PROTESTAT NË SERBI
Midis zhgënjimit shoqëror dhe manipulimit të pushtetit

Protestat që tronditën Serbinë rrëshqiten shpejt në përballje të dhunshme midis policisë dhe "huliganëve". Regjimi i Vuçiqit jo vetëm që ka arritur ta shkatërrojë opozitën qytetare, por edhe tejshquan ekstremistët e djathtë për t’u dukur si « e keqja më e vogël ». Këndvështrimi i pesë intelektualëve serbë.

1019

Para pak kohësh, mijëra protestues dolën në rrugët e Beogradit dhe në qytetet e tjera të Serbisë për ta shprehur zemërimin e tyre kundër regjimit autoritar të Aleksandër Vuçiqit. Sado që u shfaqen frustrimet e shoqërisë serbe, ato nuk e tronditën pushtetin, i cili doli edhe më i fuqishëm nga zgjedhjet e fundit parlamentare të 21 qershorit, të cilat i bojkotoi opozita. Së bashku me Bjellorusinë, Serbia është tanimë vendi i vetëm në Evropë që nuk ka as opozitë “dekorative” në parlament.

Megjithatë ishte e vështirë të kuptohen profilet shumë të larmishme të protestuesve, si dhe të dallohen kërkesat e tyre. Në Beograd, protestuesit paqësorë fërkuan shpatullat me të tjerë, më agresivë, të cilët ngritnin simbole çetnike dhe ikona të Shën-Savës, apo edhe me ata që bartnin simbolet e Çe Gevarës. Në mesin e protestuesve gjindeshin studentë, aktivistë të majtë, kundërshtarë të 5G, apo edhe konspiracionistë që nuk besojnë në koronavirusin.

Si të kuptohet kjo lëvizje protestuese heterogjene. E përditshmja kroate ‘Jutarnji List’ ka bashkëbiseduar për këtë temë me pesë intelektualë të Serbisë.    

TEOFIL PANÇIQ : « NJË GJENDJE E TILLË I PËRSHTATET VUÇIQIT I CILI PO DUKET SI ‘E KEQJA MË E VOGËL’ »

Teofil Pançiq është gazetar dhe shkrimtar.

Në vjeshtën e vitit 1996, kur Millosheviqi vodhi zgjedhjet lokale, shpërthyen protesta të mëdha. Policia në mënyrë sporadike rrahu protestuesit , të cilët disa prej tyre ju përgjigjeshin me : « Shkoni në Kosovë ». Një çerek shekulli më vonë, policia serbe nuk mund të shkojë në Kosovë, përveç nëse ftohen nga vetë Presidenti dhe Kryeministri (skenar që nuk do të ndodhte as me Monty Python) … Vuçiqi ka zënë vendin e Millosheviqit dhe fëmijët që as nuk ishin të lindur më 1996 ju thonë sërish policëve :  “Shkoni në Kosovë”. Policë të cilët shpeshherë janë të lindur pas vitit 1996.

Teofil Pançiq

Pra, vallë, asgjë nuk paska ndryshuar nën qiellin e Beogradit? Përkundrazi, shumë gjëra janë të ndryshme, zakonisht për të keq. Serbia sot është një vend që kontrollohet nga një njeri i vetëm, pushteti i të cilit nuk e ka pamjen më të vogël të besueshmërisë, racionalitetit ose kompetencës. Nuk ka më opozitë parlamentare, as ndonjë autoritet publik me kredi të mjaftueshme, për t’i qetësuar pasionet. Shikuar nga jashtë, nuk është pra ndonjë çudi që po imponohet më shumë imazhi i banditëve dhe huliganëve të cilët po duken se duan ta gjykojnë Vuçiqin për “tradhti ndaj Kosovës”, sesa për qeverisjen e tij autokratike, nacionaliste dhe kleptokratike.

