RËNIA E QEVERISË KURTI
Kurti, një rënie false anti-imperialiste

Kryeministri Kurti nuk e duronte dot që në marrëveshjen historike me Serbinë të shkonte pas Presidentit Thaçi, një armik i përbetuar i tij. Dhe bëri çfarë di të bëjë më së miri. Shkarkoi ministrin e partnerit qeverisë me reputacionin më të ulët, për ta inskenuar kështu një komplot të të korruptuarëve.

445

Imperializmi është dominimi politik i ardhur si pasojë e proceseve të akumulimit të kapitalit. Fillon me mbivlerën e prodhuar në punishte, deri tek kapitali financiar. Kur ky proces i gjatë e gradual akumulimi mberrin pikun, shfrytëzimi shndërrohet në dhunë e pushtim. Sasia shndërrohet në cilësi thuhej dikur…

Kosova e vogël ka zënë të bëhet fusha ku shpërfaqet plasaritja e Perëndimit si Pax Americana. Kosova, sikur Ballkani është nën hegjemoninë ekonomike të Gjermanisë. Përveç që jemi treg, po bëhemi gjithnjë e më shumë furnizues për fuqinë punëtorë të munguar gjermane. Shumë profesione: nga marangozi, tek punonjësi i administratës, nga inxhinieri tek mjeku e infermieri, përgatiten e shkollohen, për të nisur punë atje. Gjermania i gëzon e i shfrytëzon ata me zero kosto. Politika e saj, madje shtyn drejt profesioneve që i duhen ekonomisë gjermane. Kemi edhe universitete në shërbim të tregut gjerman.

Në anën tjetër, Ballkani fatkeqësisht vazhdon të mbetet ende çështje e sigurisë. Ky fakt i i bën Shtetet e Bashkuara faktorin vendimtar në të gjitha vendet përveç Serbisë. Kujtojeni Maqedoninë dhe rolin vendimtar amerikan në rrëzimin e Gruevskit nga pushteti, zhvillim ky që mundësoi marrëveshjen për emrin e Maqedonisë Veriore. Mali i Zi është e njëjta histori. Pas disa tentimeve direkte të Rusisë, anëtarësimi në NATO i tij i ka mbyllur mundësitë ndikimeve tjera. Në Kosovë si askund tjetër vjen në shprehje roli përfundimtar e përmbarues amerikan në secilin proces politik. Kjo sigurisht, duke pasur parasysh edhe historikun e bombardimeve të NATO-së, që për shqiptarët e Kosovës ishte shpëtim nga zhbërja katastrofale.

Një ditë para mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti e kemi parë publikisht dhe hapur këtë luftë influencash. Gjermania dhe Franca i dërguan demarsh kryetarit të LDK-së për ta tërhequr mocionin, kurse Shtetet e Bashkuara e mbështeten atë hapur dhe prerë.

Por, diçka thelbësore na mungon deri tash. Cili ishte shkaku i mocionit të mosbesimit? Ky shkak lidhet me dialogun Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje përfundimtare të paqes midis dy vendeve. Këtu na duhet një parantezë. Një marrëveshje e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, mund t’i duhet Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, ose ndonjë fuqie tjetër, por, mbi të gjitha kjo i duhet popujve tanë. Imperializmi do të vallëzojë këndejpari për sa kohë mbajmë pa nevojë konflikte të stisura. Qasja e politikës kosovare karshi dialogut ka qenë e papërgjegjshme dhe dritëshkurtër. Ajo është karakterizuar nga instrumentalizimi i skajshëm i çështjes për sulme ndaj njëri – tjetrit. Kështu, ajo është maksimalizuar për rezultate elektorale, por secilit fitues i është kthyer bumerang pastaj.

