Imazhet e agonisë së George Floyd i mbytur nga një polic i Minneapolis ndërkohë që kolegët e tij u nuk bënë asgjë për ta ndaluar, nxitën një valë proteste jashtëzakonisht të madhe në Shtetet e Bashkuara. Qindra mijëra njerëz janë mbledhur në të gjithë vendin për të denoncuar me forcë dhe ndonjëherë dhunshëm, diskriminimin që i bëhet minoriteteve nga policia. Disa ditë më vonë, dhjetëra mijëra protestues u mblodhën në Paris dhe në disa qytete franceze, me apelin e Komitetit të Drejtësisë për Adama Traoré, i cili vdiq pas arrestimit të tij nga policia në korrik 2016. Së bashku me qytetarët e thjeshtë marshuan figura të shquara politike, ndërsa lëvizja mori mbështetjen e yjeve të kinemasë, futbollit apo muzikës. Kjo protestë bëri madje shumë shpejt që Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner, të vinte në pikëpyetje praktikat e mbytjes nga shtëngimi dhe premtoi të përmirësojë etikën e forcave të rendit, veçanërisht në lidhje me racizmin.
Shkalla e lartë e këtij mobilizimi, si mbulimi i tij politik dhe mediatik, është në kundërshtim me historinë e luftës kundër dhunës policore. Nga Youssef Khaïf e deri te Lamine Dieng, nga Wissam El-Yamni tek Ibrahima Bah, duke përfshirë Zyed Benna dhe Bouna Traoré, Abdelkader Bouziane, Allan Lambin, Amine Bentounsi dhe shumë të tjerë, një listë e gjatë e të rinjve që vinin nga klasa punëtore, vdekja e të cilëve i atribuohet, drejtpërdrejt ose indirekt, policisë. Midis janarit 1977 dhe dhjetorit 2019, 676 njerëz të vrarë nga policia ose nga agjentët e xhandarmërisë u regjistruan kështu nga site Basta!, pra mesatarisht 16 në vit. Gjysma e tyre ishin nën 26 vjeç dhe pothuajse gjysma e rasteve përfshinin rajonin e Parisit, Lyonit dhe Marseilles.
Sekuencat e reagimit ndaj këtyre tragjedive përsëriten dhe ngjajnë me njëra-tjetrën: lagjja nga e cila vjen viktima ngrihet për disa netë, të afërmit organizojnë protesta lokale, pastaj fillojnë vitet e gjata të betejave ligjore të kryera nga familja dhe disa aktivistë, të cilat rrallë çojnë në dënimin e fajtorëve. Por deri vonë, përpjekjet për të zgjeruar bazën e këtyre iniciativave kishin qenë të pasuksesshme.
Kjo kauzë mbetet pa shumë bujë sepse ajo më së shpeshti ka të bëjë me viktima “të këqija“, “të njohura në mënyrë të pafavorshme për policinë“. Diskualifikimi i tyre nga autoritetet, si dhe ekspozimi nga shtypi i të dhënave të tyre të mëparshme kriminale, krijojnë dyshime për rrjedhën e ngjarjeve dhe përforcojnë narracionin e policisë. Ata gjithashtu e bëjnë më të vështirë mbështetjen e forcave politike ose sindikale të majta, historikisht të ndjeshme ndaj shtypjes së punëtorëve, por të pakëndshme përballë atyre më rezistent ndaj atyre që në një tjetër periudhë do të quhej lumpenproletariati (sipas teorise marksiste, shtresa e ulet e popullsisë që nuk është e interesuar në avancimin revolucionar). Ky ankth është përkeqësuar nga distanca e cila gradualisht është rritur midis këtyre organizatave dhe të rinjve, që nuk janë më në gjendje të integrohen në rangun e tyre, e në të cilët është e vështirë të marresh parasysh kushtet konkrete të jetesës. Nga ana tjetër, përpjekjet për ta ndërtuar një autonomi politike për lagjet e klasës punëtore, domethënë struktura të afta për të shprehur një diskurs të mbi këto të fundit, shumë rrallë ka patur sukses.
