Ju thatë “sistemor”?

1016

Shumëkombëshet amerikane i drejtohen shumë shpesh filantropisë për t’i fshehur punët e këqija që i kanë pasuruar. Që nga maji i kaluar, ato kanë derdhur qindra miliona dollarë për shoqatat e ndryshme afrikano-amerikane, përfshirë ‘Black Lives Matter’.  Liberalitete të tilla drejt një strukture militante që e lufton “racizmin sistemor” ta kujtojnë disi pagesën e një police të sigurimit. Apple, Cisco,Walmart, Nike, Adidas, Facebook, Twitter, të cilët e dinë më mirë se kushdo se ç’do të thotë “sistemor”, mbase druajnë se vërja në pikëpyetje e pabarazive strukturore në Shtetet e Bashkuara mund t’i shënjestroj në të ardhmen e afërt punët e tjera të ndyra krahas dhunës policore. Më afër bordit të tyre drejtues.

Në këtë hipotezë, protestuesit nuk do të kënaqen për një kohë të gjatë me gjeste “simbolike” të gjunjëzimit para afrikano-amerikanëve, prishjen e statujave, riemërimin e rrugëve, pendimin për “privilegjin e bardhë”. Andaj edhe është për këtë repertor, të padëmshëm për ta, që shefat e shumëkombësheve do të donin ta kufizonin lëvizjen popullore e cila zgjoi shoqërinë amerikane pas shpërndarjes së pamjeve të vdekjes së një njeriu të zi të ngufatur nën gjurin e një oficeri të bardhë policie.

Drejtori i Përgjithshëm i bankës ‘JPMorgan’ që ka shkatërruar familje të panumërta zezake duke i joshur ato me kredi patundshmërie që nuk do të mund t’i paguanin kurrë, z.Jamie Dimon u gjunjëzua para një kasaforte gjigande të zyrës së tij.

Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale më 2012, z.Willard (“Mitt”) Romney, pati vlerësuar asokohe se 47% e popullsisë amerikane përbëhej nga parazitët. Ai murmuriti  “Black lives matter” duke marrë pjesë në një protestë anti-raciste.

Parfumeri Estée Lauder shpenzojë 10 milionë dollarë për ta “promovuar drejtësinë racore dhe shoqërore, si dhe qasjen më të madhe në arsim”. Sigurisht se janë këto qëllime që e kishin nxitur atë ta financojë fushatën e z.Donald Trump më 2016.

Përtej këtyre fantazive që tejkalojnë regjistrin e parodisë, si mund të mos vërejmë se protestat kundër “racizmit sistemor” zhvillohen disa javë pasi që kandidati i cili kishte më shumë të ngjarë ta sulmojë vërtetë “sistemin”, z.Bernie Sanders, u mund nga një njeri, z.Joseph Biden, që kontribuoj shumë për t’i forcuar tiparet e tilla. Më 1994, senatori Biden ishte arkitekti i madh i arsenalit gjyqësor që e përshpejtoi burgosjen masive të afrikano-amerikanëve. Kjo nuk i pengoi – ngjyra e lëkurës nuk garanton gjithmonë përzgjedhjet e duhura – 26 nga 38 të zgjedhurit zezakë të votojnë për atë ligj në Kongres.

Në Shtetet e Bashkuara, pasuria pronësore e shumicës së familjeve afrikano-amerikane mbetet e mbërthyer nën 20.000 dollarë, me fjalë të tjera asgjë [1]. Prandaj, ato familje duhet të banojnë në lagjet e varfëra dhe t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla mediokre, sepse ato financohen kryesisht nga taksat mbi pronën. E ardhmja e tyre profesionale pengohet që në fillim. Thelbi i çështjes – “sistemi” – është aty: “privilegji i bardhë” është para së gjithash ai i kapitalit. Sa për simbolet, patën një President: Barack Obama.


[1] Lexo Dalton Conley, « Aux États-Unis, la couleur du patrimoine », Le Monde diplomatique, shator 2001.