Ishte ora 4 e mëngjesit të 26 nëntorit kur u ndjenë në Tiranë dridhjet e forta të tërmetit dhe në dukje të pandalshme. Të gjithë dolën jashtë. Gjatë orës së parë frikën e mbulonin shakatë e herëpashershme nga nervoza. Pastaj filluan të vijnë lajmet se në fshatin Thumanë, në veri të Tiranës, kishte të vdekur dhe persona të tjerë të bllokuar nën gërmadhat e ndërtesave të rrënuara. Pastaj u raportua për viktima edhe në Durrës, qytetin e dytë për nga madhësia në Shqipëri. Turma njerëzish qëndruan në rrugë gjatë tërë natës, në tentim për të fjetur në veturat e tyre, duke ndjekur njëkohësisht me shqetësim e tmerr lajmet për numrin në rritje të viktimave. Tërmete me fuqi më të vogël pasuan tërmetin e madh, të cilët krijuan një klimë frike dhe pasigurie për qindra mijëra njerëz.
Deri tash është konfirmuar se 51 persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit. Qindra tjerë janë të lënduar, disa me simptoma të rrezikshme. Mbi 10.000 njerëz janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në rajonin e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës. Shumica prej tyre janë strehuar te të afërmit, përderisa të tjerët janë vendosur përkohësisht nëpër hotele, qendra sociale ose nëpër çadra. Mijëra ndërtesa janë raportuar si të dëmtuara, qindra të tjera janë vlerësuar përkohësisht të pabanueshme, ndërsa dhjetëra do të duhen rrënuar tërësisht. Dhjetëra objekte shkollore janë raportuar si të dëmtuara, ndërsa procesi i rregullt mësimor u ndwrpre në 3 rajonet e prekura. Ndërkohë, qyteti më i dëmtuar, Durrësi, është duke u shndërruar në qytet të braktisur: shumica dërrmuese e banorëve, nga paniku, kanë zgjedhur të ikin nga qyteti. Duke qenë një prej motorrëve të ekonomisë shqiptare, veçanërisht në turizëm, ka rrezik që ekonomia e Durrësit të jetë e dëmtuar për shumë vite në të ardhmen.
Reagimet e para të qeverisë shqiptare qenë kaotike. Përkundër akteve të shumta heroike të ushtarëve, zjarrëfikësve dhe policëve, përgjithësisht këto shërbime u zunë të papërgatitura. Këtë e tregojnë pamjet e ushtarëve të rinj të cilët futeshin nëpër gërmadha pa helmeta dhe pa dorëza. Megjithëse patëm një tërmet të mëhershëm serioz në shtator, strukturat qeverisëse nuk kishin përgatitur një plan për evakuim dhe as ndonjë strukturë të organizuar për emergjenca. U desh të kalojnë disa orë dhe të vijnë trupat e specializuara të kërkimit nga Kosova dhe Greqia, e më vonë edhe nga vendet tjera, që kërkimi për të mbijetuarit dhe për viktimat të bëhet më profesionalisht. Sipas disa raportimeve hulumtuese, për vite të tëra, fondet e dedikuara për forcimin e strukturave për ndërhyrje emergjente janë keqpërdorur ose thjesht vjedhur nga zyrtarët e korruptuar.
Ekspansioni i kapitalit dhe krimit
Krahasuar me tërmetin shumë më të fuqishëm të vitit 1979, gjatë socializmit burokratik, reagimi i strukturave shtetërore ishte shumë më joefikas. Në vitin 1979 kishte pasur 35 të vdekur, shumica prej të cilëve ishin duke jetuar nëpër shtëpi të vjetra nëpër fshatrat e Shqipërisë veriore, ndërkohë që shumica e viktimave nga tërmeti i tashëm janë nga ndërtesat e ndërtuara rishtazi.
Sidoqoftë, që nga orët e para të tragjedisë ka pasur një shpërthim mbresëlënës të solidaritetit popullor nga të gjitha skajet e shoqërisë. Mijëra qytetarë filluan të grumbullojnë dhe të dërgojnë artikuj bazikë për njerëzit që jetonin në çadra. Miliona euro u grumbulluan përmes donacioneve online. Kishte po ashtu shenja të rëndësishme solidariteti nga shtetet fqinje. Veçanërisht veprime të fuqishme solidariteti nga Kosova. Qindra njerëz erdhën me makina ose autobus, për të shpërndarë ndihma për të dëmtuarit, dhe shumë më me rëndësi, për të organizuar dhe mirëpritur qindra njerëz nëpër shtëpitë e tyre në qytetet e Kosovës. Edhe pse ky solidaritet është përdorur nga disa parti nacionaliste si një kartë legjitimimi politik, mesazhet e rëndësishme të këtij solidariteti nga vendet e tjera, disi krijuan një përzierje mes patriotizmit të rivendosur dhe sinjaleve të solidaritetit ndërkombëtar.
