Në prill 2024, shkrimtarja argjentinase Selva Almada hyn me bujë në listën e shkurtër të çmimit Booker. Falë përkthimit në anglisht të romanit të saj No es un río (Nuk është lum) kjo autore nga provincia Entre Ríos, që kufizohet me Uruguajin, ia shton emrin e saj listës së gjatë të shkrimtareve latino-amerikane që, prej gjashtë vitesh, janë përzgjedhur si finaliste për këtë çmim prestigjioz britanik – i (keq)quajtur deri vonë Man Booker Prize. Një e katërta e veprave të përzgjedhura për edicionin 2024 ishin nga Amerika e Jugut.
Edhe pse Selva Almada nuk e fitoi çmimin, kjo humbje është në fakt një fitore, pasi ia hap dyert e tregjeve anglosaksone që janë më të fuqishmit në botë. Gjatë dhjetë viteve të fundit, çmimi Booker ka njohur dhe popullarizuar shumë penda “latinas” të përkthyera në anglisht. Përveç Selvada Almada-s, nga Argjentina mund të përmendim Gabriela Cabezón Cámara, Ariana Harwicz, Claudia Piñeiro, Samanta Schweblin; nga Meksika, Fernanda Melchor dhe Guadalupe Nettel; nga Peruja, Gabriela Wiener.
Ekranizime romanesh – si për shembull Matate, amor (Vdis, dashuria ime) i Ariana Harwicz i realizuar nga regjisorja Lynne Ramsay në 2025 – apo adaptime në platformat streaming – si Toksike e Samanta Schweblin në 2021 ose Temporada de huracanes (Stinë Uraganash) i Fernanda Melchor në 2023 –; portrete lavdëruese në mediat ndërkombëtare, përkthime në dhjetëra gjuhë: letërsia latino-amerikane po lulëzon, e janë gratë ato që po e shtyjnë përpara këtë valë. Disa e krahasojnë me “boomin” e romaneve të viteve 1960–70, kur autorë si Julio Cortázar, Mario Vargas Llosa, Gabriel García Márquez dhe Carlos Fuentes arritën kulmin e famës në Perëndim. Por shkrimtari paraguajan Augusto Roa Bastos, gjithashtu pjesë e atij brezi, kishte një vëzhgim kritik: “Shoqëria e konsumit në të cilën jetojmë ka zbuluar se, ashtu si shfrytëzohet një rajon i pasur me naftë, mund të shfrytëzohet edhe një rajon i pasur me shkrimtarë.”
Pas disa dekadash mospërfilljeje relative, shtëpitë botuese në mbarë botën po i kthehen sërish prozës latino-amerikane si “ari i zi”. Dhe kjo është aq më e dukshme kur kujtojmë se që nga ajo epokë e artë, asnjë brez tjetër autorësh nuk ka pasur një sukses të tillë. Por shkrimtaret e sotme këmbëngulin: kjo nuk është një “boom” i ri. “Ajo që po ndodh është një ndryshim në ndriçim, si në teatër”, shpjegon shkrimtarja ekuadoriane María Fernanda Ampuero. “Projektorët ishin përqendruar te burrat shkrimtarë. Gratë ishin gjithashtu në skenë, por në hije. Për t’i parë, duhej të dije që ishin aty, të vëzhgoje me kujdes. Asnjëra nga ne nuk e sheh këtë si një fenomen të ri apo të nxitur nga industria botuese”.
