« Ne shohim dhe e dimë se çfarë po ndodh në Palestinë. Zoti e mallkoftë Izraelin sionist ». Ky mesazh i postuar në rrjetin X nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, në momentin e faljes së Bajramit të Vogël që shënon fundin e agjërimit të Ramazanit, më 30 mars 2025, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Ministrit të Punëve të Jashtme të Izraelit, po në të njëjtin rrjet social: « Diktatori Erdogan ka zbuluar fytyrën e tij antisemitike. Ai përbën rrezik për rajonin dhe për popullin e vet. Shpresojmë që do ta kuptojnë këtë vendet anëtare të NATO ». Çështja palestineze ka qenë prej kohësh burim tensioni mes Ankarasë dhe Tel-Avivit. Ajo tashmë po shtrihet edhe në çështjen siriane, mes dy vendeve që dikur ishin aleatë dhe që shpesh janë paraqitur si fituesit kryesorë të rrëzimit të regjimit të Bashar Al-Assad-it më 8 dhjetor 2024.
Brenda vendit, çështja siriane – dhe dëshira e Ankarasë për të ruajtur një ndikim të fortë te fqiu i saj – mund të jetë burim përplasjesh mes pushtetit islamo-nacionalist të z.Erdogan dhe kundërshtarëve të tij. Kjo do të shpjegonte edhe arrestimin e rivalit kryesor të presidentit aktual, z.Ekrem İmamoglu, kryebashkiak shumë i popullarizuar i Stambollit dhe figurë e Partisë Popullore Republikane (CHP). Por edhe forca kryesore e opozitës dallohet nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në qasjen ndaj konfliktit izraelito-palestinez. Në këtë çështje, AKP-ja mundohet të balancojë mes moderimit të këtij rivali në rritje, presionit të krahut më radikal të islamit politik dhe hezitimeve të veta…
« Përderisa ushtria dominoi politikën turke [pra deri rreth vitit 2007], Ankaraja mbeti aleate e Tel-Avivit », shpjegon eksperti ushtarak Gareth Jenkins. Turqia – ku atëherë jetonte një komunitet i rëndësishëm hebre – e njohu shtetin e ri izraelit që në vitin 1949, përpara të gjitha vendeve të tjera me shumicë myslimane. Si një vend i dalluar nga blloku perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë dhe i anëtarësuar në NATO që nga viti 1952, Turqia kërkonte t’i kundërpeshojë ndikimet arabe dhe sovjetike në Lindjen e Afërt. Nga ana e vet, « në vitet 1950 deri në vitet 1970, Izraeli ndoqi një politikë të shmangies së vendeve arabe dhe i dha përparësi Turqisë, si dhe kurdëve dhe Iranit », shpjegon Yoann Morvan, studiues pranë Qendrës Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS).
“Vrasës i fëmijëve”
Vitet 1990 përbëjnë një lloj muaji mjalti mes autoriteteve ushtarake të dy vendeve. Përballë Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK, lëvizje e pavarësisë me ideologji marksiste) dhe rritjes së islamit politik, por gjithashtu nën embargon evropiane dhe amerikane për furnizimin me armë, Ankaraja kishte nevojë për ndihmën ushtarake të Tel-Avivit. Pa përmendur faktin që gjeneralët turq admironin ushtrinë izraelite. Jenkins nënvizon entuziazmin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Turqisë, gjeneralit Dogan Beyazıt, i cili ishte ziliqar për « afërsinë e ushtrisë izraelite me popullin » dhe për « rolin e saj udhëheqës në shoqëri ». Sapo e mori pushtetin, në vitin 1996, kryeministri islamist Necmettin Erbakan u detyrua nga gjeneralët e lartë të nënshkruajë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Izraelin, si edhe një marrëveshje për tregti të lirë. Ky përafrim i dyfishtë u mirëprit në Uashington.