Pra, si shpjegohet fuqia e protestave të qershorit 2020 ? Ne mund të sjellim koincidencën e kalendarit francez me vdekjen e George Floyd në Shtetet e Bashkuara dhe emocionin që ky ka ngjallur ndërkombëtarisht, pa dyshim i nxitur nga një armiqësi ndaj Donald Trump dhe politikave të tij. Mund të theksojmë edhe punën e madhe të aktivistëve (si ato të Lëvizjes së Emigracionit dhe rrethinave, MIB), për t’u ngritur kundër dhunës nga policia, për të cilën Assa Traoré, motra e Adamës, ka ditur të behet zëdhënëse. Por të gjitha këto arsye mund të mos ishin të mjaftueshme pa shtrirjen e mosbesimit ndaj zbatimit të ligjit jashtë qarqeve në të cilat ishte shprehur tradicionalisht.
“Teoria e xhamit të thyer”
Shkalla e këtij mosbesimi mbetet e vështirë për t’u matur. Sondazhet zbulojnë pjesë te tij. Ashtu si ai i botuar nga e përjavshmja L’Express (20 janar 2020) – e cila nuk është, sidoqoftë, ndër më kritikët e institucionit – duke zbuluar se vetëm 43% e atyre që merren në pyetje “besojnë” në polici, që 20% e midis tyre ndjen “ankth” para tyre dhe 10% “armiqësi”. Punë shkencore konfirmojnë këtë prirje. Kështu, një studim evropian i realizuar në vitet 2011-2012, me 51.000 të anketuar, vërteton se policia franceze shihet me sy të keq. Ajo renditet e 19-ta nga 26 për respektin që do të tregonte ndaj njerëzve (pak përpara Republikës Çeke, Greqisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Ukrainës, Rusisë dhe Izraelit). Çdo protestues mund të konstatonte gjithashtu se sllogani “Të gjithë e urrejnë policinë” tani është pjesë e repertorit klasik të manifestimeve.
Përdorimi i forcës, justifikuar ose jo, është bërë më i dukshëm. Telefonat smartphone të pajisur me kamera dixhitale bëjnë të mundur dokumentimin e gjerë dhe rrjetet sociale për shpërndarjen e tij. Deri në atë pikë që rreth tridhjetë deputetë kanë transmetuar kërkesat e sindikatave të policisë, që të ndëshkohen me gjobë prej 15.000 euro dhe një vit burgim ata që “shpërndarjnë me çfarëdo mënyre, imazhin e zyrtarëve të policisë kombëtare, ushtarëve, oficerëve të policisë komunale ose agjentëve të doganave “(Asambleja Kombëtare, 26 maj 2020). Një masë e miratuar tashmë në Spanjë, pas lëvizjes së gjerë të 15-M, në 2011.
Veprimtaria fizike e policisë është gjithashtu më e dukshme, pasi ka lëvizur nga lagjet periferike në qendrat e qytetit dhe tani po prek popullsitë që nuk ishin mësuar me këtë përvojë. Kriza e jelekëverdhëve, protestat kundër ligjit të punës ose reformës së pensioneve, apo kontrollet e bëra gjatë izolimit prej epidemisë Covid-19 kanë rezultuar në një rritje të konsiderueshme të viktimave dhe dëshmitarëve të ndërhyrjeve policore, përtej asaj që sociologët e quajnë “gjuetia policore” tradicionale. Dhe është padyshim kjo shtrirje e kontrollit policor mbi shoqërinë tonë që bën të mundur të kuptohet rezistenca kolektive që po vetëmanifestohet sot.
Për të shpjeguar këtë lëvizje, së pari është e nevojshme të shpjegohet miti kokëfortë se policia merret ekskluzivisht me luftën kundër krimit. Përveç disa njësive të specializuara, kjo detyrë nuk e tejkalon 20% të veprimtarisë së saj. Policia më së shumti është e angazhuar me zgjidhjen e një numri të pafundme situatash që nuk janë akte penale: konflikte mes komshinjve, brenda familjes, në lidhje me hapësirën publike, rregullimin e trafikut të automjeteve, informacionin administrativ, menaxhimin e tubimeve publike, kontrolli i migrimit të parregullt, mbikëqyrja politike, mbështetja ndaj institucioneve të tjera (nga urgjencat mjekësore deri tek dëbimet e qiramarrësve), etj. Sociologu amerikan Egon Bittner nënvizon kështu “se nuk ka asnjë problem njerëzor, real apo të imagjinueshëm, i cili mund të thuhet me siguri se nuk mund të bëhej në asnjë punë e policisë“. Pra, kjo e fundit është më pak një agjenci për zbatimin e ligjit – siç sugjeron termi anglo-sakson i law enforcement agency – sesa një forcë e rendit, domethënë një institucion i dedikuar mirëmbajtjes e zbatimit të rendit social.