Pyetje të rëndësishme radikale po shtrohen këto ditë. Pse ndodhi kjo? Pse ishin qindra ndërtesa kaq të pasigurta? Megjithëse mund të kemi një shumësi përgjigjesh të veçanta, përgjigja sistemike mund të gjendet vetëm në procesin e gjatë të akumulimit përmes shpronësimit. Bregdeti i Durrësit është një prej pjesëve të territorit më egërsisht të uzurpuara në Shqipëri. Gjatë socializmit burokratik, pjesa më e madhe e Rivierës ishte përplot me gjelbërim dhe plazhe publike. Kishte pak hotele e shtëpi pushimi, të ndërtuara në bazë të planifikimit racional. Por, gjatë viteve të 90-ta, e veçanërisht viteve 2000, u ndërtuan qindra objekte të mëdha, madje edhe në rërë, e shumë afër njëra tjetrës, duke shkatërruar gjelbërimin dhe duke komercializuar çfarëdo hapësire publike në plazh dhe përreth tij. Qeveritë e njëpasnjëshme lokale dhe qendrore për dekada më radhë dyshohet të kenë dhënë leje ndërtimi në këmbim të “quid pro quo”-ve korruptive. Keqkalkulimet inxhinierike ose përpjekjet e drejtpërdrejta për uljen e kostos së ndërtimit nga kompanitë private dyshohet të kenë qenë të zakonshme. Një pjesë e mirë e kapitalit të kriminalizuar – që vjen nga trafikimi i drogës ose veprimtari tjera të krimit të organizuar – është investuar në bregdetin e Durrësit. Para tërmetit, qyteti i Durrësit konsiderohej si njëri prej bastionëve të krimit të organizuar dhe politikës klienteliste-korruptive në Shqipëri.
Mjedisi distopik
Në anën tjetër, efektet degraduese sociale që rezultojnë nga politikat neoliberale të mbylljes apo privatizimit të fabrikave në pronësi shtetërore ka çuar ose në rritje të emigrimit, ose në rritjen e iniciativave individuale, shpesh avantureske, për t’i ikur papunësisë ose për të siguruar një kulm mbi kokë për familjen. Në Tiranë për shembull, mijëra njerëz i kanë shndërruar apartamentet e tyre përdhesë në kafiteri ose shitore të vogla, me ç‘rast edhe i kanë tëholluar shtyllat e ndërtesës dhe strukturat tjera. Kjo ka qenë mënyrë e tyre e vetme për ta përballuar kurthin e papunësisë. Të tjerët, të ballafaquar me krizën në rritje për strehim – në një situatë sociale ku çmimet e apartamenteve të reja janë shumë të mëdha – kanë ndërtuar shtëpi të reja apo ndërtime shtesë para ose mbi objektet ekzistuese, pa ekspertizën e duhur inxhinierike. Mungesa e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm i ka detyruar shumë njerëz të vendosin rezervuarë të mëdhenj uji nëpër kulme ose terraca të ndërtesave, duke e shtuar kështu peshën përmbi strukturat edhe ashtu të dobëta të ndërtimit. Të gjitha këto ndërhyrje kanë ndodhur para syve tolerues të disa qeverive me radhë, të cilat kanë zgjedhur ta lejojnë kaosin urban si këmbim për paqen sociale përballë ristrukturimit agresiv neoliberal të ekonomisë dhe shoqërisë.
Qeveria shqiptare shpalli gjendjen emergjente. Kjo prodhoi masa represive kundër disa mediave online dhe me ndikim shoqëror. Këto masa janë arsyetuar nga qeveria si të domosdoshme për të luftuar shpërndarjen e lajmeve të rreme të cilat krijojnë panik. Edhe pse pjesërisht e vërtetë, këto masa kanë për qëllim po ashtu ta mbulojnë moskompetencën qeveritare duke krijuar armiq publik fiktivë dhe duke e tensionuar kështu situatën. Në anën tjetër, partitë kryesore opozitare treguan solidaritet me përpjekjet e qeverisë për evakuim. Por këtu duhet ta ngrejmë dyshimin nëse ky solidaritet mund të jetë një orvatje për ta krijuar koalicionin e madh në të ardhmen si mënyrë e daljes nga kriza e gjatë politike, por po ashtu për ta heshtur pakënaqësinë popullore. Të gjitha partitë qeverisëse në tre dekadat e fundit janë duke u parë si bashkëpërgjegjëse për ndërtimin e një mjedisi distopik ekonomik, social dhe urban, që e solli këtë tragjedi. Javët e ardhme do të na tregojnë nëse partitë politike do të kenë sukses në çimentimin e hegjemonisë së re – duke shfrytëzuar paratë e kapitalit të madh që po rrjedh këto ditë në formë bamirësie – ose nëse do të kemi një tërmet socio-politik të njerëzve përherë e më të zemëruar.
(Autori është pedagog dhe aktivist nga “Organizata Politike” në Tiranë. Ky artikull është botuar në portalin rajonal “Bilten”)