Marrëdhëniet filluan të përkeqësohen me ardhjen në pushtet të AKP-së në vitin 2002. Hamasi shihej si përfaqësuesi palestinez i Vëllazërisë Myslimane, një familje politike me të cilën identifikohet një pjesë e AKP-së. Në vitin 2004, Izraeli vrau Abdelaziz Al-Rantissin dhe Ahmed Yassine-in, themelues të Lëvizjes së Rezistencës Islame. Dy vite më vonë, fitorja e militantëve islamistë në zgjedhjet parlamentare në Gaza u përjetua në Ankara si një sukses personal i z. Erdogan – atëherë kryeministër, por tashmë njeriu më i fuqishëm i vendit. As Shtetet e Bashkuara dhe as Bashkimi Evropian nuk e njohën rezultatin e votimit, çka i dha Turqisë rolin e mbrojtëses së demokracisë në rajon.
Në dhjetor 2008, kryeministri izraelit Ehud Olmert takoi homologun e tij turk në Ankara. Izraeli po përgatitej të niste operacionin ‘Cast Lead’, një ofensivë tokësore dhe ajrore kundër Gazës që synonte të përgjigjej ndaj raketave të Hamasit mbi territorin izraelit. Operacioni shkaktoi 1 400 të vrarë palestinezë dhe 13 izraelitë. « Na poshtëruan. Olmert mund të mos vinte fare, ose të paktën të na tregonte çfarë po përgatitej », rrëfente atëkohë një diplomat turk.
Një muaj më pas, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti Erdogan dënoi operacionin ushtarak dhe e quajti homologun e tij Shimon Peres : « vrasës i fëmijëve ». I zemëruar që u ndërpre nga moderatori, kërkoi « një minutë » për ta përmbyllur fjalën, më pas u ngrit dhe e la menjëherë skenën, përpara kamerave të të gjithë botës. Ky incident e rriti ndjeshëm popullaritetin e tij në Mashrek dhe Magreb.
Pra, Turqia vlerëson për të pasur një rol të rëndësishëm në këto rajone, duhet të luajë kartën anti-izraelite dhe pro-palestineze. Në realitet, më shumë sesa z. Erdogan, ishte z. Ahmet Davutoglu – ideologu dhe hartuesi i doktrinës së “thellësisë strategjike”, më pas këshilltar, ministër i punëve të jashtme dhe kryeministër – ai që e riorientoi politikën e jashtme të Turqisë në favor të Vëllazërisë Myslimane duke filluar nga viti 2007.
Tre vjet më vonë ndodh “çështja” e Mavi Marmara. Me nismën e z. Davutoglu – z. Erdogan nuk ishte vërtet përkrahës i projektit – kjo anije turke, e dërguar nga Fondacioni për Ndihmë Humanitare (IHH), përpiqet të thyejë bllokadën që Izraeli dhe Egjipti i kishin vendosur Gazës. Ndërhyrja e komandove izraelite në bord përfundon me nëntë të vrarë. Presidenti turk akuzon atëherë Izraelin për « terrorizëm shtetëror » dhe i drejtohet « bashkësisë ndërkombëtare ». Fjalimi i tij në Parlamentin turk përkthehet në mënyrë të njëkohshme në anglisht dhe – gjë jashtëzakonisht e rrallë – edhe në arabisht. Për një muaj me radhë, mijëra protestues mblidhen përpara konsullatës izraelite në Stamboll dhe dënojnë politikën e Tel-Avivit.
