ALEANCA MIDIS QEVERIVE DHE GJIGANDËVE TË SILICON VALLEY
Dy fytyrat e censurës

Shtetet dhe multinacionalet dixhitalë paraqiten rregullisht si kundërshtarë, të parët duke bërë përpjekjet e tyre për kontrollin e këtyre të fundit, të cilët luajnë me ligjet. Por kur bëhet fjalë për monitorimin dhe censurimin e internetit, marrëdhënia e tyre bëhet simbiotike. Kjo aleancë midis pushtetit publik dhe kapitalizmit konjitiv nuk është e re...

2384

Më 12 nëntor 2018 në sallën e madhe të konferencave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (Unesco) në Paris, mbahet Forumi për Qeverisjen e Internetit. Me plot entuziazëm, z.Emmanuel Macron ecën drejt tryezës. I vendosur për ta luajtur rolin e mbrojtësit të demokracisë liberale përballë populizmit “joliberal”, presidenti i ri francez duket mjaft i qetë përballë audiencës ndërkombëtare që ka ardhur ta dëgjojë atë të diskutojë çështjet kryesore të dixhitalizimit. Sic pritej, në fjalimin e tij, ai përballë dy modele të rregullimit të Internetit: nga njëra anë, “Internetin Kalifornian“, libertarian, “i drejtuar nga aktorë privatë, të fortë, dominues, botërorë“, dhe i gatshëm për çdo kontroll shtetëror; nga ana tjetër, “Interneti kinez”, “i veçuar dhe i monitoruar plotësisht” nga “shtete të forta dhe autoritare”. Një alternativë që i lejon atij të përcaktojë një model të tretë: ku “të gjithë aktorët e Internetit” – “shoqëritë civile, aktorët privatë, OJQ-të [organizatat joqeveritare], intelektualët, gazetarët, qeveritë” – arrijnë ta zhvillojnë një “rregullore bashkëpunuese të përbashkët“.

Pas mitit të përhapur të një “qeverisjeje shumëpalëshe” të Internetit, megjithë referencat për “shoqërinë civile”, presidenti francez promovon projektin i cili, nga këndvështrimi i tij, do të bëjë të mundur artikulimin e më të mirës së të dyjave botëve: kapitalizmi mbikëqyrës i pakontrolluar dhe grushti i hekurt i shtetit. Në mungesë të kampionëve kombëtarë dixhitalë – ata me të cilët Kina ose Rusia mund të mburren për të armatosur politikat e tyre të kontrollit të Internetit -, vendet evropiane duhet të bëjnë ç’të munden me një pjesë të vogël të kompanive amerikane që po kalojnë në krye të kapitalizimeve të bursës botërore. Pavarësisht ligjeve – të miratuara ose të premtuara – të cilat synojnë të frenojnë abuzimet e platformave (abuzimi i një pozicioni dominues, prishja e privatësisë, fake news, etj.), konflikti midis shteteve dhe multinacionaleve dixhitale në të vërtetë maskon një ndërvarësi gjithnjë në rritje.

Historia e mbikëqyrjes dhe censurimit të komunikimit është e nevojshme për të kuptuar këto zhvillime. Kjo sepse, përtej konjukturës neoliberale, logjika e bashkëpunimit midis pushtetit publik dhe menaxherëve privatë të mediave duket se është një konstante në historinë e mediave. Përballë krizave të shkaktuara nga ndërprerje teknologjike ose trazira politike, këto aleanca bëjnë të mundur rikthimin e kontrollit efektiv mbi qarkullimin e ideve.

Në shekullin e 16-të, ndërkohë që zhvillimi i shtypshkronjës ndihmoi në demokratizimin e aksesit në libra dhe përhapjen e doktrinave politike dhe fetare, shteti iu drejtua partneriteteve publike-private për të mbyllur hendekun e kundërshtimeve. Në Francë, qysh në vitin 1539, François I përcaktoi kushtet për ushtrimin e profesionit të printimit dhe shitësit të librave në Paris dhe Lyon, qendrat kryesore të botimit. Po ashtu, ai krijoi dhoma sindikale përgjegjëse për të luajtur rolin e bashkëbiseduesit të shtetit për të gjithë sektorin. Në vitin 1618, u krijua një dhomë sindikale unike e librit e cila ishte e pajisur me kompetenca policore: përfaqësuesit e saj vizitonin shtypshkronja dhe librari, mbikëqyrnin zbatimin e rregulloreve, etj. Për ta dobësuar konkurrencën, shitësit e librave parizianë kërkuan monopol të përhershëm në botimin e librave. Kardinali i Richelieu pranoi pjesën më të madhe të kërkesave të tyre, por në këmbim, ata duhet të kryenin detyrat e tyre policore dhe të plotësonin kritere të ndershmërisë.

