiplinat që janë në ndërtim e sipër shkojnë përtej çdo nocioni të ligjshëm të tregtisë. Ato mundohen të vendosin rregulla botërore mbi qeverisjen numerike – ndoshta tema më komplekse, më multidimensionale dhe më e diskutuar me të cilën janë përballur shtetet dhe shoqëritë gjatë këtij shekulli, bashkë me ndryshimet klimatike.” 

Një shans për zhvillimin e jugut?

Termi “tregti elektronike”, në vetvete, është i paqartë. Që në vitin 1998, OBT-ja e përcakton si “prodhim, promovim, shitje dhe shpërndarje e produkteve nëpërmjet rrjeteve të telekomunikacionit”. Ky përshkrim i turbullt, që në fillimet e tij korrespondonte me blerjen dhe shitjen e të mirave apo shërbimeve në internet, tani e tutje, po zbatohet në qarkullimin botëror të të dhënave, i parë si ari i ri i zi i shekullit  të XXI. Për shumë vëzhgues, pikërisht këtu fshihet edhe sfida e vërtetë e këtyre negociatave. “Pas këtij Kali të Trojës “tregtisë elektronike”, gjendet pronësia e të dhënave, që s’ka lidhje fare me të, shpjegon, kështu, Alberto Robles, i Institutit të botës së punës Julio-Godio, në Buenos Aires. “Na flasin për tregti elektronike, na thonë se duhet të futemi në modernitet, se të gjitha vendet do të përfitojnë etj. Por pyetja është: kush i kontrollon të dhënat? Dhe për momentin, këtë gjë e bëjnë ndërmarrjet e mëdha”. 

Google, Amazon, Facebook, Microsoft dhe gjigandë të tjerë të tregtisë numerike kanë përfituar shumë nga mungesa e rregullave dhe kanë ngritur një oligopol. Për ta zgjatur akoma më shumë këtë situatë, ata investuan që në fillim të viteve 2010 në një punë intensive lobingu pranë arkitektëve të politikës ekonomike dhe tregtare të Shteteve të Bashkuara. Objekti i tyre: të mbrojnë parimet si: qarkullimi i lirë i të dhënave apo refuzimi i çdo detyrimi të lokalizimit të grumbullimit të informacioneve personale (p.sh vendosja në Europë e serverave që do të mbajnë informacionet e europianëve), për të kufizuar ndërhyrjen e shteteve në aktivitetet e tyre. Ashtu siç e përmbledh Deborah James, nga rrjeti altermondialist Our Ëorld is Not For Sale (Oëinfs), “ata duan lirinë që të kapin miliarda të dhëna që ne, si qënie njerëzore të lidhura me njëra-tjetrën, prodhojmë çdo ditë, dhe t’i transferojnë ku të duan dhe t’i grumbullojnë në servera apo ku t’u duket më mirë atyre, dmth., kryesisht, në Shtetet e Bashkuara”.

Për Kelsey-n, “arritjet kryesore deri më sot, kanë qenë marrëveshjet e tregtisë dhe të investimeve megazonale të një brezi të ri”, traktatet që Shtetet e Bashkuara kërkuan t’i shumëfishojnë që në fillim të viteve 2010, më shumë për të evituar bllokimet e vazhdueshme  në gjirin e OBT-së, sesa për të krijuar një kuadër normativ botëror që rreshtohet me interesat e tyre strategjike në kuadrin e “ekonomisë së re”

Mes këtyre traktateve, marrëveshja e partneritetit transpaqësor, nënshkruar në shkurt të vitit 2016, shënon një fitore të parë përcaktuese për industrinë numerike. Kapitulli i saj mbi tregtinë elektronike rimerr, pothuajse, fjalë për fjalë, pretendimet kryesore të formuluara nga lobistë si Internet Association apo Computer and Communications Industry Association, që përmbledhin peshat e rënda të këtij sektori. Në vazhdim, zyra e përfaqësuesit amerikan të tregtisë – në atë kohë, me shef Z. Robert Holleyman, një drejtues i vjetër i një tjetër lobi të tregtisë numerike, Business Softëare Alliance – do të përmbledhë thelbin e një dokumenti me titull “Digital 2 Dozen”, që do të shërbejë si referencë për negociata të tjera. Midis njëzetë e katër parimeve të rimarra gjenden: “Lejimi i qarkullimit ndërkufitar të të dhënave” (parimi 4), “Parashikimi i pengesave të lidhura me lokalizimin”, (parimi 5), “Ndalimi i transfertave të detyruara të teknologjisë”, (parimi 6) apo dhe “Mbrojtja e kodeve-burim” (parimi 7). 