Mirëpo, siç kujton një atashe ekonomik perëndimor, « në atë kohë, Izraeli kishte stendën më të madhe në Panairin e Mbrojtjes në Stamboll ». Dhe shkëmbimet tregtare midis dy shteteve nuk u ngadalësuan. « Pavarësisht Davosit në vitin 2008, realpolitika mbizotëron », thotë Yoann Morvan. Suksesi ekonomik i Turqisë – vendi ngjitet në vendin e 17-të në botë për nga Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) dhe regjistron, në fund të po atij viti, një normë rritjeje prej 6 % – kontribuon në prestigjin e saj në botën arabe, ashtu si edhe aftësia për ta mishëruar islamin me demokracinë. Kur shpërthejnë “pranverat arabe” në vitin 2011, Ankaraja përpiqet të përfitojë nga ky kapital simpatish për ta riformësuar Lindjen e Afërt, duke u mbështetur në një aleancë me Vëllazërinë Myslimane në pushtet në Egjipt dhe – shpreson Turqia – së shpejti edhe në Siri, ku ajo e kundërshton regjimin e Bashar Al-Assad-it, pas një afrimi të mëparshëm që e kishte nisur në vitin 2005.
Në tetor të po atij viti (2011), Turqia ofrohet të strehojë disa nga kuadrot më të lartë të Hamasit, të cilët sapo ishin liruar në këmbim të ushtarit izraelit Gilad Shalit.
« Ankaraja mbylli sytë ndaj aktiviteteve të lëvizjes: pastrim parash dhe importim mallrash nga Irani [nën embargo], të cilat kalonin përmes Turqisë drejt Gazës. Qeveria turke u dha pasaporta drejtuesve të Hamasit, dhe më pas edhe shtetësinë », kujton Gallia Lindenstrauss, kërkuese në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel-Aviv. « E tërë kjo përbënte një mbështetje shumë konkrete », thotë Gallia Lindenstrauss. Ish-diplomati izraelit Alon Liel e thekson mëtej: «Turqia ia shtroi Hamasit tepihun e kuq si bazë financiare. I lejoj ta vendosë selinë e saj dhe të përqendrohet në luftën palestineze për Bregun Perëndimor. E legjitimoj atë. »
Irani, Vëllazëria Myslimane egjiptiane, Hamasi: vendi (Turqia) bëhet një pikë kyçe për Mossadin që përpiqet të rekrutojë. « Në veçanti, anëtarë të qeverisë turke që mund të kenë kontakte me Hamasin », shpjegon Jenkins. Por z.Hakan Fidan, atëherë kreu i shërbimeve sekrete turke, shfaqet gjithnjë e më i irrituar, sidomos sepse nuk po pranon informata kthesë kur po iu dorëzon informacione të ndjeshme izraelitëve. Ai madje thuhet se u ka kërkuar bashkëbiseduesve të tij të ndalojnë së përdoruri Turqinë si bazë logjistike për operacione vrasjeje në Iran. Pa sukses.
Më 22 mars 2013, në këmbët e avionit presidencial Air Force One, presidenti amerikan Barack Obama shpreh dëshirën për një afrim midis Izraelit dhe Turqisë. Z.Benyamin Netanyahou e telefonon z.Erdogan, duke i kërkuar më në fund falje për sulmin ndaj anijes Mavi Marmara dhe angazhohet të paguajë dëmshpërblime të konsiderueshme për viktimat. Në Turqi, posterë të mëdhenj shfaqin z.Erdogan me një buzëqeshje të kënaqur, ndërsa në sfond z.Netanyahou shihet me një shprehje të ngrysur. Në mbishkrim thuhet me germa të mëdha: « I dashur kryeministër [Erdogan], ju jemi mirënjohës që i dhatë vendit tonë një krenari të tillë ».
Megjithatë, pala turke bëri dy lëshime të rëndësishme të cilat, nëse do të ishin bërë të njohura për publikun, do të kishin errësuar entuziazmin e tij. Së pari, ajo e pranon pikëpamjen e Tel-Avivit sipas së cilës këto vdekje ishin pasojë e gabimeve operacionale të ushtrisë izraelite dhe heq dorë nga tezat për një akt të paramenduar. Së dyti, siç vëren analisti Kadri Gürsel, « Turqia e AKP-së heq dorë nga kërkesa për heqjen e embargos dhe bllokadës së Gazës », edhe pse kjo kishte qenë pikërisht arsyeja e misionit të anijes Mavi Marmara në maj 2010.