Pas disa ndryshimeve, veçanërisht në favor të shitësve të librave në provinca, kjo politikë do të mundësonte që rreth tridhjetë printues-librarë të kontrollojnë sa më mirë prodhimin dhe shpërndarjen e librave brenda mbretërisë. Ashtu si sot me gjigandët dixhitalë, ky centralizim i ekonomisë së printuar i lejon shtetit të zvogëlojë numrin e ndërmjetësve për të kontrolluar, dhe për këtë arsye të ulë “kostot e transaksionit” që lidhen me censurën .

Pas periudhës së paparë më parë të lirisë së shprehjes që shoqëroi Revolucionin Francez, Perandoria Napoleoniane zhduku gazetat e pavarura dhe zvogëloi në asgjë numrin e printuesve dhe titujve. Nga vitet 1830, megjithatë, me lehtësitë që solli ligji i vitit 1881 për lirinë e shtypit, qeveria toleroi ngritjen e një shtypi popullor me numër te madh botimesh. A duhet të shihet kjo si një lëshim për idealin e lirisë, apo thellim të partneritetit midis pushtetit politik dhe industrive të shtypit? Përveç valëve shtypëse që goditën botimet kundërshtuese, veçanërisht botimet socialiste, duket se përkundrazi, në një sektor të rrënuar nga rritja e përqendrimit ekonomik, janë garancitë e dhëna nga komuniteti i biznesit që e bënë të mundur një liberalizim të tillë.

Risitë në teknikat e shtypjes, shfaqja e shtypit “me çmim të lirë” të financuar nga reklamat, si dhe progresi në lexim, ndezën një garë që favorizoi kalimin nga një shtyp politik opinioni në një shtyp informacioni dhe argëtimi. Një proces i tillë presupozon lidhje gjithnjë e më të ngushta midis tregtarëve të shtypit dhe autoritetit rregullator. Koncesionet për liritë publike, të simbolizuara nga ligji i vitit 1881, i cili i dha fund censurës duke i kushtuar mbrojtje gjyqësore lirisë së fjalës, duhet të maten në funksion të lëvizjes së depolitizimit, të iniciuar nga hyrja në epokën e mediave masive. Në vend të një pushtimi heroik të një shtypi tanimë të pavarur nga pushteti politik – sipas narrativës zyrtare në historinë mbizotëruese të mediave – ligji i vitit 1881 shpreh pranimin nga pushteti, se policia e saj eshte akoma më efikase kur di të sillet me liberalizëm; me pak fjalë, kur shpata e ligjit u hap rrugë disiplinave të kapitalizmit informativ. Për më tepër, pasi ligjvënësi i Republikës së Tretë ishte i kujdesshëm për të siguruar veten përmes masave që synonin të shtypnin disa kritika ndaj autoritetit.

Aleanca të ngjashme do t’i garantonin shtetit, që nga vitet 1860, kontrollin e rrjeteve të para private të telekomunikacionit. Në fund të shekullit XX, pas epokës së monopoleve shtetërore në median hertziane, procesi i privatizimit i riktheu në jetë këto konflikte. Edhe një herë, hapësira mediatike ishte subjekt i një nënshtrimi të dyfishtë, i shtetit dhe i tregut.

Në vitet 1990, në sajë të militantëve të saj avant-garde, Interneti u shfaq si një forcë e aftë të ndryshojë situatën: Web-i do të lejonte përhapjen e mediave alternative dhe do shkatërronte hegjemoninë e grupeve të mëdha të komunikacionit, të varura nga pushteti politik. Megjithatë këtu përsëri, në vazhdën e krizave të sigurisë, shteti po rindërton kontrollin e tij duke luajtur me përqendrimin e ekonomisë politike të Internetit1. Duke ndjekur logjikën e tyre të akumulimit, platformat e mëdha dixhitale vërtet arrijnë të centralizojnë një pjesë të madhe të komunikimeve tona dhe të zhvillojnë aftësi unike për të monitoruar popullsinë dhetë censurojnë hapësirat e shprehjes se opinioneve. Këto janë të gjitha teknikat që shteti synon të adoptojë.

