
Ka disa ngjarje që shkaktojnë ndarjen e kohës në para dhe pas, si për shembull Lufta e Dytë Botërore ose kriza e naftës e viteve 1970. Kjo pandemi përbën një pikë kritike në kohë dhe shënon ndarjen e epokave para saj dhe pas saj. E veçanta e saj është se i ka prekur gati të gjitha shtetet e botës, edhe pse vdekshmëia nga virusi Covid-19 nuk është aq e lartë. Kjo përhapje e gjërë ka bërë që ekonomia globale të ndikohet si nuk ishte ndikuar nga pandemi tjera. Në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit, shumica e qeverive kanë marrë masa të izolimit social që kërkon mosshkuarjen në punë në shumë sektorë ekonomikë, gjë që ka pasë efekt në jetën sociale, politike e ekonomike.
Ekonomikisht, ajo ka ndikuar në rënien e aktivitetit ekonomik dhe humbjen e vendeve të punës. Për shkak të ndikimit në ekonomi, pandemia ka detyruar qeveritë e ndryshme të intervenojnë për ta parandaluar kolapsin. Për t’u siguruar që këto dëme nuk janë permanente, shumë qeveri kanë marrë masa për ta mbajtur gjallë ekonominë. Disa nga masat janë ulja e ratave të interesit, ndihma për firma, por edhe pagesa të pagave për individë të punësuar në firma dhe të vetëpunësuar. Po ashtu masat tjera përfshijnë pezullimin e pagesave të kredive si dhe qirave e faturave të ujit e energjisë.
Këto politika qeveritare përbëjnë një thyerje me të kaluarën. E përbashkëta e tyre është se janë në kundërshtim me koncensusin neoliberal që kërkon tkurrje të shtetit. Në të njëjtën kohë pandemia ka theksuar rolin e madh që e kanë shërbimet publike në ekonomi dhe në funksionimin e shoqërisë, duke ofruar dëshmi kundër pikëpamjeve neoliberale që i japin rëndësi sektorit financiar dhe korporatave si akterë kyç në shoqëri.
Neoliberalizmi dhe pandemia: shkaqet dhe pasojat
Për më tepër, tashmë ka indikacione se neoliberalizmi ka ndihmuar në shkaktimin e pandemisë dhe në të njëjtën kohë ka vështirësuar ballafaqimin me të. Tashmë ka dëshmi se shpyllëzimi i shkaktuar nga globalizimi ka shkaktuar rritjen e numrit të pandemive, duke shkatërruar vatrat e viruseve nëpër zona pyjore të largëta. Në anën tjetër po vërehet se vatrat kryesore të neoliberalizmit, SHBA dhe Britania e Madhe, kanë pasë më së shumti vështirësi në luftimin e pandemisë në krahasim me shtetet tjera të zhvilluara. Kjo lidhet me disa faktorë, së pari me privatizimin e shëndetit public dhe së dyti me jostabilitetin politik të viteve të fundit. Vetë ky jostabilitet i “viteve të Brexitit e Trampit”, mund të thuhet se është shkaktuar nga politikat neoliberale që kanë dobësuar industrinë vendore në këto dy shtete, duke krijuar sektorë të popullsisë të përjashtuar nga përfitimet e globalizimit, të cilët u rebeluan politikisht.
Kjo krizë mund të jetë fundi i neoliberalizmit, sepse janë tri goditje kryesore që ka marrë neoliberalizmi. E para ndalimi i tregtisë globale, e dyta masat pro-shtetërore dhe e treta vënia në pah e rëndësisë së shërbimeve publike. Këto janë arsyet pse kjo pandemi do të duhej të përbëjë fundin e epokës së neoliberalizmit.
Por duhet të kemi kujdes në shpresën tone, sepse kjo gjë nuk është e garantuar se do të ndodhë. Shohim se vetë pandemia i ka përkeqësuar disa nga pasojat e neoliberalizmit si pabarazia, e cila veçsa rritet në kriza të tilla. Pandemia nuk i ka prekur të gjitha shtresat njëjtë dhe shtresat e mesme e të varfëra do të pësojnë më shumë. Prandaj, kjo pandemi ka rrezik që do të shfrytëzohet për të forcuar edhe mëtej neoliberalizmin përmes zbatimit të kapitalizmit të katastrofës, ashtu siç shfrytëzohet për ta forcuar autoritarizmin.