Kurti hoqi dorë nga të gjitha parimet e politikat e tij, nga kritika për mënyrën e shtetndërtimit të Kosovës, deri tek taksa progresive. Asgjë të tillë nuk kishte programi qeverisës që u miratua pak dita para rrëzimit. Qytetarët nuk e kanë humbur një qeveri të majtë apo transformuese. Për më tepër, ai u rrëzua nga çështja që as nuk e kishte problematizuar në fushatë.

Kryeministri Kurti u zgjodh nga votuesit në zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëheqjes së pararendësit të tij për të njejtën arsye: dialogu me Serbinë. Por, fushata e Kurtit karshi kësaj çështjeje ishte eskapiste. Në vend se të mendonte mbi një strategji dhe projekt për dialogun me Serbinë, ai u tha atyre se ky nuk është fare problem. Gjithë çfarë na duhet është lufta ndaj korrupsionit. Kurti hoqi dorë nga të gjitha parimet e politikat e tij, nga kritika për mënyrën e shtetndërtimit të Kosovës, deri tek taksa progresive. Asgjë të tillë nuk kishte programi qeverisës që u miratua pak dita para rrëzimit. Qytetarët nuk e kanë humbur një qeveri të majtë apo transformuese. Për më tepër, ai u rrëzua nga çështja që as nuk e kishte problematizuar në fushatë.

Si shpjegohet kjo? Kemi të bëjmë me një tension midis dy superegosh. E para është populliste, përgjigje ndaj disponimit popullor. Kjo përkthehet në qendërzimin e luftës antikorrupsion. Korrupsioni nuk shpjegohet më përmes kritikës ndaj modelit neoliberal si lubrifikant i tij, por si luftë kundër hajnave që lidhen me një parti ose dy parti, që vijnë nga krahina të caktuara e që u përkasin niveleve të ndryshme kulturore. Në anën tjetër, kemi një komunikim me superegon që dikton një rol historik të udhëzuar nga shkenca. Ky është subjekti që ontologjizohet nga garanca e domosdoshmërisë historike.

Kurti nuk kishte një plan as projekt për dialogun me Serbinë. Kjo temë, atij i ka shërbyer vetëm për të shpallur tradhtarë. Madje edhe u bë gati, i dha të gjitha indikacionet se do të bëhet pjesë e procesit, bashkë me amerikanët. Por, rrugës doli një pengesë. Lidhjet e Presidentit Hashim Thaçit me diplomacinë amerikanë ishin të forta, sa për të mos ia lënë atij rolin kryesor. Kështu, kryeministri nuk e duronte dot që në marrëveshjen historike me Serbinë të shkonte pas presidentit Thaçi, një armik i përbetuar i tij. Dhe bëri çfarë di të bëjë më së miri. Shkarkoi ministrin e partnerit qeverisë me reputacionin më të ulët, për ta inskenuar kështu një komplot të të korruptuarëve. Sigurisht se komplotit do t’i printe Presidenti Hashim Thaçi, që po e kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për ta dërguar ushtrinë në veriun e vendit të banuar me serbë, për të nxitur konflikt atje. Gjithë kjo për ta përligjur ndarjen e vendit.

Kjo është historia e Kosovës së vogël në një kohë erërash nga të gjitha anët. Ortodoksia bolshevike është bërë popullizëm i dobët postmodern, kurse anti-imperializmi në një luftë pa mëshirë për t’u bërë aleati i vetëm i perandorisë.

Popullizmi dhe e majta e vjetër nuk janë përgjigje ndaj imperializmit. Kjo sepse ato bazohen tek koncepti i sovranitetit, kurse burimet maksimale të tij janë ato të shtetit-komb. Çfarë na duhet është përgjigja internacionaliste. Prandaj, na duhet marrëveshje me Serbinë. Ajo duhet të jetë e përhershme dhe duhet të jetë e tillë që nuk lë asgjë të hapur. Kështu mund të shohim diçka të re në horizont: e majtë, demokratike dhe internacionaliste.

(Autori është nënkryetar i Partisë Socialdemokrate në Kosovë)