A kemi të bëjmë thjesht me produkt të një klime të nxehtë politike? Sido që të jetë, tashmë pothuajse pak njerëz mendojnë se rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të pranohet nga të dyja palët.
Çfarëdo që do të ndodhë të martën e ardhshme, më 3 nëntor, një numër i rëndësishëm i demokratëve do t’ia faturojnë humbjen e tyre të mundshme Rusisë, ose Kinës, ose më arsyeshëm, ndalimit të votimit që guvernatorët republikanë si ai i Floridës ua bëjnë të dënuarve – shpesh të varfër, zezakë ose hispanikë, si votues të supozuar demokratë – shumë kohë pasi kanë kryer vuajtjen e dënimit.
Sa i përket z.Donald Trump, ai tashmë e ka të paracaktuar : mund të humb zgjedhjet vetëm nëse janë të manipuluara (“zgjedhjet e manipuluara janë mënyra e vetme e tyre për të na mundur”, deklaroi ai më 24 gusht). Ai e ka identifikuar që tani mjetin : votimi me postë, numri i të cilit rrezikon të shpërthejë për shkak të koronavirusit.
Në Shtetet e Bashkuara, secili shtet përcakton një numër rregullash votimi, përfshirë të drejtën e votuesit për të votuar në një mënyrë të tillë deri në një datë të caktuar. Në Pensilvani, një shtet pothuajse gjithmonë i pavendosur për nga rezultati zgjedhor (swing state), mund të kërkohet një fletëvotim me postë deri në 27 tetor. Ai fletëvotim duhet të arrijë në qendrën e votimit deri në orën 8 të së martës zgjedhore. Një afat jashtëzakonisht i shkurtër, sidomos nëse posta nuk funksionon mirë. Në Minesota, një votues mund ta kërkojë një votë me korrespondencë (me postë) deri një ditë para zgjedhjeve. Diku tjetër, rregullat janë më ndryshe dhe mund të ndryshojnë ende deri më 3 nëntor …
Gjatë zgjedhjeve presidenciale, rreziku i përplasjeve është i madh, sidomos nëse dyshimet për vjedhje helmojnë paraprakisht atmosferën. Të gjithë e mbajnë në mend numërimin e pafund të votave në Florida, gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2000, që përfunduan me zgjedhjen e z.George W. Bush.
A priori, ekuacioni politik është i thjeshtë dhe shpjegon në mënyrë të përsosur strategjinë e dyshimit të Presidentit në largim: 58% e amerikanëve që planifikojnë të votojnë me prani fizike më 3 nëntor janë të prirur të votojnë për z.Trump, por 75% e atyre të cilët parapëlqejnë të votojnë me korrespondencë (me postë) janë të prirur të votojnë për kundërshtarin e tij, z.Joseph Biden. Është shumë e mundshme që natën e zgjedhjeve, numërimet e para i japin përparësi kandidatit republikan – dhe ndjenjën e mbështetësve të tij se ka fituar – para numërimit të dhjetëra miliona votave postare (tridhjetë e tre milion në vitin 2016) që do të përmbysnin rezultatin.
Por, nga të gjitha mangësitë që i atribuohen z.Trump, një është e sigurtë : ai është një humbës shumë i keq me vetëbesim të madh. Prandaj është më se e mundshme që nëse mposhtet – në mënyrë të drejtë, por falë votave postare të cilat ai veç tashmë pretendon se do të jenë të manipuluara – z.Trump do ta kundërshtojë vendimin e rezultatit. Deri në masën e refuzimit të kalimit të pushtetit për njeriun që e ka mposhtur? Ish-këshilltari i tij Steve Bannon sapo ka nisur një fushatë me temën : “Komploti për të vjedhur 2020”. Dy nga shënjestrat e tij janë Twitter dhe Facebook, të cilat sipas tij do të refuzojnë ta shpallin rezultatin natën e zgjedhjeve deri në numërimin e plotë të votave postare. Një krim që z.Bannon është afër për ta gjykuar si të pafalshëm.