Në vitin 2018, ambasada amerikane zhvendoset në Jerusalemin e diskutueshëm. Shtypja e protestave që shpërthejnë pas kësaj sjell dhjetëra viktima palestineze. Tensionet mes Ankarasë dhe Tel Avivit rriten sërish. Vitit pasues, Izraeli, Qiproja, Egjipti dhe Greqia krijojnë Forumin e Mesdheut Lindor, një platformë e përbashkët mes vendeve furnizuese, transitare dhe blerëse të gazit natyror në rajonin e Mesdheut lindor.
Në pallatin presidencial në Ankara, ky zhvillim përjetohet si një tronditje: perspektiva që Turqia të bëhet një qendër kyçe energjetike largohet ndjeshëm. « Në atë moment, qeveria turke e kuptoj izolimin e vet. Për të penguar Libinë që t’i bashkohet këtij grupi, ajo nënshkruajti marrëveshje bashkëpunimi ushtarak dhe për kufizimin e zonave detare me Tripolin », analizon Evren Balta, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Özyegin në Stamboll.
Në mars 2022, në samitin e Negev-it, flamujt e Bahreinit, Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Shteteve të Bashkuara, Marokut dhe Izraelit valëviten krah për krah. Ndërkohë, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe rivendosin marrëdhëniet me Katarin – aleat të Turqisë. Po merr formë një Lindje e Afërt e re, nga e cila rrezikon të përjashtohet Turqia.
« Myslimanët kundër Erdoganit »
« Presidenti Erdogan [i zgjedhur në këtë funksion në vitin 2014] merr iniciativën për një proces normalizimi », shpjegon Alon Liel. « Marrëveshjet Abraham [të vitit 2020] e kanë ndryshuar mënyrën e tij të të parit të gjërave: ai e kuptoi se ato përmirësonin ndjeshëm pozicionin e Izraelit në Lindjen e Afërt ». Në shtator 2022, Erdogan dhe Netanjahu takohen në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Vizita e kryeministrit izraelit në Ankara është në shqyrtim e sipër. Sulmi i Hamasit i 7 tetorit 2023 ndodh pikërisht në një kohë kur Turqia po përgatitej t’i normalizonte marrëdhëniet e saj me Izraelin.
Kreu i shtetit turk nuk e dënon operacionin. Ai e refuzon përdorimin e termit « terrorist » dhe e cilëson organizatën si një « grup çlirimtarësh që mbrojnë tokën e tyre ». Megjithatë, duke shpresuar të luajë një rol ndërmjetësues midis palëve, ai propozon në javët në vijim një plan për garanci sigurie. Ky propozim injorohet nga aktorët kryesorë, në radhë të parë nga Shtetet e Bashkuara. Kjo shpërfillje, e përjetuar keq në Ankara, shpjegon ashpërsimin e tonit që do të pasojë.
Nga dhoma e tij e vogël dhe i armatosur vetëm me kompjuterin e vet, gazetari turk në mërgim në Gjermani, Metin Cihan, është përkushtuar të dokumentojë atë që një numër gjithnjë në rritje vëzhguesish e cilësojnë si fytyra e dyfishtë e pushtetit turk: një pushtet që flet me zë të lartë, por që nuk heq dorë nga bizneset me Izraelin. Cihan analizon statistikat. « Burime të hapura, asgjë sekrete. Gjithçka është e shkruar, mjafton ta kërkosh », na shpjegon ai. Në llogarinë e tij në rrjetin X, ai publikon çdo ditë të dhëna që tregojnë rëndësinë e shkëmbimeve tregtare. Ai konsiderohet « më efikas se të gjithë opozitarët së bashku ». « Ai e bën punën për ne », pranojnë aktivistë që denoncojnë “hipokrizinë” e pushtetit. Një pjesë e gjerë e opinionit publik turk – 45 % e të cilit ka një mendim pozitiv për Hamasin – kërkon ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare me Izraelin.
