Kartolina e urimit të fundvitit e z.Anders Fogh Rasmussen nuk e priti Vitin e Ri. Ish-Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) e përmblodhi kësisoj misionin që do të duhej ta realizonte sa më shpejt NATO, sapo që z.Donald Trump të largohet nga Shtëpia e Bardhë: « Më 2021, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do ta kenë një mundësi që paraqitet një herë në çdo gjeneratë. Atë të përmbysjes së tërheqjes globale të demokracive përballë autokracive si Rusia dhe Kina. Por, për këtë duhet të bashkohen demokracitë kryesore ». Diçka që kanë bërë shumë prej tyre një gjeneratë më parë, kur pushtuan Afganistanin dhe pastaj Irakun. Pra, koha është me sa duket t’i vërsulen kundërshtarëve më të fuqishëm…
Po nga cili me filluar? Meqenëse Washingtoni synon ta sigurojë “udhëheqjen” e kryqëzatës demokratike. “Amerika është kthyer, e gatshme për ta udhëhequr botën“, tha z.Joseph Biden më 24 nëntor 2020. Vendet satelite do të bënin mirë ta kuptonin se Shtetet e Bashkuara nuk pajtohen më për identitetin e kundërshtarit të tyre kryesor. Më pak se në gjeopolitikën globale, arsyet gjinden te përçarjet e tyre të brendshme.
Për demokratët, armiku është para së gjithash ai rus. Për katër vitet e fundit, udhëheqësit demokratë, si znj.Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, kanë përsëritur se “me Trump të gjitha rrugët shpiejnë te Putini”.
Republikanët përgjigjen me parullën : “Pekin Biden”. Për shkak se djali i dytë i Presidentit të ri, z.Hunter Biden, ka bërë biznes në Kinë dhe se globalizimi që i mvishet demokratëve, ka shërbyer për interesa të Kinës.
Më 10 dhjetor, Sekretari i Shtetit Michael Pompeo u përpoq ta zgjeronte hendekun ekzistues midis dy vendeve. Duke e vërë në pah, pa buzëqeshur, shqetësimin e tij për privatësinë, Pompeo që ka qenë edhe drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), alarmoi botën: “[Presidenti kinez] Xi Jinping vëzhgon secilin prej nesh“. Pompeo kritikoi po ashtu 400.000 studentët kinezë që vijnë çdo vjet për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një pjesë e të cilëve akuzohen se kanë vjedhur sekrete industriale dhe shkencore nga universitetet amerikane ku “shumë prej tyre janë blerë nga Pekini”. Së fundi, Pompeo kritikoi edhe produktet e kompanisë Huawei, ku sipas tij çdo përdorues përfundon « në duart e aparatit kinez të sigurisë ».
Ky është refreni që republikanët do t’ia përsërisin z.Biden. Ky i fundit do të përgjigjet katër vjet me paranojën anti-ruse të ushqyer nga demokratët kundër z.Trump. Deti i Kinës, Taïwani, fati i Ujgurëve, Hong-Kongu: çdo pretekst do të përdoret për ta sfiduar vendosmërinë anti-kineze të administratës së re.
Z.Rasmussen tregoi së paku mprehtësi në një pikë: « Një varg aleatësh të shqetësuar e presin Presidentin e zgjedhur Joe Biden para derës së tij ». Por duke qëndruar në një aleancë të udhëhequr nga një fuqi mendërisht të tronditur, ata nuk do ta gjejnë shpejt paqen e tyre.