Sidoqoftë, nga vitet 1980, gradualisht policia iu shfaq shumë qeverive si një zgjidhje magjike për t’i përballuar pasojat e pabarazive të thella sociale dhe ekonomike, të pranishme brenda shoqërive perëndimore, si midis vendeve të Veriut dhe të Jugut. Me ndryshime në kronologji dhe ton, temat e pasigurisë dhe migracionit (veçanërisht atij ilegal) politizohen; partitë politike me frymëzim dhe tendenca të ndryshme shndërrohen kështu në kuaj betejash elektorale. Politikat sociale, të parandalimit dhe të zhvillimit, pa u braktisur kurrë plotësisht, po i hapin rrugën qasjeve më të sigurta, përmes kontrollit dhe shtrëngimit. Për rrjedhojë, është më pak çështje e luftimit të shkaqeve strukturore të pabarazive (të perceptuara si të dëshirueshme nga disa, jashtë mundësive nga të tjerët) sesa të disiplinimit të pjesëve të popullatës më rebele ndaj rendit të ri neoliberal, të brendshëm dhe internacional.
Ndër racionalizimet që shoqërojnë këtë dinamikë, “teoria e xhamit të thyer” zë një vend të veçantë. Shkruar nga dy akademikë amerikanë, James Q. Wilson dhe Georges L.Kelling, ajo sugjeron që toleranca për çrregullime të vogla urbane do të çonte gradualisht në zhvillimin e formave më serioze të kriminalitetit. Përballë mungesës së një baze empirike – Wilson më vonë pranoi se ishte thjesht “spekulim” (New York Times, 6 janar 2004) – ai fitoi publicitet në mbarë botën pasi Rudolph Giuliani, kryebashkiak i New-York nga 1994 në 2001, dhe shefi i policisë, William Bratton, u frymëzuan nga ai për ta reformuar veprimtarinë e institucionit.
Nga Shtetet e Bashkuara në Francë, duke kaluar nga Mbretëria e Bashkuar ose Spanja, do të favorizohen dy mënyra të tjera: përforcimi i shtypjes penale të krimeve të vogla në fushën publike dhe zhvillimi i masave administrative me ligjshmëri ndonjëherë të diskutueshme, të tilla si urdhrat kundër lypjes, ndalim-qarkullimi për të mitur, të cilat bëjnë të mundur verbalizimin e asaj që britanikët e quajnë “Sjellje Anti Sociale” (Anti Social Behaviours). Konsumi i alkoolit ose drogës në rrugë, zënia e hapësirës publike, vjedhja në mjete transporti, bixhozi, lypja “agresive”, larja e xhamave në semafore, shitësit ambulantë (pije të ftohta, kopje të CD-ve, DVD-ve, çanta dore, syze dielli, rripa, etj.), prostitucioni në rrugë do të bëheshin objektiva kryesorë të policisë.
Pikerisht kësaj të fundit qeveritë i kanë besuar detyrën e kontrollit të krimit të vogël falë fuqive të reja që i janë dhënë. Siç konstatuan Wilson dhe Kelling, policia mund të “bëjë arrestime për arsye të tilla si ‘person i dyshimtë”, “egërsi” ose “dehje në publik”, të gjitha akuza të zhveshura nga përgjegjsi të forta ligjore. Sidoqoftë, nëse akuza të tilla ekzistojnë, nuk është se shoqëria u jep mision gjykatave për ta kontrolluar zhurmën ose dehjen, por përkundrazi ajo dëshiron t’i sigurojë policisë mjete ligjore, duke i lejuar ata të dëbojnë njerëzit e padëshiruar nga kjo ose ajo lagje, kur të gjitha përpjekjet joformale për të ruajtur rendin kanë dështuar”.