Carmen Balcells, e cila jetoi në Barcelonë dhe vdiq në 2015, konsiderohej si një nga figurat kyçe të letërsisë botërore të shekullit XX. Ajo përfaqësoi gjashtë fitues të Çmimit Nobel, katër prej tyre latino-amerikan (García Márquez, Vargas Llosa, Miguel Ángel Asturias nga Guatemala dhe Pablo Neruda nga Kili). Ajo i bëri të njohur autorët nga vende të cilësuara si “periferike” nga Evropa. Balcells profesionalizoi profesionin e shkrimtarit dhe u bë vetë një figurë emblematike si agjent letrar. “‘Boomi’ ishte gjetja e një gruaje që zgjodhi shkrimtarë shumë të talentuar dhe i bëri të punonin me sukses”, konfirmon Cabezón Cámara. “Ishte një botë shumë mashkullore, një kohë kur njerëzit refuzonin të operoheshin nga një kirurge apo të hipnin në një avion të pilotuar nga një grua. Nuk ishim gati të dëgjonim një zë femëror”. Sipas shkrimtarit argjentinas Enzo Maqueira, një nga të paktët burra që ka gjetur vend në këtë ekosistem të ri, “boomi ishte: tre apo katër burra, shumë talent, shumë politikë dhe një dozë e mirë marketingu”. Ai shton: “Lëvizja e sotme është shumë më autentike dhe më e rrënjosur në shoqëritë tona.”
Suksesi i shkrimtareve latino-amerikane pasqyron edhe fuqinë e kërkesave feministe në një rajon të dominuar historikisht nga burrat. Duke jetuar në Gjermani prej njëmbëdhjetë vitesh, Schweblin krahason dy kontinentet: “Në Berlin, feminizmi është kudo dhe kremton. Në Amerikën Latine, ai është në luftë!”. Ashtu si “boomi” i mëparshëm nisi pas revolucionit kuban, ky i tanishmi lidhet me mobilizimet feministe në vitet e fundit, nga Buenos Airesi në Quito, nga Santiago de Chile në Bogotá.
Dikur, portreti i Amerikës Latine pikturohej nga burra të bardhë, aventurierë, ndonjëherë revolucionarë e shpesh “donzhuanë”. Sot, megafonët i mbajnë aktorë të shumtë – kryesisht gra. Ambasadoret e reja të letërsisë latino-amerikane tregojnë format që mvesh dominimi seksist – diskriminimin, ndalimin e abortit, dhunën, feminicidin – si dhe përgjigjet që japin shoqëritë e nënkontinentit ndaj këtyre çështjeve universale. Specialistja e zhanrit horror që tani është në modë, ekuadoriania Ampuero, përdor atmosferën e tensionit për t’ia mundësuar lexuesve të identifikohen me heroinat (vajza, femra të reja) që ndihen të kërcënuara nga meshkujt. Shumë autore lëvrojnë këtë letërsi të së çuditshmes, që përzien tmerrin shoqëror dhe fantazinë e përditshmërisë – sikur shkrimtaret argjentinase Enríquez, Schweblin apo Harwicz, e cila jeton jeton në Francë prej 2007.
Tashmë nuk janë më shkrimtari prometheik dhe epikat e tij në qendër të vëmendjes; aventura e madhe buron nga përditshmëria e grave dhe ndërton romane mbresëlënëse. “Sfera personale është politike. Në kohën e ‘boomit’ ishte ‘shkrimtari total’. Sot, është Annie Ernaux ajo që fiton Nobelin. Është domethënëse!” vëren Nettel. “Në Francë, identifikimi i lexuesve vjen përmes temave shoqërore”, nënvizon Joachim Schnerf, shkrimtar dhe redaktor te shtëpia botuese Grasset. “Ka tema për të cilat nuk flitet shumë në letërsinë franceze. Por, përtej përmbajtjes, veprat e këtyre autoreve kanë vlerë letrare të veçantë. Për shembull, forma: tradita e tregimit të shkurtër vazhdon në Amerikë latine, me Schweblin dhe Enríquez. Pak autorë francezë i kushtohen këtij zhanri”. Ideja se shkaku i suksesit të tyre do të reduktohej në trajtimin e temave posaçërisht femërore, për më tepër, ka prirje t’i irritojë autoret. « Sigurisht që ka pika takimi mes veprave tona, si në çdo letërsi, pranon Ampuero. Por këmbëngulja për t’i kërkuar këto pika të përbashkëta vetëm për shkak të gjinisë sonë femërore është fyese! Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë dhe kanë shkruar gjithmonë – në Meksikë, që prej motrës Juana Inés de la Cruz. ».