Duke kërkuar njëkohësisht sanksione ndaj Tel-Avivit, mbylljen e stacionit radar amerikan në Kürecik që përdoret nga izraelitët, madje edhe dërgimin e trupave në Gaza, Partia e Re e Mirëqenies (YRP), e drejtuar nga Fatih Erbakan, djali i ish-mentorit të Erdoganit, po fiton gjithnjë e më shumë terren – madje edhe brenda radhëve të AKP-së.
Duke refuzuar të bëjë aleancë me YRP-në, Erdogan e përjeton keq popullaritetin në rritje të këtij rivali islamist, i cili mori gati 7% të votave në mars 2024 dhe ia rrëmbeu partisë së tij dy qytete që i kishte më parë nën kontroll.
Disa ditë më vonë, Ankaraja njoftoi ndalimin e eksporteve të pesëdhjetë e katër produkteve drejt Izraelit, përpara se, muajin pasues, të pezullonte të gjitha marrëdhëniet tregtare me këtë shtet. Këto sanksione i kushtojnë shtrenjtë Turqisë, pasi eksportet e saj drejt Izraelit kishin arritur në më shumë se 5 miliardë dollarë. Pothuajse në të njëjtën kohë, Erdogan përqafoi një delegacion të Hamasit të kryesuar nga Ismail Haniyeh, vizita e tij e planifikuar në Uashington u anulua, dhe Turqia njoftoi se do t’i bashkohej iniciativës së Afrikës së Jugut për ta paditur Izraelin për gjenocid përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN).
Dielli ndriçon mbi brigjet aziatike të Stambollit këtë të diel, më 6 tetor 2024. Yahya Sinwar, “ushtaraku” i Hamasit, me një fëmijë dhe një mitraloz në krahë, qëndron në majë të një turme të vogël të mbledhur në Üsküdar. Burrat nga njëra anë, gratë nga ana tjetër — disa qindra protestues brohorasin ndaj efigjes së “rezistencës kundër armikut sionist” dhe valëvisin flamuj të Hamasit dhe të Palestinës. Një tjetër figurë e pranishme është ajo e Ismail Haniyeh, “politikani” që lideri numër një turk e quante “vëlla”, i cili ishte vrarë nga izraelitët në Iran pak më shumë se dy muaj më parë, ngjarje për të cilën ishte shpallur një ditë zie kombëtare në Turqi. Me gishtin tregues të ngritur, protestuesit i japin jehonë hutbes së imamit në tribunë.
Pankartat shajnë NATO-n dhe denoncojnë një “gjenocid” të orkestruar nga ushtria izraelite në Gaza.
Po atë fundjavë, por në anën tjetër të Bosforit, në Taksim, në bregun evropian të Stambollit, NATO-ja përmendet me përbuzje edhe nga protestuesit që marshojnë me thirrjen e dhjetëra sindikatave dhe lëvizjeve të majta, kundër “imperializmit amerikan dhe sionizmit”. Kërkohet një shtet i vetëm “nga deti deri në lumin Jordan”. Por, ndryshe nga protestuesit në Üsküdar, ata nuk mbajnë figura të Sinwar apo Haniyeh: këtu valëvitet portreti i Leïla Khaled – anëtare e Frontit Demokratik për Çlirimin e Palestinës (FDLP) dhe gruaja e parë që ka rrëmbyer një avion, në aeroportin e Amanit, në vitin 1969 – me kokën të mbuluar me kefije dhe kallashnikov në dorë. Vajzat e reja të mbuluara që janë aty nuk e ndjejnë veten të përfaqësuara nga islamistët e anës tjetër të qytetit. Ato i janë bashkuar kolektivit “Të rinjtë për Palestinën”, me orientim të majtë, dhe vetëpërcaktohen si “myslimane kundër Erdogan”. Ato shprehen të tronditura nga arrestimi i dhunshëm disa muaj më parë i “motrës” së tyre Beyza Bengisu Akyüz. Me pranga dhe e futur me forcë në makinë nga policia, e reja po protestonte në zemër të Stambollit në mbështetje të sanksioneve ndaj Izraelit. Babai i saj ishte vrarë nga komando izraelite gjatë sulmit mbi anijen Mavi Marmara.
