Pasi u ruajtën në muzeun e utopive, zgjedhjet demokratike u përhapen në Afrikë gjatë tri dekadave të fundit. Përderisa kontinenti po lidhet çdo herë e më shumë me internetin, rreziku i manipulimit digjital po rritet, kryesisht përmes rrjeteve sociale. Kërcënimi duket edhe më i madh pasi që kalon shpesh pa u vërejtur. Një detaj e konfirmon këtë: pikërisht në Afrikë, në Nigjeri dhe Kenia, Cambridge Analytica testoi teknikat e saj mashtruese të mbledhjes së të dhënave të përdorura gjatë referendumit për Brexit-in dhe zgjedhjeve presidenciale të SHBA-ve më 2016. Votuesit në këto vende shërbyen pa dashur si minj laboratori për një strategji me tre etapa. Së pari, për të mbledhur, kryesisht në Facebook, të dhënat personale online të miliona qytetarëve: mosha, gjinia, preferencat estetike, kulturore ose politike. Pastaj, për t’i analizuar këto informacione për ta përcaktuar mikrokategoritë. Dhe në fund, për t’i orientuar zgjedhjet individuale, duke përdorur algoritme, përmes propagandës së ndërtuar sipas kërkesës në platformat digjitale. Dy ish-punonjës të Cambridge Analytica, znj.Brittany Kaiser dhe z.Christopher Wylie, zbuluan se në zgjedhjet presidenciale në Kenia të viteve 2013 dhe 2017, kompania britanike që e këshillonte shefin esShtetit Uhuru Kenyata mblodhi të dhëna personale nga votuesit dhe nga profilet e tyre zhvilluan një propagandë të qepur me gënjeshtra dhe ekzagjerime.
Në Nigjeri, gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2015, një miliarder i vendit i cili, sipas deklaratave të z.Wylie, « shqetësohej nga fitorja e mundshme e kandidatit të opozitës”, z.Muhammadu Buhari paguajti 2 milion dollarë (1.75 milion euro) për shërbimet e Cambridge Analytica. Duke përdorur specialistë të vjedhjes së informacioneve digjtale (hakera), kjo kompani shpërndau në rrjetet sociale dosjen mjekësore të kandidatit Buhari, atëherë 72 vjeç, duke sugjeruar që shëndeti i tij nuk do ta lejonte të ushtronte pushtetin. Prodhuan gjithashtu video që tregonin vrasjet e civilëve që u atribuohen islamistëve, duke sugjeruar që një fitore e kandidatit të partisë opozitare, një mysliman nga veriu, do të nxiste rritje të dhunës. Pavarësisht nga këto përpjekje, këtë herë fitoi kandidati i opozitës.
Fundi i një dashurie të gjatë
Si platforma më e njohur në kontinentin afrikan, me mbi 200 milion përdorues, Facebooku është streha e të gjitha llojeve të manipulimeve. Ndërsa krijonte faqe me identitete të rreme, grupi Archimedes i vendosur në Tel Aviv (Izrael) dhe që u zhduk prej atëherë, mbështeti gjatë vitit 2019 kandidatët në zgjedhjet presidenciale në Togo, në Republikën Demokratike të Kongos. (DRC), Nigjeri ose Tunizi. Pothuajse 2.8 milion përdorues janë shenjestruar. Në Zambia dhe Uganda, me ndihmën e punonjësve të gjigandit kinez të telekomunikacionit ‘Huawei’, qeveritë organizuan përcjelljen elektronike të figurave të opozitës dhe të komunitetit. Në Ugandë, policia u fut pa dijeni në llogarinë WhatsApp të z.Bobi Wine, muzikant i njohur dhe kundërshtar i Presidentit Yoweri Museveni. Këto vjedhje i mundësuan autoriteteve ta pengojnë mobilizimin e kundërshtarëve. Suksesi i zbulimeve të tilla shënon fundin e një romance të gjatë. Vërtetë