Mbështeteni Le Monde Diplomatique në Shqip
Na mbështetni

en | fr | +

Një optimizëm i palëkundur

Prill, 2026

Të shtunën, më 7 mars, rreth pesëdhjetë mijë persona marshuan në Londër për të protestuar kundër luftës së zhvilluar nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara në Iran. Një pjesëmarrje e dukshme në krahasim me metropolet e tjera perëndimore, por që duket e vogël kur vendoset në perspektivë historike. Më 15 shkurt 2003, mbi një milion protestues mbushën rrugët e Londrës kundër pushtimit të Irakut. Qindra mijëra të tjerë marshonin në Nju Jork dhe Uashington, ndërsa afro pesëmbëdhjetë milionë njerëz protestonin në mbarë botën, duke shënuar mobilizimin më të madh ndërkombëtar të regjistruar ndonjëherë.

Njëzet vjet më parë, më 12 qershor 1982, një milion njerëz pushtuan Central Park-un për të kërkuar çarmatimin bërthamor, të shoqëruar nga koncertet e Joan Baez dhe Bruce Springsteen. Lëvizja kundër luftës kishte muzikantët, shkrimtarët dhe kineastët e saj. Sot, kjo traditë është zbehur.

Ndërsa luftërat shumëfishohen dhe fuqitë e mëdha riarmatosen, rrugët mbeten çuditërisht të zbrazëta. Edhe kërcënimi bërthamor duket se nuk ngjall më shqetësim. Traktati New START, marrëveshja e fundit në fuqi për kufizimin e armëve bërthamore strategjike midis Uashingtonit dhe Moskës, ka skaduar; Donald Trump flet për rifillimin e provave atomike, ndërsa Emmanuel Macron propozon forcimin e arsenalit francez. As protesta, as debat publik.

I stigmatizuar nga mediat, të cilat shpesh e interpretojnë si mbështetje për Hamasin, për mullahët apo për Kremlinin, dhe herë pas here i shtypur, angazhimi pacifist vështirë se përputhet me klimën e kohës. Ai kërkon një optimizëm të palëkundur, një bindje të formuar nëpërmjet betejave ndonjëherë të fituara, se asgjë nuk është e paracaktuar dhe se veprimi kolektiv mund të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve. Kundërshtarët e luftës në Vietnam mbështeteshin te arritjet e lëvizjes për të drejtat civile; në vitin 2003, vrulli altermondialist ushqente mobilizimin kundër pushtimit të Irakut. Sot, një shtysë e tillë mungon.

Për më tepër, pacifizmi kërkon durim. Duhet të përballesh hap pas hapi me konflikte që nuk janë parandaluar dot. Por efektet e tij maten në kohë: të fitosh mbështetjen e opinionit publik, të përshpejtosh një tërheqje ushtarake, të ndikosh në zgjedhje… Këto përparime, të ngadalta dhe të tërthorta, ndonjëherë të padukshme, e kanë të vështirë të mobilizojnë në një epokë që i jep përparësi të menjëhershmes.

Së fundi, angazhimi për paqen kërkon edhe një sens të caktuar politik, si dhe gatishmëri për t’u bashkuar me njerëz që nuk ndajnë të njëjtat bindje. “Të gjitha lëvizjet kundër luftës në Shtetet e Bashkuara gjatë shekullit XX kanë përfshirë një numër të vogël pacifistësh që kundërshtonin çdo luftë dhe, në shumë raste, një numër më të madh socialistësh që kundërshtonin kapitalizmin dhe/ose imperializmin. Por të gjitha këto lëvizje përbëheshin kryesisht nga njerëz, shqetësimi i të cilëve kufizohej në ndalimin e asaj lufte konkrete”, theksonte gazetarja dhe redaktorja Barbara Epstein.

Sektarizmi politik në rritje nuk e favorizon ndërtimin e një fronti të tillë, aq më tepër që grupet militante kanë humbur një pjesë të përvojës dhe aftësive të tyre. “Ata e ngatërrojnë mobilizimin me organizimin”, vëren politologu Eric Blanc; dinë të mbledhin njerëz në mënyrë të përkohshme, por shpesh lënë pas dore atë që zhvillohet mes dy marshimeve: punën e shtrirjes në terren, bindjen, kontaktin derë më derë, ushtrimin e presionit ndaj të zgjedhurve, ndërtimin e aleancave, të domosdoshme për të zgjeruar bazën e tyre.

Katër vite propagandë në favor të riarmatimit dhe mbi afërsinë e rrezikut rus kanë mpirë mendjet dhe kanë çarmatosur pacifistët: rritja e buxheteve ushtarake në dëm të sektorit social nuk përballet me kundërshtim të fortë, madje as në të majtë. Megjithatë, qoftë në rastin e Iranit apo të Ukrainës, belicizmi mbetet kryesisht çështje e shtresave të larta, e përfituesve të luftës dhe e editorialistëve që nuk rrezikojnë kurrë jetën, përveçse përmes një ekspozimi të tepruar nën dritat e studiove televizive.

Botime të tjera