Dhe një imazh i tillë i demonstratave dhe protestuesve i përshtatet përsosmërisht Vuçiqit, meqë e bëjnë atë të duket si “e keqja më e vogël” dhe Serbinë si një vend të pa alternativë. Shikuar nga terreni, nga vetë kortezhet, gjërat janë krejtësisht ndryshe. Protestat janë spontane. Ato nuk u organizuan nga askush dhe për këtë arsye edhe paraqesin një diversitet shumë të rëndësishëm. Protestuesit me një moshë të caktuar burojnë si gjithnjë nga ajo « Serbi qytetare » e cila diti në kohën e saj ta rrëzoi Millosheviqin, përderisa më të rinjtë të cilët janë rritur në këtë “shtet jonormal” të shoqërisë – shumica prej tyre vështirë e mbajnë mend edhe periudhën “para-Vuçiq”  dëshirojnë të jetojnë në një vend “normal”, në rastin më të mirë pa pasur nevojë të ekzilohen.

Nga ana tjetër duket se askush nuk është në gjendje t’i përfaqësojë dhe aq më pak t’i udhëheq këta qytetarë të revoltuar. I gjithë spektri politik është bluajtur nga “makineria Vuçiq”, nga e majta liberale deri tek forcat konservatore. Prandaj rrymat që do të ishin “edhe më keq se ai” mbeten të dukshme. Një situatë kjo nga e cila përfiton i gjithëpushtetshmi në Beograd.

ZHELJKO BODROZHIQ : « MADJE EDHE NË KOHËN E MILLOSHEVIQIT KISHTE MË SHUMË OPOZITË QYTETARE DHE DEMOKRATIKE  »

Zheljko Bodrozhiq është kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë.

Marrëdhënia midis Serbisë qytetare dhe protestave është e padiskutueshme, por pamjaftueshëm e artikuluar. Palët që e pretendojnë këtë opsion u asgjësuan nga regjimi i Vuçiqit. Pra ekziston një Serbi qytetare, por që mbetet në margjina dhe e fragmentuar. Protestat u kapën nga grupet e ndryshme të së djathtës radikale, të cilët tani duan ta theksojnë zërin e tyre. E gjithë pyetja është nëse këto grupe janë “autonome”, apo dorë e zgjatura e regjimit.

Nëse mobilizimi vazhdon, shpresoj që këto grupe do të zhvendosen në rend të dytë dhe që do të demaskohet roli i tyre i vërtetë. Ne kemi nevojë për një lëvizje të organizuar që shmangë provokimet, por edhe për të definuar dhe formuluar kërkesa. Problemi i Serbisë është fuqia e madhe e “shtetit të thellë”, i cili nuk është vënë kurrë në dyshim që nga koha e Millosheviqit. Natyrisht se ka të infiltruarë dhe provokues që punojnë në bashkëpunim me policinë.

Zheljko Bodrozhiq

Ky heterogjenitet i protestuesve dhe mungesa e dukshme e një plani është rezultat i viteve në pushtet të Aleksandër Vuçiqit dhe të partisë së tij, të cilat veprojnë si një grupim interesash politiko-ekonomike. Vuçiqi shpartalloi institucionet, shoqërinë, sistemin parlamentar dhe kjo është arsyeja pse protestuesit dolën në rrugë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për qytetarët që të shprehin mendimet dhe pakënaqësitë e tyre. Pushteti kontrollon mediat, radio-televizionin publik (RTS) dhe kanalet e tjera me frekuenca kombëtare, si dhe një numër të madh të gazetave, përfshirë tabloidet që përdhosin, sulmojnë dhe fyejnë çdo ditë udhëheqësit e opozitës dhe intelektualët e pavarur. Opozita qytetare dhe demokratike ishte në këmbë edhe gjatë kohës së Sllobodan Millosheviqit, por Aleksandër Vuçiqi e asgjësoi.