rrjetet sociale janë parë prej kohësh si katalizatorë së pjesëmarrjes politike, si vektorë për zgjerimin e mënyrave të mobilizimit dhe si vende të shprehjes për ata që janë pa zë në gjithë kontinentin. Në vitin 2010, z.Goodluck Jonathan njoftoi në Facebook kandidaturën e tij për një mandat të ri presidencial në Nigjeri, gjë që ishte akt i paprecedent i cili shënoi hyrjen e aktorëve politikë afrikanë në komunikimin politik modern. Gjatë krizës paszgjedhore në Kenia në vitin 2008, inxhinierë dhe blogerë të rinj krijuan platformën ‘Ushahidi’, një lloj hartografi bashkëpunuese e dhunës së përdorur pas zgjedhjeve. Ëndrra e profetëve të “tekno-utopisë” dukej së realizuari. Sidoqoftë, nga mesi i dekadës së fundit, disa udhëheqës afrikanë përdorën manipulimin digjital si një justifikim për t’u përpjekur të kontrollonin rrjetet sociale. Në vitin 2006, qeveria etiopiane bllokoi hyrjen në disa webfaqje , duke përuruar këtë praktikë lirivrasëse në Afrikën Sub-sahariane. E njëjta masë do të miratohet në Çad, Burundi, Uganda, në Kongo, Kamerun ose Togo.Midis viteve 2016 dhe 2019, njëzet e dy vende afrikane ndërprenë ose ngadalësuan qasjen në internet, shpeshherë përgjatë zgjedhjeve. Me këto shkurtime edhe u arrestuan ose vënë në arrest shtëpiak udhëheqësit e opozitës dhe aktivistët e shoqërisë civile. Por, ky represion vjen me një kosto të konsiderueshme financiare, veçanërisht pasi sektorë të rëndësishëm të jetës ekonomike varen gjithnjë e më shumë nga ajo. Shkurtimet thuhet se i kanë kushtuar vendeve afrikane Sub-sahariane më shumë se 2.1 miliardë dollarë (1.85 miliardë euro) në vitin 2019. Reputacioni i vendit po vuan gjithashtu për shkak të përdorimit të këtyre masave shkelëse të lirisë së shprehjes. Kohët e fundit, disa qeveri afrikane vendosen taksa në qasjen në rrjetet sociale. Në Ugandë, tani duhet të paguash 200 shilinga ugandase (rreth 50 cent) në ditë për të hyrë në Facebook, Twitter ose WhatsApp. Në Benin, kushton 5 franga AQF (0.70 euro cent) për megabit (10). Ky taksim përkeqëson pabarazitë në qasjen në internet duke përjashtuar shtresat më të varfra. Është po ashtu e vështirë të shihet se si e zvogëlon manipulimin digjital, pasi shpesh kryhet nga kompani me burime të konsiderueshme financiare dhe që operojnë nga jashtë. Me iniciativën e shoqatave dhe ligjvënësve, disa ligje tani kufizojnë ose rregullojnë mbledhjen e të dhënave personale në njëzet e pesë vende afrikane. Mbetet sfida e vërtetë e manipulimeve online . Në Afrikën e Jugut, komisioni zgjedhor punëson qindra njerëz për t’i gjetur mashtrimet dhe për t’i sensibilizuar përdoruesit. Por atëhere duhet që institucionet kombëtare të kenë fuqi të vërtetë për t’i kontrolluar dhe sanksionuar kompanitë si CambridgeAnalytica ose gjigantët si Facebook dhe Twitter. Ashtu sikurse mungesa dhe kostoja e lartë e telefonisë fikse kishte favorizuar depërtimin e celularëve në Afrikë rreth viteve 2000, mungesa dhe kostoja e lartë e kompjuterëve favorizoi atë të të ashtuquajturve smartphone një dekadë më vonë, të cilat u bënë mjetet kryesore të qasjes në internet dhe në rrjetet sociale. Inxhinierët kenianë qëndrojnë prapa teknologjive të pagesave përmes aplikacionet mobile.