Në aspektin global, pandemia po e godit fortë qasjen neoliberale në ekonomi, edhe brenda vendit duhet të instalohet një qasje e re ku realizohet roli adekuat i shtetit në ekonomi. Pakot financiare për zbutjen e krizës janë historike. Ato mund ta kenë rëndësinë e New Deal dhe të jenë shans për instalimin e shtetit zhvillimor.
Një fenomen i shkaktuar nga pandemia është demaskimi i disa gjërave dhe përshpejtimi i proceseve historike, ndoshta poetikisht, ndërkohë që na detyron të mbajmë maska. Fola më lartë për demaskimin e ideve ekonomike që bëjnë thirrje për privatizimin e gjithçkaje. Në politikë, ka demaskuar tendencat autoritare. Ngjashëm me konceptin e kapitalizmit të katastrofës, ku katatrofat përdoren për të instaluar politika të cilat nuk do të kishin përkrahje ndryshe, si psh privatizimi i shërbimeve publike, tashmë po qartësohet koncepti i autoritarizmit të katastrofës. Pandemia po përdoret për të instaluar autoritarizëm dhe shtypur demokracinë, përmes mjeteve siç janë masat ndaluese e vëzhguese si dhe gjendja e jashtëzakonshme. Poashtu, ka demaskuar ngadalësinë e funksionimit të Bashkimit Evropian, i cili do të duhet të merr mësime serioze nga kjo krizë. Në të njejtën kohë, po përshpejtohen proceset e kalimit të shërbimeve në internet dhe kthimit të manufakturës në perëndim, sidomos me printimin 3D.
Bota e re
Pasojat ekonomike të pandemisë mund të jenë shumë të rënda. Rreziku është i madh që të thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve. Qeveritë duhet të ndërmarrin masa për të zbutur efektet e saj.
Pandemia i bën urgjente disa politika që do të duhej të ndërmirreshin për zhvillim. Ashtu siç në aspektin global pandemia po e godit fortë qasjen neoliberale në ekonomi, edhe brenda vendit duhet të instalohet një qasje e re ku realizohet roli adekuat i shtetit në ekonomi. Pakot financiare për zbutjen e krizës janë historike. Ato mund ta kenë rëndësinë e New Deal dhe të jenë shans për instalimin e shtetit zhvillimor. Do të duhej ndjekur parimet e përgjithshme në vijim për të pasë efekt më të madh.
Të krijohet një fond i veçantë që do të ishte si embrion i fondit zhvillimor/bankës zhvillimore. Të shfrytëzohet pako që të tërhiqen edhe fonde tjera – përmes nxitjes së ndihmave nga jashtë, kredive komerciale ose investimeve tjera nga diaspora ose nga vendi. Të ketë zgjerim në sektorë të rinjë dhe në prodhim/eksport – sidomos në sektorin e gjelbër dhe ITK. Të zbatohet pako në përputhje me strategjinë dalëse nga gjendja emergjente – për shembull të lejohen fillimisht hapja e ndërmarrjeve në industri strategjike: prodhuese, ITK. Ndihma të realizohet me fokus te punëtorët së pari dhe pastaj te makineria. Pako të jetë integrale – të dizajnohet duke pasë parasysh politikat publike në fushat tjera si shëndetësia. Të bëhet përfshirja e komunave, nxitja e tyrë të zbatojnë politika të ngjashme në nivel komunal. Të testohen politika që do të bëheshin të përhershme – për shembull të ardhurat themelore universale dhe ndihmat e papunësisë. Të sigurohet transparenca, llogaridhënia dhe meritokracia në dizajnimin dhe implementimin e pakos.
Për të qenë më efektive pako duhet të ketë tri lloje të ndihmës: grante, hua dhe blerje. Përveç këtyre të ketë lehtësime fiskale dhe lehtësime tjera për industritë strategjike. Rezultat i pakos të jetë një gjendje ku ka zgjerim të prodhimit dhe eksportit, ngritje në vargun e vlerës, opcion publik në industri kyçe dhe tjera, si dhe forcim të pozitës së punëtorëve përmes kooperativizimit dhe sindikatave.
