SHPREHJA BRUTALE E PABARAZISË RACIALE NË SHBA
Një vend i minuar nga vrasjet e policisë

Në Shtetet e Bashkuara, zbatimi i ligjit është përgjegjësi e autoriteteve lokale. Atëherë, si shpjegohet që një qytet si Minneapolis i cili njihet për progres, është vazhdimisht skenë e dhunës raciste nga policia? Pajisur me një pasitivitet për sa i përket dhunës ndaj banorëve me ngjyrë, shërbimet policore gëzojnë pothuajse imunitet total. Të paktën deri në vdekjen e George Floyd.

2418

Në historinë e politikës amerikane, Minesota është një përjashtim: është i vetmi shtet që ka votuar kundër Ronald Reagan në 1984. Herën e fundit që votuesit e saj zgjodhën një kandidat republikan për president daton që nga viti 1972, gati pesëdhjetë vjet më parë. Gjatë brezave, kjo strehë e së majtës amerikane ka dërguar në Kongres Hubert Humphrey, Walter Mondale dhe Ilhan Omar, një nga dy gratë e para myslimane që janë zgjedhur.

Duke pasur parasysh këtë reputacion, vrasja e George Floyd nga një patrullë e policisë dhe përplasja popullore që ndezi mund të duket e habitshme. Për një vëzhgues të njohur me Twin Cities – qytetet binjak të Minneapolis dhe Saint Paul, kjo e fundit është kryeqyteti i vendit – megjithatë këto ngjarje nuk ishin të papritura. Edhe pse Minesota është në mesin e shteteve të renditura më mirë në vend përsa i përket arsimit, të ardhurave dhe mirëqenies, këto statistika, siç kujtoi Guvernatori demokrat Timothy Waltz, një nate rebelimi pas vdekjes së Xhorxh Floidit në 25 maj, “janë adekuate vetëm nëse je i bardhë. Nëse nuk je, çdo gjë përmbyset”.

Minesota renditet e tridhjetë e nënta në listën e shteteve me më shumë afrikano-amerikanë me shkollë të mesme. Ne listën e njerëzve me ngjyrë që janë të punësuar, ajo bie në vendin e dyzet e pestë (nga pesëdhjetë) dhe madje bie në dyzet e tetën nëse marrim parasysh përqindjen e Afro-Amerikanëve që janë pronarë të shtëpive të tyre. Paga mesatare e një familje të bardhë në Minneapolis është afërsisht 100.000 dollarë në vit, ndërsa ajo e një familje me ngjyrë është rreth 28.500 dollarë. Të bardhët dhe njerëzit me ngjyrë mbeten të ndarë dhe të pabarabartë.

Pabarazitë racore janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara që nga vitet 1970. Prandaj nuk është për t’u habitur që Covid-19 ka shkaktuar më shumë humbje mes afro-amerikanëve sesa mes të bardhëve, jo vetëm për sa i përket vdekshmërisë, por edhe humbjet e vendeve të punës dhe vështirësi për të përmbushur detyrimet gjatë gjithë kësaj krize. Pasojat më të drejtpërdrejta nga konfinimi – mbyllja e shkollave dhe gati pamundësia për të punuar – është dëshmuar se po penalizon në mënyrë dispoporcionale afrikano-amerikanët, duke u dhënë atyre edhe më shumë arsye dhe kohë për t’u mobilizuar dhe për ta bërë këtë çdo natë. Siç ndodh shpesh në shpërthime të tilla zemërimi, banorët kanë sulmuar prona private në lagjet në të cilat jetojnë të izoluar. Rrallë, rebelët sulmuan gjithashtu butikë luksi, restorante dhe banka që ndodheshin disa blloqe larg.

Dhuna e policisë është padyshim shprehja më e qartë e këtyre pabarazive.