Sidoqoftë, t’i besosh një institucioni zgjidhjen e një cështje të caktuar nuk është pa pasoja. Kjo me të vërtetë promovon inkuadrimin e situatës dhe i jep peshë analizave të saj. Burokracitë, kujton shkencëtari politik amerikan Murray Edelman, priren “të ndërtojnë probleme, si justifikime për zgjidhjet që ata propozojnë“: ka vizione institucionale, të sedimentuara në historinë e tyre, në formën e rutinave, skenareve dhe përfaqësime që u janë imponuar agjentëve të tyre si në trajnime ashtu edhe në punën e përditshme. Oficerët e policisë u pëlqen t’i kujtojnë njerëzve se “ata nuk janë asistentë socialë” dhe vlerësojnë të urdhëruarit. Prandaj ata do të kontrollojnë rendin urbanistik “në mënyrën e tyre“, veçanërisht duke zbatuar strategji ngacmimi. Një komisioner i Mossos d’esquadra, policia Katalanase, shpjegoi në një intervistë politikën e tij në lidhje me të rinjtë që mblidhen në hapësirat publike të Barcelonës: “Ju shkoni në shesh, i bërtisni atyre, ushtroni presion të vogël mbi ta dhe i thoni, mirë, do të vij çdo ditë. Dhe nëse nesër jeni këtu, unë do t’ju kërkoj dokumentat, nëse pini alkool në rrugë, do t’iu vemë gjoba, nëse keni edhe çokollatë (cannabis). Që do të thotë se disi i bëjmë të largohen. Ndihmon për të zhvendosur problemin. ». Ky kombinim i shtypjes dhe dëbimit të atyre që perceptohen si të padëshirueshëm përmbledh pak a shum sensin praktik të forcave të rendit për të përmbushur misionet që i janë caktuar.
Përse i bindemi policisë?
Këto taktika dukshëm ngjallin rezistencë nga ata që janë shënjestra, në formën e fyerjeve, refuzimit dhe ndonjëherë konfrontimeve individuale ose kolektive, veçanërisht kur raporti i fuqisë nuk është në favor të policisë. Në Francë, numri i grindjeve dhe dhunës kundër autoriteteve u rrit kështu nga 22.000 në 1990 në 68.000 në 2019, një rritje trefish në tridhjetë vjet.
Përballë kësaj situate, institucioni reagoi duke i ofruar stafit të tij (jelekë antiplumb, granata me gure gome) dhe mjete të tjera (pistoleta elektrike) . Kjo pajisje ka nxitur kritikat për një “militarizim” të policisë, veçanërisht të dukshëm në njësi të specializuara siç janë brigadat franceze kundër krimit (BAC). Simbolet e tyre me imazhe të grabitqarëve (tigrat, ujqërit, luanët, krokodilët, kobras, etj.) duke vështruar mbi qytetin e fjetur, hedhin dritë mbi llojin e marrëdhënies me hapësirën dhe popullsitë që duan të mishërojnë. Street Crime Unit e Nju Jorkut u shpërbë në 2002 pasi kishin goditur me plumba një të ri të paarmatosur afrikano-amerikan, madje kishin pasur edhe moton « Nata na përket neve » (“We Own the Night”).
Këto njësi janë kryesisht përgjegjëse për dhunën, ndonjëherë fatale, që është ngarkuar kundër institucionit. Ata gjithashtu akuzohen se kanë kontribuar në përshkallëzimin e tensioneve kudo që dërgohen.
Duke filluar nga këtu, zhvillimi i strategjive plotësuese, të emërtuara sipas vendeve “policia e komunitetit” ose “e proksimitetit”, duke synuar afrimin e policëve pranë publikut falë një pranie të dukshme (patrullime në këmbë) dhe krijimit të hapësirave për dialog për të adresuar çështjet lokale. Këto përvoja janë goditur nga entuziazmi i dobët dhe nga kufizimet e përsëritura buxhetore, për shkak të kostos së stafit të nevojshëm. Por aty ku janë vendosur, ata kanë ndihmuar në përforcimin e qendrimit të policisë në rregullimin e marrëdhënieve shoqërore dhe për t’i ripërcaktuar ato si çështje sigurie.
A kanë mbajtur këto strategji premtimin e tyre për të frenuar çrregullimet e vogla urbane? Natyrisht jo. Por a mund të besojë dikush seriozisht se ata do të kishin sukses pa adresuar shkaqet kryesore? Shumë zyrtarë policorë janë të vetëdijshëm për këtë kur flasin për një “fuçi danaiidi” (nga mitologjia greke dhe nënkupton « një punë që nuk ka fund ») në një intervistë. Sidoqoftë, ky dështim nuk ka ndryshuar opsionet e zgjedhura nga ata që janë në pushtet.