Një univers real dhe i helmuar
“Janë lexueset ato që kanë ndryshuar rregullat e lojës në tregun letrar. Në Amerikën Latine, ato përbëjnë 70% të lexuesve”, kujton Schweblin, një nga shkrimtaret argjentinase më të përkthyera dhe më të mediatizuara. Në romanin Toksike, fantastikja gëlltit banalitetin e përditshëm: dy nëna i nënshtrohen me disa vite dallim, të njëjtit eksperiment që vë në provë dashurinë e tyre amtare dhe marrëdhënien mes tyre. Lexuesi zhytet në një univers të çuditshëm, por megjithatë shumë real dhe të helmuar.
Schweblin çuditet që në çdo intervistë i bëhet e njëjta pyetje: si mund të shkruajë për mëmësinë pa qenë nënë vetë? “Është interesante të shohësh se sa shumë kjo gjë shqetëson”, shpjegon ajo. “Edhe pse nuk jam nënë, kam 46 vjet që jam bijë. Kjo është një tjetër perspektivë mbi mëmësinë. Askush nuk i pyet autorët e romaneve kriminale nëse dalin për të vrarë njerëz gjatë fundjavës për të shkruar mbi vrasje! Letërsia është çështje kureshtjeje. Të shkruash do të thotë të hysh në lëkurën e dikujt tjetër.”
Nëse shkrimtaret latino-amerikane vendosin intimitetin e grave në qendër të veprës së tyre, ato gjithashtu ndriçojnë tema – e madje botë – të panjohura. “Ka diçka në periferi që na jep një liri që nuk mundet të gjindet në qendër”, analizon Cabezón Cámara, autorja e Las Aventuras de la China Iron (Aventurat e China Iron) një roman që përmbys mitin kombëtar argjentinas të gauços Martín Fierro.
Arma sekrete e saj është gjuha. Duke ndërthurur gjuhën guarani me spanjishten dhe anglishten, kjo argjentinase hap horizonte të reja letrare. Ajo imagjinon emancipimin e China Iron-it, një adoleshente indiane 14-vjeçare, gruaja e Fierro-s, e cila bie në dashuri me një të vajzë të re britanike, Liz, dhe braktis burrin e saj gaucho. “Të shkruash në spanjishten argjentinase, të eksperimentosh me gjuhë të tjera, është tashmë një akt emancipimi nga spanjishtja dominuese”, shpjegon botuesi Benoît Laureau, i cili e prezantoi autoren në Francë.
Në romanin e saj Sezoni i Uraganeve, Melchor eksploron dhunën në të cilën jetojnë popullatat e margjinalizuara të Meksikës – për shembull, të rinj të përfshirë në mërzi, varfëri dhe delinkuencë, të dhënë pas drogës dhe një seksualiteti të shfrenuar.
Ndërkohë, shkrimtarja kolumbiane Cristina Bendek përshkruan jetën e përditshme në një nga ishujt më të dendur të Karaibeve, prej nga ajo vjen – San Andrés. Larg klisheve turistike, romani i saj Los cristales de la sal (Kristalet e kripës) rrëfen historinë e fshehur të territorit dhe të popullsisë së tij të zezë, Raizales. “Shkrimtaret e sotme janë të ndjeshme ndaj formave të tjera të disidencës”, thotë ajo.
Ndërsa autorët e “boom-it” vareshin nga shtëpitë botuese evropiane, kryesisht spanjolle, sot në të gjithë rajonin është zhvilluar një sektor letrar i pavarur. Shkrimtaret dhe botueset botojnë njëra-tjetrën, një fenomen që nxit vazhdimisht shfaqjen e talenteve të reja. Thirrja për emancipim e Roa Bastos është dëgjuar: ndryshe nga ajo që ndodh me naftën, veprat e shkrimtareve latino-amerikane eksportohen pa e lënë popullsinë vendase nga pasuria e saj letrare.

