NË SHENJË HOMAZHI PËR VDEKJEN E ARTISTËVE RIKARD LJARJA DHE GËZIM KRUJA
Humbja e korifejve dhe shoqëria e konsumit në kohë Covid-19

“U përmbysën kanune e vlera morale. U morën jetë, e pasuri të gjithfarëllojshme ranë në duar të paskrupullta grykësish”, ka shkruajtur dikur Rikard Ljarja teksa i bën një homazh kolegut të tij Ndrek Luca. Dhe, i druhej vetes. Gabimit. Nga mosbërja dhe nga koha e mbrapa, që tani do e ketë pafund.

367

Rikard Ljarja, aktori dhe regjisori i filmave klasikë shqiptarë, ka ndërruar jetë pak ditë më parë. Kortezhi i tij përbëhej nga makina e shërbimit funeral dhe dy makina shoqëruese. E diktuar nga kushtet, por më shumë dhe nga amaneti i të ndjerit, trupi u vendos të prehet në Shkodër, qytetin e lindjes. Kjo ishte zgjidhja më e mirë e mundshme në masat e marra për të frenuar Covid-19, që tashmë qëndrojnë të ngulura në të gjithë hapësirën e vendit për të bllokuar përhapjen e një pandemie, për të cilën askush nuk di më si të sillet.

Pak ditë para tij, Gëzim Kruja, një nga legjendat e humorit shkodran, mbylli jetën tokësore. Trupi i tij u përcoll në masa më liberale drejt banesës së fundit. Për ta sfiduar Covid-19 dhe për t’i nxjerrë inatin kësaj gjendje, dhjetëra qytetarë shkodranë vendosën ta përcjellin live kortezhin e të ndjerit. Të tjerë personalitete më pak të njohura kanë mbyllur jetën në këto ditë të rënda përcjellë nga një kortezh gati simbolik. Sfida më e madhe në këto ditë pa njerëz dhe plot cinizëm ka qenë gjetja e mbartësve, njerëzve të punësuar enkas për të mbartur trupat…

Kjo është e dukshmja. Se çfarë ndodh pastaj të gjithë e dimë. Një luzmë e tërë dashamirësh të të ndjerit, që u vishen grupe patetikësh derdhin kujtime, ese të ndjera ku indirekt revokohen vetë ata me aureolën e të ndjerit dhe thirrje ndaj vdekjes. Edhe Rikard Ljarja nuk i ka shpëtuar këtij rituali, që e tallte paq kur ishte i gjallë.

Rikard Ljarja

Prej vitesh Rikardi ishte krejtësisht i tërhequr. Shoqëria e konsumit material e kishte velur me makutërinë dhe epshin publik të të vetëndjerit. I ndjeri që e kishte ndjerë këtë prej dekadash nuk është se i kishte prishur shumë punë, përveç se një elementi të thjeshtë: I duhej të përshtatej me jetën e re në kohë të reja. Dhe, Rikardi pikturonte, shkruante dhe planifikonte. Nuk mundi të ekranizonte një nga librat e tij, ngritur mbi një metaforë shumë universale, që e mbante prej kohësh. Nuk mundi të sillte disa shkrime të tjera, që i flinin në mendje dhe donte shumë t’i shpaloste. Dikur thoshte se ‘arratisej’ në Shkodër. “Shkoj në Shkodër, tek shtëpia ime, dhe mbjell qepë, hudhëra, tulipanë, trëndafila etj. Në kopshtin tim punoj nga katër-pesë orë, pasi më merr malli të shkel në tokë zbathur”. “Pse nuk e rrëfen Shkodrën me një audicion të hapur, si Benigni që tregon Firencen?”. Të shikonte, por përgjigjet e Rikardit gjysmë me shaka, por brenda me një seriozitet të thartë të kundërshtonin këndshëm. “Ai asht i ri dhe i fortë. Nuk dua të turpnohem tash. Nuk kam ma mosh me i ndreq gjanat”. Po çfarë duhej vallë të ndreqte? A mund një njeri të shndërroj një sistem ekonomiko-shoqëror? “Jo, por mundet me e ba sistemin me kuptu vetiu se shkon keq? Duke ditur me e sulmu! A është e mundur në shoqërinë që jetojmë? Po fare do pak njerëz i ndryshojnë gjanat! Të tjerët janë thjesht rekuizitë”. Po pse nuk kujtohen vallë për korifejtë?! E cili i vendos se cilët janë korifejtë, e mbushte me zërin e vet. Pse nuk zë vend fjala e të diturve?

