HISTORI
Marketingu gjinor për Gerda Taro

« Çfarë do të bëje ti Gerda? », pyet një personazh i romanit të Helena Janeczek-ut «Vajza me Leica ».[1] Pyetje me vend. Metamorfoza e botuar pas vdekjes e fotoreporteres Gerda Taro (1910-1937) po shndërrohet në një rast shkolle. E emigruar nga Gjermania në Paris në vitin 1933, Gerda Pohorylle takon Endre Friedman-in. Pas kësaj u formua një çift si dhe pseudonime, falë kësaj gruaje të re. Lindën kështu Gerda Taro (Gerda Taro) dhe Robert Kapa (Robert Capa). Në gusht të vitit 1936 ata shkuan në Spanjën që ishte përfshirë nga lufta. Fotografitë e tyre kishin nënshkrimin « Capa », më pas, të dy emrat bashkë, por, sipas biografes së saj, Irme Schaber, më vonë Taro-ja «do të konsideronte si shumë të rëndësishme që t’i shënonte më emrin e saj, fotografitë që ajo kishte realizuar ». [2]

284

Megjithatë, meqë ata i shkëmbenin shpesh aparatet e tyre (Rolleifleix dhe Leica) krediti i këtyre klisheve ngeli enigmë për një kohë të gjatë. Më 25 korrik 1937, (bjondja e vogël ) gjeti vdekjen, viktimë e një sulmi republikan të pakontrolluar. Kolegu i saj Paul Nizan e shpuri trupin e saj në Port-Bou në Paris.  Partia komuniste i bëri një funeral madhështor në varrezat e Pere-Lachaise. Në vitin 2001 shumë fotografi të Tarosë u shfaqën në hotel Sully. Në vitin 2006, Fransua Maspero i kushtoi asaj një libër[3] ndërsa biografia e Schaberit u përkthye në frëngjisht; në vitin 2007 u mundësua ekspozita e parë në Nju Jork. Zbulimi i « valixhes meksikane » bëri të mundur identifikimin e klisheve të saj. Legjenda e saj po bëhej gjithmonë e më madhëshore. Ajo u shndërrua në një personazh romanesk.

« Vajza me aparat Leica » përshkruan portretin e saj falë tregimeve të tre miqve të saj.

Më poshtë autori saktëson: « Falenderoj të gjithë ata që u munduan të qetësonin furinë time për të dokumentuar sa më shumë, duke më kujtuar se po shkruaja një roman. Është e vërtetë : edhe pse kam marrë informacione nga burime të shumta, shpirti i librit, për forcë të zakonit është frut i imagjinatës sime. »  Me sa duket, kjo i ka bërë të heshtin të gjitha kritikat.

Libri «Regarder »[4] (Shiko) i Serxh Mestrë (Serxh Mestre) trajton punën fotografike të Tarosë dhe angazhimin e saj majtas tek Partia komuniste. Mestrë mbështetet tek Schaberi dhe Maspero, por nuk i shmang klishetë: « Të dy fotografët kanë qenë gjithmonë përkrah njëri-tjetrit. Të kapur për krahu, ata arrijnë të ndiejnë aromën e barutit, të gurit që thyhet, dhe të pluhurit që ngrihet lart. Me sytë e njomur nga djersa, lotët dhe hiri, ata përqafohen siç nuk e kishin bërë kurrë më parë. »

Pas librit « Pas Gerdës », Pierre-Francois Moreau[5], gjithmonë sipas botuesit të tij, ka shkruar një « roman ku shkrihen historia dhe shkenca ». Historitë për Capa-n në Nju Jork, ku do të botojë në vitin 1938 Death in the Making, epigrafi i të cilit është i tillë: « Dedikuar Gerda Tarosë, që jetoi një vit në frontin e luftës në Spanjë, ku humbi dhe jetën ». Ai ka sjellë një Gerda së cilës i ka veshur shumë fjalime.

Sapo fillon të lexosh rrembehesh nga faqet, sepse elementët autentikë kanë një forcë të madhe që del mbi fantazinë. Gjithë këto përkujdesje për të zgjedhur fjalët, të shkruara me të vogla, por që nuk ta zvogëlojnë një si  lloj pështjellimi. Vërtet Capa i ka pasur këto mendime? Po Taroja a e ka përjetuar vërtet këtë skenë?…

Një pyetje i fshin të tjerat: përse këto romane ? Në vitin 1994, Schaberi do të shfaqte një lloj vullneti feminist: « Cilido që interesohet për femrat dhe për historinë e tyre duhet në mënyrë të pashmangshme të lexojë me vëmendje shënimet dytësore të historisë. Gerda Taro qe një nga këto shënime(…) » Kjo optikë – e lëvdueshme – sot është shndërruar në një tendencë ikonike.  Në kapakun e poshtëm të librit « Shikoj », shkruhet: « personaliteti i fotoreporteres së ardhshme është e gjitha në këtë skenë, që i jep tonin portretit të ndjeshëm dhe tejet feminist që ka sjellë me detaje Serxh Mestre. »

Dhe për të kompletuar ikonën artificiale, duhet punuar për pastrimin e saj. Në romanin «  Vajza me aparat Leica » Capa është gjithashtu « njeriu më i zoti për të ngatërruar realitetin me gënjeshtrën ». Të jetë shndërruar Taroja në një instrument të marketingut unik në llojin e saj pa pasur një tjetër model? Edhe Google u pushtua nga fotot e saj në gusht të 2018-s, duke përkujtuar ditën e saj të lindjes.

Puna e mrekullueshme e Tarosë, vendi i saj prej pioniereje në fotoreportazhin e luftës, vlejnë më shumë se fantazmat biopike letrare. Paksa e turbullt: kështu titullohej autobiografia e Capa-s (1947). Me gjithë dritën që është hedhur mbi të në ditët tona, Gerda Taro shfaqet edhe ajo, paksa e turbullt. 


[1] Helena Janczek, La fille au Leica, Act Sud, Arles, 2018, 380 pages, 22.80 euros.

[2] Irme Schaber, Gerda Taro, Une photographe révolutionnaire dans la guerre d’Espagne, Anatolia-Editions du Rocher, Paris, 2006.

[3] François Maspero, L’Ombre d’une photographe, Gerda Taro, Seuil, coll. « Fiction et Cie », Paris 2006. Cf. également le roman de Susan Fortes, En attendant Robert Capa, Edition Héloïse d’Ormesson, Paris, 2011.

[4] Serge Mestre, Regarder, Sabrine Wispieser, Paris, 2019, 232 pages, 19 euros.

[5] Pierre-François Moreau, Après Gerda, Edition du Sonneur, Paris, 2018, 160 pages, 16 euros.