Në Shtetet e Bashkuara, zbatimi i ligjit është një prerogativë lokale, e ushtruar nga qyteti ose qarku, jashtë kontrollit të juridiksioneve shtetërore ose federale. Departamenti i Policisë në Minneapolis (MPD) është treguar pasiv ndaj dhunës vdekjeprurëse kundrejt banorëve me ngjyrë. Deri në lançimin e xhirimit të George Floyd, MDP gëzonte pandëshkueshmëri pothuajse sistematike, si në rastin e personave përgjegjës për vdekjen e Jamar Clark dhe Philando Castile vitet e kaluara. Ndërkohë që njerëzit me ngjyrë përbëjnë 40% të banorëve të Minneapolis, ata përbejnë 74% të rasteve të dhunës së ushtruar nga MPD.

Sipas një studimi të publikuar më 2018 nga një mbrojtës publik i qarkut, shoferët makina e të cilëve kontrollohet i përket tre në katër herë, komunitetit afrikano-amerikan, edhe pse ky i fundit përfaqëson vetëm një në katër banor. Kur vetë shoferi është subjekt i kërkimit, ai është me ngjyrë në 76% të rasteve, kundrejt  vetëm 13% për të bardhët. Duke marrë parasysh shkallën e lartë të pushtetit që zotërojnë policët, çfarëdolloj motivi mund të justifikoj ndërhyrjen e tyre.

Çdo njeri me ngjyrë e di që kur është në makinë, ngjyra e lëkurës është e mjaftueshme për të ngjallur dyshime. Në Twin Cities, pak persona mund të kenë harruar patrullimet e policisë që gjurmonin të arratisurit në kohet e skllavërisë. Sindikata e Agjenteve të Policisë është një nga pjeset kyç e ketij sistemi. Në Minneapolis, presidenti i degës lokale, toger Robert Kroll, tregon besnikërine ndaj trupave të tij duke sabotuar përpjekjet e kryebashkiakeve demokratë për të disiplinuar agjentët e dhunshëm. Sipas kryebashkiakut aktual, Jacob Frey, “shefat e policisë dhe të zgjedhurit që kanë tentuar të ndryshojnë gjërat janë përballur me armiqësi nga sindikata dhe nga legjislacioni që mbron autorët e dhunës”.

Z. Frey dhe ish-shefja e policisë Janeé Harteau, akuzoi sindikatën se ka penguar çdo tentative për të sanksionuar oficerët fajtorë. Këto të fundit mbrohen nga një protokoll arbitrazhi i negociuar nga sindikata dhe ka për qëllim asimilimin e çdo abuzimi me pushtetin duke e bëre atë akt mbrojtje. Derek Chauvin, agjenti që asfiksoi George Floyd-in duke i vendosur gjurin në fyt për rreth 9 minuta kishte shtatëmbëdhjetë ankesa për dhunë në 20 vite karrierë , ndër të cilat vetëm për njërën i është tërhequr vëmendja.

Sipas marrëveshjeve me sindikatën, përmbajtja e këtyre ankesave nuk u zbulua kurrë. Nga tre oficerët që asistuan në mënyrë pasive në vdekjen e Xhorxh Floidit, dy ishin në detyrë prej më pak se një viti. I treti, Tou Thao, kishte gjashtë ankesa për dhunë, pesë prej të cilave u hodhën poshtë. Ai dhe një nga kolegët e tij kishin rrahur në 2017 një person të prangosur. Megjithëse denoncuesit iu dhanë 25.000 dollarë si kompensim, z.Thao gëzonte mbrojtjen e sindikatës dhe nuk u ndëshkua kurrë.

Simboli i “killology-së”