Në vitin 2017, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja para se ajo të futej në fuqi, e bëri industrinë që të dridhej. Por, që në vitin 2018, vendet e tjera anëtare përfunduan një marrëveshje të re, që rimerr tërësinë e akteve të Traktatit të Partneritetit transpaqësor mbi tregtinë elektronike. Paralelisht, rinegociimi i marrëveshjes së këmbimit të lirë amerikano-verior (Alena), midis Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë, arriti në një tekst që lehtëson akoma më shumë tendencën, sidomos në fushën e mbrojtjes së kodeve burimore dhe të algoritmeve. 

Gjithsesi, shumëfishimi i këtyre akteve në një maksimum marrëveshjesh shihet si një strategji pak frytdhënëse. Në fakt, traktatet kryesore nuk patën sukses, ose u braktisën (partneriteti transatlantik i tregtisë dhe i investimit, marrëveshja e përgjithshme mbi tregtinë e shërbimeve…) dhe riorientimi i politikës tregtare të promovuar nga Donald Trump, e largoi perspektivën nga përparimet e reja. Që atëherë, opsioni i kalimit nga Organizata Botërore e Tregtisë duket sërish tërheqës. 

Që në gjysmën e vitit 2016, një koalicion midis Shteteve të Bashkuara, Japonisë dhe Bashkimit Europian kërkon të vendosë këtë temë në tryezën e konferencës së njëmbëdhjetë ministrore të Buenos Airesit. “Këtu u shfaqën tri kampe, sipas një logjike Veri-Jug, siç është tradicionalisht rasti i Organizatës Botërore të Tregtisë, por, gjithashtu, në një mënyrë interesante, sipas një logjike Jug-Jug”, – thekson Z. Parminder Jeet Singh, i shoqatës indiane It for Change. Kampi i parë përfshin vendet që janë për një ekonomi numerike, pothuajse, tërësisht pa rregulla, si Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Bashkimi Europian (me disa nuance të përafërta). Kampi i dytë përmbledh Indinë dhe shumë vende afrikane, sipas të cilëve Organizata Botërore e Tregtisë duhej të zgjidhte probleme të tjera para se të hidhej në tregtinë elektronike (p.sh humbja e ciklit të Doha-s mbi zhvillimin, apo bllokimi i organeve të apelit, e ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara nën presidencën e Z. Barack Obama). Ata mendojnë se, gjithsesi, është akoma shumë herët “për t’u angazhuar në rregullat ndërkombëtare në një sektor që ata e kanë të vështirë ta rregullojnë në planin kombëtar”, siç thotë Z. Leopold Ismaël Samba, ambasador i republikës së Afrikës qëndrore dhe koordinator i vendeve më pak të përparuara të akredituara pranë Organizatës Botërore të Tregtisë. Dhe së fundi, kampi i tretë përfshin vendet në zhvillim, si Malajzia, Tajlanda, Nigeria apo Bangladeshi, të interesuara për tregtinë online, por që janë kundër vizionit pa rregulla, që mbron Veriu. 