Çdo herë, sipas nevojave, Afrika i hapi rrugë praktikave të cilat që atëherë janë bërë trende globale, siç është përdorimi i çantave elektronike. Platformat online kanë transformuar marrëdhëniet shoqërore në kontinent, madje edhe më aktivisht se hyrja masive e telefonisë mobile. Me aplikacionin WhatsApp, koha dhe distanca midis afrikanëve është tkurrur në mënyrë të jashtëzakonshme. Miliona shkëmbime ditore në këtë platformë, aplikacioni më i njohur i Afrikës për mesazhe dhe në pronësi të kompanisë Facebook, rregullojnë të gjitha fushat e jetës lokale. Përmes teksteve, fotografive dhe videove, gati 200 milion afrikanë shkëmbejnë mesazhe, informohen dhe mbajnë kontakte të menjëhershme me të dashurit e tyre të shpërndarë në të gjithë territorin. Ndryshe nga rajonet e tjera të botës, ku përdoruesit përdorin më shpesh disa shërbime të mesazheve në internet, në Afrikë dominimi i WhatsApp është i pakontestueshëm, duke e vendosur këtë aplikacion në një situatë të monopolit virtual. Lloje të caktuara të ndërveprimit shoqëror midis afrikanëve kanë mundësuar të vazhdojnë së përdori pavarësisht nga distancat dhe lëvizjet e imponuara nga nevojat e mbijetesës. Në shumë komunitete të Afrikës Perëndimore, për shembull, ku kërkimi për punë sezonale dhe migrimi për punësim i detyron burrat dhe gratë të largohen, predikimet e hoxhallarëve nga komunitetet e tyre të origjinës i ndjekin ata në endjet e tyre. Një skenë që daton nga disa muaj më parë në hollin e aeroportit Lomé në Togo e ilustron këtë dinamikë: një tregtare maliane gjatë rrugës për në Republikën e Afrikës Qendrore dëgjon predikimin e imamit të saj në Bamako. Në të njëjtin aeroport, një tregtare kongoleze dëgjon atë të priftit nga Kisangani. Të dyja përdorin WhatsApp dhe lidhjen falas në Aeroportin Lomé. Skena identike nga Johanesburgu në Nairobi janë portret i shumë afrikanëve në lëvizje në të gjithë kontinentin, por duke ndjekur “aktualitetet” lokale dhe familjare në detaje, në kontekste ku nuk ka shtyp vendor të vendosur. Dy dekada më parë, ruajtja e marrëdhënieve të tilla shoqërore ishte në rastin më të mirë e vështirë, e kushtueshme dhe e rezervuar për të pasurit. Tri tendanca të mëdha do t’i formojnë evolucionet politike në lidhje me rrjetet sociale. E para është rritja e numrit të afrikanëve të lidhur në internet. Nëse vetëm 39% e popullsisë së kontinentit është online, krahasuar me të paktën 50% në pjesët e tjera të botës, kjo përqindje mund të rritet me shpejtësi. Midis 2010 dhe 2020, numri i njerëzve të kyçur u rrit nga më pak se 5 milion në më shumë se 500 milion, sipas webfaqjes World Stats (IWS). Dhe më e rëndësishmja, investimet aktuale sugjerojnë që përshpejtimi do të duhej të vazhdojë me një ritëm më të shpejtë. Më 17 maj 2020, një konsorcium prej tetë kompanive – Facebook, Orange, China Mobile International, MTN (Afrika e Jugut), STC (Arabia Saudite), Vodafone (Mbretëria e Bashkuar), Telekomi Egjipt, Kompania Kabllore e Oqeanit Indian Perëndimor (Mauritius) – nisi ndërtimin e një kabllo nëndetëse 37000 kilometra të quajtur 2Africa, i cili do ta rrisë qasjen e kontinentit dhjetë here më shumë në Internet deri në vitin 2024.
“Shënjestër e gjuhës së urrejtjes”
Trendi i dytë i madh: spostimi më i theksuar i debatit politik afrikan drejt platformave digjitale. Diskreditimit të pësuar nga shtypi tradicional i shtohet lehtësia relative e lidhjes me rrjetet sociale. Në Mali, fushata e zgjedhjeve parlamentare 2018 nisi në këto rrjete, si në qytete ashtu dhe në fshatra. Dhe tendenca e tretë kryesore, më vendimtarja, është qëndrimi i kompanive që zotërojnë platformat: a do të mundohen ta ruajnë integritetin e procesit zgjedhor shpesh i brishtë apo, përkundrazi, do ta zbatojnë në Afrikë logjikën që u siguron atyre para të mira, duke i ekploatuar të dhënat personale të përdoruesve? Fati i zgjedhjeve, shoqëruar ndonjëherë nga përshkallëzime të dhunës, varet kryesisht nga përgjigjet e këtyre pyetjeve. “Në të ardhmen e afërt, paralajmëron një raport nga Fondacioni Kofi Annan, zgjedhjet në demokracitë në vendet e Jugut do të jenë shënjestra e gjuhës së urrejtjes, dezinformimit, ndërhyrjes së jashtme dhe manipulimit në platformat digjitale” . Në momentin që një fushatë manipulimi zgjedhore është në mundësitë e më të pasurve dhe që një treg i zi specialistësh ad hoc shesin klikime, “like” dhe komente të bëra me porosi, mbetet realitet mundësia që kandidatët të përfundojnë në mashtrimin masiv elektoral të një lloji të ri.