Nacionalizmi i përcaktuar nga Millosheviqi është ende në veprim në Serbi, veçanërisht në lidhje me Kosovën, por ai përparon i maskuar nga retorika për perspektivën evropiane të Serbisë dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh pandeminë dhe intensifikimin e problemeve sociale dhe të tjera, besoj se Kosova mbetet në prapavijë në mendjet e njerëzve. Edhe pse disa protestues brohorasin parulla për Kosovën, unë dyshoj se janë në shumicë. Shumica e protestuesve shprehin kundërshtimin e tyre për kushtet e jetesës çdo herë e më të vështira dhe kritikojnë mosrespektimin e lirive qytetare, liritë e minoriteteve dhe kontrollin e mediave.

Suksesi i madh i Aleksandër Vuçiqit është se ia ka dalur ta bindë  Bashkimin Evropian se ai është negociatori i vetëm i përshtatshëm në Serbi. Ajo e paraqet anëtarësimin në BE dhe stabilitetin rajonal si qëllime të tij, përmbush kushtet themelore të BE-së për Kosovën dhe tregohet zyrtarisht gjithnjë i dëgjueshëm.

FILIP DAVID, SHKRIMTAR: « NJË TEATËR I ABSURDIT »

Kaluam shpejt nga masat e ashpra të izolimit në mbajtjen e zgjedhjeve…Lejuam tubime të mëdha, ndeshje futbolli dhe tenisi me prani të publikut, duke ia hapur kështu dyert e mëdha rikthimit të pandemisës.  Në të njëjtën kohë, bojkoti opozitar i zgjedhjeve nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe vetëm rriti pakënaqësitë.

Filip David

Protestat qenë kaotike dhe pasqyruan të gjitha frustrimet. Nuk i njohim as organizatorët dhe as kërkesat. Pati shumë dhunë dhe brutalitet nga ana e protestuesve dhe policisë. Huliganët e shohin luftën me forcat e rendit si një mundësi, por ata janë në të vërtetë të kontrolluar nga partitë në pushtet, duke i shtuar kësisoj një tjetër shënim të absurditetit këtij kaosi. Dhe Serbia e famshme qytetare mbetet për momentin në margjina.

Përderisa protestuesit mallkojnë Presidentin Vuçiq, liderët e opozitës janë ata që po rrihen, si ata që i bojkotuan zgjedhjet, ashtu edhe ata që garuan. Autoritetet flasin për “ndërhyrje të huaj”, por neve na mbetet të hamendësojmë nëse ajo qenka ruse ose perëndimore. Konfuzioni është total dhe si provë e këtij teatri të absurdit edhe u arrestuan dy izraelitë!

Asnjë nga liderët politikë të opozitës nuk po ka qëndrim të qartë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për negociatat me Kosovën. Opozita është shndërruar në një tërësi grindavecësh që nuk po mund të pajtohen midis tyre për disa qëllime strategjike.

MILIVOJ BESHLIN: « NJË SHOQËRI MË ANTI-EVROPIANE SE PARA DHJETË VITESH »

Milivoj Beshlin ligjëron në Institutin e filozofisë dhe të teorisë sociale në Beograd.

Nëse do ta kërkonim katalizatorin për shpërthimin e fundit të pakënaqësisë dhe dhunës në Serbi, atëherë padyshim se ai do të ishte vetë Presidenti Vuçiq. Vendimet, metodat dhe qëndrimet e tij publike provokuan drejtpërdrejtë këto protesta. Kjo edhe është arsyeja se pse debatet ideologjike midis protestuesve mbeten në plan të dytë : është refuzimi i figurës së Vuçiqit që po i bashkon gjithë këta njerëz. Fakti është se Vuçiqi, nga vetë personaliteti i tij, polarizoi ekstremet e shoqërisë serbe : je për ose kundër tij, pa masa gjysmake.