Për të bindur vendet që ngurrojnë, promotorët e kësaj nisme do t’i ndrisin premtimet e zhvillimit të lidhura me tregtinë elektronike, sidomos për ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme të Jugut. “Një hipotezë absurde, ide jashtë realitetit”, e vlerëson Z. Singh: “Industria numerike që tani po lind në këto vende nuk do të forcohet nga diskutimet, negociimet apo marrëveshjet në shkallë botërore. Frika e një dëmtimi të konsiderueshëm duket akoma më shumë realiste.” Militanti indian ankohet ndaj një forme sovraniteti numerik që i lejon këtyre shteteve të zotërojnë sektorin e tyre kombëtar para se të nisin negociata shumëpalëshe.Ai mbron, gjithashtu, krijimin e hapësirave të reflektimit tërësisht të vendeve të Jugut, p.sh., në gjirin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi tregtinë dhe zhvillimin (Cnuced): “Organet e qeverisjes tregtare si OBT-ja janë vende ku është vështirë të negociohet. Vendet në zhvillim, fillimisht, duhet të rafinojnë mirëkuptimin e tyre të tregtisë numerike, të gjeoekonomisë së saj dhe të kuadrove të ndryshëm të qeverisjes së mundshme në forume të tjera, para se të arrijnë të përgatitur mirë në OBT”. Fillojnë të shfaqen pole të tjera rezistence. Në datën 1, prillin e kaluar, me nismën e rrjetit Oëinfs, 315 organizata nga më shumë se 90 vende, nënshkruan një letër të hapur “kundër rregullave mbi tregtinë elektronike në OBT”. Sipas tyre, këto rregulla paraqesin “një kërcënim të rëndë për zhvillimin, të drejtat e njeriut, fuqinë punëtore dhe prosperitetin në të gjithë botën”. Ato i bëjnë thirrje anëtarëve të OBT-së “të heqin dorë nga presionet e tyre për të bërë negociime mbi tregtinë elektronike dhe të përqëndrohen në mënyrë urgjente në transformimin e rregullave të tregtisë ndërkombëtare”. Por një kërcënim u fanitet kulisave të  këtyre negociatave: lufta mes Kinës dhe Shteteve  të Bashkuara. I vetmi vend që strehon gjigandë të aftë të rivalizojnë në shkallë ndërkombëtare me ata të Silicon Valley, Kina i parakalon Shtetet e Bashkuara në shumë sektorë kyç, teknologjia e së cilave është baza për 5G-në. Ose ajo ia vesh këto rezultate politikave që bien ndesh me parimet e “Internetit të lirë dhe të hapur” (duhet kuptuar: shkëmbyes i lirë), i cili reklamon zyrtarisht industrinë numerike perëndimore. “Gjatë dy dekadave të fundit, shkruan me  pezm, gjithashtu, Neë York Times, Kina ndërtoi dhe forcoi murin e madh numerik i cili pengon sitet e Youtube, Facebook, Google dhe Neë York Times që të arrijnë te më shumë se 700 milionë përdorues kinezë. Pas këtyre pengesave ndërmarrjet kineze si Alibaba, Baidu dhe Tencent filluan të lulëzojnë duke zhvilluar shërbime piku që i tejkaluan konkurentët e tyre perëndimorë në shumë këndvështrime.”

Rivaliteti Kinë-SHBA 

Pērveç kësaj, ndërmarrjet e huaja që operojnë në perandorinë e qendrës (Kinë) kanë si detyrim të grumbullojnë të dhënat e tyre dhe të bashkohen me ndërmarrje kineze. “Kina i përshkruan kufizimet në fushën e të dhënave si një sfidë për sigurinë kombëtare”, vazhdon e përditshmja, por aktorë të shumtë vlerësojnë se “këto rregulla synojnë më shumë të ndihmojnë Pekinin që të dominojë industritë me një intensitet të fortë të të dhënave”. Këto pengesa nuk do të zhduken kaq lehtë. Siç thotë një officer kinez, “edhe në negociatat dypalëshe që vazhdojnë akoma me Shtetet e Bashkuara, Kina e ka bërë të qartë se fusha të tilla si flukset transnacionale të të dhënave, heqja e ndalimeve të stokazheve në serverat lokalë (në vendet me ndërmarrje) dhe informatika jomateriale, nuk ishin të negociueshme”. 

Përballë kësaj, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Bashkimi Europian botuan tre propozime pothuajse identike për të mbrojtur një program negociimi me OBT-në, duke përfshirë këtu dhe tema që pezmatojnë, krejt ndryshe nga qëllimet e Kinës. Muajt që na ndajnë nga konferenca e ardhshme ministrore e OBT-së në Astana, në qershor të vitit 2020 – do të jenë vendimtare.

*Doktor në shkencat politike dhe sociale i ngarkuar me studime në Qendrën Trikontinentale Cetri (www.cetri.be), autor i “E ardhmja e punës e parë nga jugu”, “Kritika e revolucionit të katërt industrial”, Syllepsis, coll “Me kokë poshtë”, Paris, 2019. (Syllepse, coll. “Sens dessus-dessous”).

Botime të tjera