BALLKANI PERËNDIMOR NË DRITËN E TRIDHJETËVJETORIT TË RËNIES SË MURIT TË BERLINIT
Muret e padukshme

Rënia e Murit të Berlinit simbolizonte për rajonin e Balkanit Perëndimor shpresën për më shumë liri, barazi, demokraci dhe zhvillim; për hapjen ndaj botës dhe për rrëzimin përfundimtar të mureve që ndanin popujt. Po sot, tridhjetë vjet më vonë, ku gjendet rajoni nga kjo perspektivë?

390

Mungesa e perspektivës evropiane për Ballkanin Perëndimor, të rivëne në pikëpyetje së fundi me « Jo »-në e Bashkimit Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, opsionet mbi baza etnike për një marrëveshje të mundshme përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, sfidat gjeopolitike dhe gjeostrategjike rajonale, “minishengeni” ballkanik, krimet e padënuara të luftës në ish-Jugosllavi, regjimet autoritare, migrimi masiv, pazhvillueshmëria socio-ekonomike dhe mungesa e shtetit të së drejtës, mbeten tema dhe probleme të aktualitetit lokal, në këtë tridhjetëvjetorin e rënies së Murit të Berlinit, që u pasua me shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë dhe me ndryshimin e sistemeve moniste rajonale. Po sot, nga kjo distancë kohore, si janë marrëdhëniet ndëretnike shqiptaro-serbe? A mundet dhe si mundet të projektohet e ardhmja pa ballafaqimin me të kaluarën? A ka sot më shumë shpresë për demokraci, zhvillim dhe liri, si dhe cila do të ishte paradigma që do të mund ta transformonte radikalisht gjendjen aktuale?

Për këto tema bashkëbiseduam me dy gazetarë të njohur, fitues të çmimeve të shumta për guxim qytetar dhe për punë profesionale: Adriatik Kelmendi nga Prishtina, gazetar, moderator, pedagog universitar dhe aktivist i shoqërisë civile; si dhe Vukashin Obradoviq nga Beogradi, gazetar i njohur për angazhimin e tij kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ish-botues i javores “Vranjske”, që është detyruar ta mbyllë së fundi, për shkak të presioneve të njeriut më të pushtetshëm në Serbi, Presidentit Aleksandër Vuçiq.

– Rënia e murit të Berlinit dhe shpërbërja e Jugosllavisë rezultoi jo vetëm me formimin e shteteve të reja në hapësirën e këtij rajoni, por edhe me shpresën për më shumë demokraci, zhvillim dhe liri. Si do t’i pasqyronit këto tridhjetë vite nga kjo perspektivë?

Adriatik Kelmendi : Është ironike të flasim në kontekstin e Ballkanit Perëndimor pikërisht në vigjilie të 30-vjetorit të rënies së murit të Berlinit – i konsideruar si bashkim përfundimtar i popujve dhe i potencialit të rritjes ekonomike në Evropë – kur porositë që vijnë nga BE-ja janë kundër bashkimit, rrjedhimisht lënies jashtë “Evropës” të shteteve të këtij rajoni. Kjo vetëvetiu flet se sa shpejt po harrohen idealet dhe përpjekjet që kanë çuar në shembjen e Murit të Berlinit dhe po këmbëngulet të krijohen ndarje të atilla të shteteve brenda Evropës, të cilat mund të jenë në klubin 1 dhe në klubin 2 të shteteve. Mungesa e perspektivës evropiane, veçanërisht në mesin e 6 shteteve të rajonit, do të mund të çojë edhe në përkeqësim të situatës së sigurisë dhe hapje e derës për ndikime të agjendave jashtë evropiane në shtete të veçanta.

–  Në ç’drejtim po ecim ?

Vukashin Obradoviq : Në nivel global, më duket se proceset demokratike pas një hovi nga rënia e Murit të Berlinit, ranë në një krizë serioze. Sot i kemi në pushtet Trumpin dhe Johnsonin, Orbanin dhe Erdoganin, rritjen e të djathtës, miliona refugjatë në kufijtë e BE-së e cila nuk ka përgjigje ndaj kësaj sfide…. Kam përshtypjen se demokracia si një model shoqëror është para një sprove serioze. Nuk do ta merrja guximin për të gjykuar se çfarë do të ndodhë në një të ardhme të afërt, por, megjithatë, nuk jam optimist i madh kur është fjala për drejtimin që do të marrë bashkësia botërore.

(Mos)njohja

–  Po marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, nuk duket se janë përmirësuar ?