Milivoj Beshlin

Serbia qytetare është në pakicë, siç ka qenë gjithmonë, por ajo ekziston ende. Ajo është e përqendruar në zonat urbane, në një pjesë të elitës intelektuale, në media të caktuara dhe në një pjesë të shoqërisë civile, por nuk ka më përfaqësues të fuqishëm ose të njohur. Madje kemi përshtypjen, e cila mund të jetë mashtruese, se rryma nacionaliste është në shumicë. Ajo po imponohet sidomos vitet e fundit. Shoqëria serbe është më e djathtë, më anti-evropiane dhe më rusofile se dhjetë vjet më parë. Këtë e tregojnë të gjitha studimet. Ky është efekti i dekadave të “vuçiqizmit” në Serbi.

Bashkimi Evropian i cili po e mbështet regjimin aktual do ta shoqërojë demokratizimin e shoqërisë, por dinamika duhet të vijë nga vetë shoqëria serbe. Është idioteske dhe kundërproduktive që një pjesë e konsiderueshme e opozitës në Serbi beson në mundësinë e largimit të Vuçiqit nga pushteti me ndihmën e diktaturës së Putinit, edhe që disa liderë të opozitës serbe i premtojnë Kremlinit dhe përsërisin për mediat ruse, se ata do ta zbatojnë kursin nacionalist të Serbisë dhe orientimin rusofil të Serbisë, në një mënyrë shumë më koherente sesa Vuçiqi.

MILLAN ÇULLIBËRK: « BASHKIMI EVROPIAN PO TOLERON GJITHÇKA »

Millan Çullibërk është kryeredaktor i javores NIN.

Dhuna në protesta po i shërben vetëm autoriteteve. Është e tmerrshme që nuk ka asnjë përfaqësues të vetëm të opozitës qytetare në mesin e 250 deputetëve. Nëse kjo pjesë e shoqërisë gërryhej ngadalë nga ardhja në pushtet të Aleksandër Vuçiqit, ajo tanimë është plotësisht në margjina. Jo vetëm që Vuçiqi ka arritur të mbjellë përçarje në mesin e liderëve të opozitës, por ata po sulmohen kaq shumë nga mediat e regjimit, saqë po e kalojnë kohën e tyre duke u mbrojtur.

Millan Çullibërk

Problemi është që Vuçiqi ua vodhi fushën e tyre të veprimit politik, duke hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe duke pretenduar se anëtarësimi i Serbisë në BE ishte projekti i tij strategjik. Në këtë pikë, sjellja e BE-së është e pajustifikueshme. Le të kujtojmë se Boris Tadiqi pati refuzuar disa kushte të BE-së në lidhje me Kosovën; gjë që i pati kushtuar me humbje në zgjedhje, përderisa Brukseli besonte se gjeti në Vuçiqin një partner i cili do t’i realizojë pritjet në lidhje me Kosovën dhe rajonin. Në njërën anë, Evropa toleron gjithçka që ndodh këtu, e në anën tjetër Serbia nuk e ka hapur asnjë kapitull të ri negociues për gjashtë muaj.

Aleksandër Vuçiqi është pragmatik. Ai e mbron BE-në për sa kohë i shërben të qëndrojë në pushtet. Ai do ta bënte të njëjtën gjë me Rusinë dhe Kinën nëse do të ishte e nevojshme. Sot gjendemi në një situatë skizofrenike, ku Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit mbledh rreth vetes të gjitha opsionet, nga e majta ekstreme e përfaqësuar teorikisht nga Aleksandër Vulini, e deri te Nenad Popoviqi që është haptazi anti-evropian dhe pro-rus. Kemi të bëjmë me një ‘gloubi-boulga’ politik që i mundëson Vuçiqit ta mbulojë një hapësirë ​​të gjerë, të prishë planet e kundërshtarëve të tij, me përjashtim të së djathtës ekstreme e cila po i shërben për t’i trembur qytetarët serbë dhe veçanërisht komunitetin ndërkombëtar, me mesazhin e mirënjohur: “Shikoni çfarë ju pret në vend timin…”

(Jutarnji List)