Zgjedhja politike për ta bërë policinë drejtuesin e mbrojtjes së rendit urban ka rivlerësuar pozicionin e tyre në fushën burokratike dhe i ka vendosur qeveritë në një marrëdhënie ndërvarësie të pafavorshme. Ky fenomen është veçanërisht i theksuar në Francë ose në Shtetet e Bashkuara (lexoni artikullin nga Richard Keizer faqe 7) nga ekzistenca e sindikatave të fuqishme të korporatave. Me një shkallë sindikalizmi prej gati 70% (kundrejt 19% për shërbimin publik dhe 8% për punonjësit e sektorit privat), policia është deri tani profesioni më i organizuar. Këto sindikata luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e karrierës. Ata janë gjithashtu të vetmit në gjendje të flasin në media, sigurisht, jashtë autoriteve hierarkike – gjë e cila kufizon shprehjen publike të mosmarrëveshjes së brendshme dhe forcon iluzionin e një policie të bashkuar. Kjo forcë çon në bashkëmenaxhimin e institucionit, duke ndërthurur negociatat, nxitjet publike dhe veprimet kolektive (protesta, pushime në rast problemi shëndetësore, braktisja e misioneve “jo-urgjente”).
Policia ishte më e aftë të mbronte veten nga reformat liberale sesa shërbimet e tjera publike, në aspektin e azhurnimeve ligjore dhe të pagave ose kredive. Për shembull, gjatë reformës së pensioneve, në dhjetor 2019, ishte e mjaftueshme për sindikatat që të ngrinin mundësinë e një tërheqje për të marrë menjëherë një përgjigje, edhe pse qindra mijëra të punësuar (transporti, spitali, arsimi kombëtar, etj.) ndoqen për javë greva dhe demonstrata, pa marrë rezultate pozitive për pikat që ngriten.
Po kështu, institucioni kundërshton çdo gjë që percepton si një vënie në dyshim e prerogativës së tij. Komentet e fundit të z.Castaner për ndalimin e mundshëm « të mbytjes » nxitën menjëherë akuza për “tradhti” dhe protesta lokale, duke bërë që ministri të rishikojë propozimin e tij. Mund të vërehen episode të ngjashme, nga demonstratat kundër ministrit te drejtësisë Robert Badinter në 1983 deri tek ato kundër ligjit për prezumimin e pafajësisë (15 qershor 2000), përfshirë kundërshtimin ndaj reformës së paraburgimit (14 Prill 2011) ose arrestin shtepiak (15 gusht 2014). Kjo armiqësi ndaj kritikës shprehet edhe me rezistencën ndaj të gjitha organeve të jashtme që mund të sigurojnë kontroll mbi veprimtarinë e saj. Autoritetet e pavarura si Komisioni i Etikës së Sigurisë Kombëtare (CNDS) u është dashur të luftojnë beteja të vazhdueshme për t’i ushtruar misionet e tyre dhe fusha e tyre e veprimit ka qenë gjithmonë e vogël në krahasim me ambiciet fillestare. Kjo vlen edhe për gjyqësorin i cili nuk ndihet rehat për te gjykuar veprimet policore, edhe pse magjistratët varen nga kjo për punën e tyre të përditshme. Në fund, Inspektoriati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare (IGPN) duket shumë më i prirur të sanksionojë devijimet e brendshme sesa të hetojë ankesat nga jashtë. Drejtoresha e tij, Komisionerja Brigitte Jullien, pranoi se nga 378 rastet e të cilave ajo ishte kapur në kuadër të lëvizjes së jelekëverdhëve, vetëm dy kishin dhënë propozime për sanksione administrative (” Envoyé spécial “, Francë 2, 11 Qershor 2020).
Kombinimi i kësaj autonomie të institucionit dhe rolit qendror që i atribuohet në rregullimin e rendit shoqëror, ka shndërruar marrëdhëniet që agjentët e saj mbajnë me pjesën tjetër të shoqërisë. Duke pasur parasysh situatat e vështira me të cilat përballen profesionalisht (aksidente, dhunë, konflikte, mjerim), zyrtarët policorë tradicionalisht zhvillojnë një pamje mjaft pesimiste të botës sociale – një mekanizëm i ngjashëm i vërejtur tek zjarrfikësit. Kjo shoqërohet me përfaqësime negative të atyre që ata i quajnë “klientët” e tyre. Kjo siguron gjithashtu një çelës për ta shpjeguar racizmin e policisë. Ka vërtet një pakicë agjentësh që janë të bindur ideologjikisht për pabarazitë racore. Por, për shumë nga kolegët e tyre, stereotipet raciste krijohen në marrëdhëniet e ashpra që hasin çdo ditë me pjesë të caktuara të qarqeve të klasës punëtore – një pjesë e mirë e të cilave vijnë nga migrimet ose minoritetet –të cilat më pas aplikohen në të gjithë ata që mund t’i ngjajnë këtyre të fundit.