Ndihmat dhe grantet të shpërndahen në bazë të prioritizimit ku kanë prioritet industritë strategjike. Sa i përket blerjeve, shteti duhet të blejë aksione kontrolluese në të paktën një ndërmarrje nëpër industritë strategjike dhe tjera si për shembull në ITK, energji, farmaceutikë, mjekësi, kimikale, ushqimore, bujqësore, supermarkete, tekstil, prodhimtari makinerish/pjesëve/veglave, ndërtim rrugor e banesor, transport mallrash e njërëzish, arsim privat si dhe industri tjera.
Për ta integruar pakon me fushat si shëndëtësia, politikat ushqimore, transporti e politikat lokale duhet të ndërmirren hapat në vijim. Të krijohen paketa me produkte kryesore ushqimore dhe higjienike dhe t’u shpërndahen qytetarëve. Aty do të përfshiheshin edhe fara që qytetarët do të mund t’i mbillnin në kopshtet e tyre, në shërbim të sigurisë ushqimore kombëtare. Këto duhet të jenë prodhime vendore për ta parandaluar kolapsin e industrisë vendore. Po ashtu, duhet të ofrohet transporti falas për punëtorët e sektorëve strategjik. Duhet të transferohen të ardhura themelore, një shumë e caktuar për secilin individ, që ua mundëson familjeve ta përballojnë krizën.
Sa i përket tatimeve këtu janë një sërë politikash që mund të ndërmirren. Gjëja e parë që duhet të bëhet është dallimi mes firmave që merren me prodhim dhe eksport të manufakturës dhe firmave tjera. Meqenëse prodhimi dhe eksporti i manufakturës deri më tash është dëshmuar të jetë strategjia që garanton zhvillimin, firmat që merren me këto aktivitete duhet të ndihmohen në çdo mënyrë. Kjo përfshin edhe lehtësimet e ndryshme tatimore që mund të bëhen përmes ligjit mbi tatimin e të ardhurave të korporatave dhe ligjeve tjera. Një politikë shumë e rëndësishme që duhet të futet brenda ligjit është përgjysmimi i normave tatimore për këto firma. Fatkeqësisht, aktualisht nuk ka ndonjë trajtim i veçantë i këtij lloji të firmave. Gjithashtu, tatimi i sheshtë duhet të braktiset dhe duhet të ketë shkallëzim të tatimit (të paktën në tri shkallë) ngjashëm me tatimin mbi të ardhurat personale. Nëse shteti i mbulon shpenzimet e transportit për eksportin e manufakturës deri në një largësi të caktuar kjo do të ndikonte shumë në zhvillimin e sektorit prodhues.
Sa i përket zhvillimit njerëzor të bëhet diskriminim ndaj aktiviteteve që rezultojnë në pasoja negative te popullsia. Te shpenzimet e lejueshme të mos përfshihen shpenzimet e reklamimit për promovimin e duhanit, alkoolit, pijeve të gazuara dhe produkteve me përmbajtje të lartë të sheqerit dhe yndyrës. Përmes një politike të tillë fiskale shteti do të parandalonte sëmundje të shumta dhe shpenzimet për shërimin e tyre. Për më tepër, një popullsi e shëndoshë ndihmon më shumë në zhvillim. Duhet të shfrytëzohen efektet e pandemisë që i detyroi njerëzit të rrinë në shtëpi e në shumë rastë t’i kthehen tokës. Duhet të nxiten aktivitetet që ndihmojnë në mirëqenien e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë i pavarësojnë njërëzit nga varësia nga ekonomia globale si për shembull rritja e ushqimit të tyre.
Pasojat e pandemisë janë të ndryshme dhe duhet të nxirren mësime pozitive e negative gjatë kësaj periudhe. Sidoqoftë, duhet të ketë politikëbërje aktive për t’i dhënë fund gjendjes që ka mbretëruar deri tash. Duhet krijuar një sistem i ri që sjellë zhvillim dhe mirëqenie të vërtetë për qytetarët.
(Autori është Profesor i asoc. në Programin Ndërkombëtar për Politikë dhe Ekonomi të Universitetit të Londrës)