Në Taksim, votuesit e CHP-së (parti socialdemokrate kemaliste) nuk iu përgjigjën thirrjes së së majtës. Studiuesi Aurélien Denizeau shpjegon këtë mospërputhje: « CHP është një parti që njeh legjitimitetin e ekzistencës së Izraelit, nuk e sheh Hamasin si një bashkëbisedues dhe kundërshton sanksionet. » Më 28 prill 2024, kreu i saj, Ekrem İmamoglu, deklaroi për CNN: « Hamasi ka kryer, sigurisht, një sulm në Izrael që na trishton thellësisht, dhe ne e konsiderojmë çdo strukturë të organizuar që kryen sulme terroriste dhe vret masivisht njerëz si një organizatë terroriste. » Si rrjedhojë, afërsisht një në dy mbështetës të kësaj partie kërkon që qeveria turke të mbetet neutrale në këtë konflikt, në krahasim me një në çdo katër anëtar nga radhët e AKP.
Një tjetër mungesë e madhe: lëvizja autonomiste kurde. Aktivistët e saj janë distancuar nga çështja palestineze gjatë viteve të fundit. « Më 7 tetor, ata nuk mundën të mos bënin një krahasim mes mënyrës së veprimit të Hamasit dhe asaj të Organizatës së Shtetit Islamik, kundër të cilit kanë humbur dhjetë mijë luftëtarë », shpjegon gazetari İrfan Aktan. « Gjatë betejës së Kobanit [në shtator 2024], palestinezët nuk lëvizën as gishtin për ne, nuk na mbështetën asnjëherë », kujton një aktivist kurd. Nga qelia e burgut në Edirne, Selahattin Demirtaş, ish-bashkëkryetar i Partisë Demokratike të Popujve (HDP), shprehu në rrjetin X solidaritetin e tij me palestinezët pas vrasjes së Ismail Haniyeh në korrik 2024. Ky mesazh i solli një valë sharjesh dhe kritikash nga vetë kurdët.
Në Pallatin Presidencial të Ankarasë, askush nuk e mohon kontributin e Tel-Avivit në suksesin e ofensivës së Hayat Tahrir al-Cham (HTC) – e mbështetur nga regjimi i z. Erdogan – dhe, rrjedhimisht, në rrëzimin e Bashar al-Assad-it. Bombardimet izraelite kanë goditur rëndë Hezbollah-un dhe kanë dobësuar Iranin, të dy mbështetës të regjimit të Damaskut. Askush në Ankara nuk vajton fatin e lëvizjes shiite, e cila luftonte kundër forcave opozitare – përfshirë edhe grupet xhihadiste – që kishin marrë mbështetje nga Turqia. « Në thelb, Izraeli dhe Turqia ndodhen në situata të krahasueshme në Siri », shpjegon Henri Barkey, profesor emerit i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitetin Lehigh: « Të dy vendet kontrollojnë territore të rëndësishme siriane. Të dy përballen me sfida të ngjashme të sigurisë: kurdët për turqit, Hezbollah-u dhe grupe të tjera për Izraelin. Asnjëri nuk dëshiron rikthimin e iranianëve – edhe pse kjo është pak e mundshme. » Dobësimi i Iranit, një rival historik, i përshtatet plotësisht Turqisë.