Adriatik Kelmendi : Ndonëse ka pak përparim, marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë,  shqiptarëve dhe serbëve, janë larg nga gjendja në të cilën do të duhej të ishin. Të mos harrojmë, 20 vjet pas luftës, nënkupton edhe se sot kemi breza votuesish të cilët kanë lindur pas luftës së vitit 1999 dhe sot vendosin edhe për elitat në pushtet. Pra, brez që s’ka përjetuar tmerret e luftës drejtpërdrejt, por nuk dallojnë shumë në qasje ndaj njëri-tjetrit, me qasjen që e kanë brezat e luftës. Kjo do të duhej të tingëllonte e çuditshme, mirëpo nuk është. Besoj se kryefjala këtu është – njohja.  Ne nuk njihemi mirë mes vete, si shqiptarë dhe serbë, për shkak se shtetet tona Kosova dhe Serbia kanë probleme ta njohin njëra-tjetrën. Ka një shembull konkret bukur ilustrues që e mbështet këtë tezë: Serbia ka luftuar edhe me Kroacinë, por ato e kanë njohur njëra-tjetrën dhe sot marrëdhëniet mes kroatëve dhe serbëve, edhe pse nuk janë më të mirat, janë larg më të avancuara se marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Njësoj, siç shumë policë dhe oficerë malazezë që kanë shërbyer në Kosovë gjatë viteve ’90, të cilët kanë marrë pjesë në diskriminimin dhe keqtrajtimin e popullatës shqiptare, por Mali e Zi e ka njohur Kosovën dhe sot marrëdhëniet e Prishtinës dhe Podgoricës, si dhe të shqiptarëve dhe malazesve, janë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok.

“Serbët dhe shqiptarët janë ende robër të miteve, të megalomanisë kombëtare dhe të sindromit të pasluftës. Përderisa këto ide shoqërore mbeten dominuese, Serbia dhe Kosova do të mbeten në këtë vorbull të errët ballkanik, duke pritur që dikush t’i fikë dritat dhe të vritemi përsëri si njerëz” – Vukashin Obradoviq

Vukashin Obradoviq : Marrëdhëniet nuk janë përmirësuar, ose së paku jo në masën të cilën e kemi pritur dhe besuar, se dy popujt do të nxjerrin mësime nga lufta, pësimet, viktimat civile, krimet dhe se do t’i kthehen të ardhmes së përbashkët. Në anën tjetër, shtrohet pyetja, mos vallë, nëse shpresat tona për vendosjen e urave të bashkëpunimit mes dy popujve ishin reale, përkatësisht pse ende pas dy dekadash, përpëlitemi në rërën e gjallë të nacionalizmit, urrejtjes dhe ksenofobisë? Nuk u takoj atyre që besojnë në analogji artificiale dhe në paralelizma të imponuara, andaj edhe është e vështirë të jepet përgjigje e thjeshtë në këtë pyetje. Si shoqëria serbe, po ashtu edhe ajo shqiptare e kanë për obligim një skanim të thellë të vetvetes dhe t’i kërkojnë diagnozat dhe terapitë individuale, për gjendjen në të cilën ndodhen. Megjithatë, nëse do të isha i detyruar të gjeja mostrat e përbashkëta për këtë gjendje, më duket se Kosova dhe Serbia nuk kanë pasur elita politike të gatshme për ta bërë një hap të daljes nga stereotipi ballkanik i kombit si themel i shoqërisë, përkatësisht i botëkuptimit se paqja është vetëm vazhdim i luftës, por tani me mjete të tjera. Me një fjalë, shoqëria serbe dhe ajo kosovare nuk ia dolën që për këto dy dekada, të gjenerojnë elita politike, të cilat do të na shpëtonin nga ky rreth i mbyllur.

–  Si është fryma e sotme dominuese në Kosovë për serbët ?

