Vrasja

911

Askush nuk do të donte të ishte në vendin e zonjës Nathalie Dompnier, presidente e Universitetit Lumière Lion II, kur iu desh të komentonte sakrifikimin me anë të zjarrit, 8 nëntorin e kaluar të një prej studentëve të saj. Me veprimin e tij, M. Anas K., 22 vjeç mendoi të protestonte kundër mizerjes dhe gjendjes shoqërore të vështirë. Ai duhej edhe të punonte edhe të studionte në të njëjtën kohë, si pasojë humbi provimet dhe bursa iu ndërpre. Atëherë ai i kishte dhënë fund, sipas fjalëve të tunizienit Abdel Razzaq Zorgui, i cili, po ashtu ishte sakrifikuar, në dhjetorin e 2018, duke « bërë një revolucion krejtësisht vetëm ».

Të rinjtë nga mosha 18 deri 24 vjeç përbëjnë grupin në të cilin përqindja e varfërisë është rritur në mënyrë të ndjeshme. Ndërkaq, kujtoi zonja Dompnier, pasiguria « nuk të lejon të studiosh në kushte normale ». Pesë muaj përpara tentativës së vetëvrasjes së Lionit, një zë qeveritar lajmëronte se puna me kohë të plotë e studentëve, kur ajo e kapërcen një farë kohe, « gjë që ndodh në rastin e studentëve që nuk kanë një bursë të mjaftueshme ose një ndihmë familjare, u sjell atyre një rrezik në rritje për të mos i marrë provimet.(1) »

Disa prej tyre kanë realisht uri, flejnë jashtë, nuk kujdesen për trupin. Me mjetet e varfra që zotëron universiteti i saj, zonja Dompnier ankohet se « nuk mund të bëjë gjithçka » për ta. Dhe ajo vë në dispozicion të tyre një « celulë psikologjike », « një numër telefoni falas », «  një dyqan ushqimesh solidariteti » (Le Monde, 16 nëntor 2019). Ministrja e arsimit të lartë dhe e kërkimit, zonja Frédérique Vidal vlerësonte se ajo « kishte rritur buxhetin për bursat » (1.3% në fakt aq sa ç’është niveli zyrtar i inflacionit). Megjithatë, ajo do ta « rishikojë gjithë këtë ». Tashmë ajo premton se këtë dimër nuk do të përzënë më nga qytetet universitare studentët xhepshpuar…

Si universitetet janë edhe spitalet, bujqësia, zjarrfikësit, shkollat, gjendja e urave. Në Francë dhe gjithandej. Tridhjetë e pesë vjet privatizime, në rënie të lirë, ulje e numrit të banesave, me kontrolle të pandërprera në të gjitha fushat – faleminderit Internet- dhe, në fund, një shoqëri nën presion, e tromaksur, kockë e lëkurë që djeg rezervat e fundit. Një shoqëri e tërë së cilës po i bien të gjitha mbajtëset. Në intervale të rregullta ajo shfaq rraskapitje, shpreh zemërim (2). Hap pas hapi, ajo po i reziston dhunës që partitë qeverisëse tentojnë t’i injektojnë megjithë alternimet politike. Në programin e « reformave » të fundit, ose të ardhshme : ulja e ndihmave për strehim, një raport i ri i moshës së pensionit, liberalizimi i punës natën, kufizimi i ndihmës mjekësore nga shteti, shtrëngimi i ndihmës për të papunët dhe të pastrehët – një « kasaphanë » sipas rrëfimit të vetë një prej përgjegjësve sindikalistë megjithëse i gjendur mirë në Elyse, z. Laurent Berger.

Një i ri që sakrifikon jetën e tij siç ndodhte në regjimet autoritare, protestues që humb një sy, një dorë, kur policia gjuan, pamfletarë të së djathtës që paralajmërojnë luftë civile… Shumë lëvizje greviste do të shohim në javët që vijnë. Do të falimentojnë ato, apo do të jemi përsëri ne vitin e ardhshëm?

(1) Marie-Hélène Boidin Dubrule et Stéphane Junique, « Ta mjekojmë varfërinë e madhe në horizontin 2030 », Këshilltare ekonomike, shoqërore dhe e ambientit, Paris, 26 juin 2019.

(2) Lexo Bernard Cassen, « Kur shoqëria të thotë “jo” » (si dhe dosjen), Le Monde diplomatique, janar 1996.