VËSHTRIM
Drejt paradigmës së ekonomisë qarkulluese

Zhvendosja e ekonomisë së vendeve të zhvilluara drejt shërbimeve gjatë tridhjetë viteve të fundit ka patur pasoja të matshme në pabarazinë sociale dhe ekonomike. Ndërsa fabrika e shekullit XX siguronte një rrugë të qëndrueshme drejt klasës së mesme, ekonomia e mijëvjeçarit të ri ka shenjuar një thyerje të ashpër midis punonjësve të keqpaguar të shërbimit dhe bonuseve të larta të klasës krijuese në ekonominë e re të dijes.

2521

Biologjikisht secilit prej nesh i nevojiten 90W energji për të jetuar, njësoj sa një llampë e thjeshtë inkandeshente. Por prej gati dy shekujsh si qenie urbane secili prej nesh konsumon mesatarisht 100 herë më shumë nga sa i nevojitet. Revolucioni industrial është pasuar nga një ortek inovacioni çka e ka shtyrë Paul Crutzen ta quajë kohën në të cilën jetojmë si era e antropocenit: tashmë shfrytezojmë në një mënyrë apo në tjetër më shumë se 50% të sipërfaqes së planetit. Përgjatë treqind viteve të fundit popullsia e tokës është dhjetëfishuar, ndërsa konsumi i energjisë është gjashtëmbëdhjetëfishuar vetëm në shekullin e fundit.

Antropoceni në fakt nuk është thjesht një shenjues i historisë, por një mentalitet i ri i cili duhet metabolizuar një orë e më parë. Dekadat e fundit ka patur një ndjeshmëri gjithnjë në rritje ndaj riskut të panjohur të pasojave të ekonomisë tradicionale bazuar në prodhim dhe konsum masiv. Është e qartë tashmë se modeli ynë ekonomik ka rreshtur së funksionuari: kjo ndihet në çdo aspekt të jetës njerëzore, nga impakti në klimë te pabarazia ekonomike.

Shprehja “çudia më e madhë zgjat tre ditë” ilustron me së miri vështirësinë e trurit për ta kuptuar ndryshimin midis rritjes aritmetike dhe asaj eksponenciale. Çuditë eksponenciale rëndom shkelin kufinjtë e të arsyeshmes. Rritja e ekonomisë botërore në dyqind vitet e fundit ka një kurbë eksponenciale. Kjo do të thotë se e ardhmja, bëhet e tashmja, gjithnjë e më shpejt. Një nga arsyet përse problemet me të cilat përplasemi ngjajnë gjithnjë e më të vështira apo të pamundura për t’u zgjidhur, është fakti se zhvillimi ekonomik botëror po arrin një pikë kritike. Sfidat e tridhjetë viteve të ardhshme janë një provim pa mundësi përsëritjeje. Dilemat energjitike dhe mjedisore me të cilat do të duhet të përballemi nuk kanë ekzistuar më parë dhe nuk do të ekzistojnë më, nëse arrijmë t’i tejkalojmë me sukses. Situata që po kalojmë veçse e rrit ndjeshmërinë ndaj jetës në shekullin XXI: e paqendrueshme, e pasigurtë, e paqartë dhe tejet komplekse. Pandemia amplifikon mëtej nevojën për të marrë disa vendime të rëndësishme: mund të jetë një shans për ta përmirësuar status quo-n, ose mund ta rizgjojë instiktin e konsumit të papërgjegjshëm të shekullit të fundit. Në vitin 1854, Londra kishte aq riciklues urbanë sa nëse një ditë do të themelonin qytetin e tyre do të ishin qyteti i pestë më i madh në Britani: mbledhës leckash apo riperdorues bakri , ata përbënin një rrjet kompleks ricikluesish informalë të cilët i mbijetonin përditshmërisë duke nxjerrë bukën e gojës nga plehrat e qytetit.

Konsumi

Prodhimi në masë e si pasojë modulariteti dhe standardizimi i mes-shekullit të kaluar bëri të mundur mirëmbajtjen e paisjeve dhe teknologjisë. Të gjithë e kemi çuar të paktën njëherë, televizorin te tekniku gjatë viteve 90. Në dekadën e fundit ama edhe riparimi apo mirëmbajtja u cilësua anatemë e komodifikimit të mëtejshëm të produkteve të përditshme: kështu smartphone-ve tanë sot nuk mund t’i ndërrojmë më as baterinë. Kjo patjetër lehtëson vjetërimin e qëllimshëm dhe të panevojshëm të produkteve të konsumit.

Paradigma aktuale tenton t’i minimizojë kostot nëpërmjet prodhimit në masë e duke injoruar të gjitha eksternalitetet e ngulitura në produktin final. Këto jashtësi ama nuk zhduken në eter: ato precipitojnë rreth e rrotull nesh: në ajrin që thithim, në ujin që pijmë e ushqimin që hamë. Shpërdorimi në prodhim ama nuk duhet të na çudisë . Në fund të fundit biznesi ka për qëllim parësor rritjen e fitimit, jo të efiçencës së përdorimit të materialeve.