I parë në krah të Donald Trumpit në një miting në vitin 2019, togeri Kroll shprehet se i sheh demokratët që drejtojnë qytetin si tradhtarë të kauzës së tij. Ai i kritikon, ndër të tjera, që nuk kanë punësuar më shumë efektivë për ta shmangur dhunën urbane. Ankesat e tij ilustrojnë mentalitetin e të sulmuarve dhe pakënaqësinë ndaj të majteve që karakterizon forcat e rendit në këtë vend. Kurdoherë që shefat e policisë të emëruar nga kryebashkiaku kanë krijuar programe për të mësuar teknikat e depërshkallëzimit ose për të frenuar “paragjykimet” e oficerëve, sindikata i ka ndaluar me përpikëmëri këto nisma. Dhe, kur zyrtarët e zgjedhur hartuan një projekt-ligj për të detyruar oficerët e policisë MPD të banonin në qytetin e tyre, në mënyrë që ata të jetojnë afër popullatës së saj, senati vendor, nën presionin e lobimit të policisë, hodhi poshtë projekt-ligjin. Sot, 92% e agjentëve të MPD janë me vendbanim jashtë qytetit ku ata punojnë. Kryetari i Minneapolis ka marrë vendimin për të ndaluar kurset që mësojnë oficerët e policisë ta perceptojnë çdo shtetas me ngjyrë si një kërcënim – një program i dhënë nën emrin e killology (ose vrasjes), një doktrinë me pretendime shkencore e cila kërkon të nxis në çdo polic impulset grabitqare që gjenden në secilin prej nesh. I pushtuar nga ky botëkuptim dhe për të zbrapsur idetë e kryetarit të bashkisë, z.Kroll u hakmor duke krijuar programin e tij të trajnimit, të financuar nga sindikata, duke u inspiruar edhe ai nga pikëpamjet e killology-së.

Sipas tij, politika e depërshkallëzimit nuk mund të zbatohet për MPD, sepse, thotë ai, “nuk është në natyrën e tij. Ju dëshironi t’i mësoni ata të heqin dorë dhe thjesht nuk është e natyrshme. Gjithë stresi vjen prej këtu, nga këta policë që nuk kanë pushtetin për të kapur dikë dhe t’i thonë: “Jo, do të qetësoheni ose do t’ju çoj në burg ose, nëse është e nevojshme, do përdor forcë”. Z. Kroll e quajti George Floyd një “kriminel të dhunshëm” dhe akuzoi protestuesit se i përkisnin një “lëvizjeje terroriste”. Trupat e tij i kushtojnë besnikëri të palëkundur. Ai u rizgjodh me lehtësi në zgjedhjet e fundit të sindikatës, ku askush nuk i doli kundër. Për më teper ai e ka emëruar vetë pasardhësin e tij. Lidhja e oficerëve të policisë ndaj shefit të sindikatës është se ai i mbron kurrizin në të gjitha rrethanat, madje edhe veprimet më brutale ose vdekjeprurëse, siç është zakon në sindikatat e policisë në të gjithë vendin. Kjo është arsyeja pse disa qendra të mëdha të punës në Minesota dhe gjetkë në Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar ashpër sindikatat e policisë në vazhdën e lëvizjes në solidaritet me George Floyd. Lidhjet e bashkëpunimit midis MPD-së dhe sindikatës, shtuar faktin se kjo e fundit përfaqëson pa dyshim policinë, pasi ata votojnë për të, kanë marrë pak vëmendje për momentin. Z. Kroll do të dalë së shpejti në pension, por kultura e forcës që përshkon sindikatën e tij do të vazhdoj, në Minneapolis dhe gjetkë, derisa departamentet e policisë të shpëtojnë nga prirja e tyre për dhunë dhe paragjykime raciste.

Po tani ? Që nga shpërthimi i ditëve të fundit të majit, një lëvizje e drejtuar nga aktivistë dhe zyrtarë të zgjedhur është shfaqur në Minneapolis, e cila bën thirrje për “definancimin” (defund) e policisë. Me këtë emër të keqpërcaktuar, disa kuptojnë idenë e ndarjes së një pjese të fondeve të alokuara në polici për rialokimin e tyre në shërbime sociale dhe programe mbështetëse – veçanërisht për njerëzit me çrregullime mendore – nën mbrojtjen e community (“komuniteti”), ose i këshillit të lagjeve të cilat do të kishin ngritur zërin për të marrë përsipër një pjesë të atributeve të rezervuara deri më tani për MPD.

Sidoqoftë, ai do të vazhdonte të merrej me krime dhe krime të dhunshme. Të tjerët i japin “përkufizimit” një kuptim më radikal: shpërberjes së MPD-së dhe rindërtimit të diçkaje të re, një ambicie që mbjell edhe entuziazëm (pak) dhe shqetësim (shumë) në qarqet me te bardhe ne Minesota.