Sidoqoftë, për tridhjetë vitet e fundit, zgjerimi i spektrit të veprimeve policore ka zgjeruar automatikisht atë të grupeve që janë objekt dyshimi. Për t’u bindur për këtë, mjafton të konsultoheni me dosjen TAJ (për “përpunimin e procesverbalit gjyqësor”), në të cilën policia dhe oficerët regjistrojnë personat për të cilët ka “të dhëna serioze që ata mund të kenë marrë pjesë si autorë ose bashkëpunëtorë, në kryerjen e një krimi të klasës së pestë”- një dosje, e cila në asnjë mënyrë nuk sugjeron pasojat juridike që do të sjellin (të të dyshuarve, pra, dhe jo të fajtorëve). Që nga 15 nëntori 2018, 18.9 milion njerëz ishin subjekt i dosjes, domethënë gati 30% e popullsisë franceze … Nuk është për t’u habitur që oficerët e policisë franceze duket se janë më të mosbesuarit ndaj qytetarëve në Evropë.
Të inkurajuar nga elitat qeverisëse dhe nga vetë hierarkia e tyre për ta perceptuar veten si një rrethim i fundit midis rendit dhe kaosit, ata nuk ngurojnë më të përdorin rregullisht teknikat që i kishin rezervuar më parë për kriminelët më të eger. Vdekja e Cédric Chouviat, një shofer, pasi pësoi një mbytje nga shtrëngimi me duar, atë të Steve Maia Caniço që u shtyu në La Loire (lumë në Francë) nga nje polic, përdorimin masiv i LBD-ve (armëve me plumba gome) kundër jelekëverdhëve ose protestuesve kundër reformës së pensioneve, si dhe poshtërimet që u janë shkaktuar nxënësve të shkollave të mesme (si ato të Mantes-la-Jolie të gjunjëzuara, me duar në pjesën e pasme të qafës në dhjetor 2018), mbi feministët ose gjatë gjendjes së urgjencës sanitare janë padyshim pjesë e kësaj dinamike .
Megjithatë, kjo nënvlereson themelet e autoritetit policor. Sekretari i Përgjithshëm i Sindikatës së Njësisë së Policisë SGP, Yves Lefebvre, kohët e fundit shprehu keqardhje se çelësi i praktikës së shtrëngimit me duar është “gjithnjë e më shumë i përdorur sepse gjithnjë e më shumë njerëz po përpiqen të shmangin kontrollet e policisë” (Libération, 8 Qershor 2020). Pa e kuptuar, ai shtroi një pyetje thelbësore: përse ne i bindemi policisë? Përgjigja është e thjeshtë: shkalla e bindjes ndaj institucionit është në përpjesëtim me perceptimin e legjitimitetit të tij. Sidoqoftë, kjo nuk jepet kurrë një herë e përgjithmonë. E drejta penale, shpjegoi sociologu Emile Durkheim, “mbron ndjenjat kolektive të një populli në një kohë specifike në historinë e tij”. Dmth, ai vizaton kufirin moral të një shoqërie, duke dalluar një shumicë të “qytetarëve të mirë” nga një pakicë e “kriminelëve”. Sidoqoftë, delegacioni i vendosur në polici për menaxhimin e rendit urban, flukset migratore dhe madje protesta sociale dhe politike ndryshon peshën relative të dy grupeve. Për rrjedhojë, “qartësia e veçantë” e ndjenjave kolektive për të cilat flet Durkheim bëhet e paqartë dhe oficerët e policisë nuk mund të paraqiten më si garantues të interesit të përgjithshëm, por si gardianë të një rendi shoqëror të konsideruar të padrejtë nga një numër në rritje individësh. Kur nuk i binden, ata janë më të gatshëm të përdorin forcën për të fituar respekt, gjë që rrit edhe mëtej mosbesimin ndaj të cilit ata u nënshtrohen. E cila nga ana tjetër forcon mosbesimin e tyre ndaj qytetarëve.
Ky rreth vicioz prodhon një ndjenjë të thellë asfiksie që masat e policisë (20.7 milion kontrolle dhe 1.1 milion thyerje ligji midis 17 marsit dhe 11 majit 2020) kanë sjellë shpërthime emocionesh. Duke rezonuar me mbytjen fizike të George Floyd, shpërthimi shprehet sot në mobilizime nën sloganin “Na lini të marrim frymë!”.
*Lektor në shkenca politike në Universitetin e Parisit. Bashkautor me Fabien Carrié, La Fabrique de la radicalité. Une sociologie des jeunes djihadistes français, Seuil, Paris, 2018.