Editorial
Makineria e së keqes

1741

E ballafaquar me probleme shëndetësore, ekologjike, ekonomike dhe sociale, shoqëria franceze po merr goditje edhe në formën e sulmeve terroriste. Prandaj edhe duan ta mobilizojnë për “luftë”. Një më shumë. Por duke qenë shpesh i pazbulueshëm, shkatërrimi i armikut kërkon gjithnjë një arsenal më të fuqishëm se i mëparshmi. Jo apo ende jo, raketa dhe tanke, por sulme shtesë ndaj lirive publike.

Kush në të vërtetë guxon t’i mbrojë liritë publike pas një sulmi ose gjatë një epidemie? Pra, kufizimet vendosen dhe pranohen pa debat. Po na thuhet se kjo është vetëm një parantezë dhe se do t’i japin fund sapo të neutralizohet virusi, apo terroristi, dhe se do të kthehemi në ditë të lumtura. Ditët e lumtura nuk kthehen. Por, nënshtruar ndaj këtij regjimi, një shoqëri mund edhe të shpërthej.

I përfshirë në një kontekst të tillë, krimi i një islamisti fanatik i cili duke besuar në dëshminë e rreme të transmetuar nga rrjetet sociale, i preu kokën një mësuesit që nuk e njihte, ka tronditur dhe trazuar një popull të tërë. Një çeçen pa lidhje të ngushtë me ndonjë organizatë terroriste; pak bashkëpunëtorë; mbështetje pothuajse inekzistente në vend: në kohë të tjera, vrasja e Samuel Paty do të dukej si tragjedi që mund të shkaktojë një i çmendur. Por ky rast vjen në një histori të shënuar me akte terrori islamiste që një ose dy fjalë lidhin me njëri-tjetrin: Salman Rushdie, 11 shtatori, Bali, Madridi, Mohamed Merah, Charlie, Bataclan, Nice… Kaq sulme të përgjakshme ose kërcënime me vdekje që shënjestruan shkrimtarë, hebrenj, karikaturistë, krishterë. Dhe vrau gjithashtu muslimanë.

Prandaj edhe masim papërgjegjësinë e atyre të cilët sapo u zbulua prerja e kokës së Conflans-Sainte-Honorine, shpejt kapërcyen emocionet e tyre për të pohuar, gabimisht, se “nuk kemi bërë asgjë për tridhjetë vjet” lidhur me çështjet e mbikëqyrjes dhe represionit

Sa për të kërkuar pastaj që shteti të marrë masa të jashtëzakonshme kundër migrantëve dhe muslimanëve. E djathta flet për ndryshimin e Kushtetutës; Ministri i brendshëm shqetësohet për “sektorët e kuzhinës komunitare” në hipermarkete; gazetarë bëjnë thirrje që të hesht Këshilli i Shtetit, Këshilli Kushtetues dhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë, në mënyrë që asgjë të mos mund të ndalojë urdhëresat arbitrare administrative dhe burgosjet e motivuara nga një fletarrestim i thjeshtë policor. Të njëjtit shtojnë se duhet ndaluar “gjuha e urrejtjes” në rrjetet sociale pa e vërejtur se vetë përhapin gjuhë po aq helmuese, por në kanalet e rëndësishme të informimit.

Tmerri i një krimi ka mundur të nxiste mbështetjen më në fund unanime të popullatës për mësuesi, të cilët qeveritë e njëpasnjëshme i shndërruan në rolin e një variable të menaxhuesve buxhetor, duke i dorëzuar po ashtu ndaj presionit të prindërve të nxënësve.

Në vend të kësaj, një erë e “luftës së qytetërimeve” ngrihet përsëri. Ajo vetëm se do të mund t’i ndajë edhe mëtej fraksionet e një populli francez që gjuhet istematikisht – dhe jo vetëm integristët muslimanë ose të djathtët ekstremë – te “komuniteti” i tyre, te familja e tyre, te Zoti i tyre. Kundër kësaj makinerie të së keqes “nuk kemi bërë asgjë për tridhjetë vjet”.