Varfëria, tërmeti dhe pandemia e fundit tregoi se ata për të cilët kishim neglizhuar, ata ishin njerëzit që duhet të dëgjonim më së shumti. Jo se Rikardi mund të thoshte ndonjë gjë më shumë në këto kohë. Për ditë, ai e thoshte sipas mënyrës së tij, me pak njerëzit e tij, por duke u falur tek metafora e shkrimit. Në qendër është njeriu i thjeshtë, i cili i mbijeton sistemit. Për të ndryshuar, ai rrekej t’i tregonte në ato pak krijime të vetat se edhe fabulat më të vërteta nuk shkojnë me realitetin dhe si mund të jetohet. Gati njëzetë vjet më parë, një ditë të vitit 2002, nuk i dhanë më rrogën në TVSH, ku punonte si Drejtor Artistik. U largua pa u ankuar, sepse të gjithë jetën kish respektuar Autoritetin. Tre vjet më vonë, të 1000 kopjet e romanit të parë të tij: “Në një Humbëtirë këtej rrotull”, u zhdukën menjëherë. Më në fund, një copëz e panjohur nga artisti, ishte zbërthyer për publikun e gjerë. “Koha kishte vënë në vend gjithçka. E keqja, nëqoftëse kishte enë ndonjëherë në këto anë, ishte mënjanuar e harruar. E mira kishte zënë vend kudo”.(pjesë nga Në një humbëtirë…)

Artistë sot cilësohen shumë persona dhe këtë ndjesi e merr, kur shikon malin me emërtesa dhe njerëzit që na shfaqen ngado. Në qoftë se do i drejtohesh të vërtetëve “ata janë shumë pak, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të atyre që e kanë mbushur gjoksin me tituj. Këta artistë të vërtetë, në qoftë se e bëjnë punën e tyre ashtu siç dinë ata, të jeni të bindur se janë shumë më të angazhuar se shumë prej atyre që lehin (më falni për fjalën e rëndë) në TV, apo në forume, apo ndoshta edhe në parlament”, rrëfente dhe e mbyste trishtimi i heshtur.

Duhet me e kuptu se po nuk dite të përdoresh dhe të dish sesi të blihesh atëherë prano dhëmbët e përbindshave që të qëndrojnë dhe janë gati të të gëlltisin me çdo gjë, fliste mes miqsh. E megjithatë, kudo u mundua të gjejë një mundësi për të treguar se vendi i tij mund të ndryshonte. “Rrethanat e përbotshme na kanë zhytur, na kanë bërë t’i hamë kokën njëri –tjetrit, shpeshherë. Kurse sot, për fat, jetojmë të lirë, në një shoqëri që po përpiqet të kapë kohën e humbur, që nuk është e pakët. Në një shoqëri që po përpiqet të mbyllë plagët e shumëvjeçarëve, që po kërkon të emancipohet. Jemi pak, por po fryn një erë e mirë. Po na ndihmojnë. Nga ana tjetër, të tjerë prapë përpiqen të na futin stërkëmbësha. E ndjej fort që po bashkohemi, në të gjithë kuptimet, po bëhemi më me dinjitet, si individë dhe si komb. Sepse, siç duket, nuk paskemi qenë pak”, do të përgjigjet në një intervistë për MAPO dikur..