Nuk duhet harruar se asnjë ndryshim i paradigmës aktuale nuk mund të ndodhë pa adresuar thelbësisht qasjen kulturore ndaj prodhimit dhe konsumit. Tendenca për “konsum të dukshëm”, pra shpenzimi i parave për produkte të shtrenjta që shërbejnë si një reklamë publike e pasurisë së blerësit është identifikuar që në 1899 nga Thorstein Veblen. Makina e shtrenjtë e një shoferi që jeton me qira, është shembulli ‘par excellence’ i Veblenit në Evropën Lindore të shekullit XXI.

Të bërit pazar shihet nga disa edhe si reaksion ndaj modernitetit. Një akt kaq i rëndomtë që formëson gjysëm-fshehur klasat sociale dhe ekonomike të një shoqërie moderne. Pa dashje gjeneron edhe një spirale palumturie: aspiratat për të konsumuar produkte gjithnjë e më të shtrenjta rriten proporcionalisht me zerot në llogarinë bankare, një tjetër universale e përmbledhur nga togëfjalshi tradicional: “njeriu do atë që s’ka”.

Politikisht është thuajse e pamundur të imagjinohet një lider që i premton qytetarëve më pak, ose në rastin më të mirë, kaq sa ç’kemi sot. Konsumi material në shoqërinë e sotme i përngjason në fakt një varësie psikologjike, por që ndryshe nga duhani apo bixhozi, është mimetizuar përtej kufijve kulturorë e kombetarë, si një sjelljë normale e shoqërisë njerëzore.

Degradimi mjedisor dhe shoqëror

Çelësi në adresimin e modelit “merr-perdor-hidh” është shmangia e aktiviteteve që zhvlerësojnë materialet në çdo cikël të prodhimit a përdorimit. Ekonomia qarkulluese përngjason me të vetmin variant të së ardhmes që mund të ruajë prosperitetin ekonomik, por duke e divorcuar atë nga degradimi i pashmangshëm mjedisor dhe shoqëror. Një politikë më e shëndetshme mund të incentivojë edhe një kosto më të lartë në prodhim, me qëllim ruajtjen ose akoma më mirë rritjen e vlerës përgjatë ciklit të përdorimit. Reduktimi, ripërdorimi, apo riparimi preferohen më shumë se riciklimi,veçanërisht kur merret parasysh fakti se shumica dërrmuese e materialeve të riciklueshme ka një numër të kufizuar ciklesh. Në këtë kuptim riciklimi është vetëm një zgjidhje e përkohshme e problemit, një shtyrje në kohë e shpërdorimit. Shndërrimi i modelit ekonomik drejt paradigmës së ekonomisë qarkulluese mund ta përgjysmojë dioksidin e karbonit deri në vitin 2030, e në terma zhvillimore Bashkimi Evropian mund t’i kursejë 600 miliardë euro, ta rrisë produktivitetin me 30% dhe të gjenerojë mbi 2 milionë vende pune.

Potenciali për t’i dhënë peshë punës prodhuese të së ardhmes nuk mund të nënvlerësohet. Zhvendosja e ekonomisë së vendeve të zhvilluara drejt shërbimeve gjatë tridhjetë viteve të fundit ka patur pasoja të matshme në pabarazinë sociale dhe ekonomike. Ndërsa fabrika e shekullit XX siguronte një rrugë të qëndrueshme drejt klasës së mesme, ekonomia e mijëvjeçarit të ri ka shenjuar një thyerje të ashpër midis punonjësve të keqpaguar të shërbimit dhe bonuseve të larta të klasës krijuese në ekonominë e re të dijes. Koha e punëtorit-dron që specializohet në një punë të rëndomtë e rraskapitëse ka përfunduar. Punëtorët e së ardhmes duhet të jenë të aftësuar teknikisht dhe të mirëpaguar. Riparimi dhe përmirësimi i produkteve ekzistuese është një traditë e rëndësishme dhe ndërsa ka kosto më të lartë direkte, ka shumë më pak eksternalitete sesa modeli aktual i komodifikimit të punës. Rivlerësimi i punës prodhuese do të ndihmonte edhe në adresimin e pabarazive strukturore, duke rritur thelën e të ardhurave nga puna kundrejt të ardhurave nga kapitali.

Përtej skepticizmit gjaknxehtë të pandemisë e ardhmja e botës do të jetë kokëfortësisht urbane. Pavarësisht situatës ku ndodhemi ama, prej vitesh gjenerata e internetit ka një qasje gjithnjë e më autarkike, sidomos në terma të ekonomisë e prodhimit. Vlera e shtuar në nivel lokal a rajonal do të marrë gjithnjë e më shumë rëndësi, ndihmuar nga teknologjia dhe dëshira për të qenë sa më i pavarur nga një sistem që siç u tregua edhe nga pandemia funksionon një hap larg buzës së greminës. Impakti i printimit aditiv 3D, duke minimizuar përdorimin e materialeve, por ndërkohë duke lejuar produkte ad-hoc të dizenjuara sipas dëshirave të individit, ka potencialin ta kthejë përmbys modelin e sotëm.