Një pasojë tjetër e protestave është se institucione të mëdha si Universiteti i Minesotas, shkollat ​​në Minneapolis dhe parqet publike në të njëjtin qytet kanë thyer kontratat e partneritetit të tyre me MPD. Policët që jepnin siguri në shkolla ose në ngjarje sportive në universitet, kështu humbën një shtesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre, pasi këto detyra shpesh kryheshin jashtë orarit të punës. E gjykuar si shumë e pamjaftueshme nga aktivistët, kjo valë e paparë e përçarjes institucionale ka kapur në befasi të gjithë vëzhguesit. Efektet e tij nuk do të jenë të papërfillshme. Nëse ata duan të rikthejne burimet e tyre të të ardhurave, policia duhet të jetë më e prirur të pranojë ndryshimet që z.Kroll luftoi kaq ashpër, veçanërisht në një kohë kur MPD dhe sindikata duhet të rinegociojnë marrëveshjen e tyre. Më në fund, guvernatori i shtetit i besoi Departamentit për të Drejtat e Njeriut një hetim mbi dyshimet për praktika diskriminuese ndaj njerëzve me ngjyrë në MPD. Departamenti do të ketë autorizimin të urdhërojë ndryshime specifike, apo edhe të marrë përkohësisht kontrollin e policisë dhe sindikatës. Është  jashtëzakonisht e rrallë për oficerët e policisë që kanë vrarë shtetasit afrikano-amerikanë të dënohen në gjykatë, për arsyen e thjeshtë që në Shtetet e Bashkuara, siç na kujton lëvizja Black Lives Matter, jeta e njerëzve me ngjyrë ende nuk llogaritet. Lista e viktimave nuk do të përfundojë me George Floyd: tashmë, emrat e tjerë janë shtuar, siç është ai i Rayshard Brooks, i vrarë në 12 qershor nga një oficer policie në Atlanta pasi u arrestua për shkak se e kishte zënë gjumi në makinën e tij. Por ky nuk është një fenomen ekskluzivisht amerikan. Qofshin ata njerëz me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, migrantët në Evropë, indigjenë apo të pastrehët në vendet e tjera, kombinimi i kapitalizmit modern dhe nacionalizmit të ringjallur ka ndryshuar përkufizimin tonë për qytetarine dhe të drejtat që e themeluan atë, duke krijuar kategori njerëzish, jetën e të cilëve mund ta marrë shteti pa shkaktuar trazira. Grupet e synuara do të diskreditohen si antisociale, të dënuara për t’u dëbuar nga rrugët në rastin e të pastrehëve, që konsiderohen të paintegrueshëm ne shoqeri, si ajo e refugjatëve ose si një armik i brendshëm që sfidon rendin mbizotërues, si ne rastin e njerëzve me ngjyrë.

Kjo është arsyeja pse videoja e z.Chauvin që përkulet mbi qafën e George Floyd mund të mos jetë mjaftueshëm për të dënuar policin dhe tre bashkëpunëtorët e tij. Gjurmët e ilaçeve që gjenden në trupin e tij, një veprimtari potencialisht kriminale, siç është përdorimi i pretenduar i një kartëmonedhe të falsifikuar ose shitja e cigareve kontrabandë, mund të jenë të mjaftueshme për ta shndërruar viktimën në fajtor në sytë e shumicë. Në çështjen George Floyd, rezultati i gjykimit pa dyshim do të varet nga përbërja e jurisë. Edhe në hipotezën e dënimi të katër policëve, një pjesë e së majtës dhe i gjithë kampi konservator do të tregojë tezën e mollës së kalbur për të shpëtuar pjesën tjetër të shportës. Do të bëhen thirrje solemne për të rikthyer besimin në polici, i cili, në fund të fundit, nuk e bën dhe aq keq detyrën për të mbrojtur mirëqenien e klasave të mesme dhe të larta. Nga ky këndvështrim, Minneapolis mund të mos jetë aq larg siç mendoni nga Nju Jorku, Parisi, Sidnej ose Rio de Janeiro.