Që në vitin 2013, dokumentet e paraqitura nga Edward Snowden zbuluan pjesëmarrjen e platformave kryesore në programet e survejimit të inteligjencës amerikane. Në atë kohë, drejtuesit e këtyre kompanive nuk kishin kursyer asnjë përpjekje për t’u shkëputur nga aparati i sigurisë dhe të siguronin përdoruesit e tyre – pa kufizuar megjithatë bashkëpunimin e tyre me autoritetet, veçanërisht kur hetuesit kërkojnë qasje në informacione private të lidhura me llogari private. Midis 2013 dhe 2018, në Shtetet e Bashkuara, numri i përdoruesve të prekur nga kërkesa ligjore të autorizuara në bazë të Foreign Intelligence Act  (Ligjit për Inteligjencën e Jashtme) u rrit me 680% në Google dhe me 1.300% në Facebook. Në Francë, shkëmbimet e vendosura që nga 2015 në kuadrin e një “grupi kontakti” midis oligopolit dixhital dhe Ministrisë së Brendshme gjithashtu kanë shkaktuar një rritje mbresëlënëse të numrit të të dhënave të dërguar tek autoritetet: një rritje prej 670% për Google dhe 800% për Facebook midis 2013 dhe 2019. Falë këtij organi të errët, një pasardhës i largët i dhomave të sindikatave të shtypësve-librashitësve nën Regjimin e Vjetër, këto kompani i mbajnë gjithashtu autoritetet franceze të informuara për update-et që po bëjnë në shërbimet e tyre, për shembull protokolle kriptografike të cilat rrezikojnë të minimizojnë kapacitetet e mbikëqyrjes së shtetit.

Në të njëjtën kohë, traktatet e bashkëpunimit gjyqësor, të cilat më parë qeverisnin qasjen nga autoritetet kombëtare në të dhënat e ruajtura jashtë kufijve të tyre, janë duke u anashkaluar. Legjislacioni i ri siç është Cloud Act, i shpallur në Mars 2018 nga Donald Trump dhe ekuivalenti i tij Evropian – paketa “e-Evidence” – që aktualisht po shqyrtohet, janë promovuar në mënyrë aktive nga Google ose Microsoft. Ata i lejojnë këto kompani të vendosin vetë nëse një kërkesë e veçantë ektraterritoriale respekton të drejtat themelore të përdoruesve. Këto mekanizma mund të ndërkombëtarizohen përmes traktateve si Konventa e Këshillit të Evropës për Kriminalitetin Kibernetik.

Në frontin e censurës po formohen aleanca analoge dhe po shënojnë një rënie historike në garancitë e lirisë së shprehjes. Që prej sulmeve të janarit 2015 në Paris, lufta kundër propagandës xhihadiste dhe “gjuhës së urrejtjes” justifikon një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë midis forcës policore dhe platformave për të fshirë shprehje që konsiderohen të paligjshme ose thjesht “të padëshiruara”, sipas termit të përdorur nga Z. Macron në Unesco. Tani behet fjalë për masivizimin e censurës duke anashkaluar procedurat ligjore. Shtetet kanë për qëllim të përgjithësojnë përdorimin e teknikave të “inteligjencës artificiale” të zhvilluara nga gjigandët e Silicon Valley për të identifikuar “përmbajtje” të cilat konsiderohen të papërshtatshme në oqeanin dixhital dhe për ti bllokuar ato. Dhe kjo edhe nëse, tani për tani, platformat duhet t’i bëjnë thirrje mijëra “duarve të vogla të censurës”, këta punëtorë  përgjegjës për zbatimin e politikave të moderimit.

Pas eksperimenteve të kryera në nivel kombëtar ose nën kujdesin e organeve të tilla si Europol, tekstet ligjore po përjetojnë këtë model të ri të censurës. Ky është kuptimi i ligjit gjerman NetzDG, i miratuar në qershor 2017 për të luftuar “gjuhën e urrejtjes” në internet, por edhe të ekuivalentit të tij në proces miratimi nga Parlamenti Francez (ligji i propozuar “kundër përmbajtjeve të urrejtjes në internet “), ose rregullorja evropiane kushtuar luftës kundër propagandës terroriste, e cila aktualisht po miratohet në Bruksel.

Në një letër të përbashkët dërguar Komisionit Evropian në prill 2018, ministrat e brendshëm francez dhe gjerman folën hapur për qëllimin e këtyre teksteve: përgjithësimin në të gjithë Webin e pajisjeve të censurës të zhvilluara nga Google ose Facebook. Ata gjithashtu shpjegojnë se “justifikimi i terrorizmit” (l’apologie du terrorisme) – një nocion i përdorur rregullisht për t’i bërë të padukshëm shprehjet kundërshtuese – ishte vetëm një hap i parë. Në fund të fundit, shkruajnë ata, “do të jetë e nevojshme të zgjerohen rregullat e përcaktuara për përmbajtjen e pornografisë së fëmijëve dhe për ato që lidhen me gjuhën e urrejtjes (nxitje ndaj diskriminimit dhe urrejtjes racore, sulm ndaj dinjitetit të personit njerëzor)“. Exit, ligji i vitit 1881 dhe mbrojtja gjyqësore e lirisë së shprehjes. Një regjim censurimi jashtëgjyqësor kryesisht i privatizuar dhe gjithnjë e më i automatizuar, është në proces konsolidimi.