Gëzim Kruja

Rikardi ruante një qasje të sikletshme me rrugën, teksa çapitej me hapin e madh, aspak skenik. Shpesh e fshihte vështrimin e tij që e kërkojnë shumë njerëz. “Më respektojnë por shumë edhe më lodhin”, të thoshte sinqerisht. Kuptohet, kur i gjeje momentin e tij. Dhe, bash në atë moment në një thjeshtësi, jo të zakonshme, do të përziente një referim, që fillonte nga Besëlidhja e Vjetër ngërthehej natyrshëm me eposin shqiptar, me para-popullatën ilire…të gjitha brenda një shpjegimi, shoqëruar me gjestikulacionin potent, që ndiqte vokali i tij bas.

Që kur ishte fëmijë ëndërronte të bënte gjëra, gjithnjë lidhur me artin. Në një shtëpi intelektualësh, prindërit i japin mundësi në muzikë. Luan në piano. Veçse, përfundoi në fagot në orkestrën simfonike të Prenk Jakovës. Në ato mote, Shkodra, gëlonte nga kultura. Në kujtimet e shpalosura tregohej natyrshëm kujtimi familjar për Dom Mjedën, Mati Logorecin e shumë të tjerë…Por një ditë ai do t’i kalonte personazhet e tij idilikë, pasi drejtimi i Rikardit nuk është te fjala e shkruar, por bash tek e folura. Në shkollën e aktorëve fiton lehtësisht. “Dritan Shkaba” , roli i parë i tij, përcillet me interes. Mes 15 konkurruesve, arrin të kapë rolin kryesor. Që atëherë ylli i tij vetëm shkëlqen në periudhën e parë të kinematografisë shqiptare të pas luftës. Bëhet një nga personazhet më të dashura për shqiptarët në rolin e intelektualit. Inxhinier, mësues…Role dogmatike, që ai u jep në thelb dyshimin. Sa mundet?!! Zbërthen rolin falë intelektit të tij dhe një pune që zgjat deri më 10 orë…Bën një galeri të tërë personazhesh në kinematografi. 30 role të realizuar në film u shtohen 30 roleve të tjera, që ka realizuar më parë në teatrin “Migjeni”. Zbret në Tiranë. Është aktor dhe regjisor në Kinostudio. E gjithë jeta artistike përshkon tashmë vetëm një vektor, Shtëpi-Kinostudio. Por, është një Rikard tjetër. Në një film ku luan aktorin kryesor dhe është regjisor, pas fasadës së lumturisë socialiste në mes të malit, (ku një grua lind me vështirësi pa fund në mes të maleve), ai bën me dije se deri ku arrin çmenduria e sistemit. Kurse Petrit Malajt, në rolin e doktorit kur udhëton i kërkon thjesht në një dialog, kur ta pyesin të thotë se: Ai nuk po vjen me qejf në fshat. Vjen sepse është detyrë dhe kaq”.

Rikardi nuk luajti me kartën e desidencës, jo vetëm se nuk ishte i tillë, por edhe se nuk i është dashur. Ai ishte dhe mbeti artist. Edhe me amanetin e Shkodrës i gjeti vetes një shteg nderimi të përjetshëm.

Dhe, sot?! “U përmbysën kanune e vlera morale. U morën jetë, e pasuri të gjithfarëllojshme ranë në duar të paskrupullta grykësish”, ka shkruajtur dikur, teksa i bën një homazh kolegut të tij Ndrek Luca. Dhe, i druhej vetes. Gabimit. Nga mosbërja dhe nga koha e mbrapa, që tani do e ketë pafund. Mbase tani do të shkruajë sërish, duke mos shkruar. Këto ishte pak rreshta në kohë pandemie për artistët, që nuk i morën dot duartrokitjen e fundit masive, por që do të kujtohen gjatë në kujtesa shqiptarësh.