Adriatik Kelmendi : Dëmi më i madh i shkaktuar deri më tash ndaj çfarëdo raporti shqiptaro-serb është mungesa e vullnetit nga Beogradi që ta njohë Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur, siç kanë bërë numri më i madh i demokracive botërore. Kjo mosnjohje e shtetit nuk është vetëm abstraksion politik, meqë dikush do të mund të thoshte se Kosova funksionon si shtet i pavarur, pavarësisht mosnjohjes politike nga Serbia. Jo, kjo nuk qëndron, për shkak se shoqërohet edhe me veprime konkrete bllokuese të Beogradit, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të Kosovës. Për shembull, deri vonë Serbia ka bërë fushatë kundër pranimit të Kosovës në federatat sportive evropiane dhe botërore. Ky insistim ka lënë shumë të rinj kosovarë, jashtëzakonisht të talentuar në lëmitë e tyre sportive, që ndonëse superiorë, të mos kenë asnjë mundësi që talentin e tyre ta dëshmojnë edhe në gara ndërkombëtare. Ka shumë sportistë të cilët, për 20 vjet, kanë nisur dhe kanë përfunduar karrierën e tyre sportive, duke mos e pasur asnjë mundësi që të performojnë më larg se kufijtë e Kosovës. Çfarë porosie është kjo për fëmijët e Kosovës? Për shkak se je i një etnie të caktuar, për shkak se ka një etni tjetër e cila nuk të duron, ti je i detyruar të jesh i përjashtuar nga ëndrrat dhe ambiciet e të gjithë bashkëmoshatarve në botë, të jesh krejtësisht i pabarabartë me të gjithë të tjerët. Ka edhe shumë shembuj të këtillë si pasojë e bllokadave që i bën Serbia pavarësisë së Kosovës, që në fund i bie bllokadë jetës normale të qytetarëve që jetojnë në Kosovë. Kjo, gjithsesi, se nuk ndikon në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike. Përkundrazi. Në këso situata, qytetarët kanë predispozita që shpesh, pavetëdijshëm, të barrikadohen në qëndrimet e elitave të tyre politike dhe ato të përcillen edhe në veprime që, fatkeqësisht, nuk çojnë në perceptime pozitive dhe përmirësim marrëdhëniesh shoqërore ndëretnike.

– Po në Serbi për shqiptarët ?

Vukashin Obradoviq : Shoqëria serbe që moti është peng i “betimit kosovar” dhe i arketipit për shqiptarët si armiq shekullorë të Serbisë dhe të serbizmit. Aktualisht ne kemi një rritje të valës së disponimit antishqiptar, meqë pushteti i Aleksandër Vuçiqit bazohet në larjen e përditshme të llogarive me armiq të vërtetë dhe të sajuar. Shqiptarët, përkatësisht “šiptari” (term pezhorativ për shqiptarët – v.j) janë në kreun e kësaj liste, kryesisht falë tabloidëve dhe të mediave nën kontrollin e pushtetit. Në të njëjtën kohë, liderët e Listës Srpska shoqërohen në jahtë dhe pijnë shampanjë me Behgjet Pacollin, ndërkohë që Vuçiqi dialogon me Thaçin. Kjo situatë skizofrene ka, para së gjithash, për qëllim përdorimin e Kosovës për motive të brendshme politike. Dua të jam ilustrativ deri në fund : nëse në Beograd thoni se “ka autokraci në Serbi”, pushteti ju shpall “serb i Haradinajt”, nëse kërkoni zgjedhje demokratike – etiketoheni se doni ta shitni Kosovën,  nëse kundërshtoni korrigjimin e kufirit, të nesërmen do të jeni në të gjithë kryetitujt mediatikë si tradhtari më i madh i serbëve të veriut të Kosovës. Dhe kështu pambarim. Pra, këtij pushteti i duhen shqiptarët si “djem të këqinj”. Ky është stereotipi nga i cili Serbia jo vetëm se nuk po arrin të dalë, por edhe ku po fundoset gjithnjë e më shumë.

Evropa sot, 30 vjet pas ngjarjeve në Berlin, po shkon në drejtimin e kundërt, po bëhet më ksenofobe, më e mbyllur dhe më pak e lirë” – Adriatik Kelmendi

E sotmja si e kaluara

– Në ç’masë shoqëria kosovare dhe ajo serbe, po edhe shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi, janë duke u ballafaquar me të kaluarën ?