A mund të bëhen Turqia dhe Izraeli aleatë objektivë? Të dy vendet armatosën dhe mbështetën ushtarakisht Azerbajxhanin gjatë luftës së dytë të Nagorni-Karabakut në vitin 2020, që përfundoi me humbjen e Armenisë. « Para 7 tetorit, Azerbajxhani madje kishte tentuar të afronte Turqinë dhe Izraelin », kujton Rousif Housseïnov, drejtor i Qendrës Toptchoubachov në Baku. Dhe deri më sot, Azerbajxhani mban njëkohësisht aleancën me Turqinë dhe partneritetin strategjik me Izraelin. Nëse Ankaraja ndaloi avionin e presidentit izraelit Isaac Herzog të fluturonte mbi territorin turk gjatë vizitës së tij në Baku në nëntor 2024, ky gjest kishte më shumë për qëllim qetësimin e aktivistëve turq, të cilët ishin kundër vazhdimit të furnizimit me naftë nga Azerbajxhani drejt Izraelit, nëpërmjet portit të Ceyhan-it në jug të Turqisë. Megjithatë, projekte të tjera të përbashkëta energjetike turko-izraelite janë ende në pritje. Njëri prej tyre, i inkurajuar nga Evropa, e cila kërkon të zvogëlojë varësinë nga gazi rus, është ndërtimi i një gazsjellësi që do të lidhte fushën izraelite të gazit Leviathan (në det të hapur) me Ceyhan-in. Lufta në Gaza ka pezulluar bisedimet për këtë projekt, por Ankaraja nuk e përjashton mundësinë e rifillimit të tyre pas një armëpushimi.
Drejt një përplasje të armatosur?
Që nga rrëzimi i Bashar al-Assad-it, konvergjenca e interesave midis Turqisë dhe Izraelit nuk e ka penguar përshkallëzimin e tensioneve. « Siria do të bëhet një burim i ri përplasjeje midis dy vendeve », parashikon profesori Henri Barkey. Izraeli është shumë i dyshuar ndaj ndikimit turk mbi pushtetin e ri në Damask dhe përkrah një Siri të dobët dhe të decentralizuar. Ai tashmë kontrollon Lartësitë e Golanit përtej zonës neutrale të vendosur pas luftës së Yom Kippur-it më 1973, dhe shpreh gatishmërinë për të “mbrojtur” komunitetin druzi nga pushteti i ri sirian. Ndërkohë, ministri i punëve të jashtme të Izraelit e ka cilësuar popullin kurd si një “aleat natyror” të Izraelit (The Times of Israel, 10 nëntor 2024). Një Rojava e pavarur – enklava aktuale autonome kurde në verilindje të Sirisë – përbën një makth për Ankaranë, sepse, siç përfytyron politologu Halil Karaveli, ajo mund t’i ofrojë Izraelit një aleat të besueshëm në një pikë strategjike kyçe mes Anadollit, Mesopotamisë dhe Levantit.
« Pas Libanit, atdheu ynë do të jetë vendi i radhës ku Izraeli do të hedhë sytë », deklaroi presidenti turk gjatë seancës së hapjes së Parlamentit, më 1 tetor të kaluar. Nëse disa vëzhgues – veçanërisht izraelitë – sugjerojnë se Tel-Avivi nuk ka kapacitet të hapë një front të ri kundër Ankarasë, aq më tepër kur përballja me Iranin duket se është obsesioni aktual i kryeministrit izraelit, një aktor i përfshirë në negociatat e tanishme për Sirinë nuk e përjashton mundësinë e një konflikti të armatosur me Turqinë: « Në sytë e Netanyahut, Ankaraja është armiku më i afërt tani. Nëse Turqia kërkon një zonë ndalim-fluturimi në veri të Sirisë apo merr kontrollin e hapësirës ajrore atje, kjo do të përbënte një casus belli për kryeministrin izraelit, i cili synon të ruajë lirinë e plotë të fluturimit për të kryer sulme, qoftë këtu apo në Iran ».
Një përplasje e armatosur mes dy fuqive të mëdha ushtarake të rajonit, ku njëra është aleate e Shteteve të Bashkuara dhe tjetra anëtare e NATO-s? Një skenar i tillë do të shkatërronte përfundimisht idenë e diplomatëve turq, të cilët deri më tani shprehnin: « Gjithçka do të shkonte mirë me Izraelin sikur të mos ishte çështja palestineze ».

