Në korridorin e pritjes

Ndonëse flitet ende aty-këtu për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, njerëzit në Ballkan janë gjithnjë e më skeptikë. Ata më parë besojnë se do të jenë në BE si punëtorë të lirë se sa shtetet e tyre.

407

21 qershori i vitit 2003 ishte një ditë e bukur, me diell. Në një hotel afër Selanikut mbahej Samiti i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit. Gati 4 muaj pas vrasjes së kryeministrit proevropian të Serbisë, Zoran Gjingjiq, BE po jepte një sinjal të qartë: Ballkani është pjesë e Evropës. Në Samitv të gjitha vendeve iu premtua perspektiva europiane, domethënë: anëtarësimi në BE sapo t’i plotësojnë kushtet.

Kishte diplomatë të BE-së që besonin në mrekulli dhe thoshin se të gjitha vendet e rajonit do të hynin në BE deri në vitin 2014. Ky vit ishte simbolik: Ballkani do të bëhej pjesë e BE-së 100 vjet pas atentatit të Sarajevës i cili shërbeu si ndezje iniciale për Luftën e Parë Botërore.  Shpresa ishte e madhe se Ballkani i integruar në BE do t’i linte pas konfliktet, nacionalizmin, urrejtjen dhe do të orientohej drejt prosperitetit ekonomik, përparimit në arsim, kulturë, shkencë.

Në vitin 2020 gjërat duken kështu: vetëm dy vende të Ballkanit – Sllovenia dhe Kroacia – kanë hyrë në BE. Sllovenët dhe kroatët nuk e shohin veten si pjesë të Ballkanit, andaj po i morëm parasysh vërejtjet e tyre, atëherë rezulton se asnjë shtet i Ballkanit nuk ka hyrë në BE. Në vitin 2020 lajm është që ambasadori i Donald Trumpit në Berlin, Richard Grenell, ka arritur t’i bind Serbinë dhe Kosovën të nënshkruajnë një deklaratë zotimi se do ta mundësojnë një linjë ajrore dhe një hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Për Grenellin këto janë marrëveshje historike. Në fakt, marrëveshje historike do të ishte po të ishte pajtuar Serbia me pavarësinë e Kosovës.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE, ka përfunduar në qorrsokak. Marrëveshjet e nënshkruara janë gjysmake, ato nuk e prekin çështjen thelbësore: e pranon apo jo Serbia pavarësinë e Kosovës? Ideja e BE-së që duke zgjidhur hap pas hapi çështjet e hapura mes dy vendeve, do të arrihet deri te vendimi i Serbisë për t’u pajtuar me shtetësinë e Kosovës, është shpalosur si iluzion. Edhe më keq: Federica Mogherini, shefja e diplomacisë së BE-së, ka përkrahur aktivisht bisedimet e fshehta mes presidentit serb dhe atij kosovar për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Kjo e ka inkurajuar Beogradin për të sabotuar gjithkund pavarësinë e Kosovës. Në fushatën kundër pavarësisë, Serbia ka arritur ca suksese: disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në mediat serbe ka akuza se për këtë “sukses”, diplomatët serbë kanë korruptuar zyrtarë shtetesh afrikane dhe aziatike. Beogradi ka penguar edhe hyrjen e Kosovës në Unesco dhe Interpol.

Ndërsa konflikti mes Kosovës e Serbisë mbetet i pazgjidhur, në Maqedoni ka pasur një zhvillim pozitiv. Qeveria e prirë nga socialdemokratët ka marrë vendim të guximshëm për ta ndryshuar emrin e vendit: nga Maqedonia në Maqedonia e Veriut. Greqia është pajtuar me këtë emër dhe e ka hequr bllokadën për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE. Shkupi do të anëtarësohet në NATO  në prill, ndërsa bisedimet për t’u anëtarësuar në BE janë bllokuar nga presidenti francez Emmanuel Macron. Viktimë e kapriçove të Macronit ka rënë edhe Shqipëria. Mali i Zi dhe Serbia po negociojnë për të hyrë në BE, por premtimi i zyrtarëve të BE-së që disa vende të Ballkanit do të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025 është iluzor po aq sa premtimi i vitit 2003, kur në krye të BE-së qëndronin politikanë si Romano Prodi dhe Javier Solana.

Ballkani është në korridorin e pritjes.  Ndonëse flitet ende aty-këtu për anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, njerëzit në Ballkan janë gjithnjë e më skeptikë. Ata më parë besojnë se do të jenë në BE si punëtorë të lirë se sa shtetet e tyre. Që nga viti 2003 janë bërë gabime të mëdha. BE nuk ka treguar vullnet të madh në integrimin e rajonit. Kriza financiare nga viti 2007 ndikoi që BE të përqendrohet në problemet e brendshme. Brukseli u pajtua me autokratët e Ballkanit: ata garantonin qetësi sipërfaqësore, BE ishte e kënaqur. Por autokratët po bëhen të rrezikshëm për mbarë rajonin.

Kjo aleancë e BE-së me autokratët nuk mund të jetë jetëgjatë. Brukseli duhet t’i kthehet aleancës me shtresat kritike që vërtet synojnë standarde evropiano-perëndimore në Ballkan. Përkundër historisë së përgjakshme, Ballkani historikisht i përket Evropës. Dhe nëse BE nuk arrin të ketë një vizion për integrimin e rajonit, fuqitë e tjera janë gati: Rusia, Kina dhe Turqia tashmë kanë futur këmbët dhe duart në Ballkan. Një shembull: deri në fund të vitit 2020 koncerni teknologjik kinez Huawei do t’i instalojë 1000 kamera mbikëqyrëse në Beograd. Kontrata mes Serbisë dhe Kinës është shpallur sekret shtetëror.