Adriatik Kelmendi : Duke qenë dëshmitar për iniciativën e shkëlqyeshme rajonale për ballafaqimin me të kaluarën – REKOM, të inicuar nga aktivistja Natasha Kandiq,  e cila edhe pas shumë vjetësh nuk po ia del të konkretizohet nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, atëherë i bie se nuk ka vullnet të mjaftueshëm. Ta kujtojmë që në thelb të kësaj iniciative qëndron ideja që të gjitha shtetet së paku të pajtohen për humbjet e jetërave njerëzore gjatë luftërave të fundit, për numrin dhe emrat e viktimave etj. Deri tash, pavarësisht disa përparimeve, kjo iniciativë nuk ia ka dalë të miratohet. Në anën tjetër, edhe në Serbi edhe në Kosovë flitet për vuajtjet e palës tjetër, vetëm kur nga kjo pëfitojnë partitë që janë në pushtet ose ato që duan të vijnë në pushtet. Për shembull, për varrezat masive me trupa të shqiptarëve në territorin e Serbisë në Beograd kanë filluar të flasin në Serbi vetëm kur dëshirohej të arrihej përkrahja popullore për “forcat demokratike” pas rënies së Milosheviqit nga pushteti dhe pastaj menjëherë u harrua si temë. Ose, në Kosovë, për herë të parë në Kuvendin e Kosovës është përmendur se në mesin e rreth 1700 të zhdukurve të luftës janë edhe rreth 400 serbë dhe joshqiptarë të tjerë, në kohën kur diskutohej për themelimin e Gjykatës Speciale. Pra, vazhdojmë të jemi në atë stad të ballafaqimit më te kaluarën, aq sa i nevojitet elitave në pushtet në situata të caktuara. Ballafaqimi me të kaluarën përdoret si një krua i cili lëshohet kur të duhet për t’i njomur buzët dhe ndalet kur nuk duhet.

Vukashin Obradoviq : Ne, fillimisht, duhet të ballafaqohemi me të sotmen, me kohën në të cilën po jetojmë. Më duket se kjo është ajo që më së shumti na mungon. Nëse ndeshemi me realitetin, shpejt shohim se nuk ka të ardhme pa u ballafaquar me të kaluarën. Mirëpo jemi kapur me të kaluarën, jo për ta ndërtuar të ardhmen e përbashkët, por për të gjetur arsyetime për të sotmen,  për urrejtje të ndërsjelltë. Dhe këtu po gjindemi si mos më mirë. “Jo ne, por ata” – ky është sllogani, lajtmotivi i shumicës, nëse jo i të gjithë pushtetarëve në Ballkanin Perëndimor. Krahas kësaj përpiqemi ta gjuajmë sa më larg gurin e të këqijave dhe të krimeve në oborrin e fqinjit, ngase ne jemi të drejtët, ndërsa kriminelët dhe krimet e tjetrit janë më të këqija, më të shumta dhe më morbide. Ata, të cilët nuk duan të merren me këtë disiplinë dhe që nuk kërkojnë arsyetime për të gjitha të këqijat që janë bërë në të kaluarën e afërt dhe të largët mbeten përjashtime sipas rregullit, të cilët linçohen brenda bashkëkombësve të tyre. Në rrethana të tilla, e sotmja jonë është e kaluara jonë. Serbia nuk është përjashtim, meqë një gjendje e tillë po mbretëron në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Megjithëse jetojnë në kohën e globalizmit dhe të teknologjive të zhvilluara të komunikimit, duket sikur qytetarët e rajonit kanë më shumë kurreshtje dhe njohuri për jetën shoqërore në kryeqendrat botërore, sesa për ato në fqinjësi. Si shpjegohet kjo?

Vukashin Obradoviq : Nuk jam krejtësisht i sigurt se qytetarëve nuk ju intereson ajo që ndodh në rajon. Më parë do të thoja se ky model kulturor është i imponuar, meqë elitat tona politike janë të vetëdijshme se pushteti i tyre, që është i bazuar në përjashtueshmërinë kombëtare, do të mund të rrezikohej sidomos nga komunikimi, dialogu midis qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, shkëmbimi i ideve, vlerat kulturore, ripërtërirja e lidhjeve që ekzistonin në ish–RSFJ.  Në situatën e tillë, elitat nacionaliste duan ta mbajnë sa më larg njëri-tjetrin, meqë e kuptojnë se qytetarët do të kuptoheshin më lehtë për modalitetet e jetës së përbashkët, sesa që do ta bënin këtë përfaqësuesit politikë. Përndryshe,  ata do t’ia humbnin kuptimin punës së tyre, se vetëm ata mund të na “mbrojnë” nga njëri-tjetri, prandaj edhe reduktohen në minimum informacionet nga rajoni.

– Cilat do të ishin paradigmat që do ta mundësonin ndryshimin radikal të gjendjes aktuale?

Adriatik Kelmendi : Njohja e njëri-tjetrit, njohja e vuajtjeve të njëri-tjetrit, njohja politike e dy shteteve tona dhe zhvillimi ekonomik i rajonit. Si dhe, po, konfirmimi i perspektivës evropiane.