Dekada e fundit ka parë një sërë ndryshimesh në qasjen ndaj ekonomisë së shërbimeve. Një rol kyç ka luajtur ekonomia e bashkëpërdorimit (Airbnb apo Uber) ku një objekt në pronë të dikujt vihet në dispozicion të dikujt tjetër sipas kërkesës. Ky model ka stimuluar një përdorim më efiçent të disa aseteve. Gjithashtu shumë prej nesh janë tashmë të “abonuar” në shërbime të ndryshme: makineta e kafesë me kapsula apo dekoderi i televizorit gjendet në shumë shtëpi të kryeqytetit. Ky model abonimi rrit interesin që ofruesi i shërbimit ka në jetëgjatësinë e produktit. Sa më rrallë të ndryshohet dekoderi apo makineta, aq më të larta fitimet e biznesit.

Tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, ishte një provë e dhimbshme se asgjë nuk është e përjetshme. Si çdo produkt tjetër, edhe ndërtesat kanë një jetëgjatësi të përllogaritshme. Në bazë të materialit dhe tipit të teknologjisë së ndërtimit një strukturë moderne mund të jetojë për 50 deri në 100 vjet, duke kërkuar pastaj ndërhyrje mirëmbajtjeje progresive që shumë shpejt tejkalojnë kostot e rindërtimit. Por sfida nuk është vetëm te ndërtesat që duhen rindërtuar. 70% e objekteve që do të duhen për të na strehuar në vitin 2050 ende nuk janë ndërtuar. E ardhmja e industrisë së ndërtimit duhet të jetë fleksibël dhe modulare. Teknologjia duhet të minimizojë përdorimin e materialeve të virgjëra dhe të rrisë lehtësinë e mirëmbajtjes dhe riparimit të çdo komponenti të ndërtesës së të ardhmes. Infrastruktura e të nesërmes do të duhet të gjenerojë energjinë e saj dhe të funksionojë me një cikël të mbyllur të uijt e materialeve të tjera.

Këmbëngulja e minoritetit për ndryshime të mëdha

Katër janë qasjet më të mundshme që na çojnë drejt këtij ‘zeitgeist’ të ri të ekonomisë urbane: dizajni efiçent i produkteve, nikoqirllëk në proceset prodhuese, ripërdorim e rijetësim efikas i produkteve dhe incentivim i përdorimit të materialeve të rinovueshme. Potenciali i dizajnit në produkte apo ndërtesa do të kishte impakt të lartë, aktualisht rreth 30% e materialeve të një strukture mund të kurseheshin nëpërmjet një projekti më të mirë. Amballazhet e produkteve të konsumit mesatarisht prodhojnë 30kg mbeturina plastike në vit për çdo banor të BE. Një dizajn më i mirë i tyre mund të kishte një impakt të qenësishëm në plehrat e dëmshme plastike. Më tej rreth 25% e çelikut dhe 50% e aluminit nuk arrijnë kurrë në duart e konsumatorit, por shpërdorohen gjatë proceseve prodhuese. Trajtimi i këtyre mbetjeve si skrap ka kosto të konsiderueshme energjitike dhe dizajni me efiçent do të ndihmonte në uljen e mbetjeve të paarsyeshme në procesin e prodhimit.

Duhet mbajtur mend ama se rritja e efiçencës nuk sjell detyrimisht ulje të volumit absolut të konsumit. Kjo ide disi kontradiktore është artikuluar në shekullin XIX nga ekonomisti William Stanley Jevons. Një shembull i thjeshtë i paradoksit të Jevonsit është konsumi i automjeteve. Edhe pse efiçenca matur në km / litër është rritur në mënyrë të vazhdueshme në shekullin e fundit, volumi total i karburantit të përdorur për lëvizshmërinë është rritur eksponencialisht. Pra në historinë e botës pas revolucionit industrial, rritja e efiçencës së përdorimit të një resursi nuk ka sjellë kursim, por është përkthyer në rritje të volumit total të konsumit të këtij të fundit: shembuj tjetër është energjia elektrike, e cila kushton qindra herë më lirë se para një shekulli në sajë të rritjes së efiçencës, dhe pikërisht për këtë arsye shërben dhe si infrastruktura jetësore e jetës njerëzore.

Nassim Taleb shpjegon se si vendosmëria e një grupi të vogël kokëfortë mund të precipitojë ndryshime të mëdha të një shumicë e painteresuar. Nëse 3-4% e klientëve në një lokal do të kërkonin me këmbëngulje mospërdorimin e pipave plastike, do të ishte në interesin e lokalit të kapërdinte koston margjinalisht më të lartë të pipave të kartonit për ta shmangur sikletin dhe kërkesën e përhershme të minoritetit kokëfortë. Kjo edhe sepse shumicës së painteresuar të klientëve nuk i bën ndryshim materiali i pipës në kokteilin e tyre. Ndaj ndryshimi i një paradigme ekonomike dyqind vjeçare me interesa të ngulitura biznesi nuk është i thjeshtë, por nuk është as i pamundur. Duhet veçse këmbëngulje nga një minoritet kokëfortë.

(Autori është Arkitekt nga Tirana)